Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Dilema E Francës Në Kosovë

Trupat franceze të KFOR-it po përpiqen të hedhin poshtë akuzat për qëndrim të një anshëm në rajonin shpërthyes të Mitrovicës.
By James Hider

Gjenerali francez Pierre de Saqui de Sannes shpesh duket i lodhur dhe i shqetësuar kur del në rrugët e Mitrovicës veriore, si kur drejton forcat e tij ndaj turmave armiqësore të shqiptarëve etnik ashtu edhe kur përshëndetet nga grupet e serbëve entuziastë.


Të përpiqesh të jesh neutral në Mitrovicë është një detyrë e vështirë. Në shpërthimin më të fundit të dhunës ndër-etnike, më 7 mars, 16 paqeruajtës francezë ishin ndërmjet 40 të plagosurve kur shqiptarët dhe serbët u përleshën në zonën veriore të qytetit të dominuar nga serbët.


Trupat franceze janë goditur si nga shtypi lokal i cili nuk humbet asnjë rast për të venë në dukje dështimin e forcave ndërkombëtare ashtu edhe nga media ndërkombëtare. Akuza kryesore e bërë ndaj tyre është se ata favorizojnë serbët.


Pasi serbët e inatosur kanë dëbuar trupat amerikane nga Mitrovica veriore nën një breshër gurësh, turma ka përshëndetur mbërritjen e trupave franceze për të zëvendësuar paqertuajtësit amerikanë, duke thirrur "Franca" me pothuajse të njëjtën kënaqësi sikur të thërrisnin "Serbia".


Forcat e gjeneralit Saqui de Sannes janë përballur me akuza nga policia e OKB-së se nuk kanë ndërhyrë për të ndihmuar kolegët e tyre dhe familjet shqiptare të zëna në mes të trazirave të shkaktuara nga serbët.


Policia e OKB-së dhe oficerë të KFOR-it nga vende të tjera kanë akuzuar gjithashtu francezët se nuk kanë vepruar me forcën e duhur ndaj serbëve në Mitrovicën veriore, duke i lejuar ata të krijojnë grupet e tyre të mbrojtjes paralele, të cilat kanë tmerruar shqiptarët lokalë.


Përgjigja franceze ndaj akuzave për një anshmëri ka qenë tepër e ashpër, duke provokuar kështu edhe më tepër zemërimin e shtypit ndërsa nuk ka mundur të ndalojë largimin e shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës.


Dilema me të cilën përballen trupat franceze është se si të shtypin dhunën e ekstremistëve pa shkaktuar zemërimin e popullsisë në përgjithësi dhe pa shkaktuar një polarizim më të madh të komuniteteve.


Punonjësit e të drejtave të njeriut dhe zyrtarë ushtarakë ngulin këmbë se njerëzit e thjeshtë në Kosovë dëshirojnë të vazhdojnë jetën e tyre normale por në mënyrë të vazhdueshme nxiten dhe ngacmohen nga elementë të linjës së ashpër nga të dyja krahët e ndarjes etnike.


Analistët kanë pasur mendime të ndryshme dhe interpretime të ndryshme të situatës së tanishme, duke ia atribuar këtë ndjenjave të thella të armiqësisë dhe urrejtjes ndërmjet dy komuniteteve, luftës për pushtet ndërmjet grupeve ekstremiste apo edhe një beteje për kontrollin e minierave të Trepçes aty pranë, të cilat tani nuk janë në funksionim por që dikur kanë qenë burimi kryesor i pasurisë minerale të Jugosllavisë.


Problemi më i dukshëm është se trupat e KFOR-it, pavarësisht nëse janë franceze, britanike apo amerikane, nuk janë policë dhe nuk janë as të stërvitur as të pajisur për të kryer detyra të ruajtjes së rendit.


Në përleshjet e fundit ndërmjet serbëve dhe trupave amerikane, një turmë armiqësore ka qëlluar një rreshtim të trupave amerikane me topa dëbore. Ndërsa gjakrat u nxehën, një ushtar amerikan drejtoi armën e tij ndaj një serbi që po qëllonte me një top dëbore pa kuptuar rëndësinë e këtij veprimi.


Trupat gjermane dhe amerikane janë qëlluar me gurë ndërsa kryenin operacionet e kërkimit të armëve të mbajtura në mënyrë të paligjëshme, duke ngritur pyetjen nëse metodat policore konfliktuale janë një zgjidhje e mirë për një situatë kaq delikate.


Disa drejtues të shqiptarëve etnikë kanë bërë thirrje që trupat britanike të venë në përdorim eksperiencën e tyre anti terroriste. Por kritikët pyesin nëse ata do të jenë më tepër të suksesëshëm se francezët. Ata citojnë faktin që në Prishtinë, zemra e sektorit të kontrolluar nga Britanikët, popullsia serbe është ulur nga rreth 20,000 njerëz në disa qindra pas mbërritjes së trupave të KFOR-it.


Senatorët amerikanë kanë shprehur tashmë shqetësim për përdorimin e trupave amerikane në një zonë kaq të paqëndrueshme, duke ngritur çështjen nëse Uashingtoni do të ishte në gjendje të duronte humbjet në njerëz që ka duruar Parisi.


Përderisa OKB-ja të ofrojë kompletimin me 6,000 policë të kërkuar nga administratorët e saj lokalë, ka pak shpresë se gjendja do të qetësohet në nivel lokal.


Ndërkohë, gjenerali Saqui de Sannes po luan me kujdes kartat e tij, duke u përpjekur të ecë nëpër fushën e minuar ndëretnike të Mitrovicës.


Xhejms Haider është gazetar që jeton në Prishtinë.