Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Dorëzohen ish Gjeneralët Kroatë të Dyshuar për Krime Lufte

Gjëneralët kroatë të akuzuar për krime lufte janë dorëzuar “për të ndihmuar Kroacinë”.
By Drago Hedl

Gjeneralët kroatë Ivan Cermak dhe Mladen Markac janë shfaqur me fytyra të zymta dhe të veshur me kostume të zinj kur janë paraqitur përpara gjykatës së Hagës më 12 mars.


Të dy janë deklaruar “të pafajshëm” për disa akuza të cilat janë paraqitur në një document i cili ka tronditur qeverinë kroate dhe e vendosi atë në një pozicion tepër të vështirë ndërmjet rrezikut për të shkaktuar pakënaqësi në rradhët e nacionalistëve të linjës së ashpër apo për të rrezikuar mundësitë e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.


Cermak, një person i pasuruar nga tregtia e karburanteve i cili ka drejtuar qytetin e Knin pas marrjes së tij nga forcat kroate, dhe Markac, komandant i njësive speciale të policisë të cilat kanë vepruar në këtë zonë, janë akuzuar për pjesëmarrje në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” e cila ka pasur për qëllim të detyronte popullsinë serbe të largohej nga rajoni i Krajinas.


Një akuzë tjetër paraqitur qeverisë së Zagrebit ka zgjeruar akuzat ndaj gjeneralit Ante Gotovina, i cili qëndron i fshehur prej disa muajsh.


Akuzat – më të rëndat ndaj oficerëve kroatë deri më sot – thonë se drejtuesit ushtarak dhe politik të vendit, kanë planifikuar dhe zbatuar spastrim etnik duke plackitur dhe shkatërruar prona të popullsisë serbe me synim mos lejimin e anëtarëve të pakicës për tu kthyer ndonjëherë në rajon.


Ndër akuzat më të rënda është vrasja nga forcat kroate e “të paktën 150 serbëve të Krajinas, me armë zjarri, djegie apo thika”.


Operacioni Stuhia, sic është quajtur ofensiva e ushtrisë kroate në Krajina, ka nisur më 5 gusht 1995 – një ditë të cilën ish presidenti kroat, Franjo Tugjman, e ka shpallur festë zyrtare, duke e quajtur Dita e Pavarësisë së Atdheut, dhe që tani njihet si Dita Kombëtare e Falënderimit.


Tugjman, ndër të tjerë, përmendet si një pjesëmarrës në ndërmarrjen e përbashkët kriminale përgjegjëse për krimet.


Qeveria ka marrë këto akuza më 1 mars, por për shkak se bashkëpunimi me gjykatën e Hagës është një cështje e nxehtë politike, kryeministri Ivo Sanader nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment në lidhje me këto akuza megjithëse media kishte dijeni për ekzistencën e tyre dhe ishte e informuar edhe për ditën kur të akuzuarit do të niseshin për në Hagë.


Megjithëse Sanader ka thënë se qeveria po vepronte sipas rregullave të gjykatës, duket se në fakt ai është përpjekur të fitojë kohë ndërsa po bisedonte për dorëzimin e tyre.


Akuzat kanë ardhur në një moment të vështirë për Sanader. Ai ka theksuar se synimi i tij më i rëndësishëm në politikën e jashtëme është të sigurojë anëtarësimin e Kroacisë në BE në vitin 2007, por Brukseli nga ana e tij e ka bërë cështjen e bashkëpunimit me gjykatën një parakusht për pranimin e Kroacisë.


Mospranimi i Gotovinas për tu dorëzuar ka bërë që Zagrebi në fakt të konsiderohet se nuk ka përmbushur detyrimet e tij, dhe ka bërë që parlamentet e Hollandës dhe Britanisë së Madhe të refuzojnë ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Kroacinë – një hap i domosdoshëm për anëtarësimin në BE.


Gjatë një vizite në Bruksel pak kohë më parë, presidenti kroat Stipe Mesiq ka insistuar se Gotovina nuk është në Kroaci dhe Zagrebi nuk kishte asnjë fuqi për të transferuar atë në Hagë, megjithëse prokurorja e gjykatës Carla Del Ponte ka insistuar që gjenerali fshihet në Kroaci.


Nëse Sanader nuk do të siguronte transferimin e Cermak dhe Markac për në Hagë, ai e dinte se Kroacia do të humbiste ndoshta cdo mundësi për anëtarësim në BE. Megjithatë, disa zyrtarë të qeverisë thonë se organizimi i dorëzimit të tyre, nuk ka gjënë dicka e thjeshtë.


“Në rradhë të parë, ai duhej të bindte përkrahësit e linjës së ashpër në rradhët e tij, shumë prej të cilëve kundërshtojnë me forcë bashkëpunimin me Hagën. Ai e ka pasur shumë më të lehtë me opozitën,” ka thënë një anëtar i rëndësishëm i Bashkimit Demokratik Kroat, i cili ka kërkuar të mbetet anonim.


Në fakt, përvec Partisë Kroate të të Drejtave, HSP, e cila është edhe më kundër Hagës se sa HDZ, pjesa tjetër e partive në Kroaci janë në favor të bashkëpunimit me gjykatën.


Në fakt, ish kryeministri Ivica Racan, një social democrat i cili ka humbur zgjedhjet në nëtorin e kaluar, u ka kërkuar anëtarëve të HDZ të mbështesnin qeverinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat e gjykatës.


Ai gjithashtu u ka bërë thirrje anëtarëve të qeverisë të mos mbështesin ndonjë protestë që mund të pasojë, duke iu referuar një incidenti të qershorit të vitit 2001 kur HDZ shprehu mbështetjen e saj për anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të Kroacisë të cilët kanë protestuar kundër akuzës së gjykatës ndaj Gotovina dhe gjeneralit Janko Bobetko.


Demonstruesit – shumë prej të cilëve të afërt me Sanader – kanë akuzuar atëherë qeverinë e Racan si tradhëtare.


Për ironi të fatit, megjithëse partia e Sanader nuk është e predispozuar të bashkëpunojë me gjykatën, ajo e ka arritur këtë gjë më mirë se qeveria më liberale e Racan.


“Nëse akuzat ndaj qeverisë kroate për pjesëmarrje në një sipërmarrje kriminale do të kishin mbërritur në Kroaci gjatë mandatit të qeverisë së kaluar, qeveria do të kishte rënë brenda 24 orëve,” ka thënë një ish ministër i qeverisë së Racan për IWPR.


Për shkak se kredencialet nacionalistë të Sanader nuk mund të hidhen poshtë, ai ka qenë në gjendje të bisedojë dhe të arrijë dorëzimin e gjeneralëve.


Gjatë javës që ai nuk ka pranuar të bëjë publik faktin që akuzat ekzistonin, Sanader ka bindur Cermak dhe Markac se ata duhet të dorëzoheshin vullnetarisht. Sipas njerëzve të brendëshëm në qeveri, gjeneralët kanë pranuar të dorëzohen më 6 mars pasi kanë drekuar në vilën luksoze të Cermak në Krapinske Toplice, pranë Zagrebit, së bashku me avokatët e tyre, zëvendës kryeministrin Andrija Hebrang dhe ministren e drejtësisë Vesna Skare Ozbolt.


Gjeneralët thuhet se kanë pranuar pasi ministrat i kanë siguruar ata që qeveria do të bënte të pamundurën për të ndihmuar mbrojtjen e tyre.


Vetëm pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Sanader ka pranuar ekzistencën e akuzave.


“Qeveria kroate dhe unë, si përfaqësues i saj, dëshirojmë të deklarojmë qartësisht se ne mendojmë se disa nga akuzat janë krejtësisht të papranueshme,” ka thënë ai.


Megjithatë, ai ka thënë se mënyra më e mirë për të provuar këtë, ishte që gjeneralët të shkonin në Hagë dhe të mbrojnë veten.


“Ne po shohim se cilat janë rrugët më të mira për të kundërshtuar disa nga akuzat, në kuadrin e bashkëpunimit me Hagën, dhe këto akuza mund të kundërshtohen vetëm përpara gjykatës në Hagë,” ka thënë ai.


Ai ka shtuar se mbështeste fuqimisht deklaratën e qeverisë se Lufta për Atdheun – sic e konsiderojnë kroatët konfliktin e fillimit të viteve nëntëdhjetë – ka qenë një luftë e drejtë për clirim, dhe ka hedhur poshtë mundësinë që të ketë pasur plane për spastrimin etnik të popullsisë serbe.


Gjenerali Cermak ka shprehur afërsisht të njëjtin mendim me Sanader. “Unë jam frikësuar kur kam parë akuzat,” ka thënë ai, duke shtuar se ai po dorëzohej “për të ndihmuar Kroacinë”.


Rreth 300 mbështetës kanë përcjellë gjeneralët në aeroport ku ata kanë marrë një avion që do të conte drejt Hollandës.


Drago Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR me qendër në Osijek.