BEOGRADI NË DILEMË PËR PERSONAT E AKUZUAR

Komunitetit ndërkombëtar po i mbaron durimi ndaj Beogradit për shkak të vonesave të tij për të dorëzuar personat e akuzuar.

BEOGRADI NË DILEMË PËR PERSONAT E AKUZUAR

Komunitetit ndërkombëtar po i mbaron durimi ndaj Beogradit për shkak të vonesave të tij për të dorëzuar personat e akuzuar.

Serbia e ka futur veten në një konfrontim me Hagën, dhe ndoshta edhe me komunitetin ndërkombëtar, duke refuzuar këtë javë të dorëzojë katër ish komandantët ushtarak në Kosovë akuzat ndaj të cilëve janë bërë publike më 20 tetor.


Katër oficerët kanë pasur gradën e gjeneral kolonelit në kohën kur mendohet të jenë kryer krimet për të cilat ata akuzohen në Kosovë në vitin 1999, ndërsa një prej tyre tani është një ministër i rëndësishëm në qeveri.


Ish komandanti i korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazareviq, shefi i tanishëm i departamentit të sigurisë publike në ministrinë e brendëshme, Sreten Lukiq, parardhësi i tij Vlastimir Gjorgjeviq, dhe ish shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Nebojsha Pavkoviq janë akuzuar për organizimin e sulmeve të armatosura ndaj fshatrave dhe spastrim etnik.


Qeveria nuk ka pranuar ti arrestojë ata, dhe BBC ka cituar kryeministrin Zoran Zivkoviq të ketë thënë se nuk pritet “asnjë veprim tani së shpejti”. Ai ka akuzuar kryeprokuroren e Hagës, Carla Del Ponte, se ka shkelur një marrëveshje për të mos kërkuar arrestimin e figurave të rëndësishme serbe.


Gjykata e Hagës ka mohuar se ka ekzistuar një marrëveshje e tillë. “Nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë, nuk ka pasur asnjë marrëveshje,” ka thënë zëdhënësja e gjykatës Florence Hartman. “Nuk ka asnjë hapësirë për bisedime në lidhje me dokumenta ligjore apo akuza të ngritura nga gjykata. Këto cështje duhet të zgjidhen në përputhje me ligjin”.


Prokurorët mendojnë se Serbia është thjesht e zemëruar për shkak të mundësisë së akuzave të reja. “Ata dëshirojnë që ne të ndalojmë ngritjen e akuzave dhe padive ndaj personave të tjerë. Kjo është ëndërra e tyre sepse ata dëshirojnë ti japin fund bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës,” ka thënë Hartmann.


Gjykata ka ngulur këmbë që Serbia duhet të dorëzojë personat e akuzuar. Zëdhënësi i gjykatës Jim Landale ka thënë se “Ekziston një detyrim ligjor që Beogradi të bashkëpunojë me gjykatën. Dhe ne presim që ata ta bëjnë këtë gjë”.


Akuzat e reja janë përgatitur më 2 tetor por janë mbajtur të fshehta. Del Ponte i ka marrë ato me vete në Beograd në vizitën e saj. Këto janë mbajtur të fshehta me qëllim që autoritetet e Beogradit të kishin mundësi ti arrestonin personat e akuzuar përpara se ata të mësonin që ishin në kërkim.


Por Beogradi nuk ka pranuar ti arrestojë ata dhe më pas akuzat janë publikuar në median serbe. Këtë javë, prokurorëve nuk u ka mbetur gjë tjetër, por të bënin publike akuzat.


Serbia është nën presion në rritje për të arrestuar të akuzuarin kryesor për krime lufte Ratko Mlladiq, drejtuesin ushtarak të serbëve të Bosnjes, i akuzuar që në vitin 1995 për krime përfshirë masakrën në Srebrenica dhe në Bosnjen lindore.


Beogradi zyrtar nuk është i gatshëm të arrestojë këta persona në këtë moment, kur qeveria është në qendër të akuzave pas një sërë skandalesh dhe në prag të zgjedhjeve të parakohëshme. Një veprim i tillë mund shtonte shanset e nacionalistëve në zgjedhje.


Por komunitetit ndërkombëtar duket se po i mbaron durimi. Një tjetër shenjë e mungesës së bashkëpunimit të Beogradit me Gjykatën e Hagës ka dalë në pah më 23 tetor, gjatë një séance të gjyqit ndaj Sllobodan Millosheviqit.


Millosheviq ka paraqitur një dokument, i cili përmbante proces verbale të aktiviteteve zyrtare të ish kryeministrit jugosllav, Ante Markoviq që nga vitit 1991.


Prokurorët kanë thënë se ata janë përpjekur për një kohë të gjatë të sigurojnë këto dokumente, por Beogradi nuk ka pranuar kërkesën e tyre. Prokurori Geoffrey Nice ka thënë se “Do të ishte mirë të dinim se si kopjet e zverdhura të origjinaleve kanë përfunduar në duart e të pandehurit”.


Markoviq ka thënë se edhe ai vetë nuk ka mundur të sigurojë proces verbalet. Beogradi zyrtar nuk e ka lejuar të shohë këto dokumenta. “Unë nuk kam mundur të siguroj asnjë dokument prej tyre”.


Del Ponte dhe kryetari i trupit gjykues Theodor Meron janë ankuar në fillim të muajit pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për mungesën e bashkëpunimit nga ana e qeverisë së Serbisë në lidhje me dokumentacionin.


Ata kanë kujtuar se në muajin gusht, OKB ka deklaruar se gjykata duhet të përfundojë veprimtarinë e saj brenda vitit 2008, ose më së shumti 2010. Një afat i tillë kohor nuk mund të përmbushet nëse personat e akuzuar nuk sillen sa më shpejtë para gjykatës.


Gjykata e Hagës ka bërë sa mundet. Ajo ka krijuar një trup gjykues të aftë me një sistem i cili tanimë është provuar se funksionon mirë. Por ajo nuk ka një forcë policore e cila të arrestojë të pandehurit.


Gjykata ka të njëjtat probleme, ndonëse në shkallë më të vogël edhe me Kroacinë, e cila nuk ka pranuar të dorëzojë ish gjeneralin e akuzuar për krime lufte, Ante Gotovina.


Bashkimi Europian duket se do të ndërpresë bisedimet mbi anëtarësinë e Kroacisë kryesisht për shkak të cështjes së Gotovinas. Sic është njoftuar javën e kaluar nga IWPR, senati amerikan po planifikon të ndërpresë ndihmën ekonomike për Serbinë vitin e ardhëshëm nëse ajo nuk pranon të dorëzojë Mlladiq.


Serbia duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. Ajo ka qenë e lumtur kur është pranuar si anëtarë me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara. Por anëtarësimi në OKB dhe përfitimet prej saj, kërkojnë që vendi të zbatojë të gjitha rregullat dhe detyrimet, dhe jo vetëm një pjesë të tyre.


Një prej tyre është kërkesa që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me Hagën. Rregulli është i thjeshtë: Serbia duhet të ofrojë të gjitha dokumentat që zotëron dhe të dorëzojë të pandehurit.


Chris Stephen është drejtues i projektit të IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists