BOSNJE: SERBËT KËRCËNOJNË ME KRIZË KUSHTETUESE

Republika Srpska do të përgjigjet ashpër shkarkimeve të urdhëruara nga Ashdoën.

BOSNJE: SERBËT KËRCËNOJNË ME KRIZË KUSHTETUESE

Republika Srpska do të përgjigjet ashpër shkarkimeve të urdhëruara nga Ashdoën.

Një krizë e mundëshme kushtetuese duket se do të ndodhë në Bosnje Herzegovinë, BiH, ndërsa parlamenti i Republikës Srpska, RS, do të mblidhet javën e ardhëshme për të konfirmuar përjashtimin e tre ministrave të zgjedhur muslimanë të Bosnjes.


Ky veprim është pjesë e përgjigjes së ashpër të udhëheqjes së RS ndaj përjashtimit të 59 përfaqësuesve të tyre nga postet shtetërore, nga ana e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje Herzegovinë, Paddy Ashdoën.


Brenda 24 orëve nga vendimi i Ashdoën më 30 qershor, Mladen Ivaniq, kryetar i Partisë për Progres Demokratik, PDP, dhe ministër i jashtëm i Bosnjes Herzegovinës, ka kërkuar shkarkimin e përfaqësuesve muslimanë të Bosnjes.


Duke e quajtur veprimin e Ashdoën si rezultat i “një koalicioni të Partisë së Veprimit Demokratik, SDA, dhe Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, OHR,” ai ka thënë se “kryeministri i RS Dragan Mikereviq duhet të shkarkojë ministrat e SDA nga qeveria e RS”.


Masat e ndërmarra nga OHR ndaj udhëheqjes së RS kanë qenë të pritëshme, pas dështimit të Bosnje Herzegovinës për të siguruar anëtarësimin në programin e NATO-s Partneritet për Paqe. Ky dështim është parë si një dështim i koalicionit qeveritar në RS, i përbërë nga Partia Demokratike Serbe, SDS, dhe PDP, për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës.


Por shpresat e OHR se koalicioni qeveritar i RS do të përgjigjej duke zgjedhur ministra të rinj dhe zëvendësat e tyre për të zëvendësuar të shkarkuarit nga detyra, duket se kanë qenë shumë optimiste. Përkundrazi, udhëheqja e RS ka shfrytëzuar këtë rast për të shkaktuar një krizë politike, e cila mund të paralizojë veprimtarinë në entitetin e RS dhe institucionet shtetërore të Bosnje Herzegovinës.


“Veprimi i Ashdoën përbën një hap të parë në dobësimin e strukturës politike të RS, si një mënyrë për të kryer ndryshime në statusin kushtetues të RS,” ka thënë Ivaniq. “Është e qartë se Ashdoën po punon në favor të kërkesave të kryetarit të SDA Sulejman Tihiq për centralizimin e Bosnje Herzegovinës”.


Udhëheqja e serbëve të Bosnjes ngul këmbë se Tihiq po përpiqet vazhdimisht të shkatërrojë entitetin e tyre.


Në prill, Tihiq ka mbështetur thirrjet e disa organizatave ndërkombëtare dhe organizatave jo qeveritare lokale për të shpërbërë dy entitetet gjysëm të pavarura të vendit, të cilat, sipas disa vëzhguesve janë bërë pengesë në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dhe gjatë takimit të fundit të NATO-s në Stamboll, Tihiq ka thënë se RS është përgjegjëse para aleancës për mospranimin e kërkesës së Bosnje Herzegovinës për anëtarësim – një akuzë kjo e kundërshtuar nga autoritetet në Banja Luka.


Ideja se RS po i përgjigjet përpjekjeve të SDA për të shkatërruar RS është përforcuar kur bordi kryesor i SDS ka pranuar propozimin e PDP për shkarkimin e ministrave të SDA nga qeveria e entitetit më 8 korrik.


“Bordi drejtues i SDS ka arritur në përfundimin se shkarkimi i ministrave nga rradhët e SDA në qeverinë e RS është i pashmangshëm, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Tihiq ndaj RS,” ka thënë kryetari i përkohëshëm i SDS, Dragan Caviq.


Politikanë të opozitës në RS kanë kritikuar këto shkarkime. “Mladen Ivaniq kërkon të shkarkojë anëtarët e SDA nga qeveria e RS, ndërsa për vete do të vazhdojë të shërbejë si ministër në Sarajevë,” ka komentuar Milorad Dodik, kryetar i partisë më të madhe të opozitës, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur. “Kjo tregon se ai ka një vizion të gabuar për politikën në RS dhe Bosnje Herzegovinë”.


“Ivaniq ka vendosur lidhjet e tanishme ndërmjet SDS dhe SDA, duke e ditur mendimin e drejtuesve të SDA për RS. Të ankohesh papritmas tani për një gjë të tillë është një hipokrizi,” ka thënë Milanko Mihajlica, zëvendës kryetar i Partisë Socialiste të RS.


Në një mbledhje të jashtëzakonëshme të bordit drejtues të SDA më 9 korrik, partia i ka bërë thirrje udhëheqjes së RS të rimendojë planin e saj. “Ne i bëjmë thirrje partive politike të tjera – vecanërisht atyre në RS, dhe komunitetit ndërkombëtar të parandalojnë shkeljen e kushtetutës dhe barazizë së njerëzve,” kanë thënë ata.


Megjithatë, partia edhe ka paralajmëruar se nëse ministrat e SDA do të shkarkohen nga qeveria e serbëve të Bosnjes, atëherë masa ndëshkuese mund të merren edhe ndaj anëtarëve të RS në Këshillin e Ministrave të Bosnje Herzegovinës.


Kjo do të bënte që të dyja entitetet të shkelnin kushtetutën, e cila garanton të drejtën e pakicave etnike për të zgjedhur përfaqësues në secilin parlament, dhe mund të paralizojë institucionet në nivelin e entiteteve dhe atë shtetëror.


Tanja Topiq, një analiste politike në Fondacionin Friedrich Ebert, mendon se sjellja e drejtuesve të RS duhet të shihet në dritën e zgjedhjeve të ardhëshme lokale. “Duke pasur frikë se zgjedhësit janë të shqetësuar për gjendjen ekonomike, ata kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të larguar vëmendjen nga ajo duke shkaktuar një shqetësim sikur RS po kërcënohet në një farë mënyre nga SDA,” ka thënë ajo.


Duke vazhduar qëndrimin e tyre të ashpër, udhëheqja e Banja Luka ka bojkotuar gjithashtu edhe shërbimin përkujtimor të së djelës për nëntë vjetorin e masakrës së Srebrenicës më 11 korrik, 1995. Figurat e larta të partisë kanë udhëtuar për në Beograd ku kanë marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës nga presidenti i sapo zgjedhur i Serbisë, Boris Tadiq.


Kryeministri i RS, Dragan Mikereviq, është ftuar të kontribuojë me fonde në shërbimin përkujtimor të Srebrenicës nga kryetari i bashkisë Abdurrahman Malkiq, por nuk ka pranuar. “Ne nuk mund të ndihmojmë financiarisht asnjë aktivitet në titullin e të cilit përfshihet fjala ‘genocid’,” ka thënë ai.


Ky ka qenë një zhvillim i kundërt në krahasim me qëndrimin e pak kohëve më parë të qeverisë së RS e cila ka pranuar se 8,000 civilë të pafajshëm janë vrarë në Srebrenicë nga ushtarë nën urdhërat e shefit të shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë së RS, gjeneralit Ratko Mlladiq.


Natyrisht, një veprim i tillë vetëm mund të ngrejë temperaturën politike në të dyja anët. “Partitë në federatën e Bosnje Herzegovinës po thonë tani se ceremonia e marrjes së postit nga Tadiq atë ditë tregon një mungesë respekti të Serbisë ndaj Bosnje Herzegovinës, dhe fakti që kaq shumë politikanë serbë të Bosnjes kanë shkuar për të marrë pjesë atje e përforcon këtë,” ka thënë Topiq.


Ndërsa parlamenti i RS duket se është i vendosur të zbatojë përjashtimin e ministrave të SDA në seancën e tij më 19 korrik, mbetet për tu parë nëse SDA nga ana e saj do të hakmerret në të njëjtën mënyrë, sic ka kërcënuar. Nëse po, Bosnja mund të përballet me krizën më të rëndë kushtetuese që prej nënshkrimit të marrëveshjes së paqes së Dejtonit në vitin 1995.


Gordana Katana është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR, Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IWPR në Bosnje Herzegovinë.


Frontline Updates
Support local journalists