Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Atvrasja Serbe (vazhdim)

Ish-presidenti serb Ivan Stamboliq është rrëmbyer ndërsa po përgatiste kthimin e tij në arenën politike duke përbërë kështu një sfidë të mundshme ndaj të përkëdhelurit të tij të mëparshëm, Sllobodan Millosheviq.
By Florence Hartmann

Zhdukja e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq ka shtuar frikën se genocidi politik është vënë përsëri në përdorim në Serbi - dhe kësaj rradhe në kuptimin e plotë të fjalës.


Stamboliq, i cili është parë për herë të fundit më 25 gusht pranë apartamentit të tij pranë një parku në Beograd duke kryer punën e tij të përditshme të mëngjesit, kishte qenë në qendër të spekulimeve të shumta prej shumë kohësh. Në prag të zgjedhjeve të shtatorit ka patur zëra se tutori i vjetër i Sllobodan Millosheviqit, i larguar pa mëshirë nga posti më shumë se një dhjetëvjeçar më parë nga ish-ndihmësi i tij, mund të kthehej në politikën aktive për të sfiduar presidentin e tanishëm.


Ndërsa regjistri elektoral për kandidatët presidencialë mbyllet më datën 4 shtator, Stamboliq është zhdukur pa asnjë gjurmë. Ekziston frika e natyrshme se edhe ai mund të gjendet i vdekur si qindra politikanë, biznesmenë dhe figura të tjera të rëndësishme të vrarë në Serbi gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Ka kohë që kanë qarkulluar zëra rreth rikthimit të tij në politikë dhe vrasjes së mundshme të tij.


Unë e kam takuar për herë të fundit Stamboliqin në një të dielë në mëngjes me diell në Paris në muajin qershor. Unë kisha lexuar pothuajse të gjitha prononcimet e tij rreth puçit të Millosheviqit më 24 shtator, 1987, i cili e çoi Serbinë në një kryqëzatë nacionaliste duke shkaktuar rënien e Jugosllavisë dhe një sërë luftërash të përgjakëshme. Por unë nuk kisha patur asnjëherë mundësinë të flisja drejtëpërdrejtë dhe lirshëm me të që prej kohës që jam dëbuar nga Beogradi në pranverën e vitit 1994 si korrespondentja e Le Monde në rajon.


Vizita e tij në Francë ka qenë shumë konfidenciale. Ai kishte ardhur për t'u takuar me Kiro Gligorovin, ish-president i Maqedonisë, dhe Azem Vllasin, udhëheqësi i fundit në Kosovë përpara se Millosheviq të hiqte statusin e autonomisë së provincës me popullsi dërrmuese shqiptare në 1989. Kjo ka qenë herë e parë që prej vitit 1991 që Stamboliq, një serb, dhe Vllasi, një shqiptar, po takoheshin përsëri.


Tre ish-udhëheqës të lartë komunistë të kohës së Jugosllavisë së Titos që ndanin kujtimet e tyre të përbashkëta këtu në Paris ishte një ngjarje jo shumë e zakonshme. Por nuk ishte për t'u habitur: ata kanë qenë komunistë, por të gjithë këta u shndërruan në njerëz me orientim shumë më tepër pro-europian se pjesa më e madhe e drejtuesve të tanishëm në vendet e tyre. Dhe që prej fillimit të fundit të Jugosllavisë të tre ata kishin bërë një qëndresë ndaj nacionalistëve të tyre.


Ish-presidenti po qëndronte me Vidosav Stevanoviq, një shkrimtar serb që jeton jashtë vendit, në hollin e Hotel Meridian, dhe u duk se nuk kishte ndryshuar aspak. Megjithëse i veshur me një kostum model të viteve 1980, ai përsëri dukej elegant, me një sjellje të natyrshme si një yll kinematografie. Kur ai sundonte në Beograd, atë e quanin shpesh një plejboj, një përshkrim i rrallë ky për një drejtues komunist edhe në vetë Jugosllavinë.


Stamboliq, 64 vjeç, ka qenë përherë një njeri tepër vital. Por unë prisja ta shihja të rënë. Ai asnjëherë nuk ka mohuar pjesën e tij të përgjegjësisë që ka sjellë "në krye të vendit një mostër të rrezikshme". Ai pranon se nuk i ka marrë seriozisht paralajmërimet e këshilltarëve të tij të ngushtë rreth të përkëdhelurit të tij "mali Slobo", Sllobos së vogël.


Por në Jugosllavinë e pas-Titos, ai ka qenë një ndër politikanët më të rëndësishëm në federatë, politikani më i fortë në Serbi, njeri shumë popullor në republikën e tij, shkaktonte frikë në rradhët e qeverisjes komuniste jugosllave, që po humbiste mbështetjen popullore, i respektuar nga drejtuesit shqiptarë. Deri në vitin 1987 kur Millosheviq manipuloi një kongres politik në Beograd duke marrë në dorë kontrollin e partisë dhe largoi Stamboliqin dhe reformistët në një genocid të vërtetë politik. Që prej asaj kohe, Stamboliq, dikur një lider shumë popullor, u shndërrua në një tradhëtar.


Ky njeri mund të ishte shkatërruar, i mbushur me urrejtje dhe pendesë, dhe dëshirë për t'u hakmarrë - veçanërisht pas shkatërrimit që mbisundoi në Serbi në vitet që pasuan. Por ai duket i qetë, serioz dhe tepër i vetë-kontrolluar. Ai ka qenë i gatshëm të flasë rreth ndalimit të tij politik, prishjes me Millosheviqin dhe shndërrimin e Millosheviqit nga një ish-student i tij në një manipulator politik dhe nacionalist të egër serb.


Ai gjithashtu ka qenë i gatshëm të flasë rreth luftës dhe përgjegjësive.


"Pjesa më e madhe e serbëve sot janë kundër Millosheviqit," thotë ai. "Por ata nuk dinë arsyen për këtë gjë, sepse ata nuk pranojnë t'i japin përgjigje pyetjes kryesore. Ne serbët nuk duam të përballemi me realitetin dhe të pranojmë humbjen tonë. Ne do të donim të harronim të kaluarën, të fshinim nga kujtesa jonë 13 vjetët e fundit të këtij makthi, sepse çmimi që duhet të paguajmë është tepër i lartë. Ne duhet të pranojmë që kemi një pjesë të përgjegjësisë së përbashkët me Millosheviqin."


Është e kuptueshme se Millosheviq nuk do të ishte në gjendje të ndalonte Stamboliqin të rikthehej në skenën politike herët apo vonë. Millosheviq ishte përpjekur ta zhdukte atë në vjeshtën e vitit 1997 duke marrë në kontroll YUBMES, bankën e ngritur nga Stamboliq me anë të bashkimit të aksionerëve të vegjël për të promovuar shkëmbimet ekonomike me vendet fqinje, kryesisht republikat ish-jugosllave. "Në një shtet të kontrolluar nga një familje e vetme, me një ekonomi shtetërore, është për t'u habitur që më lanë të punoj për një kohë kaq të gjatë," kishte thënë Stamboliq.


Stamboliq ka qenë gjithnjë një luftëtar - dhe asnjëherë nuk ka hequr dorë pavarësisht nga përjashtimi i tij nga politika për mëse 13 vjetë. Duke qendruar i heshtur për shumë vjetë, ai e ka kaluar kohën duke lexuar dhe studiuar faktet në një përpjekje për të kuptuar se si vendi i tij, Serbia e tij, zgjodhi një "rrugë kaq anti-europiane dhe anti-moderne." Ai dukej shumë i shqetësuar rreth faktit se si Jugosllavia, e cila kishte një potencial shumë më të madh se sa vendet e tjera në rajon për një tranzicion demokratik, kishte humbur trenin e historisë dhe ishte zhytur në luftëra të njëpasnjëshme.


Pas periudhës së vetë-ekzaminimit, të cilën, sipas tij, duhet ta bëjë çdo serb, në vitin 1995 ai theu heshtjen duke botuar librin me titull "Udhëtimi drejt asgjësë" që ishte një dëshmi e ngjarjeve të cilat çuan në largimin e tij nga posti i drejtuesit të Serbisë, fitores së Millosheviqit dhe ngritjes së nacionalizmit.


Libri u botua nga B-92, stacioni radiofonik dhe botuesi i pavarur, dhe, nga kjo pikpamje, Stamboliq u bashkua me miq apo grupe aktivistësh të të drejtave të njeriut, ndau idetë e tij me intelektualë të tjerë të përjashtuar nga jeta politike dhe filloi përsëri të rivendosë kontaktet me njerëzit e thjeshtë duke i inkurajuar ata të kenë besim tek e ardhmja. Më pas ai u afrua me lëvizjen Otpor duke shpresuar që eksperienca e tij politike mund t'u shërbente të rinjve.


Ai ka vazhduar të kundërshtojë nacionalizmin dhe të nxisë një orientim europian. "Serbia nuk do të mund të ringrihet pa ndihmën e Perëndimit," thotë ai. "Serbia duhet të ndërtojë të ardhmen e saj në Europë."


Në pamundësi për të prodhuar një alternativë realiste, Serbia mund të përdorë aftësitë e Stamboliqit dhe privatisht ai nuk ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje. Ai është përkrahur në përpjekjet e tij për t'u rikthyer dhe dukej se tashmë ishte rifutur në të.


Stamboliq ishte "në pikun e pozicionit politik", sipas ish-drejtuesit të shqiptarëve të Kosovës Vllasi, i cili e ka njohur atë prej vitesh, "në një gjendje për të marrë pjesë aktive në politikë". A do të kishte kandiduar Stamboliq për zgjedhjet presidenciale të 24 shtatorit, të planifikuara për t'u mbajtur pikërisht në ditën e 13 vjetorit të puçit të Millosheviqit? Ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë këtë gjë. Por diçka është e sigurtë: që ai po mendohej seriozisht për këtë gjë dhe kjo mund të jetë edhe motivi i zhdukjes së tij.


Stamboliq mendonte se Millosheviq nuk do të largohej kurrë nga pushteti në mënyrë paqësore.


"Ndarja nga Millosheviq do të jetë e përgjakshme," ka thënë ai. "Nuk mund të shkatërrohet një diktaturë nga brenda përveç se me vendosjen e një diktature tjetër." Ai ishte i bindur se ndryshimi mund të vinte vetëm me anën e ndihmës serioze nga Perëndimi dhe ka promovuar gjithnjë heqjen e sanksioneve.


"Millosheviq dëshiron ta shndërrojë Serbinë në një burg, sepse ai ka nevojë për izolim total për të qëndruar në postin e tij. Perëndimi duhet ta ndalojë atë të vendosë një mur të ri kinez," është shprehur Stamboliq.


Por ai ka insistuar se ndryshimi i vërtetë mund të vijë nga vetë populli. Ivan Stamboliq ka qenë njëri nga të paktët serbë që ka argumentuar se "njerëzit duhet të kuptojnë që ata nuk do të ndryshojnë ndonjë gjë vetëm duke rrëzuar Millosheviqin nëse në të njëjtën kohë nuk mundin edhe nacionalizmin".


Tani Serbia e ka hequr atë qafe dhe genocidi politik vazhdon.


Florenc Hartman, një gazetare e Le Monde, ka qenë korrespondente në Ballkan dhe është autorja e librit "Millosheviq: Diagonalja e Çmendurisë" (Denoel, 1999).