Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Bisedimet në Shkup Marrin një Shtytje të Re

Një ndjenjë optimizmi është rikthyer në Maqedoni ndërsa zyrtarët ndërkombëtarë thonë se bisedimet e paqes “janë rikthyer në rrugën e duhur”.
By Borjan Jovanovski

Holli i Hotel Aleksandër Palas në Shkup ka qenë i mbushur dje me gazetarë që prisnin të merrnin vesh rezultatin e raundit të fundit të bisedimeve të nivelit të lartë me synim gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Maqedoni.


Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Xhorxh robertson, përfaqësuesi i lartë i BE Havier Solana, drejtues të partive parlamentare Maqedonase dhe Shqiptare dhe presidenti Maqedonas Boris Trajkovski kishin biseduar për disa orë.


Pasdite vonë, në një përpjekje për të ulur tensionin me një humor të zi, gazetarët filluan të vinin baste nëse takimi do të çonte në paqe apo luftë.


Pas pesë muaj krizë, Maqedonia është në një udhëkryq dhe drejtuesit politik të vendit tani duhet të zgjedhin ndërmjet paqes dhe konfliktit.


“Ne erdhëm të shqetësuar por tani jemi më optimistë,” ka thënë Solana pas takimit. “Procesi politik është rikthyer në rrugë të mbarë”. Edhe Robertson ka shprehur shpresën se do të gjehet një zgjidhje në ditët e ardhëshme.


Bisedimet tani do të zhvillohen në Tetovë, një qytet në pjesën veri perëndimore të Maqedonisë, që gjatë pesë muajve të fundit ka kaluar përleshje të ashpra ndërmjet forcave të sigurimit të qeverisë dhe luftëtarëve Shqiptarë të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, UCK.


Gjatë pesë ditëve të fundit, pjesa më e madhe e 35,000 banorëve Maqedonas të Tetovës janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të rindezjes së luftimeve dhe presionit të UCK-së. Ata nga fshatrat përreth qytetit janë detyruar gjithashtu të largohen. Rreth 10,000 deri 15,000 njerëz kanë lëvizur. Shumë familje janë ndarë dhe rreth 30 deri 40 njerëz janë marrë peng.


Vendimi për të transferuar bisedimet në Tetovë është bërë i mundur pasi i dërguari special i NATO-s në Maqedoni, Peter Feith, ka arritur një marrëveshje me drejtuesin politik të UCK-së, Ali Ahmeti, në Prizren të Kosovës, më 25 Korrik. Me urdhër të Ahmetit, luftëtarët janë tërhequr nga pozicionet jashtë Tetovës dhe kanë pranuar të respektojnë një armëpushim të nënshkruar më herët këtë muaj nga forcat e sigurimit Maqedonase dhe luftëtarët Shqiptarë.


Sipas Trajkovskit, 95 përqind e tekstit të marrëveshjes është pranuar. Pjesa tjetër ka të bëjë kryesisht me përdorimin e gjuhës Shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në zonat e vendit ku komuniteti Shqiptar përbën të paktën një të pestën e popullsisë.


Propozimi është pritur me një armiqësi pothuajse histerike nga partitë politike Maqedonase, të cilat i kanë interpretuar masat si një “federalizim gjuhësor”  ndërkohë, Shqiptarët kanë insistuar se nuk mund të bëjnë kompromis për këtë çështje, veçanërisht pasi kishin bërë lëshime për kërkesat e tjera politike – për shembull ata kanë hequr dorë nga kërkesa për një deklarim se Shqiptarët përbëjnë një komb të dytë konstituiv, për demokracinë konsensuale dhe për një zëvendës president Shqiptar etnik, i cili do të kishte të drejtën e vetos.


Solana dhe Robertson kanë bërë më tepër presion gjatë këtyre bisedimeve të fundit ndaj partive politike Maqedonase. Megjithatë, sipas një diplomati Perëndimor të afërt me IWPR-në, një farë fleksibiliteti kërkohet edhe nga drejtuesit e partive Shqiptare për çështjen e gjuhës.


Presidenti Trajkovski dëshiron ta shtrojë mekanizmin e 20 përqindëshit edhe tek grupet e tjera etnike, si në zonat e banuara nga Turqit, duke theksuar në këtë mënyrë se Maqedonia është një shtet shumë etnik dhe jo vetëm një vend i banuar nga Shqiptarët dhe Maqedonasit etnik.


Përgjithësisht, drafti përfundimtar nuk mendohet se do të ndryshojë shumë nga ai që po diskutohet tani. Diplomatët janë të zënë duke u përpjekur të gjejnë fjalët e duhura të pranueshme për të gjitha palët, gjë e cila do të bënte që drejtuesit politik të kënaqnin njerëzit e tyre – nga të cilët ata kanë shumë frikë.


Solana dhe Robertson e dinë që nuk ka një recetë për të siguruar që të gjithë drejtuesit politik të përshëndeten si heronj kombëtar. “Drejtuesit në këtë vend duhet të jenë drejtues të vërtetë sepse drejtuesit e vërtetë nuk janë ata që ndjekin turmën,” ka thënë Robertson, duke theksuar kështu një nga arësyet kryesore që vendi është në krizë.


Nëse bisedimet dështojnë dhe opsioni ushtarak mbizotëron, Maqedonia do të jetë vendi i parë në historinë e njerëzimit që hyn në luftë për një mosmarrëveshje lidhur me gjuhën, ka thënë drejtuesi i PDSH-së Arbën Xhaferri. Nëse drejtuesit e vendit duan me të vërtetë një zgjidhje politike, ajo mund të arrihet – dhe operacioni i NATO-s për të çarmatosur UCK-në mund të fillojë menjëherë.


E vetmja çështje është nëse të gjithë drejtuesit që marrin pjesë në bisedime duan me të vërtetë një zgjidhje politike. Ka shenja të shumta që tregojnë se disa po përpiqen të provokojnë një konflikt të armatosur. Një konflikt ushtarak do të bënte të mundur fshehjen e korrupsionit dhe skandaleve financiare që kanë goditur një pjesë të hierarkisë politike Maqedonase.


E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa politikanë Shqiptarë – të cilat janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre politike dhe për të cilët paqja nuk do të sillte ndonjë të mirë. Këto tendenca përbëjnë një kërcënim serioz për procesin e bisedimeve.


Ndërmjet gazetarëve që vinin baste për rezultatin e bisedimeve, unë kam vënë bast për paqen. Njerëzit në këtë vend nuk dëshirojnë luftë. Po të hedhim një sy në eksperiencën e fqinjëve tanë dhe po të kemi parasysh mungesën e motiveve të vërteta, shumë njerëz nuk do të parapëlqenin opsionin ushtarak. Në fund të fundit, siç ka theksuar edhe Robertson, lufta civile nuk do të nxirrte asnjë fitimtar, dhe do të shkaktonte disa mijëra viktima.


Një arësye tjetër për shpresë është fakti që komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’ia lejojë vetes një komplikim tjetër sigurimi të këtyre përmasave në rajon. Nëse detyrohet ai do të vërë në zbatim Planin B – një konferencë ndërkombëtare për Maqedoninë e cila, në rastin më të mirë, do ta shndërronte Maqedoninë në një protektorat ndërkombëtar federal.


Në fund, drejtuesit politik të vendit duhet të përballen me realitetin dhe javën e ardhëshme të gjejnë brenda vetes fleksibilitetin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Natyrisht që kjo histori nuk do të mbarojë me kaq, por të paktën do të mbyllte një kapitull të errët në historinë e vendit.


Borjan Jovanovski është korrespondent i Zërit të Amerikës në Shkup.