Dodik Pranon Srebrenicën

Pranimi javën e kaluar nga ana e kryeministrit serb të Bosnjes se një krim i madh ishte kryer në Srebrenicë është një shenjë e pragmatizmit politik.

Dodik Pranon Srebrenicën

Pranimi javën e kaluar nga ana e kryeministrit serb të Bosnjes se një krim i madh ishte kryer në Srebrenicë është një shenjë e pragmatizmit politik.

Është hera e parë që një zyrtar i lartë i Republika Srpska, RS, kryeministri Milorad Dodik pranoi publikisht javën e kaluar (13 korrik) se në Srebrenicë kishte ndodhur një "krim masiv" në korrik të vitit 1995 pasi forcat e serbëve të Bosnjes hynë në ish-"zonën e sigurtë" të Kombeve të Bashkuara.


"Ne duhet të kemi parasysh momentin dhe sipas të gjitha informacioneve në Srebrenicë ka ndodhur një krim masiv", ka thënë Dodik dy ditë pasi 3,500 të afërm të familjeve të të vrarëve vizituan ish-bazën e OKB-së në Potoçari, pranë Srebrenicës, për të përkujtuar përvjetorin e pestë të kësaj tragjedie.


Sipas të dhënave të publikuara nga Amnesty International javën e kaluar, 7,414 banorë të Srebrenicës dhe të rrethinave të saj konsiderohen ende si të humbur. "Njerëzit të cilët kanë humbur të afërmit e tyre kanë të drejtë të përkujtojnë këtë ditë," tha Dodik.


Kryeministri po fliste pas një sesioni të qeverisë së RS-së dhe i kushtoi pjesën më të madhe të fjalës së tij konfliktit të tanishëm politik ndërmjet qeverisë së tij dhe parlamentit të entitetit.


Dodik për momentin është në një gjendje të vështirë. Koalicioni i tij qeveritar mbijeton vetëm në sajë të mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar. Pranimi i tragjedisë së Srebrenicës nga ana e kryeministrit konsiderohet nga shumë vëzhgues si një lëshim i hapur ndaj perëndimit. Kjo pikpamje përforcohet edhe më shumë nga fakti se pranimi është bërë pas kritikave të komunitetit ndërkombëtar ndaj drejtuesve politikë serbë të Bosnjes për bojkotimin nga ana e tyre e ceremonisë përkujtimore.


Kryetari i misionit të OKB-së në Bosnje Hercegovinë Zhak Klein, i mirëpriti fjalët "paqësore" të Dodik duke e quajtur deklaratën një "pranim të rëndësishëm". Por Klein ka thënë se ishte "një turp i vërtetë që Zhivko Radishiq [përfaqësuesi i serbëve të Bosnjes në presidencën trepalëshe] nuk mori pjesë në përkujtimoren e Potoçarit.


"Të vish në Srebrenicë nuk do të thotë të pranosh fajin, përgjegjësinë apo diçka të ngjashme. Por unë mendoj se ka një rëndësi simbolike të jesh atje dhe të tregosh se diçka e tmerrshme ka ndodhur në Srebrenicë."


Klein mendon se vendimi i Radishiq për të mos marrë pjesë ka qenë i bazuar në një shqetësim të madh për mendimin e përkrahësve të linjës së ashpër në gjirin e RS-së, shumë prej të cilëve "nuk pranojnë atë që ka ndodhur në Srebrenicë".


Politikanët serbë deklarojnë, në mënyrë jo tepër bindëse, se ata nuk kanë marrë pjesë në ceremony, sepse nuk ishin të ftuar. Komentet e tyre kanë tradhëtuar ndjenjat e tyre të vërteta.


Spasoje Tusevljak, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, ka thënë: "Unë nuk isha ftuar zyrtarisht, por tani ka ardhur koha që tragjeditë që kanë kaluar të gjithë popujt të mos përdoren më për përfitime politike. Ne duhet të shkojmë drejt pajtimit. Të gjitha viktimat duhet të trajtohen në një mënyrë të civilizuar dhe dinjitoze. Mua më vjen keq për të gjithë ata që kanë vuajtur në të kaluarën."


Dushan Neskoviq, zyrtar i Partisë së Social Demokratëve të Pavarur të Dodik, ka akuzuar politikanët boshnjakë Alija Izetbegoviq dhe Haris Silajxhiq se janë "fajtorët më të mëdhenj për abuzimin me këto manifestime".


Neskoviq ka deklaruar se të gjitha sa janë thënë në Potoçari "kanë pasur synimin për t'i hedhur fajin kolektivisht serbëve për të gjitha sa kanë ndodhur në Srebrenicë".


Komentet tregojnë se deklarata e Dodik mund t'i ketë shkaktuar atij një dëm politik. Edhe media e kontrolluar nga kryeministri nuk i ka dhënë publicitet deklaratave të tij për Srebrenicën.


Agjencia e lajmeve e qeverisë, SRNA, për shembull, ka zbutur komentet e Dodik duke njoftuar se ai kishte "shprehur kënaqësinë e tij që grumbullimi i boshnjakëve në Potoçari kishte kaluar pa incidente duke theksuar se banorët e RS-së kishin treguar mirëkuptim dhe dinjitet për sa i përket nevojave të anëtarëve të një kombi tjetër që jeton në RS dhe Bosnje për të përkujtuar kështu dhe ruajtur kujtimet e bashkëqytetarëve të tyre të cilët kanë vdekur në mënyrë tragjike."


SRNA ka njoftuar se Dodik ka thënë: "Ne presim që vendet e varreve të përbashkëta të kombësive të tjera në qytete të tjera të Bosnje Hercegovinës të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Fajtorët për këto krime duhet të zbulohen dhe dënohen siç duhet".


Politikanë dhe intelektualë serbë nuk janë shumë ëntuziastë për të pranuar publikisht krimet e kryera nga anëtarët e komunitetit të tyre gjatë luftës në Bosnje. Por të fajësosh për këtë mungesë gatishmërie nacionalizmin luftarak serb nuk është më krejtësisht e saktë.


Nacionalizmi serb nuk është më ekspansionist dhe luftarak. Ai është shndërruar në një frikë ndaj "sundimit të shumicës" - pa mbrojtjen e një entiteti të veçantë serb, popullsia me shumicë boshnjake në Bosnje do të dominonte jetën politike.


Ndjenja se politikanët boshnjakë po përpiqen në mënyrë të vazhdueshme të imponojnë përgjegjësinë kolektive ndaj të gjithë popullsisë serbe për krimet e luftës dhe të deklarojnë se RS që është produkt i një genocidi i pakëson edhe më tepër mundësitë që serbët të pranojnë krimet e kryera në emër të tyre - për të bërë këtë ata frikësohen se një hap i tillë do të çonte në zhdukjen e RS, një ndarje të cilën shumica e popullsisë e konsideron si të vetmen garanci për mbijetesën e tyre në kuadrin e Bosnje Hercegovinës.


Serbët akuzojnë gjithashtu komunitetin ndërkombëtar se u kushton shumë më tepër respekt viktimave të luftës nga komunitetet kroate dhe myslimane se sa atyre serbe. Ata thonë se në Gjykatën e Hagës janë dënuar vetëm dy persona të parëndësishëm për krimet e kryera në kampin famëkeq të Celebiçit pranë Konjiç ndaj civilëve serbë të Bosnjes.


"Përkujtimi i bërë në Potoçari ka treguar se për komunitetin ndërkombëtar ekziston vetëm një viktimë në Srebrenicë," tha Miodrag Josipoviq, drejtues i bashkisë fqinje të Bratuncit. Josipoviq thotë se forcat boshnjake myslimane kanë vrarë rreth 1,000 serbë në këtë zonë ndërmjet viteve 1992 dhe 1993.


Pesë vjetë pas përfundimit të luftës duket se Bosnje Hercegovina sheh më tepër në të kaluarën dhe luftën se sa drejt së ardhmes dhe ndërtimit të një shoqërie civile.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Support our journalists