Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Dilema e Sanxhakut

E ardhmja e Sanxhakut duket e errët pavarësisht nga rezultati i konfliktit në rritje ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi.
By Miroslav Filipovic

Zyrtari i zyrës së pasaportave në qytetin e Novi Pazar është tepër i zënë me punë. Ai thotë se merr mbi 100 aplikime në ditë.


Muslimanët po largohen nga Sanxhaku për në Turqi dhe Gjermani, duke pasur frikë se mund të përfshihen në konfliktin në rritje ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi.


Drejtuesit politikë të këtij rajoni të banuar kryesisht nga muslimanët, ndërmjet dy republikave jugosllave, mendojnë se komuniteti i tyre mund të përfshihet në konflikt dhe mund të përfundojë si "dëm anësor".


Rasim Ljajiq, politikani musliman i dytë më i fuqishëm në rajon, thotë se lufta do të jetë shkatërruese për Sanxhakun. "Ajo do të çojë në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe në ndarjen e Sanxhakut. Nëse këtu do të ketë luftë, eksperiencat e konflikteve civile dhe fetare në ish Jugosllavi kanë qenë të tmerrshme."


Megjithatë, për momentin, drejtuesit muslimanë po u bëjnë thirrje komunitetit prej rreth 250,000 banorësh të qendrojnë. Sulejman Ugljanin, një figurë e rëndësishme politike në Sanxhak, thotë se marrëdhëniet ndërmjet malazezëve, shqiptarëve, serbëve dhe muslimanëve janë të qeta pavarësisht nga përpjekjet e drejtuesve në Beograd dhe Podgorica për të rritur tensionet.


"Banorët e Sanxhakut duhet të qëndrojnë të bashkuar me familjet e tyre, fqinjët dhe banorët e tjerë për të treguar solidaritetin dhe besnikërinë ndaj Sanxhakut," thotë ai.


Vendndodhja gjeografike e Sanxhakut vështirë se mund të ishte më e sikletëshme. I ndarë nga brenda, ai kufizohet edhe me Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjen - dhe është prekur nga të gjitha luftërat e dhjetë vjetëve të fundit.


Emigrimi ka filluar pas shpërthimit të luftës në Bosnje në vitin 1992 kur Ushtria Jugosllave së bashku me paraushtarakët serbë dhe policia dëboi muslimanët që jetonin përgjatë kufirit me Bosnjen. Kjo lëvizje u ndërmorr për të ndaluar kontrabandën e armëve dhe burrat nga Sanxhaku që të shkonin të luftonin me njësitë boshnjake.


Ka pasur një eksod të dytë një vit më parë kur filluan bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë. Shumë muslimanë nga Sanxhaku u larguan për në Bosnje, duke u përpjekur të shpëtonin nga mobilizimi në Ushtrinë Jugosllave dhe nga konfrontimet me trupat federale të vendosura në rajon.


Vala më e fundit e refugjatëve po largohet tani e frikësuar nga shpërthimi i një konflikti të ri në Sanxhakun e jugut. Shumë njerëz mendojnë se Presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq mund të dërgojë trupat e tij paraushtarake në rajon. Rivali i tij malazez Millo Gjukanoviq ndërkohë po krijon forcën e tij të sigurimit të përbërë kryesisht nga muslimanë banorë të zonës.


Lufta e nervave është rritur nga vendimi i Beogradit për të mbyllur kufirin me Malin e Zi. "Ata shpresojnë të shkaktojnë probleme sociale dhe luftë civile," thotë Nusret Kalac, kryetari i bashkisë së Rozhajes në veri të Malit të Zi, e banuar kryesisht nga muslimanët. Tensionet janë rritur shumë këtu. Ushtria Jugosllave dhe policia malazeze kanë zënë dy hotele pranë njëri tjetrit në qytet. Këtu ekziston një përballje e rrezikëshme.


"Një incident mund të shpërthejë luftën në Mal të Zi," thotë një banor i Rozhajes. Drejtuesi lokal Harum Haxhiq thotë se banorët "po presin luftën, por shpresojnë për paqe."


Por muslimanët në rajon frikësohen se Sanxhaku do të ndahet pavarësisht nëse dy republikat jugosllave ndahen nga njëra tjetra me forcë ose me mjete paqësore.


Për këtë arësye ata janë në favor të ruajtjes së federatës jugosllave. Kjo ndjenjë është kaq e madhe sa pavarësisht identifikimit të tyre me Bosnjen, ata nuk aprovojnë mbështetjen e Sarajevos për pavarësinë e Malit të Zi.


Një nga drejtuesit kryesor shpirtëror të Sanxhakut, Myftiu Muamer Efendi Zukoroliq, insiston se asnjë musliman patriot nuk mund të përkrahë ndarjen e Malit të Zi. "Është e papranueshme për ne," thotë ai.


Por edhe nëse federata ruhet, e ardhmja e Sanxhakut është jo shumë e mirë. Si regjimi i Beogradit edhe ai i Podgoricës kanë refuzuar të pranojnë kërkesën e Sanxhakut për një status politik special.


Pra, pavarësisht se është një rajon i veçantë, duket se nuk ka ndonjë mundësi të afërt për vetë-administrim edhe nëse të dy republikat vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuara.


Ndodhja në mes të dy shteteve që zihen, shkakton probleme të shumta praktike. Kohët e fundit policia malazeze ka ndaluar klerikët musliman të marrin pjesë në një mbledhje në Novi Pazar, në pjesën serbe të Sanxhakut.


Të përballur me mundësinë e madhe e të ndodhurit në një luftë të re ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, disa muslimanë nga Sanxhaku po përpiqen shumë të ulin tensionet me shpresë jo vetëm për të shmangur një luftë por edhe ndarjen e mëtejshme të Jugosllavisë. Por shumë të tjerë tashmë e kanë humbur shpresën.


Impakti i menjëhershëm është i qartë. Agjencitë e autobusëve në Novi Pazar thonë se biletat e autobusëve për destinacionet ndërkombëtare janë shitur të gjitha edhe për tre javët e ardhëshme.


Miroslav Filipoviq është korrespondent i Danas në Kraljevo.