Dy Ditë në Srebrenica
Një oficer serb i Bosnjes ka dëshmuar mbi masakrën më të tmerrshme të Bosnjes
Dy Ditë në Srebrenica
Një oficer serb i Bosnjes ka dëshmuar mbi masakrën më të tmerrshme të Bosnjes
Një ish oficer serb i Bosnjes ka thënë para gjykatës së krimeve të luftës se gjenerali Ratko Mlladiq nuk ka pasur nevojë të flasë fare kur e kanë pyetur se cfarë do të bëhej me qindra të burgosur muslimanë në Srebrenica.
Mlladiq, komandanti i ushtrisë së serbëve të Bosnjes, vetëm ka bërë një shenjë me dorë sikur priste dicka - duke lënë të kuptohej se rreth 250 të burgosur që ndodheshin pas shpinës së tij do të zhdukeshin.
Gjykata e Hagës është e mësuar me dëshmi dramatike, por shumë pak gjëra kanë qenë më të tmerrshme se dëshmia e dhënë javën e kaluar nga kapiteni Momir Nikoliq, oficeri i cili ka pyetur Mlladiq për fatin e të burgosurve.
Në maj të këtij viti, Nikoliq është bërë oficeri i parë serb i cili ka dhënë dëshmi në lidhje me masakrën e Srebrenicës. Këtë javë ai ka përfshirë direkt gjeneralin Mlladiq dhe presidentin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiq, përfaqësuesi personal i të cilit ka qenë i pranishëm kur është marrë vendimi për vrasjen e burrave të kapur rob.
Dëshmia e tij është përqëndruar mbi dy ditë në korrik të vitit 1995, kur masakra ka kaluar nga faza e planifikimit në atë të zbatimit.
Më 12 korrik, një ditë pasi forcat e Mlladiq kanë marrë nën kontroll Srebrenicën, ai ka folur më një grup prej rreth 250 muslimanësh të cilët ishin dorëzuar në Konjevic Polje, një fshat në rrugën ndërmjet Srebrenicës dhe Tuzlës. Ai u ka premtuar atyre se shumë shpejt do të kthehshin, dhe i ka siguruar se nuk do të prekeshin fare.
Ai më pas është kthyer dhe ka përshëndetur kapitenin Nikoliq. "Gjeneral, cfarë do të bëhet me ta?" e ka pyetur Nikoliq.
Mlladiq ka bërë një lëvizje të shpejtë me dorë - "sikur po priste bar", ka thënë dëshmitari.
Prokurori e ka pyetur Nikoliq se cfarë kishte kuptuar ai nga kjo shenjë. Pas një moment heshtje, ai është përgjigjur: "E dija se cfarë do të ndodhte atyre. E dija se ata burra do të vriteshin. E dija".
Gjykata ka dëgjuar dëshmi nga disa të mbijetuar nga masakra e Srebrenicës. Dëshmia e Nikoliq është e para nga një njeri në brendësi të planifikimit dhe ekzekutimit të vrasjeve masive.
Dëshmitari, një ish oficer zbulimi në brigadën e Bratunac të serbëve të Bosnjes, ka pranuar fajësinë për krime kundër njerëzimit. Ai më parë është akuzuar për genocid për pjesëmarrjen e tij në masakër, por në muaj maj ai ka ndryshuar qëndrimin e tij, dhe prokurorët kanë pranuar të tërheqin akuzat për genocid duke kërkuar një dënim më të lehtë me 15 deri 20 vjet burgim.
Në shkëmbim, Nikoliq ka premtuar të dëshmojë kundër një të pandehuri tjetër - ish komandantit të brigadës kolonel Vidoje Blagojeviq dhe majorit Dragan Jokiq, shef i repartit të xhenios në brigadën e Zvornikut. Një tjetër i pandehur, shefi i shtabit të brigadës Draqgan Obrenoviq, ka ndryshuar gjithashtu vendimin e tij.
Në fillim të dëshmisë së tij e cila ka zgjatur tre ditë, Nikoliq ka thënë për gjykatën se marrja nën kontroll e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 ka qenë pika kulmore e një projekti një vjecar për ta bërë të pamundur jetesën e muslimanëve të Bosnjes në atë zonë.
Ai ka kujtuar një fletë palosje të dërguar nga komandanti i brigadës së Bratunac kolonel Slavko Ognjenoviq - i zëvendësuar nga Blagojeviq në maj 1995 - të gjithë oficerëve dhe ushtarëve të tij në korrik 1994. Aty thuhej se brigada duhet të bënte cfarë ishte e mundur për t'ua bërë sa më të vështirë jetesën muslimanëve në Srebrenica, deri sa popullsia të mos kishte rrugë tjetër përvec largimit. "Ne duhet t'ja bëjmë të padurueshme jetën armikut në mënyrë që ata të largohen nga kjo enklavë në mënyrë masive dhe sa më shpejt të jetë e mundur, duke e kuptuar se nuk mund të jetojnë këtu," thuhej në atë letër.
Brigadës së Bratunac i është dhënë detyra për të kryer sulme në enklavë, duke vrarë banorë dhe duke mos lejuar mjetet e ngarkuara me ndihma të mbërrinin atje.
Nikoliq ka thënë për gjykatën se ai e dinte që enklava do të sulmohej që në qershor 1995. Atij dhe oficerëve të tjerë i ka treguar komandanti i korpusit të Drinas gjeneral Milenko Zivanoviq, i zëvendësuar nga gjeneral Radislav Krstiq gjatë ditëve të para të operacionit.
Pasi enklava ishte vendosur nën kontroll nga trupat serbe, Nikoliq ka marrë detyrën të organizonte ddëbimin e grave dhe fëmijëve në Kladanj. Burrat ishin mbyllur në një shtëpi në Potocari dhe më pas janë transportuar në Bratunac.
Mëngjesin e 12 korrikut, Nikoliq ka zbuluar se cfarë do tu ndodhte burrave muslimanë.
Ai ka qenë përpara hotelit Fontana në Bratunac, ku gjenerali Mlladiq sapo kishte pasur një takim me oficerët hollandezë, kur oficeri i sigurimit të korpusit të Drinas koloneli Vujadin Popoviq dhe shefi i shërbimit sekret kolonel Kosoriq i janë afruar. "Koloneli Popoviq më tha se gratë dhe fëmijët duheshin dërguar në Kladanj, dhe burrat duheshin arrestuar dhe ndaluar përkohësisht," ka thënë para gjykatës Nikoliq.
Ai më pas ka pyetur Popoviq se cfarë do të bëhej me ta. "Ai më tha se të gjithë balija [një term fyes për muslimanët] duheshin vrarë," ka thënë Nikoliq.
Më pas ka pasur një bisedë në lidhje me vendin e mundëshëm të ekzekutimit. "Unë propozova një fabrikë tullash në Bratunac dhe minierën në Sase. Por ata dukej se ishin të informuar për këto vende," ka thënë Nikoliq.
Vendimi për të vrarë të gjithë burrat, ka thënë Nikoliq, është marrë në një takim të mbajtur më parë atë mëngjes në shtabin e brigadës në Bratunac, ku kanë marrë pjesë gjeneralët Mlladiq dhe Krstiq, kolonelët Popoviq, Kosoriq dhe Jankoviq dhe koloneli i policisë Dragomir Vasiq.
Nikoliq ka thënë se ai ka marrë masat që të gjithë burrat të cilët ishin dorëzuar në Potocari të dërgoheshin në Bratunac dhe të mbaheshin atje në ndërtesat e dy shkollave. "Gjatë ndarjes së burrave nga familjet ata janë keqtrajtuar fizikisht dhe gojarisht. Ushtarët i shanin ata balija, turq, ustashë [fashistë kroatë]," ka thënë ai. "Unë nuk bëra asgjë për të ndaluar këto keqtrajtime. Sjellja ime ka bërë që ato të vazhdonin gjatë gjithë kohës së udhëtimit".
Rreth darkës, Nikoliq është kthyer në Bratunac dhe ka raportuar para komandantit të tij, Blagojeviq, se cfarë kishte ndodhur në Potocari. "Ai më tha se kishte dijeni për atë që kishte ndodhur, dhe se ato ishin urdhërat".
Të nesërmen në mëngjes, dëshmitari ka dëgjuar se një grup burrash të cilët ishin përpjekur të largoheshin nga Srebrenica ishin kapur, dhe mbaheshin të ndaluar në Konjeviq Polje. Ai ka shkuar në fshat, ku Mlladiq i ka thënë atij se të burgosurit do të vriteshin.
Duke udhëtuar për në fshat së bashku me dy policë ushtarak nga brigada e Bratunac, Nikoliq ka marrë me vete edhe pesë apo gjashtë muslimanë të cilët i janë dorëzuar serbëve gjatë rrugës. Pasi kanë mbërritur në Konjeviq Polje, ai ka urdhëruar një prej ushtarëve, Mile Petroviq, ti dërgonte të burgosurit tek grupi tjetër i të burgosurve.
Disa minuta më pas, ai ka dëgjuar dy breshëri armësh. Petroviq ishte kthyer dhe ka thënë: "Shef, i vrava ata; morra hak për vëllain tim". Nikoliq ka pranuar se ai nuk ka bërë asgjë për të ndëshkuar atë ushtara, dhe as nuk ka raportuar për vrasjen. "Nuk kishte kuptim të raportoja vrasjet, me gjithë ato që po ndodhin," ka thënë ai.
Më pas ai është kthyer në Bratunac, ku në mbrëmje është takuar me kolonelin Ljubomir Beara, shef i shërbimit të sigurimit të ushrisë serbe të Bosnjes. Beara e ka urdhëruar të gjejë oficerin e sigurimit të brigadës së Zvornik, Drago Nikoliq (nuk ka lidhje familjare). "Unë duhet ti thoja atij se muslimanët e arrestuar do të transportoheshin në Zvornik të nesërmen në mëngjes, ku ata do të mbaheshin për pak kohë dhe do të vriteshin," ka thënë dëshmitari.
Gjendja në Bratunac ishte e rrëmujëshme dhe autoritetet lokale kanë pasur frikë se mijëra të burgosur muslimanë të cilët ishin ndaluar atë ditë do të dilnin me forcë nga autobusët dhe kamionët e ndaluar në qendër të qytetit. Nikoliq dhe Beara kanë takuar kryetarin e bashkisë së Bratunac Ljubisav Simiq dhe Miroslav Deronjiq, të dërguarin personal të Karaxhiq për Srebrenicën për të diskutuar në lidhje me këtë problem.
Si Simiq ashtu edhe Deronjiq nuk kanë pranuar që të burgosurit të vriteshin në Bratunac. Ata nuk e kanë bërë këtë sepse i ka ardhur keq, por sepse dëshironin që ata të vriteshin në Zvornik. Për tu siguruar që të burgosurit qëndronin në autobusë, policia lokale dhe vullnetarë të armatosur janë thirrur për të bërë rojë deri në mëngjes.
Më 14 korrik, një varg i gjatë kamionësh dhe autobusësh janë mbledhur në qendër të bratunac dhe janë nisur për në Zvornik.
Pjesa e Nikoliq në operacion ka përfunduar këtu, megjithëse brigada e Bratunac ka shoqëruar kamionët e autobusët për në Zvornik dhe disa anëtarë të saj kanë marrë pjesë edhe në vrasjen e të burgosurve.
Pas përfundimit të luftës, dëshmitari ka thënë se ai kishte shkatërruar dokumenta që kishin të bënin me masakrat: "Unë kam djegur të gjitha dokumentat që mendoja se do të më kompromentonin mua dhe brigadën".
Emir Suljagic është një gazetar i IWPR në Hagë.