Europa Ka Dështuar në Problemin e Fëmijëve Refugjatë

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian po kritikohen për trajtimin që u bëjnë fëmijëve refugjatë.

Europa Ka Dështuar në Problemin e Fëmijëve Refugjatë

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian po kritikohen për trajtimin që u bëjnë fëmijëve refugjatë.

Tuesday, 19 September, 2000

Masak 17-vjeçar ka mbërritur në Britani në prill të vitit 1999. Pasi ka qenë dëshmitar i vrasjes së babait dhe xhaxhait të tij, ai u largua nga Kosova nga frika se mund ta vrisnin edhe atë vetë. Autoritetet e policisë lokale e gjetën atë në një dhomë në një hotel të vogël. I frikësuar dhe i vetmuar, ai kishte patur kurajon vetëm të dilte një herë në javë për të blerë ushqime në supermarket.


Masak është një nga 5,000 fëmijët e pashoqëruar refugjatë apo azil kërkues të regjistruar në Britani. Kjo shifër është dy herë më e madhe se në vitin 1998 dhe tetë herë më e madhe se në vitin 1996, kur janë regjistruar vetëm 631 raste.


Një pjesë e madhe e fëmijëve vijnë nga ish-Jugosllavia. Eksperienca e jetës së tyre në Britani është izolim, varfëri dhe racizëm.


Në një raport të kohëve të fundit nga Fondi të Shpëtojmë Fëmijët dhe Komisariati i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara (UNHCR) thuhej se në të gjitha vendet e Bashkimit Europian (BE) ekzistonte nevoja për kujdes më të mirë dhe mbrojtje të fëmijëve të pashoqëruar që kërkonin azil. Numri i tyre në vendet e BE-së është rritur ndjeshëm pas fillimit të luftës në Kosovë. Ata arrijnë në aeroporte, porte dhe stacione treni të vetmuar dhe të frikësuar.


Shpesh të dërguar me dokumenta të rreme duke deklaruar se janë në moshë madhore, ata nuk identifikohen si fëmijë edhe kur mbërrijnë në vendet e BE-së. Certifikatat e lindjes dhe raportet mjekësore shpesh nuk merren parasysh kur u bëhen dokumenta të fallsifikuara.


Raporti kritikon veçanërisht Britaninë e Madhe se mban në gjendje arresti fëmijë në moshën 13-vjeçare në burgje të të rriturve, ndërsa zyrtarët kundërshtojnë moshën e tyre të vërtetë dhe faktin nëse janë refugjatë të mirëfilltë. Orientimet e UNHCR-së thonë: "Fëmijët të cilët kërkojnë azil nuk duhet të mbahen në gjendje arresti."


Praktikat dhe politikat ndryshojnë shumë në vendet e BE-së. Raporti kritikon çdo vend anëtar të BE-së. Trafiku i fëmijëve të pashoqëruar është një problem i madh në Greqi dhe Itali, ku fëmijë shqiptarë sillen në këto vende në mënyrë ilegale për t'u shfrytëzuar ekonomikisht dhe seksualisht. Në Holandë një numër fëmijësh janë zhdukur nga qendrat e pritjes për të punuar në biznesin e seksit.


Shumë prej këtyre fëmijëve as që nuk kanë menduar ndonjëherë të kërkojnë azil politik, kështu që nuk mund të flitet për statistika të besueshme mbi numrin e tyre të vërtetë. Një shifër e përafërt është rreth 100,000. Një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve janë nga Rumania, Shqipëria dhe ish-Jugosllavia.


Në bazë të Ligjit për Fëmijët të vitit 1989, në Britani fëmijët e pashoqëruar që kërkojnë azil janë nën përgjegjësinë e autoriteteve lokale. I takon shërbimeve të tyre sociale të vlerësojnë nevojat e fëmijës.


Sipas Sheila Melzak të Fondacionit Mjeksor, një organizatë joqeveritare që punon me viktima të torturës, këta fëmijë kanë nevoja të shumëfishta për shkak të eksperiencës së tyre të ndarje dhe humbjes së kontakteve me familjarët, por: "Dobësia e vërtetë e fëmijëve nuk vihet re. Ata nuk marrin kujdesin standart të nevojshëm që u ofrohet fëmijëve të tjerë që kanë nevojë."


Gjatë luftës në Bosnje, 10,000 fëmijë janë ndarë nga prindërit, por kanë qëndruar brenda ish-Jugosllavisë. Mbi 90 përqind e tyre më pas janë ribashkuar me familjet. Problemet janë më të mëdha kur fëmijët udhëtojnë më larg prindërve.


Në Britaninë e Madhe nëse fëmijëve të pashoqëruar nuk u jepet statusi i refugjatit, ata nuk kanë të drejtën për ribashkim familjar. Nëse atyre ju jepet "Leja e Jashtëzakonshme për të Qëndruar", ata duhet të presin katër vjetë përpara se të mund të aplikojnë për bashkim familjar.


Praktikisht situata në të gjithë Europën nuk është shumë më e mirë. Në Holandë fëmija duhet të ketë një sasi të mjaftueshme parash për të mbajtur prindërit dhe të afërmit, ndërsa numri i fëmijëve të pashoqëruar që kanë përfituar statusin e refugjatit në Francë është aq i vogël saqë akoma nuk është përcaktuar një praktikë zyrtare për këtë qëllim.


Të vetmuar këta fëmijë shpesh janë të detyruar të kujdesen për veten e tyre. Nevojat e tyre personale dhe problemet shpesh injorohen. Në Britani pothuajse 50 përqind, disa që në moshën 15 vjeçare, strehohen në motele të vegjël, ku kanë vetëm një krevat dhe u shërbehet mëngjes.


Këshilli i Refugjatëve, një organizatë humanitare, është i shqetësuar se shumë fëmijë të moshës 16 deri 17 vjeç, të cilët duhet të trajtohen sipas nenit 17 të Ligjit për Fëmijët, lihen në mëshirë të fatit kur mbushin 18 vjeç nëse kërkesa e tyre për azil pranohet.


Një problem i madh për këta fëmijë është edhe mundësia e përdorimit të shërbimeve bazë. Të strehuar në banesa të përkohshme, shumë prej tyre e kanë të vështirë të regjistrohen përfundimisht pranë një mjeku familjeje.


Një studim në gazetën mjeksore Lancet ka arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e qendrave mjeksore në Londër nuk bënin një kontroll mjeksor për azilantët dhe refugjatët duke bërë që shumë shpesh sëmundjet ngjitëse dhe shqetësimet e stresit post-traumatik të mos diagnostikohen dhe kurohen.


Edhe arsimimi nuk është diçka e lehtë. Viti i ri shkollor në Angli ka gjetur 2,200 fëmijë azilantë dhe refugjatë pa një vend shkolle. Shumë të tjerë mund të ndjekin vetëm disa orë leksione në javë.


Kristina Dobni është drejtoreshë e shkollës fillore White Hart Lane në Haringey, në veri të Londrës. Katërqind nga 1,200 nxënësit e saj janë nga familje azil-kërkuesish apo refugjatësh.


Ata arrijnë të traumatizuar dhe pa folur asnjë fjalë anglisht. Shumë prej tyre janë fare të vetëm dhe jetojnë në motele me krevat dhe mëngjes.


Ndoshta korridoret e shkollës janë të palyera, por Dobni është e vendosur ta bëjë këtë shkollë një vend të sigurtë. "Shkolla ka një vlerë të jashtëzakonshme për këta fëmijë," thotë ajo. "Shkolla është një faktor stabilizimi."


Dobni shton: "Është e rëndësishme të integrohen të ardhurit e rinj në jetën e shkollës dhe në të njëjtën kohë të pranohen identiteti dhe eksperiencat e tyre." Nuk është e lehtë të ndërtosh një komunitet kur nxënësit flasin 55 gjuhë të ndryshme.


Sipas Xhill Ruter të Këshillit të Refugjatëve, racizmi është një problem i madh në rritje. 'Nëna jote është një lypse endacake' është sharja më e re në kopshtin e lojërave. Ajo fajëson influencën e medias për çështjet e refugjatëve.


Duke patur parasysh renditjen e shkollave sipas rezultateve të nxënësve në provime, shumë shkolla përpiqen në mënyrë të padrejtë të mos pranojnë fëmijë të cilët me problemet e tyre të ulin rezultatin e shkollës. Për të pakësuar këtë tendencë, qeveria sapo ka vendosur të mos marrë parasysh rezultatet e provimeve të fëmijëve refugjatë në shkollat angleze.


Ndërsa të gjithë fëmijët refugjatë dhe azil-kërkues marrin ushqim falas në shkollë, është në dorën e autoriteteve lokale të vendosin se sa asistencë mund t'u japin atyre. Sipas komisionit të kontrollit, mbikqyrësi i qeverisë së Britanisë së Madhe, shumë fëmijë nuk arrijnë të shkojnë në shkollë sepse nuk mund të paguajnë për uniformën e shkollës apo pagesën për transportin me autobus.


Shumë pak prej këtyre fëmijëve mund të përdorin klubet e detyrave të shtëpisë apo projektet e pushimeve. Këshilli i Refugjatëve do të dëshironte të shihte përmirësimin e mësimit jashtë shkolle, veçanërisht për fëmijët e grupeve si romët dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë rezultate të dobta në shkollë.


Mëlzak thotë: "Është tronditëse që njerëz profesionistë të jenë kaq të verbër kur punojnë me fëmijët. Ka një mungesë përkrahjeje, kontrolli dhe trajnimi të punonjësve socialë. Vendi është ksenofobik dhe ekziston një pjesë e madhe e popullsisë të cilët i dehumanizojnë këta fëmijë."


Ajo shton: "Kam folur me shumë të rritur që kanë ardhur në Britani si refugjatë pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët kanë qenë në kampe si Belse. Ata thonë, se 'ajo që u mungonte në mënyrën e trajtimit ka qenë dashuria.'" Kjo gjë nuk ka ndryshuar as tani.


Rozi Uaithauz është gazetare e lirë në Londër.


Frontline Updates
Support local journalists