DODIK LUAN ME VOTAT E MUSLIMANËVE
Kryeministri i Republika Srpska, Milorad Dodik, po shikon mundësinë e vendosjes së ministrave muslimanë me qëllim zhbllokimin e situates politike.
DODIK LUAN ME VOTAT E MUSLIMANËVE
Kryeministri i Republika Srpska, Milorad Dodik, po shikon mundësinë e vendosjes së ministrave muslimanë me qëllim zhbllokimin e situates politike.
Kriza politike në Republika Srpska është thelluar edhe më shumë javën e kaluar kur asambleja e saj nuk arriti të vendosë për programin e një sesioni parlamentar pas shtatë orësh debati të nxehtë dhe të kotë.
Qeveria e përkohëshme e minorancës është përpjekur të minimizojë rëndësinë e incidentit, duke thënë se ky sesion nuk duhet të ishte thirrur fare kaq pranë zgjedhjeve lokale të planifikuara për tu mbajtur më 8 prill.
Por disa burime të serbëve të Bosnjes thonë se ata janë shumë të shqetësuar se përkeqësimi i situatës politike në Republika Srpska mund të bëjë që votuesit t'i kthejnë shpinën koalicionit të kryeministrit pro perëndimor Milorad Dodik.
Opozita ka vepruar me shpejtësi për të fituar kapital politik nga kriza më e fundit. Presidenti i Partisë Demokratike Serbe të linjës së ashpër, Dragan Kaliniq, e ka përshkruar atë si "një sulm direkt ndaj të vetmit institucion legjitim që ka mbetur në Republika Srpska."
Kaliniq, një nga aleatët më të ngushtë të udhëheqësit serb të Bosnjës së kohës së luftës dhe të dyshuarit kryesor për krime lufte Radovan Karaxhiq, ka thënë se ky episod ka hapur rrugën për "shkrirjen përfundimtare" të asamblesë.
"Ky ka qenë sulmi më i madh ndaj parlamentit që prej krijimit të tij," ka thënë Zëvendës Presidenti i Partisë Socialiste të Republika Srpska, SPRS, Dragutin Iliq. Ai ka akuzuar Dodik se po pengon me qëllim veprimtarinë e parlamentit.
Megjithatë ka qenë tërheqja e SPRS-së nga koalicioni qeveritar Sloga muajin e kaluar që në fakt shkaktoi trazirat e fundit.
Ky hap, që thuhet se është orkestruar nga presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq ka thelluar përcarjen në rritje ndërmjet politikanëve serb të Bosnjes dhe i ka dhënë një goditje përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të promovuar stabilitet në rajon. Mendohet se kaosi politik mund të lehtësojë ridaljen e Partisë Demokratike Serbe të linjës së ashpër, e drejtuar më parë nga Karaxhiq dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e përgjithëshme të planifikuara për më vonë këtë vit.
Largimi i SPRS, e cila e la Dodik me një qeveri të pakicës dhe të ndërvarur nga mbështetja e organizatave ndërkombëtare në Bosnje, ka rezultuar nga ndarje ideologjike brenda partisë dhe rritja e besimit të përfaqësuesve të linjës së ashpër. Krahu i saj nacionalist, i drejtuar nga Iliq, duket se është shumë i influencuar nga Millosheviqi.
Pas daljes së partisë nga Sloga, disa anëtarë të parëndësishëm u përjashtuan apo dhanë dorëheqjen. Kjo lëvizje praktikisht ka ndarë SPRS-në dhe i ka dhënë një goditje të rëndë balancës së pushtetit në asamblenë e Republika Srpska.
SPRS dhe dy anëtarë të tjerë të Sloga kanë pasur 28 vende në parlament dhe kanë pasur nevojë për mbështetjen e partive muslimane të Bosnjes dhe ato Kroate për të arritur një shumicë vendimmarrëse në asamblenë me 83 deputetë.
Por kokëfortësia dhe ndonjëherë retorika nacionaliste e Dodik ka zemëruar partnerët e tij muslimanë dhe kroatë. Si rezultat, gjatë muajve të fundit ata u kanë dhënë votën e tyre Dodik dhe koalicionit Sloga vetëm atëherë kur kanë pasur interes.
Pasi SPRS-ja u largua nga koalicioni Sloga, Dodik ka deklaruar publikisht se ai ishte i përgatitur të emëronte tre zyrtarë muslimanë në qeverinë e tij.
Kjo lëvizje, mesa duket synonte të siguronte votat e muslimanëve në parlament, por megjithatë nuk pati rezultat. Nëse kjo gjë do të ndodhte, do të ishte hera e parë që joserbë marrin poste në institucione ekskluzivisht serbe që prej përfundimit të luftës së Bosnjes.
Por Dodik ka bërë disa premtime të tilla në të kaluarën, duke mos i mbajtur ato në momentin e fundit. Dhe ka mudnësi që të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë rradhë. Megjithëse tani vetëm votat e muslimanëve mund të zgjidhin bllokimin në parlament, ai e di se emërimi i joserbëve në poste në qeveri mund t'i kushtojë atij shumë vota nga përfaqësuesit e linjës së ashpër në zgjedhjet e ardhëshme.
Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Sarajeva.