Detyrimet e Serbisë
Serbia nuk do të pranohet në gjirin e familjes ndërkombëtare derisa të fillojë të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare.
Detyrimet e Serbisë
Serbia nuk do të pranohet në gjirin e familjes ndërkombëtare derisa të fillojë të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare.
E gjithë bota ka kthyer sytë nga ne duke na përkëdhelur, duke u kujdesur për të mos na shqetësuar, me zgjuarësi duke mos na nxituar për të konsideruar çështje delikate si ekstradimi i të dyshuarve për krime lufte. Presidenti ynë Vojisllav Koshtunica thotë: "Unë nuk do të dorëzoj Millosheviqin - prioriteti ynë është demokracia" dhe bota përgjigjet: "Nuk ka problem, nuk ka nxitim."
Përkrahësit e linjës së ashpër në qeverinë e re u thonë diplomatëve të huaj se gjyqet e kriminelëve të luftës janë një "çështje delikate, një çështje që mund të ndajë kombin".
Dhe media e cila pretendohet të jetë "çliruar", e cila nuk frikësohet më nga censura dhe ndëshkimet, vazhdon të shkruajë për ushtrinë e lavdishme jugosllave dhe policinë serbe, e cila "nuk lejoi pushtimin e vendit."
Prioriteti ynë është riintegrimi në komunitetin ndërkombëtar. Rruga drejt integrimit kalon përmes Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, nga të cilat ne u përjashtuam pasi nuk përmbushnim më asnjë kusht të tyre.
Riintegrimi ynë varet nga qeveria e re, nga gatishmëria e saj për të përmbushur kushtet dhe standartet ndërkombëtare. Nuk mund të rikthehemi në familjen ndërkombëtare pa vendosur një bashkëpunim me organizatat e Kombeve të Bashkuara, njëra nga të cilat është edhe Gjykata e Hagës.
Mali i Zi ka bashkëpunuar me gjykatën që në vitin 1997 dhe i ka dhënë prokurorëve të Hagës dokumenta për dëbimin me forcë të refugjatëve myslimanë nga Bosnja në gusht të vitit 1992. Mali i Zi nuk është më një vend i sigurtë për "heronjtë tanë të luftës". "Veteranët" dhe "qentë e luftës", të cilët tani jetojnë atje, shumë shpejt do të kërkojnë një vend të sigurtë në Serbi.
Serbia do të jetë një vend i sigurtë jo vetëm për Sllobodan Millosheviqin, Nikola Sainoviqin, Dragoljub Ojdaniqin, Milan Milutinoviqin dhe Vlajko Stojiljkoviqin - të gjithë këta të akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid - por edhe për mijëra të tjerë, të cilët kanë zbatuar urdhërat dhe kanë kryer krime ndaj komuniteteve etnike në vendet fqinje.
Brenda një apo dy muajsh, ata që na duartrokasin dhe na vlerësojnë tani si fitimtarë nuk do të kenë mirëkuptim për "ndjeshmërinë" tonë për krimet e luftës të kryera nga policia serbe, ushtria jugosllave, grupet paraushtarake dhe kriminelët ordinerë.
Në të ardhmen duhet të ketë një kontroll më të madh të policisë - dhe të gjithë degëve të saj. Dhe ne duhet të synojmë të krijojmë një ushtri të re profesioniste, ku nuk do të ketë vend për gjeneralët të cilët krijuan njësi paraushtarake si Batalioni i 7-të në Malin e Zi.
Ne kemi qenë në luftë me të gjithë fqinjët tanë. Ne i kemi lënë vendet e tyre të shkatërruara dhe kemi shtuar popullsinë e vendit tonë me disa qindra mijëra refugjatë, njerëz të zhvendosur dhe luftëtarë të kthyer. Rasti më i fundit në një seri të gjatë është rasti i serbëve të Kosovës, të cilët besojnë se është thjesht çështje kohe përpara se ata, ushtria dhe policia të kthehen në provincë dhe të mbarojnë punë me shqiptarët etnikë. Për shkak të së keqes që ndodhet brenda nesh, ne nuk mund të ndërmarrim asnjë hap për të na afruar me fqinjët.
Kjo është edhe arsyeja e shpërthimit të zemërimit ndaj organizatave joqeveritare, të cilat bëjnë thirrje për lirimin e të burgosurve politikë shqiptarë etnikë. Qeveria e re dhe serbët e Kosovës thonë se lirimi i tyre duhet të bëhet me kusht, pasi të lirohen "serbët e rrëmbyer" nga shqiptarët që ndodhen në burgjet shqiptare dhe ato të Misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, në Kosovë.
Do të ishte në interesin e serbëve të Kosovës që Koshtunica dhe qeveria e re të binte dakort sa më parë të takohej dhe të bashkëpunonte me administratën ndërkombëtare në Kosovë. Edhe ky është një prioritet. Sepse kjo është e vetmja mënyrë për t'u marrë efektivisht me çështjen e njerëzve të humbur.
Nga të dyja anët mungojnë rreth 2,500 shqiptarë, të cilët janë zhdukur gjatë gjendjes së luftës, dhe rreth 1,000 serbë, malazezë, boshnjakë e romë, të cilët janë zhdukur pas vendosjes së trupave të KFOR-it në Kosovë. Fati i tyre nuk mund të qartësohet derisa të fillojë një proces i posaçëm për personat e zhdukur.
Problemi i të burgosurve është më i lehtë. Rreth 850 shqiptarë janë ende në burg në Serbi. Rreth 1,250 shqiptarë janë liruar nga autoritetet e Beogradit që nga fundi i qershorit të vitit të kaluar deri në 1 tetor të këtij viti. Nuk ka asnjë arsye përse edhe ata 850 të burgosur të mos lirohen.
Ata nuk mund të mbahen peng. Ndërmjet tyre janë vetëm dy, të cilët janë të akuzuar për vrasje të civilëve serbë. Rreth 200 po vuajnë dënime për krime ordinere dhe 650 janë të burgosur politikë. Në Kosovë janë rreth 60 serbë të burgosur dhe të akuzuar për krime lufte, apo për vrasje me motive etnike - pjesa më e madhe janë duke pritur gjyqin që prej më shumë se një viti.
Qartësimi i fatit të personave të zhdukur është një proces i vështirë. Ai nuk mund të kryhet pa një bashkëpunim ndërmjet autoriteteve serbe dhe UNMIK-ut e Gjykatës së Hagës. Duket, pra, se rruga për Serbinë dhe Kosovën kalon nga gjykata.
Natasha Kandiq është drejtoreshë e Qendrës Ligjore Humanitare me qendër në Beograd.