Bullgaria Ndjek Me Shqetësim Situatën
Endërrat më të këqija të Bullgarisë kërcënojnë të bëhen realitet ndërsa luftimet përshkallëzohen në Maqedoni
Bullgaria Ndjek Me Shqetësim Situatën
Endërrat më të këqija të Bullgarisë kërcënojnë të bëhen realitet ndërsa luftimet përshkallëzohen në Maqedoni
Pasojat e krizës në Maqedoni kanë filluar të ndjehen tashmë në Bullgarinë fqinje. 'Faktori radikal Shqiptar' i quajtur si burimi i ri i mungesës së stabilitetit në rajon, është në qendër të vëmendjes. Kritikat e qeverisë dhe të medias më në fund kanë ndryshuar drejtim nga fajtori tradicional - ish presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq dhe nacionalizmi Serb.
Bullgarët janë shumë të frikësuar se dhuna rreth Tetovës mund të përshkallëzojë në një luftë civile, e cila do të shkatërronte përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ruajtur paqen në rajon.
Një fluks i madh refugjatësh Sllav Maqedonas do të dëmtonte rëndë stabilitetin ekonomik dhe politik të kohëve të fundit në Bullgari. Një gjë e tillë do të frikësonte edhe investitorët e huaj, veanërisht nëse luftimet shtrihen përtej kufinjve Maqedonas në shtetet fqinje. Shqetësimi është tepër i madh. Ekziston frika se mund të ndodhë dika e ngjashme me luftën e dytë Ballkanike të vitit 1913, kur Bullgaria, Greqia dhe Serbia u përleshën për të ndarë Maqedoninë.
Presidenti Bullgar Petar Stojanov ka bërë një gabim. Oferta e tij e mëparëshme për mbështetje ndaj Shkupit, përfshirë edhe ndihmën e trupave ushtarake Bullgare, është pritur ftohtë në qarqet ndërkombëtare. Gazeta Britanike, The Daily Telegraph, ka botuar një artikull ku theksohej qëndrimi agresiv i Sofies ndaj Maqedonisë.
Drejtuesit politik Bullgarë po tregohen të kujdesëshëm, duke qenë të vetëdijshëm se në Bullgari po afron edhe koha e zgjedhjeve.
Kryeministri Ivan Kostov e ka bërë të qartë se Sofia e konsideron serioze krizën, duke organizuar menjëherë një udhëtim për në Shkup për të takuar kolegët e tij Maqedonas. Ky udhëtim është interpretuar si një shenjë solidariteti ndaj qeverisë së koalicionit të Ljubcko Georgievskit.
Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë normalizuar në Mars të vitit 1998. Një marrëdhënie e veantë është vendosur ndërmjet Bashkimit të Forcave Demokratike, UDF, dhe Organizatës Revolucionare të Brendëshme Maqedonase, VMRO të Georgievskit. Kryeministri Bullgar, megjithatë, nuk ka bërë asnjë përpjekje për të takuar partinë e opozitës Maqedonase, Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë, SDSM, e cila konsiderohet nga UDF-ja si anti-Bullgare.
Kriza kaq pranë vendit mund të ketë një efekt dëmtues në skenën politike Bullgare. Axhenda politike Bullgare mund të ndryshojë lehtësisht ndërsa disa parti politike të vogla, si është rasti i VMRO-së së Bullgarisë, mund të ndjekin një politikë më nacionaliste me shpresën se mund të fitojnë më shumë vota.
Dy partitë kryesore politike të Bullgarisë, UDF dhe Partia Socialiste Bullgare, BSP, kanë thënë vazhdimisht se kriza në Maqedoni nuk do të ndryshojë politikat e tyre pro-Europiane dhe anti nacionaliste. Por ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale janë caktuar për Qershor dhe vjeshtë, ekziston një shqetësim në rritje se presioni për të fituar më shumë vota mund të detyrojë politikanët të shfrytëzojnë krizën për përfitime politike të momentit.
Zgjedhjet duket se do të jenë një garë shumë e ashpër. Problemi i Maqedonisë është një kartë e rëndësishme, e cila për momentin duket se është në favor të qeverisë. UDF-ja ka krijuar një farë kapitali duke frikësuar Bullgarët me mundësinë e një mungese të stabilitetit të tipit Maqedonas.
Anketimet e opinionit publik tregojnë se njerëzit kanë më tepër besim në politikën e jashtëme të qeverisë sesa në trajtimin e saj të ështjeve sociale dhe ekonomike. Kjo është arësyeja që opozita ka akuzuar qeverinë se po shfrytëzon gjendjen në Maqedoni për të larguar vëmendjen e votuesve nga zërat për korrupsion dhe nga dështimi i saj për të zgjidhur problemet ekonomike.
Duket se ekziston një konsensus ndërmjet drejtuesve politik Bullgarë se vendi do të bënte mirë të shmangte do përfshirje "konkrete" në krizën Maqedonase. Pjesa më e madhe e njerëzve përjashtojnë ndërhyrjen ushtarake, dhe kjo mundësi as që nuk diskutohet fare.
Njoftimi i parlamentit Maqedonas se ai do të hidhte poshtë ofertat për dërgimin e trupave ushtarake nga vendet fqinje është mirëpritur nga të gjitha drejtimet. Bullgarët nuk ushqejnë ndonjë ambicie për të përfituar ndonjë pjesë të territorit të Maqedonisë. Përkundrazi, shumica e Bullgarëve dëshirojnë të qëndrojnë sa më larg krizës. Gjendja në Maqedoni shihet si një pengesë në rrugën e Bullgarisë për anëtarësim në BE.
Qeveria dhe partitë e opozitës janë dakort se tani kërkohet me urgjencë një përgjigje ndërkombëtare e koordinuar. Oferta e Stojanovit për mbështetje ushtarake duhet të shihet si një përpjekje për të nxitur komunitetin ndërkombëtar për të vepruar më me vendosmëri dhe jo si një shenjë e dëshirës së presidentit për përfshirje ushtarake në këtë krizë.
Ivan Krastev është drejtor i Qendrës për Strategji Liberale në Sofie.