FRIKË PËR NIVELIN E LARTË TË NDOTJES NË KOSOVË

Kanceri i mushkrive dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes po shtohen shumë në fshatrat pranë stacioneve të vjetra të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.

FRIKË PËR NIVELIN E LARTË TË NDOTJES NË KOSOVË

Kanceri i mushkrive dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes po shtohen shumë në fshatrat pranë stacioneve të vjetra të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Monday, 21 February, 2005

Rrugët e fshatit Dardhishtë, shtatë kilometra në veriperëndim të Prishtinës, janë të zbrazura dhe plot pluhur. Po të shohësh me vëmendje do të vësh re se çatitë e shtëpive janë të mbuluara me një shtresë pluhuri në ngjyrë të kuqe të errët, i cili mesa duket vjen nga oxhaku 70 metërsh prej betoni i Kosova A, një prej dy stacioneve të prodhimit të energjisë elektrike të Korporatës Energjitike të Kosovës, KEK.


Me sytë nga oxhaku i gjatë, i cili vjell re të mëdha pluhuri në ngjyrë të verdhë, Muhamet Gërguri, 37 vjeç, një prej drejtuesve të fshatit, thotë se familjet e shohin oxhakun me frikë. “Në Dardhishtë je me fat nëse asnjë prej anëtarëve të familjes nuk ka vdekur ende, apo është duke vdekur nga kanceri,” thotë ai.


Ka shumë prova të cilat mbështesin dyshimet e fshatarëve mbi ndikimin negativ të centralit në shëndetin e tyre. Një njoftim i ministrisë së ambjentit të Kosovë në maj 2003 thoshte se Kosova A prodhon rreth 2.5 ton pluhur në orë, sasi e cila është rreth 74 herë më e lartë se sa ajo e lejuar nga standarded evropiane.


I njëjti raport ka arritur në përfundimin se në zonën e Kastriotit, ku ndodhen centralet, ndotja e ambjentit është përgjegjëse për 63 përqind të vdekjeve të fëmijëve dhe 48 përqind të fëmijëve të cilët lindin të vdekur.


Në raport thuhet gjithashtu se pasojat kërcënuese të Kosova A ndjehen jo vetëm në fshatrat pranë centralit, dhe se gjatë të paktën 18 ditëve në vit, qyteti i Prishtinës vuan nga retë e tymit dhe pluhurit të cilat sillen nga era prej centraleve.


Por zona e Kastriotit është më e prekura nga ndikimi i centralit. Atje, familjet anëtarët e të cilave vuajnë nga kanceri i mushkrive apo sëmundjet e tjera të aparatit të frymëmarrjes janë më të shumta se çfarë mund të pritet në një zonë jo urbane.


Valon Maxhuni, 21 vjeç, një shitës në Dardhishtë, fajëson ndotjen nga Kosova A për vdekjen pak kohë më parë të xhaxhait të tij. “E di se fajtor ka qenë ndotja nga KEK, sepse xhaxhai im ka vdekur nga kanceri në mushkri, ashtu si edhe shumë të tjerë këtu,” thotë ai.


Frika nga ndotja e ambjentit ka larguar shumë banorë të fshatit. Që prej luftës së vitit 1999, rreth 40 përqind e popullsisë së Dardhishtës janë larguar në drejtim të fshatrave të tjerë apo në qytete, për shkak të ndotjes. Ata të cilët kanë mbetur ende atje nuk kanë se ku të shkojnë dhe nuk mund të shesin shtëpitë, sepse jo shumë njerëz duan të blenë tokë në këtë fshat.


Ndotja i atribuohet kryesisht mirëmbajtjes së keqe të dy centraleve, Kosova A dhe Kosova B, dhe mosfunksionimit të filtrave të pastrimit. Filtrat në Kosova A, të cilat kanë ardhur nga ish Bashkimi Sovjetik, funksionojnë me vetëm gjysmën e kapacitetit të tyre.


Megjithatë, duket se ndotja nuk shkaktohet vetëm nga filtrat e prishur. Punëtorë të Kosova A kanë thënë për IWPR se gjatë turnit të dytë dhe të tretë të punës në central, prej orës 4 pasdite deri në 8 të mëngjesit, filtrat shpesh hiqen krejtësisht.


Nysret Tërnava, një teknik në Kosova A, thotë se punëtorët në turnet e pasdites dhe të natës i heqin filtrat për të mos pasur shumë punë. “Është thjesht dembelizëm,” thotë ai. “Punëtorët nuk duan të qëndrojnë pranë makinave – prandaj i heqin filtrat, në mënyrë që të mos kenë shumë punë”.


Muhamet Gërguri, i cili punon gjithashtu në KEK, ka një shpjegim tjetër: “Filtrat pakësojnë kapacitetin e prodhimit të energjisë – dhe për këtë arësye hiqen natën pa menduar fare për dëmet ndaj shëndetit”.


I vetmi institut zyrtar në Kosovë i autorizuar për të matur sasinë e ndotjes është instituti INKOS. Por duke qenë se ky është një departament i KEK, i cili është vetë shkaktari i kësaj ndotjeje, ai nuk mund të konsiderohet krejtësisht i pavarur.


Për më tepër, zyrtarë të INKOS thonë se ata nuk kanë pajisjet e nevojëshme për të matur ndotjen në ajër, duke thënë se ato janë vjedhur, apo shkatërruar, kur autoritetet serbe janë tërhequr nga Kosova në qershor 1999.


Raif Bytyqi, koordinator i ambjentit në INKOS, pranon se ndjehet i pafuqishëm. “Kur shohim ngjyrën e ujit i cili derdhet nga centralet i patrajtuar, e dimë se përmban materiale helmuese, por nuk mund ta masim, sepse nuk kemi pajisjet e nevojëshme,” thotë ai.


INKOS gjithashtu nuk mund të konfirmojë dhe as të mohojë raportet se filtrat hiqen gjatë turnit të natës, sepse ai vetëm kontrollon turnin e parë.


Pluhuri i ndotur, i cili përbëhet nga plumb, mbetje të tjera kimike dhe solide, gjendet në ajër, tokë dhe ujin e Kosovës në masë të njëjtë.


Uji i cili derdhet nga centralet i patrajtuar përmban hi me përmbajtje fenoli, një kimikat shumë toksik, derdhet në përroin i cili kalon përmes Dardhishtës, i cili më pas përmbyt shtëpisë gjatë dhe pas shirave të rrëmbyeshëm.


Ali Muriqi, një shkencëtar në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se pasojat e fenolit janë afatshkurtra dhe afatgjata, “dhe shkaktojnë rritje kanceroze dhe shrregullime psiqike dhe fizike tek fëmijët e sapolindur”.


Fenolet, të cilat çlirohen gjatë shirave të dendur në përroin e fshatit, kontaminojnë edhe puset e oborreve private të cilat përdoren nga shumë fshatarë për ujë të pijshëm.


Zeqir Veseli, një këshilltar në ministrinë e ambjentit, nuk prêt ndonjë përmirësim të madh në të ardhmen e afërt.


“Ne nuk kemi eksperiencë në zgjidhjen e problemeve të ambjentit,” ka thënë ai, duke shtuar se Kosova nuk ka infrastrukturën e nevojëshme ligjore dhe aftësinë të cilat do të bënin të mundur penalizimin e një kompanie të madhe si KEK.


Veseli është i bindur se fondet janë pengesa më e madhe në zgjidhjen e problemeve të ambjentit, siç është rasti i ndotjes së prodhuar nga centralet e KEK.


“Harmonizimi i legjislacionit për ambjentin me standarded e BE-së i ka kushtuar Sllovenisë rreth 1.7 miliard euro,” shton Veseli, duke iu referuar republikës më të pasur të ish Jugosllavisë.


Blerim Vela, i OJQ-së ndërkombëtare ambjentaliste, Qendra Rajonale e Ambjentit, QRA, e cila bën fushatë kundër ndotjes së shkaktuar nga KEK, thotë se Kosova ndoshta do të duhet të vendosë se kush është prioriteti më i madh për të, ajri i pastër apo energjia elektrike.


“Institucionet e Kosovës janë nën një presion të madh,” thotë ai. “Ato nuk mund ti kërkojnë KEK të ndërpresë punën, sepse në Kosovë ka një krizë energjitike. Nga ana tjetër, prodhimi i kësaj energjie po shkakton ndotje të ambjentit”.


Vela thekson se niveli i ndotjes nga centralet e KEK ka arritur tanimë përmasa të tmerrshme. “Kontrolli më i fundit shëndetësor i ushtruar nga Instituti për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë i KEK, ka arritur në përfundimin se çdo punonjës i cili punon në centrale vuan nga të paktën një formë e sëmundjeve të aparatit të frymëmarrjes,” thotë ai.


Për fshatarët e Dardhishtës ky nuk është lajm i mirë. Valon Mexhuani do të largohej nga fshati me shumë dëshirë nëse do të mundte. Shpresa e fundit për të është që qeveria mund të paraqesë ndonjë plan për të ndihmuar familjet e Dardhishtës për tu larguar nga zona përreth centraleve.


“Kemi dëgjuar premtime që qeveria do të transferojë 40 familje të cilat janë më të prekurat, por deri më tani nuk është bërë asgjë,” thotë Mexhuani.


Palokë Berisha, një zëdhënës i KEK thotë: “Po, në kemi dijeni që veprimtaria e centraleve ndot ambjentin, por mbajtja në punë e Kosova A dhe blerja e filtrave kushton shumë dhe KEK nuk mund ta përballojë”.


Për sa i përket heqjes së filtrave nga punonjësit e KEK në Kosova A, Berisha ka thënë se “Unë nuk kam dijeni që filtrat hiqen nga punëtorët, dhe nëse ndodh vërtetë një gjë e tillë nuk ka arësye që të ndodhë”.


I përballur me rezultatet e raportit të ministrisë së ambjentit mbi lidhjen ndërmjet vdekshmërisë foshnjore dhe ndotjes së ambjentit, Berisha thotë: “Unë nuk i kam dëgjuar këto shifra, por nëse janë të vërteta atëherë vetëm mund të them se kjo është krejtësisht tragjike”.


Arben Salihu është pjesëmarrës i një kursi gazetarie të organizuar nga IWPR me mbështetjen e OSBE-së.


Balkans, Kosovo
Support our journalists