DËSHTON AMNISTIA PËR ARMËT NË KOSOVË

Një fushatë e reklamuar me të madhe nuk arrin të bindë shqiptarët dhe serbët të dorëzojnë armët e tyre.

DËSHTON AMNISTIA PËR ARMËT NË KOSOVË

Një fushatë e reklamuar me të madhe nuk arrin të bindë shqiptarët dhe serbët të dorëzojnë armët e tyre.

Tuesday, 6 September, 2005

Pas një zënke në familje, 15 vjecarja Ermira Demaj, vajza e një anëtari të gjykatës së lartë të Kosovës nga Prishtina, ka marrë pistoletën e mbajtur pa leje nga babai i saj në një raft të shtëpisë dhe është vetëvrarë me një plumb në kokë.


Ajo ka vdekur më 13 tetor pasi ka mbijetuar disa ditë në gjendje kome. Babai ka thënë se e mbante armën për vetëmbrojtje, sepse gjykatësit janë shpesh të kërcënuar nga krimi.


Kjo tragjedi është zhvilluar vetëm pak ditë pas përfundimit të një amnistie për armët, fushatë e cila ka dështuar në mbledhjen e rreth 400,000 armëve të paligjëshme të cilat mendohet se qarkullojnë në Kosovë. Tani kanë filluar të ngrihen pyetje në lidhje me dështimin e kësaj fushate kaq shumë të reklamuar.


Projekti i cili ka zgjatur për një muaj, dhe ka përfunduar më 1 tetor, ka arritur të sigurojë dorëzimin e vetëm 155 armëve nga popullsia, pavarësisht zhvillimit të një fushate publicitare të fuqishme nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, PNUD.


Marie-France Desjardins, drejtuese e projektit të PNUD për Kontrollin e Armëve të Vogla të Paligjëshme, ISAC, e ka përshkruar rezultatin e fushatës si zhgënjyes.


"Ne ende nuk e dimë se përse nuk kemi arritur të pakësojmë numrin e armëve të paligjëshme në qarkullim. Duhet të punojmë shumë dhe të kuptojmë se ku kemi gabuar," ka thënë ajo javën e kaluar.


Mungesa e një zgjidhjeje përfundimtare për statusin e Kosovës, mungesa e besimit tek forcat e sigurisë, dyshimi për korrupsion në rradhët e zyrtarëve vendas dhe shtimi i dhunës mesa duket janë arësyet të cilat kanë cuar në dështimin e amnistisë.


Shqiptarët etnik janë të shqetësuar nga vonesat e vazhdueshme në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, të cilat, ata shpresojnë, se do të cojnë në pavarësinë e plotë nga Serbia.


Halim Gecaj, një shoqërues i vizitorëve në kompleksin përkujtimor të Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës, dikur qendra e qëndresës së Kosovarëve ndaj Serbëve, ka thënë për IWPR se "Askush nuk e di me siguri që nuk do të ketë përsëri luftë".


"Nëse nuk na japin pavarësinë, mund të ndodhë që forcat serbe të lejohen të kthehen - dhe pjesa më e madhe e njerëzve nuk duan të gjenden të papërgatitur nëse ndodh një gjë e tillë".


Mungesa e besimit ndaj forcave të rendit dhe trupave të NATO-s gjithashtu mendohet se ka qenë një prej arësyeve të dështimit të amnistisë.


Gani Xhemajli, një bujk nga Prekazi, thotë se "Edhe nëse do të kisha armë nuk do ti kisha dorëzuar, sepse mendoj që policia apo KFOR nuk mund të më sigurojnë në asnjë moment".


Mungesa e besimit rrjedh nga fakti që vetëm në raste të rralla zbulohen autorët e vrasjeve apo krimeve të tjera të rënda.


"Arma duhet për të mbrojtur veten," thotë Xhemajli, "sepse sa herë ndodh një vrasje policia vetëm thotë që hetimet vazhdojnë - dhe në shumicën e rasteve nuk ndodh asgjë".


Disa mendojnë se policia është më tepër e shqetësuar për sigurinë e saj se sa për të mbrojtur qytetarët e thjeshtë.


"Policia është e armatosur me pistoleta ndërsa kriminelët - edhe hajdutët e vegjël - kanë pushkë automatike. Pra nëse sulmohet një qytetar, policët më tepër shqetësohen për sigurinë e tyre se sa për të shpëtuar qytetarin," thotë Artan Rexha, një student nga Prekazi.


Në një studim të kohëve të fundit nga PNUD thuhet se ndërsa një numër armësh hyjnë kontrabandë nga Serbia dhe Shqipëria, pjesa më e madhe e armëve që qarkullojnë në Kosovë kanë mbetur në duart e civilëve që prej luftës.


Instituti për Studime Ndërkombëtare në Gjenevë, i cili ka zhvilluar një studim në Kosovë në korrik të këtij viti, ka arritur në përfundimin se rreth 65 përqind e familjeve në Kosovë kanë një armë.


Alex Anderson, drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, ka thënë për IWPR se ai nuk është i habitur me faktin që janë dorëzuar shumë pak armë, sepse Kosovarët nuk janë të sigurtë për të ardhmen, dhe frikësohen se mund të detyrohen të luftojnë përsëri për pavarësinë.


"Shqiptarët e vlerësojnë atë që është bërë që nga viti 1999, por ata nuk i besojnë shumë komunitetit ndërkombëtar në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës," ka thënë ai.


Kosovarët nuk kanë pranuar të dorëzojnë armët gjatë amnistisë pavarësisht një shpërblimi të mirë financiar. PNUD kishte premtuar të jepte një fond prej 675,000 dollarë amerikan për tre bashkitë të cilat do të mblidhnin numrin më të madh të armëve.


Paratë, të cilat janë dhuruar nga qeveria japoneze, do të përdoreshin për financimin e projekteve lokale në fushën e arsimit, shërbimeve shëndetësore dhe punimeve të infrastrukturës.


Por mesa duket skema e dhënies së shpërblimit nuk është menduar mirë, për shkak se njerëzit e thjeshtë i shohin me sy dyshues administratat lokale. "Administrata e bashkisë konsiderohet si e korruptuar. Shumë njerëz mendojnë se ata nuk do të përfitonin nëse dorëzonin armët, sepse paratë e dhëna administrative lokale do të keqpërdoreshin," thotë studenti Faruk Binaku, për IWPR.


Një tjetër arësye që mund të ketë kontribuar në dështimin e amnistisë është kultura e dhunës në rajon. "Shoqëria shqiptare e Kosovës është dëshmitare e shtimit të dhunës në shtëpi, shkolla dhe në sport, ekziston një farë admirimi për mulitarizimin dhe admirimi për ushtrinë po fillon të mbizotërojë kulturën lokale," thotë Blerim Latifi, një sociolog i cili punon për qendrën e studimeve humaniste Gani Bobi, në Prishtinë.


Edhe pakica serbe në protektorat nuk ka qenë e gatëshme të dorëzojë armët. Ata janë armatosur nga ministria e brendëshme e Serbisë gjatë viteve nëntëdhjetë dhe kanë marrë armë të tjera nga ushtria jugosllave gjatë tërheqjes së saj nga rajoni në qershor të vitit 1999.


Një serb nga enklava e Gracanicës, i cili nuk ka pranuar të identifikohet me emër, ka thënë për IWPR se ai dhe fqinjët e tij nuk kanë ndër mend të dorëzojnë armët e tyre. "Ne mendojmë se asnjë prej forcave të sigurisë në Kosovë nuk është e aftë të mbrojë serbët, kështu që ne duhet të mbrohemi vetë".


Artan Mustafa është një gazetar i pavarur në Kosovë dhe Jeta Xharra është drejtuese e projektit të IWPR në Prishtinë.


Albania, Serbia, Kosovo
Support our journalists