FERMERËT E BOSNJËS PROTESTOJNË KUNDËR VËRSHIMIT TË VENDIT NGA IMPORTET

Fermerët në grevë kanë ndërtuar një fshat prej tendash në periferi të Sarajevës në protestë kundër marrëveshjeve rajonale për tregti të lirë që ata pohojnë po i shkatërron ata.

FERMERËT E BOSNJËS PROTESTOJNË KUNDËR VËRSHIMIT TË VENDIT NGA IMPORTET

Fermerët në grevë kanë ndërtuar një fshat prej tendash në periferi të Sarajevës në protestë kundër marrëveshjeve rajonale për tregti të lirë që ata pohojnë po i shkatërron ata.

Vizitorët e kohëve të fundit në Sarajevë ballafaqohen me një pamje befasuese – një fshat i vogël tendash, të ngritura pranë ndërtesave të vjetra të qeverisë së para luftës dhe vetëm disa metra nga zyret e tanishme të autoriteteve.


Këto janë shtëpitë e përkohshme për 30 fermerë grevistë nga e gjithë Bosnja, të cilët kërkojnë veprim nga qeveria për të mbrojtur prodhimet bujqësore vendore dhe ndalojnë valën e importeve të lira.


Hajrudin Babajic, një fermerë i bagëtive dhe pemëve, ka qëndruar në tendë që nga dita e parë, më shumë se dy muaj.


“Gjëra të ndryshme po importohen,” ai u ankua, “dhe prodhime bujqësore në vlerë prej 4.7 bilion marka (rreth 2.3 bilion euro) në vetëm shtatë muajt e fundit.”


Ka kohë që zemërimi i fermerëve është në rritje. Gjatë dy viteve të kaluara, bllokimi i rrugëve nga fermerët, të cilët marrin bagëtitë e tyre në protesta dhe kërcënojnë djegien e kamionëve që transportojnë prodhimet e jashtme bujqësore është një pamje e zakonshme.


Pakënaqësia e tyre daton që nga nënshkrimi i marrëveshjeve për tregti të lirë me Kroacinë dhe Serbinë dhe Malin e Zi në vitin 2001.


Kjo marrëveshje gjithashtu ka bashkuar fermerët në të dy anët e këtij vendi të ndarë, duke bashkuar fermerët dhe punëtorët bujqësor nga Federata si dhe nga entiteti i dytë i Bosnjës, Republika Srpska.


Ata të gjithë dëshirojnë më shumë mbrojtje të produkteve vendore përmes krijimit të ministrisë së bujqësisë dhe përmes ndryshimeve në kushtet e marrëveshjeve për tregti të lirë.


“Ne mbështesim kërkesat e fermerëve,” tha një lider i unionit të fermerëve, Mehmed Avdagic. “Qëllimi ynë tani është ti bashkojmë dhe të punojmë së bashku t’i arrijmë këto synime.”


Teknologjia e vjetër dhe dështimi për të krijuar një politikë kombëtare të bujqësisë kanë ndihmuar në vendosjen e fermerëve të Bosnjës në pozitën e tanishme.


Nuk ka ndonjë koordinim shtetëror, pasi marrëveshja paqësore e Dejtonit 1995, e cila përfundoj luftën e Bosnjës 1992-1995, la bujqësinë nën kompetencat e dy entiteteve.


Gjërat u përkeqësuan me vendimin e Bosnjës në vitin 2001 për të nënshkruar marrëveshjen me fqinjët e saj, për të liberalizuar regjimin e importeve në të paktën 90 përqind të artikujve.


Marrëveshjet ndihmuan eksportuesit komercial të Bosnjës por goditi fermerët rëndë, pasi ushqimet e importuara shpesh janë më të lira se ato vendore.


Në mungesë të ministrisë së bujqësisë, problemet e tyre kanë rënë në duart e ministrisë për tregti të jashtme dhe marrëdhënie ekonomike.


Ndihmës ministri Nenad Pandurevic tha se ankesat e fermerëve ishin të arsyeshme. Ai u pajtua se shumë probleme buronin nga marrëveshja për tregti të lirë.


Ai tha se Bosnja nënshkroi marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, SCG, dhe Kroacinë, me besimin se prodhuesit vendorë do të kenë mjaft kohë për adaptim nëse regjimi i ri gradualisht do të hynte në funksion.


“Marrëveshja e parë, e cila startoj me 1 janar 2002, vendosi tarifë zero përqind në eksportet e Bosnjës në Kroaci derisa ne mbajtëm të drejtën që gradualisht të heqim taksat në mallrat nga Kroacia deri me 1 janar 2004,” ai pohoj.


“Kjo ndodhi edhe me SCG. Dy vendet u pajtuan për këtë marrëveshje duke marrë parasysh gjendjen e vështirë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne menduam se dy apo tri vite do të mjaftojnë për tu përgatitur për kohën kur tarifat në të dy anët do të ulen në zero përqind.”


Këto shpresa ishin vetëm iluzion. Deri në vitin 2005, importet po vërshonin vendin, dhe sipas Zyrës Federale për Statistika, rreth 13 përqind ishin ushqime dhe pije, shumica nga Kroacia.


“Bujqësia e Bosnjës dhe Hercegovinës teknologjikisht është shumë mbrapa këtyre vendeve,” tha Pandurevic. “Problemi tjetër është se Kroacia dhe SCG i ofrojnë sektorit të tyre bujqësor subvencione më të larta se ne. Kroacia ndanë rreth 500 milion euro për bujqësi derisa në Bosnjë subvencionet nuk kalojnë shumën prej 50 milion markash [25 milion euro].”


Hajrudin Bajic, një nga fermerët në fshatin e tendave, tha se shumë nga ushqimet e lira të importuara ishin të kualitetit të dobët. Ai mund të ketë të drejtë. Më herët këtë vit, Asociacioni i Konsumatorëve të Federatës paralajmëroj popullatën kundër blerjes së pulave të ngrira nga Holanda, shumë prej të cilave, ata thanë, kanë kaluar datën e shitjes.


“Ne punojmë tokën tonë për asgjë,” u ankua Bajic. “Këtë vit unë kisha 70 qengja por nuk shita asnjë sepse çmimi ishte shumë i lirë. Nëse nuk i shes deri në fund të vitit do të duhet ti vrasë kafshët.”


Një fermer i quajtur Muhamed nga Kalesija, afër Tuzllës, kishte rrëfim të njëjtë. Ai posedon rreth 1500 bagëti por pas 24 vjetëve në këtë punë, ai tha se nuk ishte i sigurt nëse do të mund të mbijetonte.


“Deri në vitin 2003 unë arrita të fitoj për një jetesë por këtë vit dhe vitin e kaluar unë gati se nuk shita asgjë dhe atë çka shita ishte me çmime shumë të ulëta,” tha ai.


Mehmed Avdagic, nga unioni i fermerëve, fajëson autoritetet për dështimin në stimulimin e prodhimit. “Në të njëjtën kohë, industria e përpunimit dhe paketimit të ushqimeve nuk është duke blerë prodhimet tona,’ ai tha.


“Si të detyroni industrinë e përpunimit të blejnë prodhimet tona kur ato janë më shtrenjtë se importet?”


Qeveria vetëm ka reaguar duke lajmëruar kufizim në tregti të lirë këtë vit në fusha të caktuara, si qumësht dhe mish.


“Ne vendosëm se duhet të koncentrohemi në mundësinë e mbrojtjes së prodhimit dhe përpunimit të këtyre prodhimeve,” tha Pandurevic.


Viti i kaluar shënoj rritje rreth 70 përqind të importit të qumështit nga Kroacia.


Ndalimi i këtyre importeve me rivendosjen e tarifave në prodhime të qumështit nuk është opsion i lehtë, megjithatë, pasi kjo mund të nxisë veprime reciproke.


“Nëse ne ndalojmë tregtinë e lirë me ata, ata do të bëjnë të njëjtën gjë me ne,” tha Pandurevic.


Një problem tjetër është çarjet në mes të vet fermerëve. Edhe pse ata duket se kanë qëllimet e përbashkëta, unionet e ndryshme shpesh janë në luftë me njëra tjetrën.


“Shumë asociacione të fermerëve nuk mbështesin njëra tjetrën,” tha lideri i unionit Mehmed Avdagic. “Asociacioni i Fermerëve [i Bosnjës dhe Hercegovinës] është duke tentuar me vite për të bashkuar këto asociacione, pasi është keq të jemi të përçarë pasi ne kemi nevojë për një aleancë.”


Avdagic fajëson këtë në zakonin ku “të gjithë mbështeten në parimin e mbrojtjes së interesave të tyre.’


Ai nënvizon edhe një problem tjetër, i cili është depërtimi i prodhuesve të Bashkimit Evropian në tregun vendor.


Sipas Avdagic, Sllovenia, tani anëtare e BE-së, është duke fituar një pjesë të tregut vendor bujqësor duke hapur fabrika në Bosnjë dhe pastaj duke importuar lëndën e parë nga vendet e tjera.


Në teori, Bosnja mund të eksportoj më shumë produkte të saja në BE, por për momentin, thotë Avdagic, “eksportimi është vetëm diçka që mund të ëndërrojmë.”


Përpos kthimit të tarifave në disa produkte ushqimore, qeveria ka përpiluar “Strategjinë për Luftimin e Varfërisë” e cila propozon zgjidhjen e ankesave të fermerëve duke krijuar një politikë bujqësore afatgjate.


Por nuk ka shenja të ndonjë veprimi serioz në këtë fushë, asnjë institucion shtetëror nuk ekziston për të vendosur këtë politikë në praktikë.


“Ne duhet të krijojmë institucione të reja,” tha Pandurevic. “Me ligj ne kemi një agjenci për kontrollim të ushqimit, për shembull, por edhe pse është krijuar ajo ekziston vetëm në letër. E njëjta gjë vlen edhe për institucionet e tjera. Shumë nuk ekzistojnë – apo janë joefikase.”


Vendi nuk mund të injoroj problemet në këtë sektor të rëndësishëm. Bujqësia përshinë gati një të tretën e popullatës së Bosnjës dhe përparimi në agrikulturë është një nga kushtet që Brukseli ka vendosur në rrugë drejtë anëtarësimit në BE.


Rezultatet e pafavorshme të marrëveshjeve për tregti të lirë me Kroacinë dhe Serbinë janë një indikacion i vështirësive me të cilat Bosnja do të ballafaqohet në të ardhmen.


Brukseli shikon këto marrëveshje, thotë Pandurevic, “si një provë për të parë se si ne mund t’i adaptohemi tregut të BE-së. Gjykuar nga rezultatet nuk do të jetë lehtë.”


Në ndërkohë, fermerët e Bosnjës janë të pafuqishëm për të bërë diçka përpos bllokimit të rrugëve dhe protestave. Në disa raste, ata kanë dhuruar ushqime për më të varfrit.


Ranko Bakic, kryesues i Asociacionit të Fermerëve, është i zemëruar se pas dy muaj protestash autoritetet vazhdojnë t’i injorojnë ata.


“Zyrtarët e zgjedhur për të mbrojtur interesat tona janë indiferent,” tha ai. “Ata kalojnë pranë nesh për të arritur në punë,”


Njerëzit e rëndomtë, shtoj ai, ishin shumë më inkurajues. “Ata na përshëndesin nga veturat e tyre. Shumë vijnë në pikën tonë të informimit në fshatin e tendave çdo ditë për të nënshkruar peticionin tonë.”


Për dallim nga politikanët vendor, kryesuesi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Bosnjë, Michael Humphreys dhe Përfaqësuesi i Lartë, Paddy Ashdown, kanë vizituar fshatin e tendave.


“Unë mbështes luftën tuaj,” tha Ashdown. “Ky vend ka potencial të madh, posaçërisht në prodhimin e ushqimit të shëndoshë, i cili është në kërkesë të lartë në Evropë.”


Por dy zyrtarët ndërkombëtar nuk ofruan asgjë tjetër përpos fjalëve të ngrohta.


Në mungesë të ndryshimeve, fermerët po përgatiten të vazhdojnë rezistencën e tyre edhe gjatë dimrit. Avdo Alagic, 23 vjeçar, është një nga banorët më të rinj në fshatin e tendave.


“Kur mbarova shkollën, prindërit e mi më thanë se bujqësia premton të ardhme të mirë,” ai tha. “Në kushte të mira kjo do të ishte e vërtetë, por po bëhet më vështirë çdo ditë.


“Dhjetë vite që nga lufta, njerëzit në pozita nuk kanë bërë asgjë për prodhuesit e ushqimit, apo për të rinjtë në përgjithësi. Ne punojmë por kjo nuk paguhet.”


Nidzara Ahmetasevic është bashkëpunëtore e Raportit të Krizave për Ballkan.


Africa
Frontline Updates
Support local journalists