Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

BOSNJE: ZEMERIM PER ARRESTIMET E POLITIKANEVE KROATE

Kolegët e të arrestuarve thonë se kjo është një përpjekje për të goditur pakicën kroate.
By Nerma Jelacic

Politikanët kroatë të Bosnjes kanë dënuar me forcë arrestimin e tre prej kolegëve të tyre si një sulm ndaj të drejtave të kroatëve etnik në federatë.


Forcat e policisë së ministrisë së brendëshme me ndihmën e trupave të SFOR kanë ndaluar Ante Jelavq, Miroslav Rupciq dhe Miroslav Prce më 23 janar. Dy ditë më pas, ata janë burgosur për deri 30 ditë në burgun e Kula në Republikën Srpska, ku ata do të qëndrojnë deri në marrjen e vendimit nga prokurori.


Të tre këta janë akuzuar për përvetësim fondesh nga Banka Hercegovacka, një bankë dikur e lidhur ngushtë me nacionalistët e linjës së ashpër kroate, dhe se "kanë vepruar kundër marrëveshjes së paqes së Dejtonit" e cila i dha fund luftës në Bosnje.


Në një deklaratë për shtypin, të tre kanë kundërshtuar me forcë cdo përfshirje të tyre në përvetësimin e fondeve nëpërmjet bankës. Zyrtarët e Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, kanë thënë se arrestimet janë një përpjekje e qëllimshme për të provokuar kroatët lokalë të "veprojnë në mënyrë të papërgjegjëshme".


Jelaviq ka qenë kryetar i HDZ dhe ish president i Bosnje dhe Herzegovinës, Prce, ish gjeneral i ushtrisë së kroatëve të Bosnjes dhe Rupciq ka qenë drejtor i Hercegovina Osiguranje, një kompani sigurimesh.


Të tre kanë qenë themelues të Hercegovacka Banka, e cila sipas hetuesve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, OHR, ka shërbyer për kalimin e fondeve në favor të nacionalistëve kroatë të cilët janë përpjekur për krijimin e një entiteti të vecantë të tyre në federatë.


Megjithëse nuk ka pasur asnjë shenjë se arrestimet e tyre kanë shkaktuar ndonjë trazirë publike, zyrtarët e HDZ kanë vazhduar të kundërshtojnë atë duke thënë se procedurat e arrestimit të tyre kanë qenë të parregullta.


Ata kanë thënë se policia lokale në kantonin e Hercegovina-Neretva, ku kanë jetuar të arrestuarit, as nuk janë informuar për këto arrestime, një procedurë kjo e përcaktuar nga ligji.


Dragan Coviq, anëtari kroat i presidencës së federatës, Niko Lozanciq, kryetar i federatës dhe Barisa Colak, kryetar i HDZ, kanë thënë se arrestimet tregojnë se kroatët "nuk duhet të kenë besim në pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe profesionalizmin e policisë".


Këto veprime kanë "qenë një paralajmërim i qartë për popullsinë kroate në Mostar, Herzegovinë dhe të gjithë Bosnje Herzegovinën" se tre popujt të cilët përbëjnë Bosnjen nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.


HDZ në Mostar ka thënë për IEPR se "disa fraksione dëshirojnë ta shndërrojnë Bosnjen në një vend të urrejtjes dhe frikës. Ne duam të përfitojmë nga ky rast për ti thënë popullit kroat se në jemi në dijeni të këtyre skenareve dhe nuk kemi frikë nga metodat e tyre prej burracaku".


Shoqata Kulturore Kroate, Napredak, në Mostar, ka denoncuar arrestimet si "brutale" dhe ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë, Padi Ashdaun, ka qenë "i përfshirë direct" në këtë ngjarje.


Por nëse politikanët kanë shpresuar që korri i tyre i zemëruar do të nxiste popullsinë të hidhej në protesta në rrugë, kjo gjë nuk ka ndodhur.


Kroatët e pyetur në rrugët e Mostarit kanë shprehur indiferencë rreth veprimeve të policisë. "Hajduti është hajdut, pavarësisht nga kombësia," ka thënë një grua, duke komentuar për këto akuza.


"Kur ata bëjnë një paralelizëm ndërmjet të dyshuarve për krime dhe të gjithë kombit, ata vetëm dëmtojnë kroatët në Bosnje".


Një tjetër kroat në Mostar ka thënë për IEPR se "Përfaqësuesit tanë duket se kanë frikë nga Jelaviq dhe të tjerët. Prandaj nuk i ka arrestuar policia jonë lokale por ajo federale dhe SFOR".


Reagimi i pakët ka treguar se shumë kroatë shohin një ndryshim të thellë ndërmjet arrestimeve të lidhura me akuzat për korrupsion dhe atyre në lidhje me krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1992-5, të cilat shkaktojnë shumë më tepër probleme dhe mosmarrëveshje.


Politikanët e linjës së ashpër kroatë të Bosnjes janë përpjekur prej kohësh të krijojnë kapital politik nga pakënaqësia e komunitetit të tyre me marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, e cila e ndau Bosnjen në një entitet të drejtuar nga serbët, Republika Srpska, dhe në Federatën.


Nacionalistët kroatë të cilët janë ndjerë të zhgënjyer pasi nuk kanë siguruar një entitet të tyrin kanë shkaktuar trazira në Mostar në vitin 2001 në një përpjekje për të krijuar këtë entitet me forcë.


Ish përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnje, Volfgang Petric, ka shkarkuar Jelaviq nga posti i tij në presidencë dhe nga ai i kryetarit të HDZ, si edhe e ka ndaluar të marrë pjesë në aktivitete politike, për shkak të rolit të tij në këtë revoltë.


Një muaj më pas, trupat e SFOR kanë vendosur nën kontroll Hercegovacka Banka për të ndërprerë mbështetjen financiare për nacionalistët kroatë dhe për të vendosur bankën nën kontrollin ndërkombëtar.


Gjatë një hetimi të mëvonshëm është zbuluar se një donacion i qeverisë së Kroacisë prej 175 milion dollarë amerikan me qëllim demobilizmin e ushtarëve kroatë të Bosnjes dhe ndihmën për veteranët e luftës ishte keqpërdorur dhe se pjesa më e madhe e këtij fondi i ishte kaluar nëpërmjet bankës, HDZ.


Në vitin 2003, hetuesit anti korrupsion boshnjak kanë nisur një hetim për Jelaviq, Prce dhe Rupciq, për të zbardhur përfshirjen e tyre në Hercegovacka Banka.mbi bazë të atij hetimi, zyra e prokurorit ka vendosur të ndalojë Jelaviq, Prce dhe Rupciq, dhe ti mbajë ata në burg deri në përfundimin e hetimeve.


OHR nuk ka pranuar të ketë pasur lidhje ndërmjet arrestimeve dhe publikimit të një vendimi tepër të vonuar në lidhje me statusin e Mostarit, i cili ka qenë praktikisht i ndarë që prej luftës së viteve 1992-1995 në një zonë të qeverisur nga kroatët në perëndim dhe në atë boshnjake në lindje.


Më 28 janar, OHR më në fund ka urdhëruar bashkimin e disa bashkive të ndara në një të vetme, duke premtuar se asnjë grupim etnik nuk do të favorizohet apo penalizohet nga ky ndryshim.


Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IEPR në Sarajevë, Maria Vlaho është një ndihmëse e IEPR në Londër.