Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Ftohja e Beogradasve me Mitingjet

Përgjigja e vakët e publikut ndaj një mitingu anti-qeveritar të planifikuar për t'u mbajtur në Beograd është një shenjë tjetër e humbjes së besimit ndaj opozitës.
By Milenko Vasovic

Dyshime serioze ka mundësi të ngrihen rreth synimeve dhe unitetit të opozitës serbe pas planifikimit të një demonstrate anti-qeveritare për këtë fundjavë në Beograd.


Mitingu i 14 prillit i organizuar nga 17 parti opozitare dhe koalicione, të cilat kanë nënshkruar një marrëveshje më 10 janar për të marrë pjesë në një fushatë të përbashkët për zgjedhje të parakohëshme demokratike, deri më tani nuk ka arritur të entuziasmojë publikun.


Për herë të parë që prej protestave masive të dimrit 1996-1997 dy partitë më të mëdha të opozitës, Lëvizja për Ripërtëritje Serbe, SPO, dhe Partia Demokratike, DS, do të dalin së bashku para banorëve të Beogradit.


Por dy dështime të mëdha kanë bërë që shpresat të zvogëlohen shumë. Lidhja që bashkon partitë e opozitës mbetet shumë e dobët dhe drejtuesit e tyre nuk kanë mundur të thonë se çfarë presin që të arrihet nga ky miting.


Që prej marrëveshjes së janarit, opozita ka kërkuar që zgjedhjet republikane dhe presidenciale, të planifikuara për vitin tjetër, të mbahen këtë pranverë së bashku me zgjedhjet lokale dhe federale.


Qeveria e Millosheviqit e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, pa provokuar ndonjë përgjigje të vërtetë nga opozita.


Ognjen Pribiceviq, këshilltar i liderit të SPO-së Vuk Drashkoviq, pranon se thirrjet për zgjedhje lokale dhe federale përpara vjeshtës janë jorealiste. Mbajtja e zgjedhjeve në këtë kohë nuk do ti shkonte për shtat socialistëve të Millosheviqit dhe partnerëve të tyre në koalicion, Partisë Radikale të Vojisllav Sheshel. Edhe për arësye teknike tashmë është tepër vonë për të thirrur zgjedhje në pranverë.


Pra, shpresat e opozitës varen në suksesin e demonstruesve për të detyruar qeverinë të thërrasë zgjedhje të parakohëshme republikane dhe presidenciale. Megjithatë deri më tani opozita akoma nuk ka paraqitur ndonjë ultimatum Millosheviqit. Edhe nëse ata do të bënin një gjë të tillë, demonstruesit nuk ka mundësi të qëndrojnë për kohë të gjatë në rrugë nëse presidenti nuk e pranon kërkesën e tyre.


Mitingu i propozuar për në Beograd u ngjan atyre të organizuara më parë në të gjithë provincat e Serbisë. Përjashtuar ndonjë zhvillim surprizë, protesta do të jetë pa ndonjë rezultat.


Marrëveshja e partive të opozitës në janar, në fakt ka përmirësuar disi imazhin e tyre publik por shumë nga problemet e vjetra vazhdojnë të mbeten.


Prej dhjetë vjetësh opozita nuk arriti të bashkohet, për shkak të sipërfaqësisë së disa udhëheqësve të saj dhe të përçarjes së bërë nga njerëzit e Millosheviqit.


Tani që bashkimi ofron të vetmen shpresë për mbijetesë, Drashkoviq dhe udhëheqësi i DS, Zoran Gjingjiq, vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje. Ndarje të tjera kanë dalë tanimë në sipërfaqe.


Drashkoviq, për shembull, së fundi ka pasur një zënkë me Velimir Iliq, kryetarin e bashkisë së Çaçakut dhe ish-aktivist i SPO-së. Kjo prishje krijoi vështirësi për organizimin e mitingut.


Drashkoviq nuk pranoi daljen e Iliq dhe fjalën e tij në tribunë. Në fund Iliq u tërhoq për shkak të ruajtjes së unitetit, por tha se ai ishte tepër i ngopur me zënkat e përherëshme të partive të opozitës. Goran Svilanoviq, drejtuesi i Aleancës Civile të Serbisë, tha se incidenti me Iliq e kishte bërë atë të turpërohej nga opozita. Qeveria e Millosheviqit ka qenë tepër e gatshme për të shfrytëzuar këto ndarje. Një nga deklaratat e saj më të publikuara ka qenë: "Ata që zihen se cili do të flasë në një miting nuk janë njerëz të cilët mund të kryejnë ndryshime."


Drashkoviq ka përgjegjësinë më të madhe për konfuzionin që ekziston në rradhët e opozitës. Që prej një përpjekje për ta vrarë më 3 tetor, 1999, ku gjetën vdekjen katër nga kolegët e tij të SPO-së, Drashkoviq ka dalë në publik shumë rrallë. Shumë vëzhgues besojnë se incidenti ka shkaktuar një ndryshim të strategjisë.


Zëra, të hedhur poshtë me forcë nga SPO, thonë se përgatitjet e vakta për mitingun e 14 prillit rrjedhin nga ndryshimi i kursit të Drashkoviqit.


SPO ka fituar zgjedhjet e fundit lokale në Beograd dhe tani drejton këshillin bashkiak dhe ky fakt ka bërë që të dalin zëra se Drashkoviq është i interesuar të vonojë zgjedhjet lokale, sepse ka frikë se mund të humbasë kontrollin e qytetit.


Këtu spekulime kanë ndodhur në kohën kur Drashkoviq ka qenë në një udhëtim në Moskë javën e kaluar ku ka takuar ministrin e jashtëm rus Igor Ivanov për të përdorur influencën e Rusisë për të bindur Millosheviqin të thërrasë zgjedhje të parakohëshme.


Një gjë duket pothuajse e sigurtë - Millosheviq nuk do të afrojë datën e zgjedhjeve, pavarësisht nga ngjarjet e 14 prillit apo nga presionet nga jashtë.


Duke qenë se opozita nuk është e përgatitur të bëjë një ultimatum, mitingu nuk do të jetë një provë e vërtetë për bashkimin e opozitës. Vetëm nëse zgjedhjet lokale dhe federale mbahen në vjeshtë do të vihet në provë ky bashkim i opozitës.


Nëse partitë e opozitës nuk shkojnë në zgjedhje me një listë të përbashkët, të gjithë përpjekjet e tyre do të jenë të pavlefshme. Një studim i bërë nga agjensia e Beogradit "Medijum" ka parashikuar se një opozitë e bashkuar do të fitonte 58 vende dhe një shumicë në parlamentin federal. Koalicioni qeveritar do të humbiste 20 vende. Studimi, i cili është kryer vetëm në Serbi, ka parashikuar një rezultat të ngjashëm edhe për zgjedhjet lokale dhe republikane.


Por vjeshta është akoma tepër larg dhe ka shumë kohë që bashkimi i opozitës të çahet dhe që Millosheviqi të shtojë masat e tij represive.


Milenko Vasoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Beogradi.