Berlini I Ballkanit Mbetet I Ndarë

Disa vjetë pas përfundimit të luftës në Bosnje, Mostar vazhdon të jetë po aq i ndarë sa edhe Belfasti apo Berlini gjatë luftës së ftohtë.

Berlini I Ballkanit Mbetet I Ndarë

Disa vjetë pas përfundimit të luftës në Bosnje, Mostar vazhdon të jetë po aq i ndarë sa edhe Belfasti apo Berlini gjatë luftës së ftohtë.

Ekipet kroate dhe boshnjake të futbollit të Mostarit kanë luajtur kohët e fundit takimin e tyre të parë, një ndeshje tepër simbolike në fushën "neutrale" të Sarajevos.


Të dy komunitetet kanë arritur një marrëveshje për të ndërtuar zyrat e institucioneve të përbashkëta bashkiake pas disa vjetësh bisedime. Vendi i zgjedhur ka përbërë në të kaluarën kufirin ndërmjet lindjes dhe perëndimit, ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve.


Kroatët në qytet janë vënë para presioneve të mëdha për të qenë më miqësorë ndaj fqinjëve të tyre boshnjakë pas disfatës elektorale të padronëve të tyre nacionalistë në Kroacinë fqinje.


Qeveria e re në Zagreb premtoi të ndërpriste ndihmën financiare dhe ushtarake të dhënë për kroatët e Bosnjes gjatë kohës së ish presidentit kroat Franjo Tugjman.


Presidenti i ri i Kroacisë, Stipe Mesiq, ka nxituar të bëjë të qartë politikën e re të qeverisë së tij. Mesiq ka thënë se ai e konsideronte Bosnjen një vend të veçantë, fqinj dhe ka bërë thirrje për kroatët që banojnë atje të "kthehen drejt Sarajevos".


Por afrimi i brishtë në Mostar kohët e fundit ka pësuar një goditje të fortë nga Gjykata e Hagës e cila ka dënuar gjeneralin kroat Tihomir Blaskiq me 45 vjet burgim. Dënimi i tij ka shkaktuar një përgjigje armiqësore nga kroatët dhe kroatët e Bosnjes, dhe ka kërcënuar përforcimin e ndarjeve etnike në qytet.


Pothuajse 5,000 njerëz janë mbledhur më 8 mars në Mostarin perëndimor për të protestuar kundër këtij dënimi. Demonstruesit kanë bërë thirrje për ftohjen e marrëdhënieve me komunitetin ndërkombëtar dhe Gjykatën dhe, në mënyrë kërcënuese për Mostarin, një referendum për krijimin e një entiteti të veçantë për kroatët, të ngjashëm me atë të Republika Srpska.


Përpara luftës Mostari ka qenë një nga qendrat kryesore turistike të Jugosllavisë, një pikë ndalimi shumë popullore në rrugën për në bregun e Adriatikut. Ura e vjetër e qytetit mbi lumin Neretva ka qenë një pamje shumë e famshme nëpër kartolina. Djem të vegjël kërcenin nga ura në lum për të zbavitur vizitorët e shumtë.


Qyteti numëronte rreth 100,000 banorë, rreth një e treta boshnjakë dhe pjesa tjetër serbë dhe kroatë. Por disa muaj pas shpërthimit të luftës në Bosnje në vitin 1992, ish Ushtria Jugosllave u tërhoq nga qyteti dhe së bashku me ta u largua edhe pothuajse e gjithë popullsia serbe.


Më pas në pranverën e vitit 1993, shpërtheu lufta ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve. Mostari ka qenë arenë e përleshjeve të ashpra dhe qyteti u nda në dy pjesë. Pjesa perëndimore e qytetit - zona me popullsi kryesisht kroate - mbijetoi pothuajse e paprekur fare, por në pjesën lindore pothuajse 80 përqind e shtëpive dhe apartamenteve u shkatërruan. Boshnjakët e dëbuar nga Mostari perëndimor u detyruan të strehoheshin në rrënojat e pjesës tjetër të qytetit.


Megjithëse asnjë ndarje fizike nuk ekziston në qytet, frika dhe mosbesimi i mbajnë të dy komunitetet larg njëri tjetrit. "Dikush mund të të vrasë, rrahë, turpërojë, dhe askush nuk gjykohet. Asnjë nga fajtorët nuk është arrestuar apo dënuar deri më tani, dhe prandaj unë nuk mendoj se mund të jetoj ndonjëherë në Mostarin perëndimor," thotë një boshnjak.


Zyrtarisht institucionet e qytetit janë të bashkuara. Por praktikisht ato funksionojnë të ndara nga njëra tjetra. Shumë rrallë organizohen edhe takime të përbashkëta. Dy komunitetet kanë organizuar sisteme të ndara shëndetësore dhe shkollore. Përfaqësues nga komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur pakënaqësi me progresin e ngadaltë të integrimit, por insistojnë se që prej përfundimit të luftës janë bërë hapa të rëndësishëm.


Këto kohë njerëzit përgjithësisht mund të lëvizin lirisht në qytet. Miqtë dhe të njohurit e vjetër kanë filluar të takohen përsëri. Incidentet dhe kërcënimet janë rralluar. Por kujtimet e kësaj dhune janë akoma të freskëta. Gjatë dy vjetëve të fundit, janë njoftuar 80 sulme ndaj të kthyerve - përfshirë sulme fizike, minimin e shtëpive, dhe kërkimin e gjobave.


Në tetor 1998, një i kthyer boshnjak është vrarë pranë qytetit Capljina. Në pranverën e 1999, njerëz të panjohur kanë gjuajtur gjashtë mortaja ndaj të kthyerve boshnjakë pranë Gacko, ndoshta sulmi më i rëndë që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.


Frika është gjithnjë e pranishme dhe njerëzit janë mësuar me idenë e të jetuarit në komunitete të ndara etnike. Për këtë arësye numri i refugjatëve të rikthyer në shtëpitë e tyre të para-luftës është shumë i vogël. Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, thotë se rreth 2,000 familje janë kthyer në shtëpitë e tyre në të gjithë rajonin e Mostarit, nga rreth 30,000 njerëz të zhvendosur nga lufta.


Slobodanka Jakupoviq, një refugjate nga pjesa perëndimore e Mostarit, e cila pret të kthehet në shtëpinë e saj të paraluftës që prej disa vjetësh, tani nuk është më optimiste për të ardhmen. "Gjendja këtu nuk ka ndryshuar shumë. Unë nuk besoj se do të kem mundësi të kthehem në shtëpinë time."


Mirsad Behran, një ish kontribues i IWPR-së, është tani gazetar i Radio Televizionit të Mostar.


Frontline Updates
Support local journalists