Fushata Fitimtare e Millosheviqit

Pesë javë përpara zgjedhjeve federale në Jugosllavi, partia në pushtet duket se është shumë më përpara se opozita në fushatën e saj propagandistike.

Fushata Fitimtare e Millosheviqit

Pesë javë përpara zgjedhjeve federale në Jugosllavi, partia në pushtet duket se është shumë më përpara se opozita në fushatën e saj propagandistike.

Sllobodan Millosheviq po parashikon fitore në zgjedhjet federale dhe lokale të planifikuara për më 24 Shtator dhe suksesi i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) në pushtet i jep atij arësye për të qenë i qetë.


E përjavshmja e Beogradit Blic News deklaron se presidenti jugosllav personalisht ka shprehur optimizmin e tij gjatë një darke pune me drejtuesit e SPS-së.


Ky optimizëm i Millosheviqit është mbështetur edhe nga Gorica Gajeviq, kryetari i shtabit qendror zgjedhor dhe sekretari i përgjithshëm i SPS-së, në një mbledhje të ngushtë me zyrtarë të lartë të partisë më 15 gusht për të diskutuar votimet.


Por edhe analistë të pavarur në Beograd janë dakort se SPS-ja ka arësye për të qenë e sigurtë në fitore - dhe jo vetëm për shkak të kontrollit të saj të plotë mbi median elektronike, sidomos pas marrjes nën kontroll këtë pranverë të Studio B dhe mediave të tjera elektronike.


"SPS ka një fushatë fantastike dhe opozita nuk ka mundur t'i përgjigjet as edhe një prej lëvizjeve të saj," thotë Dragan Gjilas, drejtor i Ovacion Reklama. Një ekspert tjetër i reklamave vlerëson "mënyrën shembullore të komunikimit të regjimit me publikun".


Strategjia e Socialistëve, sipas një eksperti të reklamave, Voja Zanetiq, është t'i paraqesin këto zgjedhje si një "referendum për mbrojtjen e lirisë." Idea është se njerëzit duhet të "tregojnë qartë se ata nuk duan të votojnë për shërbëtorët e rendit të ri botëror" - apo siç njihet ndryshe opozita.


Me një ekip të madh të specialistëve të propagandës, shtabi qendror zgjedhor i SPS-së e ka bazuar fushatën në shtatë pika: liri, pavarësi, përfundimin e misioneve të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë, mbijetesën e Republikës Federale të Jugosllavisë, rindërtimin, zhvillimin e përmirësimin e standarteve të jetesës dhe sigurimet shoqërore. Synimi kryesor është zgjimi i ndërgjegjësimit konservativ të serbëve të varfër, të cilët akoma janë të pavendosur dhe kanë frikë se gjërat mund të shkojnë edhe më keq se sa tani.


"Autoritetet po u dërgojnë mesazhe votuesve në bazë të demagogjisë së njerëzve të varfër, në kundërshtim me opozitën e cila është e orientuar kryesisht nga ekonomia e tregut," thotë Stepan Gredelj, një studiues i opinionit publik në Institutin e Filozofisë dhe Teorisë Sociale. Partia në pushtet po përqëndrohet në atë që ajo ka identifikuar si një numër i madh i votuesve të pavendosur, të cilët janë rreth 40 përqind e numrit të përgjithshëm dhe pjesa më e madhe e tyre nën moshën 30 vjeçare. Gajeviq, zyrtari partiak për zgjedhjet, deklaron se "një pjesë e madhe e tyre po afrohen me SPS-në në sajë të një fushate tepër aktive të Zyrës për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Ministrisë së Shëndetësisë."


Përpjekjet për rindërtimin e vendit kanë luajtur një rol kryesor në propagandën e regjimit që prej përfundimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe kjo propagandë është shtuar shumë tani në prag të zgjedhjeve.


Milutin Mrkonjiq, kryetari i Zyrës për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili gëzon një personalitet tërheqës në rradhët e publikut, po luan një rol të dorës së parë në fushatën e socialistëve. Radio Televizioni i Serbisë i Millosheviqit ndjek çdo hap të tij, si, për shembull, kur ai bën një vizitë surprizë në mes të natës në një kantier ndërtimi për të inkurajuar punëtorët apo për të kritikuar publikisht drejtuesit e kompanive të ndërtimit që nuk kanë zbatuar afatet. Tanimë ka filluar edhe një fushatë ambizioze për ndërtimin e apartamenteve të banimit për të rinjtë, të cilat më pas shiten me gjysmën e vlerës së tregut.


Një yll tjetër i fushatës është ministri federal i informacionit Goran Matiq, i cili shpesh organizon konferenca shtypi për të informuar publikun për arrestimin e "grupeve të reja terroriste dhe spiunëve". Qëllimi është të shtojë frikën në rradhët e qytetarëve të thjeshtë për vrasje të personaliteteve politike dhe trazira të tjera.


Një burim brenda SPS-së thotë se ndërsa fushata elektorale po arrin kulmin e saj, partia do të vendosë nëse roli kryesor do të luhet nga Mrkonjiq apo Matiq, në varësi të gjendjes së votuesve.


"Nëse mesazhet e ndërtimit të Mrkonjiq duket se po tërheqin të pavendosurit, atëherë ai do të luajë rolin kryesor. Nëse anketimet tregojnë një rënie të popullaritetit të SPS-së, Matiq do të marrë në dorë fushatën për të frikësuar voutesit në mënyrë që sa më pak prej tyre të shkojnë për të votuar," ka shpjeguar ai.


Anketimet tregojnë se drejtuesi i SPO-së Vuk Drashkoviq i ka dhënë goditjen më të rëndë opozitës duke refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje në kuadër të aleancës DOS. Detyra e regjimit është lehtësuar edhe më tepër nga lufta propagandistike ndërmjet SPO-së të Vuk Drashkoviqit dhe DOS-it për të përcaktuar se kush është opozita e vërtetë.


Kjo ka bërë që opozita të mos ketë një mesazh të qartë dhe të qëndrueshëm duke shtuar kështu numrin e votuesve të pavendosur.


Nenad Canak, drejtuesi i Social Demokratëve të Vojvodinës, parti e cila bën pjesë në DOS, përkrah kandidatin e përbashkët të opozitës për president Vojislav Kostunica. Por ai gjithashtu thotë se Kostunica nuk përfaqëson të ardhmen e Serbisë.


Drashkoviq, nga ana tjetër, ka akuzuar Kostunican se është "njëlloj si Millosheviqi" dhe thotë se Zoran Gjingjiq, presidenti i Partisë Demokratike, anëtare e DOS-it dhe rival i vjetër i Drashkoviqit, ka takime të përditshme sekrete me Millosheviqin.


Opozita tashmë e ka humbur luftën e propagandas, sepse ajo ia ka besuar këtë detyrë "njerëzve të paaftë dhe pa trajnimin e nevojshëm, përfshirja e të cilëve reduktohet thjesht në përzgjedhjen e ngjyrës së kravatës apo modelit të flokëve të kandidatëve," thotë eksperti i reklamave Zanetiq.


Kjo situatë ka bërë që autoritetet të jenë në një pozicion më të mirë dhe në gjendje të bëjnë një fushatë të suksesshme. Sipas një anëtari partie i cili ka marrë pjesë në takimin e fundit të SPS-së për strategjinë e zgjedhjeve, i cili dëshiron të mbetet anonim, zyrtari i partisë Gajeviq ka bërë thirrje që aktivistët dhe media e kontrolluar nga SPS-ja të shtojnë sulmet ndaj Kostunicas, i cili përbën edhe kundërshtarin më të rrezikshëm të Millosheviqit.


Gajeviq më pas ka informuar drejtuesit e degës lokale të SPS-së se një "fushatë e kufizuar" do të bëhet edhe kundër Vojislav Mihailoviqit, kandidati presidencial i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO). Ndërkohë udhëheqja e SPS-së ka pranuar një pakt mos-sulmimi me Partinë Radikale Serbe të ultranacionalistit Vojislav Sheshelj.


"Ata janë kundërshtarë, por jo armiq," ka thënë Gajeviq në këtë takim.


Një fakt mund të japë pak shpresë në kuadrin e vlerësimeve negative të ekspertëve për këtë fushatë të opozitës. Svetlana Xhuriq Logar, një psikologe në Institutin e Studimeve të Marketingut Strategjik dhe Mediave, vlerëson se në kushte të vështira si në Serbi fushata pothuajse nuk ka fare efekt mbi zgjedhjen e bërë nga votuesit.


Xhuriq Logar thekson se anjë palë nuk ka ndonjë gjë të re për të ofruar dhe se opozita do të marrë votat e saj, ashtu si edhe autoritetet, ndërsa votuesit e pavendosur do të marrin një vendim vetëm në momentin e fundit në bazë të informacioneve të marra rastësisht.


Zheljko Cvijanoviq është kontribues i rregullt për IWPR-në.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists