Bisedimet në Shkup Vazhdojnë Pavarësisht Pengesës së Kryeministrit

Fjalët e ashpra të kryeministrit Maqedonas pothuajse bënë që të dështojnë bisedimet, ndërsa ndërmjetësit ndërkombëtarë e kanë të vështirë të mbajnë gjallë dialogun.

Bisedimet në Shkup Vazhdojnë Pavarësisht Pengesës së Kryeministrit

Fjalët e ashpra të kryeministrit Maqedonas pothuajse bënë që të dështojnë bisedimet, ndërsa ndërmjetësit ndërkombëtarë e kanë të vështirë të mbajnë gjallë dialogun.

Procesi i paqes në Maqedoni ka edhe një shans, pasi bisedimet kanë arritur në një impas, dhe përdorimi i një gjuhe të ashpër u duk se parashikonte luftime të reja.


Pasi kryeministri Maqedonas Ljubcko Gjeorgjevski ka hedhur poshtë planet e mediatorëve Perëndimorë si "brutale", dhe drejtuesit politik Shqiptarë nuk pranuan të bënin lëshime të tjera dhe bojkotuan bisedimet e fundit, vendi u duk se u po shkonte drejt një shpërthimi të ri dhune. Por duke folur të Enjten, më 19 Korrik, Presidenti Boris Trajkovski ka thënë se palët kishin "arritur një marrëveshje proceduriale për të vazhduar dialogun".


Trajkovski dhe ndërmjetësit Perëndimor duket se po përpiqen të ulin shpresat dhe të shtojnë rëndësinë e ultimatumeve, me qëllim që të mbajnë të hapur mundësinë e zgjidhjes së problemit me anë të dialogut. "Nëse ne nuk arrijmë një marrëveshje sot ose nesër, nuk do të thotë se do të ketë luftë," ka thënë Trajkovski. "Qytetarët e Republikës së Maqedonisë nuk duan luftë".


I dërguari special i SHBA-së Ambasadori Xheims Perdju ka insistuar se bisedimet po vazhdojnë dhe se nuk ka një "Ditë përfundimtare" për të arritur një marrëveshje përfundimtare për paqe.


"Jo, bisedimet nuk janë ndërprerë. Ato po vazhdojnë në Shkup," ka insistuar Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan Filip Reker, më 19 Korrik. "Në jëmi në kontakt me të gjitha palët".


Zyra e Trajkovskit ka konfirmuar se bisedimet kanë vazhduar të Premten, me takime të veçanta ndërmjet ekspertëve Shqiptarë dhe Maqedonas, të drejtuara nga Perdju dhe i dërguari special i BE-së, Fransua Leotar.


Procesi dukej se ishte shkatërruar krejtësisht në mes të javës, kur Gjeorgjevski, drejtues i Organizatës së Brendëshme Revolucionare Maqedonase - Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas, VMRO-DPMNE, ka hedhur poshtë propozimet e paraqitura nga ndërmjetësuesit. Të gjitha partitë etnike Maqedonase i kanë hedhur poshtë këto propozime.


"Oferta e Z. Perdju dhe Z. Leotar përbën një ndërhyrje serioze në punët e brendëshme të vendit dhe praktikisht do të thotë federalizim i Maqedonisë," ka thënë ai. "Teksti i tyre është brutal dhe me stilin e tyre prej kauboj ata po përpiqen të shkatërrojnë institucionet e vendit".


Një diplomat i lartë perëndimor i cili ka dijeni për bisedimet, duke folur për IWPR-në në kushte anonimiteti, ka pranuar kritikat e bëra ndaj tonit të përdorur nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Duke e quajtur Perdjun si "arrogant", burimi thotë se Perdju i ka thënë diplotave perëndimorë se "kjo është një ofertë përfundimtare dhe Trajkovski do të duhet ta pranojë".


"Megjithëse është paralajmëruar se pala Maqedonase nuk do të pranonte që Shqipja të bëhej një gjuhë e dytë zyrtare, në shtet, ai duket se nuk e vrarë mëndjen shumë," thotë burimi.


Drejtuesit politik Shqiptarë Arbën Xhaferri i Partisë Demokratike të Shqiptarëve dhe Imer Imeri i Partisë për Prosperitet Demokratik kanë bojkutuar bisedimet më 18 dhe 19 Korrik, dhe procesi dukej se kishte arritur në një pikë përfundimtare - dhe dukej se dhuna ishte e pashmangëshme. Zërat për mercenarë të huaj që mbështesnin luftëtarët Shqiptarë dhe njoftimet për shpërndarjen e armëve civilëve Maqedonas kanë shtuar frikën se vala e re e luftimeve mund të jetë më e ashpra deri më sot.


Pas deklarimeve të ashpra të Gjeorgjevskit, ndërmjetësit më të lartë ndërkombëtarë, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s Lordi Robertson dhe drejtuesi i politikës së jashtëme të BE-së Havier Solana kanë anulluar një vizitë - dhe i janë përgjigjur deklarimeve të kryeministrit Maqedonas me fjalë të ashpra.


"Deklaratat e Zotit Gjeorgjevski dje në përgjigje ndaj propozimeve të të dërguarve Amerikan dhe Europianë në Shkup janë një përgjigje jo dinjitoze ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje paqësore," kanë thënë ata në një deklaratë të përbashkët më datën 19 Korrik. Një nga pikat kryesore të propozimit më të fundit është njohja pjesërisht e gjuhës Shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në vend. Përdorimi i gjuhës Shqipe në Maqedoni është i garantuar ligjërisht në pushtetin lokal, sistemin gjyqësor, arsim, kulturë dhe pjesë të tjera të shoqërisë në të gjitha komunitetet lokale ku pakica Shqiptare përbën shumicën e popullsisë apo ku Shqiptarët janë në një numër të madh.


Praktikisht, ky ndryshim do të ishte shumë i vështirë për tu zbatuar si financiarisht ashtu edhe praktikisht, sepse do të kërkonte përdorimin e gjuhës Shqipe edhe në ato zona ku nuk banojnë Shqiptarë. Por të dyja palët përpiqen për këtë çështje më tepër si politike, dhe jo si pragmatike, sepse Shqiptarët e konsiderojnë atë si një pranim të mundëshëm të statusit të tyre të barabartë në vend, ndërsa Maqedonasit e konsiderojnë si "federalizim gjuhësor".


Për sa i përket forcave të policisë, ndërmjetësuesit Shqiptarë po ngulin këmbë se struktura etnike e policisë lokale duhet të reflektojë përbërjen e popullsisë të komunitetit lokal - dhe që kjo polici të jetë nën kontrollin e autoriteteve lokale. Maqedonasit ngulin këmbë që policia duhet të kontrollohet nga qeveria qëndrore - për të shmangur korrupsionin në rritje dhe krijimin e një force të ndarë etnike. Branko Cervenkovski, një drejtues i Bashkimit Demokratik Socialist të Maqedonisë, një nga dy partitë më të mëdha Maqedonase dhe ish kryeministër, ka thënë se propozimet e paraqitura nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë shkelin karakterin unitar të shtetit dhe për këtë arësye janë të papranueshme për partinë tonë".


Për momentin, partitë vazhdojnë të bisedojnë. Këto bisedime vazhdojnë që prej pesë muajsh. Armëpushimi i arritur nëpërmjet ndërmjetësimit të NATOs më 6 Qershor kryesisht është respektuar, pavarësisht se pothuajse çdo ditë ka pasur shkelje të vogla të cilat kryesisht janë nxitur nga ekstremistët Shqiptarë. Nëse mund të arrihet një marrëveshje politike, plani është që një forcë e NATO-s me emrin MFOR prej 3,000 trupash kryesisht Britanike të çarmatosë luftëtarët Shqiptarë.


Për sa kohë që bisedimet vazhdojnë, mbetet shpresa se partitë mund të arrijnë një marrëveshje. Por ndërsa ato vazhdojnë, shtohet edhe rreziku që armëpushimi të shkelet, dhe të shpërthejnë luftime të ashpra.


Saso Ordanoski është redaktor i projektit të IWPR-së në Shkup dhe kryeredaktor i revistës Forum.


Macedonia
Support our journalists