Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

BOSNJE: SERBËT MUND TË PAGUAJNË PËR DËSHTIMIN E AFRIMIT ME NATO-n.

Dështimi i vendit për anëtarësim në programin e NATO-s Partneritet për Paqe mund të cojë deri edhe në ndryshime kushtetuese në Republikën Srpska.
By Sead Numanovic

Ndërsa duket se NATO nuk do të pranojë Bosnje Herzegovinën në programin Partneritet për Paqe, gjatë takimit të aleancës këtë muaj, po shtohen zërat të cilat kërkojnë që serbët e Bosnjes të paguajnë një cmim për këtë dështim.

Megjithëse diplomatët perëndimorë në këtë moment po përpiqen të mos i tregojnë letrat e tyre, është pothuajse e sigurtë që Republika Srpska, RS, do të fajësohet kryesisht për rolin e saj në krimet e luftës.

Diplomatët perëndimorë thonë se dështimi i RS për të arrestuar edhe një të dyshuar të vetëm të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, ICTY, është arësyeja kryesore – megjithëse jo e vetmja – që NATO nuk do të pranojë kërkesën e Bosnjes për t’u anëtarësuar në Partneritetin për Paqe.

Sipas disa burimeve nga organizmat ndërkombëtare të cilat punojnë në Bosnje, RS mund të përballet me dënime të cilat mund të shkojnë nga shkarkimi i disa zyrtarëve të lartë deri në sanksione financiare dhe ndoshta edhe ndryshime kushtetuese.

Brenda vendit, një përgjigje negative nga NATO do të shkaktojë probleme të tjera për shtetin e paqëndrueshëm dhe të dobët të Bosnjes, sepse deri në fund të vitit 2003 mendohej se Bosnja do të pranohej në Partneritet për Paqe.

Politikanët në nivel shtetëror dhe të entiteteve mendonin se reformat e kohëve të fundit në ushtri për krijimin e një sistemi të përbashkët drejtimi (megjithëse jo një ushtrie të përbashkët) do të garantonin anëtarësimin e Bosnjes në programin e aleancës përkrah vendeve të tjera ish komuniste.

Tani është e qartë se Bosnja, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi, do të mbeten dy shtetet e vetme të Ballkanit jashtë këtij programi të NATO-s, për shkak të pakënaqësisë së aleancës me përpjekjet e këtyre vendeve për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte.

Gjatë një vizite në Bosnje në fund të muajit maj, sekretari i përgjithëshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer ka deklaruar haptazi pakënaqësinë e aleancës. Ai ka thënë se mundësitë e Bosnjes për anëtarësim në Partneritet për Paqe këtë vit janë “pothuajse zero”.

“Për NATO-n rradha e punës është fillimisht arrestimi i kriminelëve të luftës dhe pastaj anëtarësimi në Partneritet për Paqe, dhe jo e kundërta,” ka shpjeguar ai.

Diplomatët perëndimore, brenda dhe jashtë Bosnjes, janë përpjekur të qetësojnë tronditjen që kanë shkaktuar këto fjalë duke shprehur bindjen se RS mund të arrestonte ish drejtuesin e saj, Radovan Karaxhiq, i cili është në krye të listës së të kërkuarve, përpara zhvillimit të takimit të NATO-s.

Por ndërsa data e takimit të Stambollit 26-28 qershor është gjithnjë e më pranë, këto shpresa kanë filluar të duken tepër të vakta.

Deklarimet zyrtare nga RS tregojnë se nuk ka shumë shanse që Karaxhiq të arrestohet përpara mbylljes së takimit në Turqi.

Zoran Djeriq, ministër i brendëshëm i RS, javën e kaluar ka pranuar se është e pamundur që cështja e bashkëpunimit me gjykatën të zgjidhej përpara takimit të NATO-s, duke sugjeruar “fundin e vitit” si një afat më realist.

“Cështja e bashkëpunimit me ICTY nuk mund të zgjidhet brenda 28 qershorit,” ka thënë ai.

Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar ka thënë qartë dhe haptazi se ai do të konsiderojë përgjegjës udhëheqjen e RS për dështimin e Bosnjes për anëtarësim në Partneritet për Paqe.

Paddy Ashdoën, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje Herzegovinë, ka thënë pak kohë më parë se mospranimi i RS për dorëzimin e kriminelëve të luftës ngre pikpyetje edhe mbi vetë statusin e RS.

“Republika Srpska po dëmton legjitimitetin e saj duke mos përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare, sepse vetë ekzistenca e RS është e bazuar në këtë,” ka thënë Ashdoën.

Ndërsa paralajmërimi i Ashdoën ka krijuar shumë zhurmë në RS, ku politikanët e kanë kritikuar këtë si “joproduktive”, IWPR ka mësuar se zyra e Ashdoën, OHR, po shqyrton një sërë mundësish, nga shkarkimi i disa zyrtarëve deri tek sanksionet ekonomike.

Sipas drejtorit të zyrës së komunikimit të OHR, Julian Braithëaite, zyrtarët e parë në rradhë për t’u shkarkuar janë ministri i brendëshëm dhe shefi i policisë.

“Nëse Bosnje dhe Herzegovina nuk pranohet në Partneritet për Paqe, OHR do të konsiderojë përgjegjës kryesisht ministrin e brendëshëm të RS, Zoran Djeriq dhe shefin e policisë Radomir Njegus,” ka thënë Braithëaite për IWPR.

Djeriq dhe Njegus janë të parët që mund të shkarkohen pasi ata konsiderohen si përgjegjësit direkt për lirinë e lëvizjes që mesa duket gëzojnë të akuzuarit për krime lufte në RS.

Por IWPR ka mësuar se ata nuk janë të vetmit të cilët mund të shkarkohen apo ndalohen nga aktiviteti politik.

OHR mendohet se po studjon një listë prej gjashtë apo shtatë anëtarësh të partisë nacionaliste në pushtet në RS, Partia Demokratike Serbe, SDS, të cilët gjithashtu mund të shkarkohen pas takimit të NATO-s në qershor.

Asnjë prej emrave nuk është nga drejtuesit kryesorë të SDS. Ata janë të gjithë drejtues rajonal të partisë, kryesisht nga pjesa lindore e RS, ku dyshohet se fshihen Karaxhiq dhe të akuzuar të tjerë.

Nëse OHR vendos sanksione financiare, ato ka mundësi të vendosen mbi individët dhe jo mbi partinë në pushtet, sepse SDS është nën sanksione që prej dy muajsh.

Në muajin prill, Ashdoën ka ngrirë të gjitha pagesat shtetërore të entitetit dhe bashkive për SDS për arësye se ajo vazhdon të ruajë lidhje të paligjëshme financiare me themeluesin e saj, Karaxhiq.

Ashdoën është treguar i gatshëm të ndjekë individët të cilët ai dyshon se mbështesin financiarisht apo ndihmojnë të dyshuarit e tjerë për krime lufte. Gjatë dy vjetëve në pushtet, ai ka bllokuar llogaritë bankare dhe ka vendosur ndalim për lëvizjen e më tepër se 20 personave.

Një burim ndërkombëtar ka përmendur një sanksion të tretë të mundëshëm ndaj RS; në formën e ndryshimeve kushtetuese të cilat do të forconin institucionet shtetërore në kurriz të atyre të entiteteve.

Ndërsa shumë muslimanë të Bosnjes, apo boshnjak, kanë kërkuar që prej kohësh shkrirjen e RS si entitet, një gjë e tillë ka mundësi të mbetet thjesht një fantazi politike.

Kur Sulejman Tihiq, anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të vendit, ka kërkuar së fundi shkrirjen e entitetit, Dragan Kaliniq, kryetari i asamblesë së RS, ka paralajmëruar se shteti i vogël nuk do të shkrihej pa luftë.

Këto thirrje do të mund të “rindezin zjarrin, i cili mendohej se më në fund ishte shuar,” ka thënë Kaliniq për një stacion televiziv të RS.

“Sulejman Tihiq dhe shokët e tij nuk do të mund të shkrijnë Republika Srpska, sepse ajo është krijuar nga populli serb dhe populli serb do ta mbrojë atë,” ka paralajmëruar ai.

Ndërsa publiku në të dy entitetet është në pritje të rezultatit të takimit të NATO-s, disa zëra nga komuniteti ndërkombëtar kanë ngritur pikpyetje mbi efektin e vendosjes së sanksioneve ndaj RS në këtë moment për dështime të cilat i kanë rrënjët kohë më parë.

Sic ka thënë një anëtar i një organizmi ndërkombëtar në Bosnje për IWPR, dhënia e ndëshkimeve pas – dhe jo përpara – takimit të NATO-s “nuk është një shembull i mirë i qeverisjes së efektëshme”.

Një diplomat perëndimor në Bosnje ka shprehur të njëjtin shqetësim. “Nëse ne e dimë prej kohësh se cilat institucione dhe cilët individë kanë penguar progresin në këtë vend, dhe nëse e kemi ditur se ata do të vazhdojnë të thurrin një rrjetë mashtrimi dhe vetëm flasin e nuk veprojnë për ta cuar këtë vend drejt Evropës, përse duhet të presim deri kur të jetë humbur ky shans për të vepruar?” ka thënë ai.

Në një studim të botuar javën e kaluar, Instituti Ndërkombëtar për Studime mbi Lindjen e Mesme dhe Ballkanin, IFIMES, një organizëm i pavarur me qendër në Slloveni, jo vetëm ka fajësuar RS për dështimin e Bosnjes për anëtarësim në Partneritet për Paqe, por edhe institucionet shtetërore të Bosnjes dhe komunitetin ndërkombëtar.

IFIMES ka thënë se shkalla e përgjegjësisë për dështimin ishte “padyshim më e lartë në nivelin e institucioneve të RS…megjithëse përgjegjësia e institucioneve të Bosnjes Herzegovinës nuk mund të lihet pa u përmendur”.

Në raport thuhet gjithashtu se ndërsa SDS dhe politikat e saj përbëjnë pengesën kryesore për pranimin e Bosnjes në Partneritet për Paqe, po ashtu “ardhja në pushtet” e SDS në RS është “mbështetur ndjeshëm nga Përfaqësuesi i Lartë, i cili i ka paraqitur partitë nacionaliste si të reformuara”.

Ndërsa klasa politike në RS po shikon me vëmendje se cfarë do të ndodhë, e gjtihë Bosnja do të ndjejë pasojat e vazhdimit të lirisë së Karaxhiq, sepse përgjigja negative e NATO-s ka mundësi të jetë më tepër se thjesht një vonesë për anëtarësim në programin e Partneritet për Paqe.

Përgjigja negative e aleancës do të ngadalësojë të gjithë procesin e reformave dhe do të ketë pasoja edhe mbi përgjigjen e Komisionit Evropian ndaj kërkesës së Bosnjes për të nisur bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit me Bashkimin Evropian. Mesa duket edhe KE do të japë një përgjigje negative.

Sic ka thënë për IWPR, Michael Humphreys, shefi i delegacionit te KE në Bosnje, “BE dhe NATO nuk janë e njëjta gjë, por kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me gjykatën statusi ynë është pak a shumë i njëjtë”.

“Meqënëse NATO do të shqyrtojë kërkesën e Bosnje Herzegovinës për anëtarësim përpara nesh, nëse përgjigja e saj është negative, ne thjesht nuk mund ta injorojmë një fakt të tillë,” ka shtuar ai.

Sead Numanoviq është një gazetar i gazetës së përditëshme Dnevni Avaz në Sarajevë. Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IWPR në Bosnje.