E ARDHMJA E ZYMTE E PARTIVE TE PAKICAVE KOMBETARE

Pakicat kombëtare mund të humbasin terrenin e fituar që pas rrëzimit të Millosheviq, nëse partitë e tyre nuk do të arrijnë të sigurojnë vende në parlamentin e ri.

E ARDHMJA E ZYMTE E PARTIVE TE PAKICAVE KOMBETARE

Pakicat kombëtare mund të humbasin terrenin e fituar që pas rrëzimit të Millosheviq, nëse partitë e tyre nuk do të arrijnë të sigurojnë vende në parlamentin e ri.

Tuesday, 6 September, 2005

Analistët thonë se pakicat kombëtare në Serbi mund të humbasin shumë nga paraqitja e dobët e pritëshme e partive të cilat i përfaqësojnë ato në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare.


Dhe në planin afatgjatë, mendohet se ato do të ndjehen gjithnjë e më të përjashtuara nga jeta politike për shkak të sistemit zgjedhor të cilin ato e konsiderojnë si kundër tyre.


Problemi është vecanërisht i pranishëm në Serbinë e jugut, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë dhe kujtimet e konfliktit janë ende të freskëta.


Pakicat kombëtare përfshirë shqiptarët, hungarezët, dhe romët përbëjnë 17 përqind të popullsisë prej 7.5 milion banorë të Serbisë. Megjithëse ata përfaqësohen edhe në partitë politike, shumë prej tyre mbështesin ato parti të cilat përfaqësojnë grupet e tyre etnike.


Në vitet pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit nga posti i presidentit të Jugosllavisë në vitin 2000, pakicat janë vlerësuar për rolin e tyre në rrëzimin e Millosheviq, dhe tanimë përfaqësimi i tyre në nivel lokal dhe institucionet kombëtare është pothuajse në përputhje me numrin e tyre.


Por këto fitore mund të rrezikohen nga niveli minimal i përcaktuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit, i cili përcakton se një parti mund të sigurojë vende në parlament vetëm nëse fiton më tepër se pesë përqind të votave. Kjo duket se do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për të gjitha partitë e pakicave dhe do ti lerë ato me pak ose asnjë përfaqësues në nivel kombëtar.


Tre partitë shqiptare në bashkitë jugore të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, në kufi me Kosovën, do të bojkotojnë zgjedhjet e përgjithëshme – ashtu sic kanë bërë edhe në zgjedhjet e vitit 2000 – në shenjë proteste ndaj mos miratimit të ligjeve për të ndihmuar grupimet e pakicave etnike për të përfituar vende në parlament.


Një zyrtar i lartë i Partisë për Progres Demokratik, Orhan Rexhepi, për shembull, ka thënë se partia e tij do të ishte e gatëshme të merrte pjesë në zgjedhje nëse shqiptarëve u garantohen dy ose re vende në parlamentin e serbisë, në të njëjtën mënyrë që u caktohen serbëve në parlamentet e Kosovës dhe Kroacisë. Megjithatë, asnjë ofertë e tillë nuk është bërë.


Bojkoti shihet nga shumë njerëz në Beograd si konfirmim që shqiptarët nuk janë të interesuar të marrin pjesë në institucionet e Serbisë, duke preferuar të ëndërrojnë për shkëputjen e këtij territori nga vendi.


Por jo vetëm shqiptarët kanë kërkesa të tilla për një status të favorizuar.


Parti të ndryshme të pakicave kanë kërkuar miratimin e një legjislacioni të ri i cili do të mbronte të drejtat e grupeve të ndryshme etnike në Serbi. Një ligj i tillë ose do të pakësonte minimumin e nevojshëm për partitë e pakicave për pjesëmarrje në parlament, ose do tu përcaktonte atyre një numër të caktuar vendesh në parlament.


Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Marrëdhënie Etnike, mendon se bojkoti i partive shqiptare mund të ishte shmangur nëse do të ishte miratuar legjislacioni i nevojshëm.


Qeveria serbe – megjithëse ka qenë mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë nga grupimet politike të pakicave kombëtare – nuk e ka mbështetur idenë e ndryshimit të ligjit për të favorizuar partitë e vogla.


Janjiq mendon se parti të ndryshme të pakicave janë pjesërisht fajtore sepse shpesh të përcara, ato nuk kanë arritur të dalin me një qëndrim të vetëm as për këtë cështje të rëndësishme.


Në pjesë të tjera të vendit, partitë etnike jo shqiptare po përpiqen të arrijnë synimin për të marrë pesë përqind të votave duke u bashkuar në koalicione.


Aleanca me mundësitë më të mëdha për tu përfaqësuar në parlament është Së Bashku për Tolerancë, e cila përbëhet nga disa parti të cilat përfaqësojnë hungarezët dhe kroatët në Vojvodinë, muslimanët në Sanxhak, bullgarët në lindje, dhe romët në të gjithë vendin – si edhe dy grupime të tjera pa ndonjë dallim etnik.


Por edhe ky grupim duket se është tepër i brishtë. Një prej anëtarëve të tij, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës, SVM – partia më e madhe e cila përfaqëson interesat e këtij grupi etnik – është përfshirë në një mosmarrëveshje të thellë me pesë parti të tjera hungareze të cilat nuk janë bashkuar me koalicionin.


Këto mosmarrëveshje pakësojnë më tej mundësitë që partitë e pakicave etnike të sigurojnë vende në parlamentin e ardhëshëm.


Janjiq mendon se një skenar ku këto parti mund të luajnë një rol të vogël nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Ai ka thënë për IWPR se partitë të cilat përfaqësojnë grupimet etnike nuk janë detyrimisht të përcaktuara për të përfaqësuar komunitetet e tyre.


Por të tjerë vëzhgues janë më të shqetësuar nga pasojat që mund të kenë zgjedhjet për shkak të gjendjes së brishtë të demokracisë në Serbi dhe dyshimeve të shumta që ushqejnë grupimet etnike ndaj qeverisë në nivel qendror.


Nenad Canak, i cili drejton Lidhjen e Social Demokratëve të Vojvodinës, një parti e cila synon vetëm pjestarët e grupimit të saj etnik, mendon se pakicat mund të humbasin shumë nëse mbështeten vetëm tek partitë e mëdha për të zgjidhur problemet e tyre.


Ai thotë se kur politikanët nga një grup i pakicës zgjidhen përmes një partie të madhe, ata në mënyrë të pashmangëshme duhet të ndjekin politikat e partisë – edhe nëse kjo është kundër interesave të komunitetit të tyre etnik.


Shumë nga partitë e mëdha – edhe disa nga ato nacionaliste serbe – kanë në rradhët e tyre politikanë të njohur nga pakicat kombëtare. Por në disa raste ka dyshime, se kjo bëhet thjesht për të tërhequr votat e një grupimi të caktuar ditën e zgjedhjeve, dhe më pas këta votues do të harrohen.


Ministri për pakicat kombëtare i Serbisë dhe Malit të Zi, Rasim Ljajiq – i cili është edhe një prej drejtuesve të aleancës Së Bashku për Tolerancë – ka thënë se këto parti të mëdha i shohin pakicat kombëtare vetëm si një “makinë për të votuar”.


Historia e kohëve të fundit e Serbisë – vecanërisht konflikti në Kosovë dhe armiqësia e Millosheviq ndaj grupeve etnike jo serbe në përgjithësi – bën që shumë prej pjestarëve të këtyre grupimeve etnike të jenë shumë të vëmendëshëm në lidhje me përfaqësimin e tyre dhe me peshën që zotërojnë në skenën politike të Serbisë.


Ndërsa partitë “e tyre” pritet të arrijnë rezultate të dobta, dhe përfaqësimi nëpërmjet partive të mëdha u jep vetëm një zë të kufizuar, shumë pjestarë të thjeshtë të pakicave kombëtare janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre.


Pavel Domonji, një sllovak nga Stara Pazova, ka frikë se shqetësimet e grupimeve etnike do të jenë më pak prezente në publik, dhe për rrjedhim do të ketë më pak përpjekje për ti zgjidhur ato.


“Kjo mund të cojë në humbjen e besimit ndaj partive të pakicave etnike, dhe shpërbërjen e anëtarësisë së tyre, sepse njerëzit nuk dëshirojnë të përfshihen në një process i cili nuk sjell asnjë rezultat të mirë për ata,” ka thënë ai.


Jan Briza është një redaktor me gazetën e përditëshme Dnevnik në Novi Sad.


Serbia, Kosovo, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists