EKSTREMISTËT KËRCËNOJNË TË LARGUARIT NGA PARTIA MË E MADHE NË KOSOVË

Një përçarje në rradhët e LDK po shkakton tensione, por vështirë se mund të dëmtojë rëndë partinë më të madhe duke e zhvendosur atë nga skena politike e Kosovës.

EKSTREMISTËT KËRCËNOJNË TË LARGUARIT NGA PARTIA MË E MADHE NË KOSOVË

Një përçarje në rradhët e LDK po shkakton tensione, por vështirë se mund të dëmtojë rëndë partinë më të madhe duke e zhvendosur atë nga skena politike e Kosovës.

Edita Tahiri, dikur një zyrtare e lartë e partisë më të madhe politike në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, ka frikë për jetën e saj pasi ka marrë vendimin për t’u larguar nga partia dhe për të krijuar një lëvizje të re politike.


Ish anëtarja e kryesisë së partisë, së bashku me një kolege të saj, Edi Shukriu, janë larguar nga LDK më 27 maj dhe kanë njoftuar krijimin e Alternativës Demokratike të Kosovës, ADK.


Një organizatë e panjohur më parë nacionaliste e quajtur Siguria e Atdheut, ka kërcënuar më 12 korrik se atyre të cilët largohen nga partia u rrezikohet jeta. Ky kërcënim është një tregues i pasioneve të dhunëshme që ka shkaktuar lëvizja e ish drejtueseve të LDK-së.


“Ne paralajmërojmë të gjithë dezertorët të cilët po përpiqen të sabotojnë punën e LDK-së në terren se do të paguani me jetën tuaj,” thuhej në mesazh.


Shkruajtësit e kësaj letre e kanë bërë të qartë se ata kanë në qendër të vëmendjes “gratë rebele” si Tahiri e cila është larguar nga LDK.


Incidenti i pashpjegueshëm ka ngritur një hije shqetësimi në prag të fushatës për zgjedhjet e përgjithëshme të tetorit në Kosovë, kur banorët e saj do të votojnë për zgjedhjen e një parlamenti të ri.


LDK, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, president i Kosovës, është organizata politike më e vjetër e shqiptarëve etnik në Kosovë. Që prej krijimit të saj në vitin 1989, ajo ka drejtuar shoqërinë shqiptare praktikisht e vetme dhe ka marrë më tepër vota se çdo parti tjetër në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara.


Në zgjedhjet e fundit të përgjithëshme të vitit 2001, LDK ka fituar 45.6 përqind të votave, pra më tepër se çdo parti tjetër por që nuk i kanë mjaftuar për të krijuar e vetme qeverinë. Si rezultat, Kosova drejtohet që prej atyre zgjedhjeve nga një koalicion i përbërë nga LDK, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK.


Anketimet e opinionit publik tregojnë se LDK ka humbur një pjesë të mbështetjes gjatë muajve të fundit, dhe kjo mund të shpjegojë edhe arësyen përse të larguarit si Tahiri janë përballur me një zemërim kaq të madh.


Një anketim i kryer në qershor 2004 nga Indez Kosova, një organizatë partnere e Gallup International, thotë se më tepër se 10 përqind e atyre të cilët kanë mbështetur LDK në korrik të vitit 2003, kanë ndryshuar qëndrim.


Kritikët thonë se LDK vështirë se mund të vazhdojë të ruajë besimin e plotë të votuesve nëse ajo nuk pranon të reformojë atë që ata e quajnë karakterin e saj të vjetëruar, monolitik.


Pasi është ankuar se policia as nuk e ka kontaktuar – dhe jo më ti ofrojë mbrojtje – në lidhje më kërcënimet për vdekje, Tahiri ka thënë se shqetësimi për sigurinë personale nuk do të pengojë fushatën e saj dhe as nuk do ta bëjë atë të pendohet për vendimin për largimin nga LDK.


Duke deklaruar arësyet për largimin, ajo ka theksuar pakënaqësinë në rritje të votuesve me procesin politik, i treguar në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e fundit, mungesën e demokracisë së brendëshme në gjirin e LDK-së dhe një stil drejtimi autokratik, për të cilin ajo ka fajësuar drejtimin e centralizuar të Ibrahim Rugovës.


“Ngjarjet e muajit mars e kanë bërë këtë ndarje edhe më urgjente,” ka thënë ajo, duke iu referuar shpërthimit të dhunës ndër etnike e cila ka shkaktuar largimin e disa mijëra serbëve nga shtëpitë e tyre.


“Meqënëse nuk arrita të sjell asnjë ndryshim të brendëshëm në LDK, megjithëse jam përpjekur ta bëj këtë gjë që prej përfundimit të luftës, unë po krijoj një parti të re,” ka shtuar ajo. “Është e qartë se Kosova duhet të zhvillojë alternativa të reja politike”.


Megjithatë, nuk është e qartë nëse ndonjë prej këtyre alternativave do të dëmtojë bazën e mbështetjes së LDK-së.


Programi i ADK-së për “pavarësi, paqe dhe prosperitet” ndryshon pak në sipërfaqe nga programi i LDK-së.


Votuesit mund të ngrohen më tepër nga deklarimet e Tahirit për të luftuar disa dukuri të tanishme të politikës në Kosovë, të cilat sipas saj kanë bërë “më të pasur drejtuesit dhe më të varfër qytetarët”.


ADK insiston se partia do të luftojë korrupsionin në institucionet lokale dhe ndërkombëtare dhe do të ketë zhvillimin ekonomik si prioritet të saj, megjithëse nuk ka dhënë ndonjë sqarim se si do ti arrijnë këto synime.


Analistët politik thonë se kjo dobësi mund ti mohojë partisë së re mundësinë për të pasur një rol të rëndësishëm në skenën politike.


Shkëlzen Maliqi, një prej analistëve politik më të njohur në Kosovë, thotë se LDK nuk do të humbasë shumë vota si rezultat i shkëputjes së këtij grupi.


“Ky grupim politik nuk ka kohë të konsolidohet, apo të krijojë një program të ri, kështu që vështirë se mund të sigurojë më tepër se dy vende në parlamentin e ardhëshëm,” thotë Maliqi.


“Ajo që mund të kishte qenë një alternativë serioze për votuesit kosovarë do të ishte një lëvizje e madhe e re e cila do të përfshinte të gjithë inisiativat e reja politike, shumë prej të cilave vështirë se mund të sigurojnë më tepër se 5 përqind të votave,” ka shtuar ai.


Grupimet e reja politike të cilave u referohet Maliqi përfshijnë një lëvizje të re civile, të quajtur ‘Ora’, të drejtuar nga botuesi dhe intelektuali i njohur Veton Surroi, dhe Azem Vllasi, një ish drejtues i njohur i periudhës së komunizmit në kohën e Titos i cili tani është anëtarësuar në Partinë Social Demokrate të Kosovës, PSDK.


Lëvizje të tilla si ‘Ora’, ADK dhe PSDK do të luftojnë me njëra tjetrën për të siguruar votat e njerëzve të zhgënjyer me rezultatet e veprimtarisë 15 vjeçare të LDK-së dhe me ritmin e ulët të progresit të arritur nga institucionet e Kosovës që prej përfundimit të luftës.


Fillimi i këtyre inisiativave paralajmëron një atmosferë më demokratike dhe afrimin e gjakut të ri në skenën politike të Kosovës.


Por ato për momentin mund të shpresojnë që në rastin më të mirë të mos lejojnë LDK-në të krijojë qeverinë e re e vetme.


Ndërkohë, policia dhe politikanët kanë thënë se nuk kanë dijeni për identitetin e ekstremistëve të panjohur të cilët kanë kërcënuar Edita Tahirin.


“Unë nuk mendoj se kjo organizatë e fshehtë do të ndikojë në vendimin e njerëzve për t’u larguar apo jo nga LDK, sepse askush nuk e di se kush janë ata apo kush qëndron pas tyre,” ka thënë Maliqi.


Refki Morina, i Shërbimit Policor të Kosovës, SHPK, ka thënë për IWPR se policia e ka marrë seriozisht kërcënimin dhe po heton se kush mund të jenë autorët e tij.


“Njësia rajonale e SHPK dhe policia ndërkombëtare po hetojnë këtë rast por nuk kemi arritur të zbulojmë asgjë të veçantë për momentin,” ka thënë Morina.


Muhamet Hajrullahu është një pjesëmarrës i kursit të trajnimit të gazetarisë të drejtuar nga IWPR me ndihmën e OSBE.


Kosovo
Support our journalists