ANALIZË: PETRIC HEDH DRITË MBI RAMBUJENË

Ish ambasadori Austriak kundërshton thëniet e Shqiptarëve se negociatorët Serbë në konferencën e Rambujesë kanë qenë kundër gjetjes së një zgjidhjeje për Kosovën

ANALIZË: PETRIC HEDH DRITË MBI RAMBUJENË

Ish ambasadori Austriak kundërshton thëniet e Shqiptarëve se negociatorët Serbë në konferencën e Rambujesë kanë qenë kundër gjetjes së një zgjidhjeje për Kosovën

Diplomati Austriak Wolfgang Petric ka kundërshtuar thëniet e anëtarëve të delegacionit Shqiptar në bisedimet e paqes mbi Kosovën në Shkurt 1999 në Rambuje, sipas të cilave Serbët asnjë herë nuk i kanë marrë këto bisedime seriozisht dhe se ata kanë qenë të painteresuar për arritjen e një marrëveshjeje.


Tre anëtarë të delagacionit Shqiptar - Veton Surroi, Ibrahim Rugova dhe Adnan Merovci - kanë dëshmuar në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviqit. Në kohën e zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë, Petric - i cili ka dhënë dëshminë e tij në gjyqin ndaj Millosheviqit javën e kaluar - ka qenë ambsadori i Austrisë në Jugosllavi dhe i dërguari special i Bashkimit Europian për Kosovën.


Petric, Christopher Hill nga SHBA dhe Boris Mayorski nga Rusia kanë përbërë treshen në Rambuje, duke u përpjekur të bashkojnë në një pikë Shqiptarët dhe Serbët. Duke gjykuar nga kjo, Petric ka qenë në një pozitë më të mirë për të vlerësuar seriozitetin e Serbëve sesa Surroi apo Rugova, duke pasur para sysh se asnjë prej tyre nuk kanë pasur kontakte ballë për ballë me ekipin Serb.


Petric ka thënë se delegacioni Serb në Rambuje ka qenë "vërtetë aktiv dhe ka kontribuar në mënyrë të ndjeshme në arritjen e kompromisit për sistemin e ardhëshëm politik dhe ligjor në Kosovë". Pas dy javë bisedime, në bazë të një kuadri të përcaktuar nga Grupi i Kontaktit - i përbërë nga SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Rusia - Ratko Markoviq, një prej drejtuesve të ekipit Serb, i ka dërguar një letër treshes së diplomatëve duke lënë të kuptohej se Serbia pranonte në parim një marrëveshje e cila u ofronte Shqiptarëve "një nivel të gjerë autonomie".


Letra shprehte edhe një dëshirë më të madhe për të diskutuar "qëllimin dhe karakterin e prezencës ndërkombëtare", ka thënë Petric, e cila do të siguronte zbatimin e marrëveshjes. Meqënëse marrëveshja parashikonte demilitarizimin dhe carmatimin e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, ndërmjetësit mendonin se prezenca e një force të armatosur ndërkombëtare ishte e domosdoshme, sepse ushtria Jugosllave dhe policia "ishin përpjekur një herë të carmatosnin UCK-në dhe kishin dështuar".


Diplomati Austriak ka thënë se pjesa ushtarake e marrëveshjes ka qenë një kopje e përpiktë e aneksit të marrëveshjes së Dejtonit për Bosnjen. Meqënëse vetë Millosheviq e kishte nënshkruar më parë këtë marrëveshje në Paris në Dhjetor 1995, ndërmjetësit kishin menduar se ai do ta nënshkruante përsëri. Ata kanë kuptuar se ishin gabuar në periudhën ndërmjet përfundimit të bisedimeve në Rambuje më 23 Shkurt, 1999 dhe raundit të ri të bisedimeve të përcaktuara për më 15 Mars në Paris.


Gjatë një takimi me Millosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij më 8 Mars në Beograd, Petric ka kuptuar se Serbët kishin ndryshuar krejtësisht pozicionin e tyre. Cdo gjë që ata kishin biseduar në Rambuje ishte bërë papritmas e papranueshme për ta, jo vetëm ana ushtarake por edhe pjesa politike e marrëveshjes, për të cilën ata kishin rënë më parë dakort "në parim".


"Dicka ka ndodhur ndërmjet 23 Shkurtit dhe 8 Marsit," ka kujtuar Petric javën e kaluar. Ai ka thënë se partnerët e tij Serb në bisedime i kanë thënë atij se "kjo dicka" ishte një vendim i Millosheviqit për të kundërshtuar "rrugën e bisedimeve" sepse ai "nuk pëlqente" as përmbajtjen politike dhe as atë ushtarake të marrëveshjes.


Si rezultat, edhe në ditën e parë të bisedimeve në Paris "nuk kishte asnjë shenjë për ndonjë marrëveshje të mundëshme" nga pala Serbe. Ishte e qartë se ekipi Serb nën drejtimin e Presidentit të Serbisë Milan Milutinoviq kishte ardhur në Paris me instruksione për të mos e pranuar marrëveshjen. I pyetur se kush qëndronte pas kësaj, Petric është përgjigjur: "Unë vetëm mund të marr me mend, por besoj se ka qenë Z. Millosheviq".


Në këtë rast, Petric vetëm mund të "merrte me mend". Kur ka qenë fjala për eksperiencën e tij si ambassador në Beograd ai ka mundur të japë më tepër shembuj konkrete rreth mënyrës se si Millosheviq "drejtonte të gjitha fijet", "diktonte cdo gjë" dhe gjithnjë thoshte "fjalën përfundimtare".


Megjithëse funksioni i tij zyrtar si kryetar i shtetit të Jugosllavisë ka qenë kryesisht ceremonial, Petric ka thënë se në të vërtetë ai ka vazhduar të kontrollojë të gjithë pushtetin e tij të mëparëshëm si President i Serbisë. Për të ilustruar këtë fakt, ai ka sjellë si shembuj mënyrën se si Millosheviq vendoste edhe për cështje të tilla si shkëmbimi i ushtarëve të kapur rob ndërmjet ushtrisë Jugosllave dhe UCK-së dhe lejen për një ekip mjekësh ligjorë Finlandez për të vizituar Kosovën.


Milutinoviq, Sainoviq, Markoviq dhe të tjerët në Rambuje dhe Paris kanë qenë të "autorizuar të negociojnë, por vendimet politike për pranimin ose kundërshtimin e marrëveshjes kanë qenë në dorën e Millosheviqit," ka thënë Petric.


Pas dështimit në Paris, ku vetëm pala Shqiptare nënshkroi marrëveshjen, Petric, Hill dhe Mayorski, janë takuar me Millosheviqin më 22 Mars për ta informuar atë rreth pozicionit të Grupit të Kontaktit. Petric ka thënë se mesazhi i dhënë Millosheviqit ishte se "koha po mbaronte" dhe se "një afrim pozitiv" nga ana e Millosheviqit ishte i domosdoshëm për të parandaluar dështimin e bisedimeve, duke e bërëndërhyrjen ushtarake opsionin e vetëm për komunitetin ndërkombëtar.


Megjithëse ndërmjetësit nuk kanë qenë të autorizuar, Mayorski ka ofruar edhe fillimin përsëri të bisedimeve, gjë e cila sipas Petric tregonte se deri në cfarë pike kishte arritur Rusia. Por Millosheviq nuk ishte i interesuar. Petric tha se ai kishte pasur përshtypjen se Millosheviq "nuk ishte i interesuar për të gjetur një rrugë dalje" dhe "e kishte marrë tashmë vendimin e tij". Ai "as nuk dëgjonte" fjalët e ndërmjetësve ndërkombëtarë.


Gjatë seancës së pyetjeve të Millosheviqit, ai e ka përshkruar Rambujenë si "një komplot transparent" të planifikuar nga Perëndimi, kryesisht Amerika për ti siguruar NATO-s "pushtimin e Kosovës" dhe të Serbisë, kështu që pas përfundimit të periudhës tre vjecare Shqiptarët e Kosovës të mund të votonin për pavarësinë në një referendum. Në këtë mënyrë Kosova do të "shkëputej nga Serbia, pavarësisht faktit se ajo ishte pjesë përbërëse e saj".


Petric ka kundërshtuar ekzistencën e ndonjë "kurthi" apo "komploti" të tillë kundër Serbisë, duke cituar përfshirjen e madhe të Mayorskit dhe të Rusisë në bisedimet e Rambujesë dhe të Parisit. Petric ka thënë se Millosheviq ka keqinterpretuar marrëveshjen dhe se nuk ka ekzistuar asnjë plan për "pushtimin" e Kosovës. Forcat ndërkombëtare po përgatiteshin thjesht për të zbatuar marrëveshjen sipas modelit të Dejtonit për Bosnjen, të cilën Millosheviq e kishte pranuar.


Duke pasur parasysh se Millosheviq e përshkroi Petric, i cili deri kohët e fundit ka qenë Përfaqësues i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, si "ish guvernatori i pushtimit të Bosnje Herzegovinës" (pas së cilës Gjykatësi Richard May ka ndërprerë seancën e pyetjeve sepse i pandehuri "nuk ndodhet këtu për të ofenduar dëshmitarët") duket se Millosheviq do të donte ta tërhiqte firmën e tij nga Dejtoni, nëse do të kishte mundësi.


Por përpara se gjykatësi të ndalonte seancën e pyetjeve, Petric ka thënë se marrëveshja e Rambujesë kishte disa "pika" të cilët do të siguronin që Kosova të mos "rrëmbehej", sic kishte frikë Millosheviqi. Një ndër këto pika ka qenë edhe fakti që statusi përfundimtar i Kosovës do të varej nga dëshira e Shqiptarëve dhe Serbëve dhe nga fakti nëse si Shqiptarët ashtu edhe Serbët do të përmbushnin kushtet e marrëveshjes për një periudhë tre vjecare. Një zgjidhje përfundimtare do të bazohej në parimet e Kartës së Helsinkit, mbi të cilat ishte krijuar edhe Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, e cila mbron parimin se kufinjtë e jashtëm të shteteve nuk mund të ndryshohen.


Petric ka thënë se ndërmjetësit ndërkombëtar e kanë përfshirë këtë nen me qëllim në marrëveshje për të siguruar që Kosova do të mbetej pjesë e Jugosllavisë. "Ju nuk e pranuat atë dhe u përballët me pasojat," ka përfunduar Petric. Pasojat kanë qenë sulmet e NATO-s dhe vendosja e forcave ndërkombëtare në Kosovë me kushte shumë më pak të favorëshme për Serbinë sesa ato të parashikuara në marrëveshjen e Rambujesë.


Mënyra se si është mbrojtur Millosheviq deri më tani tregon se ai e konsideron akuzën për Kosovën dhe edhe vetë faktin që ai tani po del përpara gjyqit, si një pasojë direkte të kundërshtimit nga ana e tij të "komplotit" që i është ofruar në Rambuje.


Por nëse refuzimi i marrëveshjes nga ana e tij ka sjellë akuzën për Kosovën dhe gjyqin ndaj Millosheviqit, shkaku nuk ka qenë "keqinterpretimi" i të akuzuarit për marrëveshjen dhe refuzimi i tij për ta nënshkruar, apo edhe përpjekja e tij për të zgjidhur problemin e Kosovës me mjete ushtarake. Millosheviq është akuzuar dhe ka dalë para gjyqit sepse gjatë asaj përpjekjeje të dështuar, forcat nën urdhërat e tij kanë kryer krime, të cilat janë pjesë e juridiksionit të gjykatës.


Javën e kaluar, gjashtë viktima dhe dëshmitarë okularë të këtyre krimeve kanë dalë para gjykatës dhe janë përballur me pyetjet e të pandehurit rreth dëshmive me shkrim që ata kanë dhënë për hetuesit.


Në deklaratën e tij të 28 Marsit, 1999, Mustaf Draga ka përshkruar se si ai ka mbijetuar ekzekutimeve masive në Izbice, ku sipas akuzave janë vrarë atë ditë mbi 100 Shqiptarë të Kosovës. Millosheviq e ka kundërshtuar këtë dëshmi, duke thënë se "vetëm Zoti" mund të kishte shpëtuar dëshmitarin nëse ka qenë e vërtetë që policia Serbe ka hapur zjarr mbi një grup burrash me mitralozë të rëndë nga një distancë prej tetë metrash.


Deklarata e Hani Hoxhës ka përshkruar vrasjen e 21 grave dhe fëmijëve në një bodrum në Gjakovë, përfshirë edhe gruan e tij, dy vajzat dhe pesë nipër dhe mbesa të moshës nga dy deri në 10 vjec. Kur Millosheviq ka komentuar se një "bombë e NATO-s" ka rënë në atë vend, Hoxha e hodhi poshtë, duke thënë se një ndër mbesat e tij kishtë shpëtuar nga bodrumi dhe do të dëshmonte për ato që kishin ndodhur në të vërtetë dhe mbi ata që i kishin vrarë me të vërtetë gratë dhe fëmijët.


Halit dhe Hysni Berisha më 26 Mars, 1999 kanë humbur mbi 40 anëtarë të familjes së tyre. Sipas akuzës, ata janë vrarë në një kafene në Suharekë. Megjithatë, Millosheviq ka thënë se sipas shenjave të gjetura në atë kafene, "terroristët" Shqiptarë kanë hapur zjarr ndaj policisë Serbe e cila është përgjigjur më pas me zjarr, dhe gratë dhe fëmijët për fat të keq janë vrarë si pasojë e "plumbave qorre".


Është njoftuar se një ose dy gra të cilat kanë mbijetuar nga kjo masakër në kafene do të dëshmojnë përpara përfundimit të prezantimit të provave nga ana e prokurorisë. Trupat e disa anëtarëve të familjes Berisha janë zhvarrosur vitin e kaluar në Batajnica, pranë Beogradit, rreth 300 kilometra në veri të Suharekës.


Ali Gjogaj, një varrmihës nga Prizreni, ka dëshmuar rreth zhvendosjes së varreve masive në Kosovë në Prill dhe Maj të vitit 1999. Në pranverën e vitit 1999, sipas tij, policia e ka marrë atë dhe kolegë të tjerë të tij dhe i ka cuar në disa vende me varre masive, ku ata kanë ngarkuar kufoma mbi kamionë frigoriferik dhe i kanë transportuar ato fillimisht pranë garazheve në morgun e Prizrenit dhe më pas në vende të tjera ku i kanë varrosur.


Millosheviq, megjithatë ka thënë se trupat kanë qenë "viktima të bombardimeve të NATO-s" të cilat janë dërguar fillimisht në spital për identifikim dhe kryerjen e autopsisë dhe më pas janë varrosur në fshatrat e tyre të lindjes.


Mënyra se si Millosheviq ka cituar disa pjesë të dëshmive të shkruajtura të dëshmitarëve gjatë seancës së pyetjeve ndaj tyre ka detyruar gjykatësit të ndërhyjnë dhe të parandalojnë atë se nuk i lejohej të "shtrembëronte" deklarimet dhe në këtë mënyrë të "shkaktonte konfuzion" dhe të "zhgënjejë dëshmitarët dhe gjykatën". Megjithatë, Millosheviq, nuk duket se e vret mendjen shumë për këto kundërshtime të gjykatësve.


Frontline Updates
Support local journalists