Dhuna dhe Tensionet Rrezikojnë Zgjedhjet në Bosnje
Nacionalistët e linjës së ashpër kërcënojnë votuesit përpara zgjedhjeve lokale të kësaj fund jave.
Dhuna dhe Tensionet Rrezikojnë Zgjedhjet në Bosnje
Nacionalistët e linjës së ashpër kërcënojnë votuesit përpara zgjedhjeve lokale të kësaj fund jave.
Në një atmosferë me tensione të larta etnike, boshnjakët po përgatiten për zgjedhjet lokale të cilat mund të jenë tepër të rëndësishme për fatin e këtij vendi të shkatërruar nga lufta.
Ndërsa durimi dhe vëmendja ndërkombëtare po pakësohen, dhe fondet po dërgohen gjetiu, zyrtarët perëndimorë kanë bërë thirrje që boshnjakët të votojnë për ndryshime, dhe të abandonojnë drejtuesit nacionalistë të paskrupullt të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet.
Zgjedhjet vijnë në një kohë kur janë rritur përpjekjet ndërkombëtare për të mënjanuar të dyshuarit për krime lufte në Bosnje, politikanët e linjës së ashpër dhe ata të korruptuar.
Pesë ditë përpara votimeve, trupat e NATO-s kanë arrestuar të dyshuarin më të rëndësishëm deri më sot për krime lufte. Arrestimi i një njeriu të rëndësishëm si Momçillo Krajishnik - aleati më i ngushtë i kohës së luftës së udhëheqësit serb të Bosnjes Radovan Karaxhiq - ka dërguar një mesazh të qartë - Bosnja nuk është më një vend i sigurtë për të dyshuarit për krime lufte.
Gjatë gjashtë muajve të fundit, agjensitë ndërkombëtare kanë larguar nga postet e tyre 30 politikanë lokalë dhe kanë bllokuar kandidimin e 50 të tjerëve, sepse kanë shkelur rregullat zgjedhore dhe marrëveshjen e paqes së Dejtonit.
Në intervistat përpara zgjedhjeve, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje Volfgang Petriç ka thënë se "kriza ekonomike që po përshkallëzohet" në vend kërkon ndryshime politike serioze dhe reforma ekonomike dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të "votojnë për ndryshime".
Megjithatë sipas analistëve të pavarur, përkrahësit e linjës së ashpër në partitë në pushtet kanë rritur tensionet etnike me qëllim përpara zgjedhjeve lokale të së dielës, duke shpresuar kështu të friksojnë njerëzit dhe t'i bëjnë ata të zgjedhin opsionin nacionalist duke orkestruar dhunë ndaj refugjatëve të kthyer dhe pakicave.
Mbi 30 përqind të këtyre ngjarjeve kanë ndodhur vetëm në muajin mars, pjesa më e madhe në Republika Srpska, ku të paktën një musliman i kthyer është vrarë dhe disa refugjatë të tjerë janë plagosur në një sërë sulmesh me bomba dhe gurë nga bandat.
Asnjë nga fajtorët nuk është arrestuar, sipas zyrës së Volfgang Petriç, pavarësisht nga kërkesat e përsëritura ndaj autoriteteve gjyqsore për ta bërë këtë gjë.
Ndërkohë disa fletë palosje të shpërndara nga Partia Radikale e Serbëve të Bosnjes ultra-nacionaliste u bëjnë thirrje serbëve të "prishin kutitë e votimit" dhe të bojkotojnë zgjedhjet edhe me dhunë po të jetë nevoja. Mesazhe të ngjashme janë dëgjuar edhe nga ana e nacionalistëve kroatë të Bosnjes.
Republika Srpska ka qenë pa president që prej një viti pasi Petriç shkarkoi Nikolla Poplasen sepse po pengonte zbatimin e marrëveshjes së paqes. Parlamenti i saj është i bllokuar, sepse asnjë parti nuk kontrollon shumicën e nevojëshme për të drejtuar. Vetëm përkrahja e qeverive perëndimore - pasi koalicioni qeveritar pro perëndimor ra për shkak të mosmarrëveshjeve të brendëshme - po e mban në këmbë qeverinë e pakicës së Milorad Dodik.
Mosmarrëveshje të ngjashme politike kanë bllokuar marrjen e vendimeve edhe në federatën kroato-muslimane që prej më shumë se një viti.
Në këtë klimë politike agjensitë ndërkombëtare të ngarkuara me zbatimin e paqes kanë vendosur të përdorin taktika më radikale.
OSBE-ja, për shembull, ka përforcuar rregullat elektorale. Zyrtarët e zgjedhur tani mund të kryejnë vetëm një detyrë në parlament, apo në zyrat e ekzekutivit apo në kompanitë shtetërore. Kandidatët të cilët në mënyrë të parregullt kanë zënë shtëpitë e refugjatëve ndalohen të kandidojnë në zgjedhje.
OSBE-ja gjithashtu nuk ka kursyer as fondet dhe as përpjekjet për të përgatitur zgjedhjet e së dielës. Vala e fletë palosjeve, reklamave në televizion dhe në shtyp ka qenë e paparë ndonjëherë dhe nuk ka kaluar pa u kundërshtuar. Partitë nacionaliste në pushtet thonë se parrulla e OSBE-së - "votoni për ndryshim" - tregon se komuniteti ndërkombëtar është i një anëshëm në favor të partive opozitare.
Natyrisht votat në favor të partive të moderuara konsiderohen nga shumë njerëz si shansi i fundit i Bosnjes për një të ardhme më të mirë dhe begatë. Nga ana tjetër, vazhdimi i përkrahjes për drejtuesit nacionalistë të kohës së luftës do të vuloste pothuajse përfundimisht fatin e vendit si një rrugicë qorre e Europës edhe për shumë vite të tjerë.
Por nuk është e sigurtë që 2.5 milionë votuesit e Bosnjes do të votojnë për ndryshime të vërteta.
Partia ish komuniste Social Demokrate, SDP, është e favorizuara e perëndimit. Partia kryesore e opozitës ka hapur zyra dhe ka bërë fushatë në të gjithë vendin. Sipas Institutit Kombëtar Demokratik, NDI, me qendër në Uashington, SDP mund të marrë rreth 49 përqind të votave në këto zona, ndërsa Partia e Veprimit Demokratik, SDA, në pushtet, - ka humbur përkrahje për shkak të korrupsionit, ndarjeve të brendëshme dhe pazotësisë - pritet të fitojë vetëm nëntë përqind.
Përkrahja për linjën e ashpër në zonat e kontrolluara nga kroatët ka rënë që pas humbjes në zgjedhje të partisë HDZ në Kroaci vitin e kaluar, por megjithëse SDP-ja pritet të fitojë 41 përqind të votave - krahasuar me 31 përqind të HDZ-së - nuk është e qartë se çfarë roli mund të luajë SDP-ja në këto zona.
Në territoret e kontrolluara nga serbët, Partia Sloga (Bashkimi) në pushtet pritet të fitojë 36 përqind, ndërsa opozita nacionaliste Partia Demokratike Serbe pritet të fitojë rreth 29 përqind.
Por shumë vëzhgues mendojnë se zgjedhjet e 8 prillit do të sjellin një ndryshim të vërtetë vetëm në zonat e kontrolluara nga muslimanët. Edhe nëse SDP-ja do të marrë përkrahje në zonat nacionaliste, ka shumë mundësi që ajo të mos ketë numrin e mjaftueshëm të vendeve për të luajtur rol në vendim marrje.
Një rezultat i ngushtë do të vështirësonte edhe më shumë gjërat, sepse partitë nacionaliste në pushtet do të pengonin zbatimin e rezultateve të zgjedhjes deri sa të kalonin pushtetin në institucione të tjera ku ata kanë shumicën.
Organizatat ndërkombëtare në Bosnje kanë pushtet të mjaftueshëm të ndalojnë këtë gjë dhe munden edhe të neutralizojnë rezultatet negative të zgjedhjeve. Ndoshta rëndësia e vërtetë e zgjedhjeve të kësaj jave është të provojë mendjen e votuesve boshnjakë përpara zgjedhjeve të përgjithëshme të planifikuara për në muajin tetor të këtij viti.
Të shpresojmë se ata do të votojnë duke pasur para sysh fjalët e drejtuesit të OSBE-së, Robert Berri: "Mos kini frikë. Votoni për ndryshime dhe votoni për një të ardhme më të mirë".
Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Sarajevo.