Beogradi Përgatitet për Luftë

Në Kryeqytetin Serb mbizotëron një mentalitet i rrethimit ndërsa Millosheviqi Vazhdon të Tundë Shpatën.

Beogradi Përgatitet për Luftë

Në Kryeqytetin Serb mbizotëron një mentalitet i rrethimit ndërsa Millosheviqi Vazhdon të Tundë Shpatën.

Të rinjtë në kryeqytetin Serb Beograd bëjnë plane për të gjetur një rrugë shpëtimi. Një kontrollor i trafikut ajror po përpiqet të rregullojë dokumentat për të marrë një punë në Shkup, Maqedoni. Një manxher i një kafeneje në qendër po mendon të rregullojë një ftesë nga motra e tij në Zvicër për të shkuar për vizitë "për disa javë apo muaj". Një antropolog me një pasaportë të vlefshme Sllovene është i gatshëm të largohet me shenjën e parë të luftës.


Beogradi është përfshirë nga paniku. Këtë javë zërat për një fushatë të re bombardimesh të NATO-s janë përhapur në qytet si një zjarr gjigand i ushqyer nga erërat e forta. Njerëzit kanë frikë nga konfliktet në disa drejtime - ndërmjet guerrilasve Shqiptarë dhe forcave Serbe në jug të Serbisë, ndërmjet pro-separatistëve dhe forcave pro-federale në Malin e Zi dhe, ndoshta më e keqja ndërmjet forcave pro-qeveritare dhe popullit në rrugët e Beogradit.


Politikanët e opozitës akoma nuk kanë vendosur nëse dhe kur do të organizojnë protestat në rrugë për të kërkuar zgjedhje të parakohëshme lokale dhe kombëtare. Një shtypje brutale e këtyre demonstrimeve duket se është e paevitueshme.


"Natyrisht që do të ketë një luftë," thotë një shofer taksie trupmadh. "Ndërmjet kujt? Ndërmjet qeverisë dhe popullit."


"Do të shtyj për më vonë udhëtimin tim në Spanjë," tha një student i inxhinierisë mekanike. "Unë nuk mund të lë mamanë, babain, dhe motrën këtu kur duket se do të ketë luftë."


Një drejtues i lëvizjeve studentore - arrestuar së fundi së bashku me 57 anëtarë të tjerë të grupit të tij studentor - tha se ai priste që qeveria e Presidentit Jugosllav Sllobodan Millosheviq të përfitonte nga paniku në rritje që ka përfshirë Serbia.


Ai ka kritikuar momentin e zgjedhur nga NATO-ja për fillimin e stërvitjeve ushtarake në Kosovë për më vonë këtë muaj. "Ato janë planifikuar pikërisht në përvjetorin e bombardimeve. Dhe të gjithë presin se ato janë preludi i një fushate të re bombardimesh. Në Serbi po provohen sirenat e alarmit. E gjithë kjo do të thotë se opozita nuk mundet as të përcaktojë një ditë për organizimin e një mitingu paqësor gjatë kohës kur mbahen këto manovra pa u dukur si tradhëtarë dhe shërbëtorë të NATO-s."


Guerrilasit Shqiptarë që veprojnë në Serbinë jugore, përgjatë kufirit me Kosovën, kanë intensifikuar sulmet ndaj forcave Serbe në javët e fundit, duke vrarë një oficer policie fundjavën e kaluar dhe plagosur një punonjës të OKB-së të Martën. Ky konfrontim në rritje ka shkaktuar shqetësim se NATO mund të ndërhyjë në Serbi për të mbrojtur komunitetin Shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.


Këto dyshime janë përforcuar edhe nga përsëritja e shpeshtë e pamjeve të trupave Amerikane në Kosovën veriore duke shtyrë Serbët gjatë operacioneve të tyre për kërkimin e armëve javën e kaluar.


Komentet e bëra së fundi nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Jamie Rubin se Millosheviqi nuk ka të drejtë të shtojë forcat e tij ushtarake përgjatë kufirit Malazez me Shqipërinë, kanë shkaktuar zemërim dhe janë konsideruar si sulm ndaj sovranitetit të Jugosllavisë. Millosheviqi ka lëvizur trupat në rajon pas vendimit të Presidentit Malazez Milo Djukanoviq për të hapur kufirin me Shqipërinë, javën e kaluar.


Gjatë javëve të fundit, qeveria ka shpërndarë mbi 100,000 thirrje për ushtar, pjesa më e madhe e të cilave në jug të Serbisë, duke shtuar kështu ndjenjën e një kombi që po mobilizohet për një luftë tjetër.


Vrasjet e kohëve të fundit të Zeljko "Arkan Raznatoviq dhe ministrit të mbrojtjes Pavle Bullatoviq kanë shkaktuar një ndjenjë anarkie të pashmangëshme, se vetë Beogradi është në prag të dhunës së pakontrollueshme të rrugës.


E përballur me një atmosferë të tillë krize, partitë e opozitës Serbe duket se kanë rënë në gjendje konfuzioni. Vendosmëria dhe shfaqja në publik e opozitës ka rënë shumë gjatë muajit të fundit. Rojet e sigurimit të udhëheqësit të Lëvizjes për Ripërtëritje serbe Vuk Drashkoviq thonë se ai nuk ka shkuar në zyrë që prej tre javësh.


"Drashkoviq është tmerruar," thotë drejtuesi studentor. "Ai është zhdukur krejtësisht. Ne kemi zyrat përballë zyrave të partisë së tij, dhe gjithmonë shihnim një grup rojesh që qëndronin në rrugë kur ai ishte në zyrë. Tani ka disa javë që asnjë nga rojet nuk është aty."


Vetë studentët nuk mund të fshehin një ndjenjë shqetësimi për fatin e tyre. Ata parashikojnë rritjen e madhe të numrit të të arrestuarve dhe të keqtrajtuarve, kryesisht jashtë Beogradit, e cila do të pasohet me shtimin e numrit të gjyqeve dhe dënimeve me burgim.


Ata thonë, se shtypja e qeverisë ndaj studentëve ka filluar pas kongresit vjetor të Partisë Socialiste Serbe të Millosheviqit në Shkurt. Në kongres, Millosheviqi shpalli një "plan zhvillimi" të ri, i cili sipas studentëve është një gjendje e jashtëzakonëshme.


Papritmas policia ka filluar të arrestojë studentë, konfiskojë postera dhe të detyrojë studentët të firmosin letra me vulën "nën urdhërat e planit të zhvillimit".


"Ne të gjithë e dimë se atë do ta vrasin," thotë një student i drejtësisë gjysëm me të qeshur për shokun e tij aktivist. "Të gjithë e dimë".


Profesori i psikologjisë dhe drejtues i Partisë Social Demokrate, Zarko Koraq, tha se ai nuk pranon të përkulet ndaj përpjekjeve të hapura të rregjimit për të frikësuar forcat demokratike Serbe. Pas kthimit të tij nga inaugurimi i Presidentit të ri Kroat Stipe Mesiq javën e kaluar, një i panjohur e ka sulmuar atë jashtë apartamentit të tij duke e rrahur.


"Këtë kërkon regjimi, që ne të kemi frikë," tha Koraq. "Dhe unë refuzoj të kem frikë."


Laura Rozen, një bashkëpunëtore e rregullt e IËPR-së, është një gazetare e specializuar në çështjet e Ballkanit.


Support our journalists