Bosnja Mirëpret Koshtunicën

Boshnjakët shpresojnë që presidenti i ri i Jugosllavisë do të kërkojë të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Bosnja Mirëpret Koshtunicën

Boshnjakët shpresojnë që presidenti i ri i Jugosllavisë do të kërkojë të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Tuesday, 6 September, 2005

Bosnja ka mirëpritur rënien e Sllobodan Millosheviqit me një përzierje gëzimi, lehtësimi dhe një farë frike.


Revolucioni i javës së kaluar ka tërhequr vëmendjen në Bosnje sikur të ishte kryer në rrugët e Sarajevës, Mostarit apo Banja Lukas.


Duke harruar për pak kohë problemet e shqetësimet e tyre politike dhe ekonomike, boshnjakët janë përfshirë krejtësisht nga ngjarjet në Jugosllavinë fqinje.


Në zyra dhe shkolla, restorante dhe shtëpi, njerëzit janë mbledhur përpara televizorëve dhe radiove dhe kanë qëndruar përpara internetit për të marrë vesh se çfarë po ndodh në Beograd.


Dhe ka një arsye të mirë për ta bërë këtë gjë.


Në të mirë apo të keqe, çdo zhvillim i rëndësishëm në Serbi gjatë 13 vjetëve të kaluar ka patur pasoja edhe në pjesën tjetër të Ballkanit. Millosheviq ka nisur konflikte, në të cilat kanë humbur jetën qindra dhe mijëra njerëz e janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre miliona të tjerë.


Kështu që tani njerëzit në Bosnje presin të shohin se çfarë do të rezervojë për ta këtë rradhë Serbia: vuajtje dhe probleme të reja, apo një fillim të ri të mirë në marrëdhëniet e fqinjëve.


Revolucioni jugosllav ka habitur shumë njerëz, sepse vetëm disa optimistë mendonin se njeriu i fortë i Serbisë do ta dorëzonte pushtetin kaq paqësisht. Disa edhe janë zhgënjyer duke menduar se Serbia duhet të kalonte të paktën një pjesë të vogël të atyre vuajtjeve që u ka shkaktuar fqinjëve në dhjetëvjeçarin e fundit.


Këta njerëz thonë se Millosheviq u rrëzua jo sepse ka bërë luftërat, por sepse ka dështuar në krijimin e "Serbisë së Madhe" që kishte premtuar prej shumë kohësh. "Asgjë nuk ka ndryshuar, Koshtunica është një nacionalist edhe më i madh se Millosheviqi," ka qenë një ndër komentet më të dëgjuara.


Ndërsa Vojisllav Koshtunica ka marrë pushtetin në Beograd, media në të gjithë Bosnjen ka filluar të hetojë me kujdes çdo deklaratë të avokatit kushtetues 56-vjeçar të bërë gjatë javëve të fundit për të gjetur synimet e tij të vërteta.


Politikanët në Republika Srpska, të cilët kanë qenë të varur politikisht dhe ekonomikisht nga Serbia dhe Millosheviqi prej vitesh, tani po kërkojnë të gjejnë një kujdestar të ri dhe e kanë vlerësuar lart Koshtunican - megjithëse ndoshta shumë prej tyre e konsiderojnë si tepër të butë e të moderuar.


Disa, si ish-presidentja e entitetit Biljana Plavshiq, ka shkuar më tej se të gjithë duke vizituar Beogradin gjatë fundjavës në mes të gjithë atij kaosi. Megjithëse nuk mundi të takojë Koshtunican, ajo arriti të flasë me drejtues të tjerë të opozitës. Por duket e vështirë që udhëtimi i saj i guximshëm ta ndihmojë atë të rifitojë mbështetjen politike që humbi dy vjetë më parë.


Shumë kroatë dhe boshnjakë të Bosnjes ndërkohë kanë dyshime për të shkuarën nacionaliste të Koshtunicës. Ata theksojnë takimin e tij me drejtuesin e serbëve të Bosnjes gjatë periudhës së luftës dhe të dyshuarin nr. 1 për krime lufte Radovan Karaxhiq, si edhe një fotografi të bërë gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë, në të cilën Koshtunica paraqitet duke mbajtur në dorë një automatik Kalashnikov.


Pa lënë më një anë shqetësimet për qëndrimet e tij nacionaliste, shumë mendojnë se presidenti i ri jugosllav duket të jetë një njeri i moderuar, i pakorruptuar, një politikan i cili me kalimin e kohës të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet vendeve në rajon.


Një nga gazetat më influente amerikane ka shkruar se nëse çdo gjë shkon mirë pas rënies së Millosheviqit, Beogradi shpejt "mund të shndërrohet në qendrën e jetës demokratike në Ballkan." Por shumë njerëz në Bosnje mendojnë se Serbisë do t'i duhen vite për të tejkaluar trashëgiminë e nacionalizmit, urrejtjes dhe luftënxitjes të Millosheviqit.


Pavarësisht nga kujtimet e dhimbshme nga lufta, shumë politikanë kroatë dhe boshnjakë të Bosnjes i kanë dërguar urimet e tyre Koshtunicas dhe kanë theksuar se marrëdhëniet diplomatike, të ndërprera që prej shumë vjetësh, duhet të rivendosen shumë shpejt. Por rivendosja e lidhjeve do të varet përsëri nga Serbia dhe për këtë Beogradi dhe Koshtunica duhet të ndërmarrin hapin e parë.


Në një emision radiofonik disa ditë më parë, një nga drejtuesit kryesorë të opozitës serbe nga Vojvodina, Nenad Çanak, ka thënë se pajtimi do të kërkojë që Koshtunica të shkojë në Bosnje dhe të kërkojë falje për krimet serbe të luftës. Shumë njerëz këtu mendojnë se ky do të ishte një fillim shumë i mirë.


Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists