Anatomia e Një Arrestimi
Farsa e arrestimit të Sllobodan Millosheviqit ka nxjerrë në dukje tensionet ndërmjet policisë dhe ushtrisë
Anatomia e Një Arrestimi
Farsa e arrestimit të Sllobodan Millosheviqit ka nxjerrë në dukje tensionet ndërmjet policisë dhe ushtrisë
Një nga gjërat më të paharrueshme të arrestimit të Sllobodan Millosheviqit ka qenë mosmarrëveshja konfuze ndërmjet policisë Serbe, ushtrisë Jugosllave, VJ, dhe bandës së rojeve të trupit brenda vilës luksoze të rrethuar.
Rojet e trupit kanë qenë pjestarë të Gardës Policore Serbe të Millosheviqit - një organizëm i cili është shkrirë zyrtarisht Tetorin e kaluar dhe ka qenë drejtuar nga ish drejtuesi i para ushtarakëve Sinisha Vuqiniq.
Vuqiniq, i cili ka nisur të hapë zjarr ndaj policisë gjatë rrethimit, është drejtuesi i një partie të vogël ekstremiste dhe ka pranuar me krenari dhe haptazi krimet e kryera gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje.
Duke e lidhur vazhdimisht politikën e partisë së tij për të qëndruar sa më pranë Millosheviqit dhe gruas së tij Mira Markoviq, Vuqiniq ka organizuar të ashtuquajturën "Garda Popullore" të përkrahësve të Millosheviqit jashtë ish rezidencës së presidentit.
Vuqiniq ishte betuar të mbronte shefin e tij me çdo kusht, por më pas ka hedhur poshtë me forcë të gjitha zërat se ai kishte pasur të bënte me Millosheviqin, pasi u ndalua nga policia në lidhje me veprimet e tij kundër policisë.
Rojet e trupit të cilët Vuqiniq nuk pranon se i drejtonte janë ndihmuar në mbrojtjen e Millosheviqit nga marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet policisë Serbe dhe ushtrisë Jugosllave, të kontrolluar respektivisht nga kryeministri Serb, Zoran Gjingjiq, dhe presidenti Jugosllav, Vojisllav Koshtunica.
Sipas legjislacionit të tanishëm Jugosllav të gjitha ndërtesat presidenciale dhe rezidencat - ku përfshihej edhe vila e Millosheviqit - ruhen nga ushtria ndërsa siguria personale e presidentit, dhe ish presidentit, mbetet përgjegjësi e policisë Serbe.
Situata është acaruar ndërsa përfaqësues të VJ-së i kanë shpjeguar policisë se ata mund të pranonin arrestimin nga oficerët dhe policia vetëm nëse ata kishin edhe miratimin e rojeve të trupit brenda shtëpisë. Ata kanë bërë edhe një hap më tutje, duke i dorëzuar Vuqiniqit edhe çelësat e vilës.
Kjo, pavarësisht një marrëveshjeje të arritur më parë ndërmjet ministrit të brendëshëm Serb Dushan Mihajloviq dhe komandantit të Brigadës së Rojeve të Ushtrisë Jugosllave, Gjeneralit Milovoje Bojoviq, për të larguar rojet nga vila.
Mesa duket vonesa në nxjerrjen e urdhërit për tërheqjen e rojeve, ka qenë si pasojë e një konfuzioni në sistemin e komandës së ushtrisë.
Duket se Bojoviq, ka pritur një urdhër nga shefi i shtabit të VJ-së Gjeneral Nebojsha Pavkoviq i cili po priste urdhër nga Presidenti Koshtunica. Ky i fundit në atë moment ka qenë në Gjenevë, mesa duket i painformuar për planet për arrestimin e Millosheviqit.
Sipas burimeve të policisë, i mërzitur nga vonesat, Mihajloviq u ka thënë oficerëve të VJ-së, se nëse ata nuk tërhiqeshin menjëherë ai do të fuste në veprim forcat speciale për të marrë nën kontroll rezidencën.
Bisedimet ndërmjet ushtrisë dhe policisë kanë vazhduar përpara vilës deri sa oficerët e ushtrisë kanë marrë urdhërin nga Koshtunica për tu tërhequr. Ka qenë ora dymbëdhjetë e gjysëm pas mesnate dhe policia anti terroriste Serbe filloi përpjekjet për të hyrë në vilë.
Ata që kanë eksperiencë në këtë fushë mund të kenë mbetur të habitur me operacionin që pasoi. Të veshur civil me pantallona bluxhins dhe atlete, njerëzit e armatosur kanë hedhur disa granata me tym dhe kanë kapërcyer portën kryesore. Pasi u gjendën nën zjarr, ata dolën nga vila, katër prej tyre të plagosur. Disa metra më larg, përkrahësit e Millosheviqit kanë vërshëllyer gjatë këtij sulmi.
Operacioni i dështuar më pas u kthye në një rrethim i cili zgjati nga e Premtja natën deri të Dielën në mëngjes, kur pas bisedimeve të zgjatura, krismave të armëve, dhe përrallave me kërcënime për vetëvrasje, Millosheviqi më në fund u dorëzua.
Një oficer në skuadrën anti terror të ushtrisë ka thënë për IWPR-në se ai ishte tepër i zhgënjyer nga mënyra amatoreske e zhvillimit të operacionit. "Ishte një veprim shumë i nxituar dhe i organizuar keq," ka thënë ai. "Është e papërgjegjëshme të dërgosh policë në një operacion kaq të rrezikshëm, me një mbulim kaq të madh nga ana e mediave, të veshur me rroba civile".
Drama e arrestimit duket se ka shtuar tensionet në Opozitën Demokratike të Serbisë, DOS.
Gjingjiq dhe Mihajloviq mendojnë se ushtria ka penguar haptazi arrestimin e Millosheviqit, ndërsa Koshtunica thotë se ai ka vepruar sipas ligjit.
Një burim i afërt me ministrat kryesorë në aleancën qeveritare ka informuar IWPR-në se një fraksion i afërt me Gjingjiqin ka vendosur të mos e informojë fare Koshtunicën rreth planit për arrestimin e Millosheviqit.
I njëjti burim thotë se konfuzioni mund të ishte shmangur nëse Koshtunica do të ishte lajmëruar, dhe nëpërmjet tij, shefat e ushtrisë.
Oficerët e policisë thonë se ushtria nuk ka pasur të drejtë të ndalojë hyrjen e tyre në rezidencën e Millosheviqit, apo të trajtonte anëtarët e njësive paraushtarake të ish presidentit si policë të vërtetë.
"Shefat e ushtrisë kanë premtuar të na linin të qetë të kryenim detyrën tonë, por ata nuk e mbajtën premtimin," ka thënë një oficer i lartë policie. "Pengimi i zyrtarëve për të kryer detyrën është një krim i rëndë, pavarësisht nëse kryehet nga një civil apo nga një gjeneral i ushtrisë. Mesa duket, disa oficerë të ushtrisë mendojnë se ata janë mbi ligjin".
Sipas disa analistëve politik në Beograd, si ushtria ashtu edhe policia kanë përgjegjësi - ushtria, sepse nuk ka marrë parasysh isntitucionet ligjore dhe shtetin dhe për rezistencën ndaj kontrollit civil, ndërsa policia, për organizimin e keq të saj dhe dështimin e operacionit të arrestimit.
Rasti i arrestimit të Millosheviqit nuk ka qenë i pari që oficerë të ushtrisë Jugosllave kanë shkaktuar keqkuptime.
Nebojsha Coviq, shefi i ekipit koordinues të qeverive Serbe dhe Jugosllave në Serbinë jugore, ka kërkuar shkarkimin e Gjeneralëve Vladimir Lazareviq dhe Nebojsha Pavkoviq, duke i akuzuar haptazi ata se po pengojnë procesin e paqes në rajon.
Së fundi, është në dorë të Koshtunicës të vendosë përbërjen e kreut të ushtrisë. Për momentin nuk është menduar asnjë ndryshim, duke e lënë ushtrinë si institucionin e fundit Jugosllav që drejtohet nga njerëz të emëruar nga Millosheviqi.
Danijel Sunter është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.