Gjahtarët e Shpërblimeve Gjuajnë Personat më t ë Kërkuar në Serbi

Zyrtarë të lartë serbë në listën e të kërkuarve të Gjykatës së Hagës po jetojnë momente terrori për shkak të ish-miqve të tyre të cilët mendohet se janë paguar nga NATO për t'i nxjerrë ata para drejtësisë.

Gjahtarët e Shpërblimeve Gjuajnë Personat më t ë Kërkuar në Serbi

Zyrtarë të lartë serbë në listën e të kërkuarve të Gjykatës së Hagës po jetojnë momente terrori për shkak të ish-miqve të tyre të cilët mendohet se janë paguar nga NATO për t'i nxjerrë ata para drejtësisë.

Gjahtarët e shpërblimeve thuhet se po marrin shuma të mëdha parash për të rrëmbyer të dyshuarit për krime lufte nga vendet e fshehta në Serbi dhe për t'ia dorëzuar ata trupave të NATO-s.


Bandat e mercenarëve thuhet se po kapin ish-shokët e tyre të luftës në Bosnje duke përdorur informacione sekrete të dhëna nga paguesit e tyre të OKB-së.


Kjo është zbuluar pasi Dragan Nikoliq, 43 vjeç, në gjyq për krime lufte në Hagë, ka deklaruar se ai është rrëmbyer nga gjahtarët e shpërblimeve në Smederevo, 50 km në lindje të Beogradit. Në kohën e arrestimit ai jetonte i fshehur në një shtëpi me qera në rrugën Joakim Vujiq ku po kurohej nga një plagë në shpinë.


Një burim i policisë serbe ka konfirmuar se Nikoliq është rrëmbyer nga dy burra të cilët flisnin serbisht dhe që janë paraqitur si oficerë të policisë lokale. Ata e kanë futur në bagazhin e makinës dhe e kanë dërguar në kufi me Bosnjen. Aty ai është lidhur këmbë e duar dhe pastaj është kaluar ilegalisht në Bosnje me një varkë mbi lumin Drina, ku i është dorëzuar ushtarëve amerikanë të SFOR-it më 21 prill.


Burimi policor thotë se gjahtarët e shpërblimeve kanë marrë rreth 30,000 marka gjermane për ta dorëzuar atë tek autoritetet.


"I njohur gjithashtu edhe me emrin "Jenki", Nikoliq është akuzuar në nëntor 1994 kur ai u identifikua si komandanti i kampit të Susuca, pranë Vlasenicës, ku myslimanë të Bosnjes thuhet se janë torturuar, përdhunuar dhe ekzekutuar në vitin 1992.


Në seancën gjyqësore të 28 prillit ai është deklaruar i pafajshëm për rreth 80 akuza të veçanta - numri më i madh i akuzave i bërë ndonjëherë nga kjo Gjykatë deri më tani.


Megjithatë Nikoliq ka shumë shpresa se rrethanat e arrestimit të tij do të bëjnë që çështja e ngritur ndaj tij të ndërpritet. Avokatët e tij mendojnë të provojnë se ish-komandanti i kampit është arrestuar në një vend që është jashtë juridiksionit të OKB-së. NATO deklaron se ai është kapur nga trupat e SFOR-it në një qytet të paspecifikuar në Bosnjen veriore.


Sipas statutit të Gjykatës, prokurorët mund të detyrohen ta lirojnë Nikoliqin nëse arrestimi i tij konsiderohet i paligjshëm.


Avokati mbrojtës Hauard Morrison ka mundësi t'i referohet rastit të Stevan Todoroviq, i cili është arrestuar në kushte të ngjashme në malin Zlatibor, në juglindje të Serbisë. Ish-shefi i policisë serbe në qytetin e Bosanski Shamac është i akuzuar për krime lufte të kryera në vitin 1992 kundër boshnjakëve dhe kroatëve.


Todoroviq thotë se ai është rrëmbyer nga anëtarë të bandës Merimanga, të cilët do të dalin në gjyq në Beograd këtë muaj për një tentativë për të vrarë presidentin Sllobodan Millosheviq dhe zyrtarë të tjerë serbë.


Todoroviq thotë se ai ka njohur tre anëtarë të Merimangës - Jugosllav Petrushiq, Rade Petroviq dhe Branko Vlace - nga fotografitë e tyre në gazetë dhe është i bindur se janë pikërisht ata që e kanë rrëmbyer në shtator të vitit 1998. Mendohet se ai u është shitur trupave franceze për 20,000 marka gjermane.


Grupi Merimanga mendohet të ketë punuar për shërbimet sekrete franceze dhe serbe në të njëjtën kohë duke rekrutuar fillimisht ish-luftëtarë serbë për llogari të ish-diktatorit të Zairesë Mobutu Sese Seko.


Burimi brenda policisë serbe thotë se të dyshuarit për krime lufte në të gjithë Jugosllavinë po jetojnë të terrorizuar nga frika e gjahtarëve të shpërblimeve, të cilët mendohet të jenë të motivuar krejtësisht nga shpërblimet financiare.


Ai ka thënë se një numër ish-politikanësh dhe zyrtarësh të ushtrisë janë larguar nga Republika Srpska për në Serbi gjatë vitit të kaluar në përpjekje për t'i shpëtuar dorës së gjatë të Gjykatës së Hagës.


"Gjatë tre muajve të fundit ata janë ndjekur nga njerëz - kryesisht nga elita e forcave policore dhe njësive të ushtrisë - të cilët mendohet të jenë gjahtarë shpërblimesh," thotë oficeri i policisë. "Ata jo vetëm që paguhen nga komuniteti ndërkombëtar në Bosnje, por edhe ndihmohen me logjistikë e informacione sekrete prej tyre. Qeveria e Republika Srpska është në dijeni të kësaj situate."


Ai shton: "Unë mendoj se vala e rrëmbimeve do të shtohet në të ardhmen."


Një zyrtar serb i Bosnjes nga Pale, i cili dyshon se është në listën sekrete të të akuzuarve, tha se arrestimi i politikanit të akuzuar Momçillo Krajishnik muajin e kaluar kishte shqetësuar të gjithë të dyshuarit e tjerë. "Territori nën kontrollin e Millosheviqit," shpjegon ai, "nuk ishte aq i sigurtë sa dy javë më parë."


"Unë nuk ndjehem i sigurtë as në Beograd," thotë ai duke shtuar se policia lokale nuk kishte pranuar t'i jepte atij mbrojtje.


Ky njeri ka thënë për IWPR-në se "njerëz të dyshimtë nga Republika Srpska" kishin bërë hetime së fundi rreth vendndodhjes së tij. "Gjatë luftës këta njerëz kanë qenë pjestarë të njësive speciale të policisë të lidhur me policinë sekrete në Beograd," thotë ai. "Ata janë të gjithë ish-shokët tanë, njerëz që ne i njohim. Ata mund të shkojnë më shpejt në Hagë për të gjitha ato që kanë bërë se sa ne."


Zyrtari mendon se këta njerëz mund të paguhen edhe nga Millosheviqi, i cili ndoshta shpreson të marrë favore nga qeveritë perëndimore duke ekstraduar të dyshuarit për krime lufte.


Këto fakte kanë dalë në dritë vetëm pak muaj pasi kryeprokurorja Karla Del Ponte bëri thirrje për "rrugë kreative" për të arrestuar të dyshuarit për krime lufte të cilët "janë përtej zonës së kontrolluar nga SFOR-i". Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ofruar një shpërblim prej 5 milion dollarë amerikanë për arrestimin e Millosheviqit e kolegëve të tij, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.


Gjenerali Mlladiq, komandanti i serbëve të Bosnjes në kohën e luftës, vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme në Beograd duke dalë në publik i shoqëruar nga 10 truproje të armatosur rëndë.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së në Republika Srpska.


Support our journalists