ANALIZË: Millosheviq Sulmon Avokatët e Gjykatës

Ish presidenti Jugosllav nuk pranon vlerësimin e avokatëve të gjykatës për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet ai në këtë process.

ANALIZË: Millosheviq Sulmon Avokatët e Gjykatës

Ish presidenti Jugosllav nuk pranon vlerësimin e avokatëve të gjykatës për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet ai në këtë process.

Nëse detyra e avokatit të ofruar nga gjykata është të mbrojë interesat e të akuzuarit, atëherë Michail Wladimiroff ka vepruar si duhet.


Një ditë përpara përfundimit të paraqitjes së provave për akuzën e Kosovës, një gazetë Hollandeze ka cituar Wladimiroff të ketë thënë se nëse gjyqi "do të ishte vetëm për akuzën e Kosovës dhe dikush do të bënte bilancin tani, Millosheviq natyrisht që do të dënohej".


Miku i gjykatës - një avokat i caktuar nga gjykata për të ndihmuar gjykatësit - natyrisht mendon se i akuzuari nuk i ka mirë punët, por ai vetë duket se nuk është koshient për seriozitetin e gjendjes.


Dhe nuk ka asnjë dyshim që interesat e Millosheviqit përmbushen kur ai informohet më së miri për mundësitë e tij në fazën fillestare të këtij gjyqi maratonë. Në të njëjtin artikull në atë gazetë, Wladimiroff është cituar gjithashtu të ketë thënë se prokurorët kishin përcaktuar një "lidhje të qartë ndërmjet policisë dhe ushtrisë, masakrave në Kosovë, dhe vetë Millosheviqit". Ai ka arritur në përfundimin se do të ishte në të mirën e Millosheviqit të mos vazhdonte të luante më një "ndeshje të humbur" dhe më në fund të vendoste të pranonte avokatë mbrojtës.


Një ditë pas botimit të këtyre deklarimeve të Wladimiroff në media, Millosheviq e ka akuzuar atë për mungesë respekti ndaj gjykatës dhe "pengim të drejtësisë". Në mbrojtjen e tij, avokati, duke folur para gjykatës, tha se qëllimi i deklarimeve të tij - të cilat sipas atij ishin "interpretuar në mënyrë të lirë" nga gazetari - ka qenë që të theksonte se "në këtë moment të gjykimit, në bazë të atyre që janë thënë, ekziston një lloj lidhje ndërmjet të akuzuarit dhe asaj që ka ndodhur në Kosovë… por se kjo i takon të vendoset prej gjykatës".


Gjykatësi që drejtonte seancën, Richard May, është përpjekur të minimizojë këtë incident, duke përsëritur mendimin e tij të njohur se një trup gjykues i përbërë nga gjykatës profesionistë nuk mund të influencohet nga "ato që botohen në ndonjë gazetë", por mund të arrijë një vendim vetëm bazuar në provat e paraqitura në gjykatë.


Megjithatë, gjykatësi Patrick Robinson ka thënë se deklarimet e avokatit Hollandez mund të ngrenë pikpyetje mbi aftësinë e tij për të vazhduar në pozicionin e mikut të gjykatës. Gjykatësi O-Gon Kwon nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për këtë episod, duke thënë se vetë Wladimiroff duhet të sqarojë pozicionin e tij me shkrim në mënyrë që të diskutohet më tej nga trupi gjykues.


"Rasti Wladimiroff" mund të zgjidhet përpara fillimit të paraqitjes së provave të prokurorëve për akuzat për Kroacinë dhe Bosnje-Herzegovinën, të cilat priten në fund të këtij muaji.


Pamja dhe sjellja e përgjithëshme e Millosheviqit ditën e fundit të paraqitjes së provave për akuzën për Kosovën kanë treguar se deklarimet e avokatit Hollandez kanë qenë një dush i ftohtë për Millosheviqin.


Megjithatë, kjo nuk do të thotë se artikulli i botuar në media e ka influencuar në ndonjë farë mënyre për të ndryshuar qëndrim. Përkundrazi, kjo ngjarje vetëm sa ka përforcuar vendosmërinë e tij.


I akuzuari ka thënë se avokati i gjykatës është përpjekur të përmirësojë imazhin e akuzës së "dështuar" për ngjarjet e Kosovës në shtyp. Sipas tij kjo akuzë "është shpërbërë" gjatë shtatë javëve të fundit të zhvillimit të këtij gjyqi.


Teoria e fundit e Millosheviqit gjithashtu përfshin edhe "regjimin kuisling në Beograd" media e të cilit e "ka gëlltitur grepin" duke nxituar të botojë pikpamjen e avokatit të gjykatës mbi punën dhe arritjen e prokurorëve.


Çdo përpjekje për të parashikuar përfundimet e trupit gjykues në bazë të deklarimeve të dëshmitarëve dhe provave të tjera, vecanërisht në këtë fazë fillestare ("në pjesën e parë të tre pjesëve të ndeshjes së parë", sic ka thënë Millosheviq, duke përdorur një gjuhë sportive) është po aq e paparashikueshme sa përpjekjet për parashikimin e motit.


Por Wladimiroff nuk është një vëzhgues i thjeshtë. Ai është një pjesëmarrës aktiv në gjyq dhe mendimet e tij mund të konsiderohen si spekullime të mirë informuara.


Ai gjithashtu ka një eksperiencë të gjatë si avokat mbrojtës i gjykatës dhe për rrjedhim e njeh mënyrën e arsyetimit të gjykatësve dhe procedurat e interpretimit të provave.


Paraqitja e provave për akuzën e Kosovës ka përfunduar javën e kaluar, pas 22 javë pune dhe 124 dëshmitarë. Por kjo cështje nuk përfundon me kaq. Në vazhdim të procesit, prokurorët do të thërrasin për të dëshmuar disa dëshmitarë të cilët do të flasin vetëm mbi Kosovën dhe të tjerë të cilët do të lidhin ngjarjet nga të treja akuzat me rolin e luajtur nga të pandehurit në këto ngjarje.


Rreth dy të tretave të dëshmitarëve të dëgjuar deri më tani kanë qenë të ashtuquajtur dëshmitarë pjesëmarrës në ngjarje, të cilët në shumicën e rasteve kanë dëshmuar me shkrim, në bazë të Rregullit 92/2. Publiku zakonisht ka dëgjuar vetëm përmbledhje të dëshmive të tyre dhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të të pandehurit. Dhe këto rrallë kanë pasur të bëjnë me esencën e dëshmive të tyre, pra me krimet e kryera ndaj tyre apo krimet në të cilat ata kanë qenë dëshmitarë.


Pavarësisht këtyre limiteve dhe faktit që shumë histori të viktimave dhe dëshmitarëve okularë nuk janë treguar fare, dëshmitë të cilat janë dëgjuar gjatë gjykimit kanë qenë të mbështetura nga shumë prova dhe fakte.


Këto prova kanë përfshirë materiale nga analizat e mjekëve ligjorë; zhvarrosja e varreve masive në Kosovë dhe Serbi; rezultatet e kërkimeve të hetuesve në vendngjarje; dhe nga studime të ekspertëve mbi lëvizjet masive të popullsisë dhe shkatërrimin e monumenteve fetare dhe historike të Shqiptarëve të Kosovës.


Shkalla e deportimit, vrasjet masive, shkatërrimi i fshatrave, monumenteve fetare dhe kulturore dhe karakteri i tyre sistematik dhe i përhapur, kanë mbështetur idenë se cdo gjë ka qenë e planifikuar, e organizuar dhe e koordinuar.


Dëshmitë e vëzhguesve ndërkombëtarë prezent në Kosovë nga vjeshta e vitit 1998 në pranverën e vitit 1999 si anëtarë të Misionit Verifikues të OSBE-së kanë dhënë prova se ushtria dhe policia kanë qenë të përgatitur për të ushtruar forcë në shkallë të madhe dhe pa asnjë dallim në fushatën e tyre kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Para gjykatës është thënë se trupat e ushtrisë dhe policisë me provokimin më të vogël, ose fare pa provokim kanë hapur zjarr me armë të rënda ndaj vendbanimeve të civilëve, kanë djegur shtëpi, kanë dëbuar ose vrarë civilë, shkatërruar të mbjellat dhe vrarë bagëti.


Anëtarë të misionit të verifikimit shpesh e kanë paralajmëruar Millosheviqin dhe komandantët e tij ushtarakë kundër përdorimit të një force të tillë të madhe dhe pa kontrolluar, por sipas deklarimeve, ata nuk e kanë vrarë mendjen.


Disa politikanë Perëndimor, si Paddy (tani Lord) Ashdown, e kanë paralajmëruar Millosheviqin që në vitin 1998 se nëse ai vazhdonte në atë rrugë, ai do të "përfundonte në Hagë". Ai nuk e ka marrë seriozisht një paralajmërim të tillë. Millosheviq dhe 12 nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt politik, ushtarak, dhe shefa të policisë janë paralajmëruar përsëri në vitin 1999 nga ish kryeprokurorja e atëherëshme e Hagës, Louise Arbour. Millosheviq përsëri nuk i ka vënë veshin këtij paralajmërimi.


Politikanët perëndimorë, diplomatët, ushtarë si edhe përfaqësues të Shqiptarëve të Kosovës të cilët kanë pasur kontakte me Millosheviqin gjatë viteve 1998 dhe 1999 kanë dëshmuar se i pandehuri është informuar në mënyrë të qartë për cdo gjë që po ndodhte në Kosovë dhe ishte pikërisht ai personi që thoshte fjalën e fundit dhe merrte vendimet për ngjarjet atje.


Një prej këtyre dëshmitarëve, ish kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s, Gjenerali Klaus Naumann, ka dëshmuar se në Tetor 1998, pasi kishin konsumuar disa pije, Millosheviq ishte mburrur në prezencën e tij dhe të komandantit të forcave të NATO-s në Europë, Gjeneral Wesley Clark se ai do ta zgjidhte problemin e Kosovës në pranverën e vitit 1999 "sipas modelit të Drenicës të vitit 1945-46": pra se ai "do të mblidhte Shqiptarët në një vend dhe do ti vriste të gjithë".


Duke qenë se Gjenerali Clark është i përfshirë në listën e dëshmitarëve të gjykatës paraqitja e të cilëve po diskutohet me administratën Amerikane, ai ka mundësi të pyetet nga gjykata dhe ti kërkohet të freskojë kujtimet e tij për atë takim.


Provat e paraqitura në lidhje me shkatërrimin e gjurmëve të krimeve jo vetëm që përbëjnë provë për kryerjen e këtyre krimeve por edhe provojnë përgjegjësinë e Millosheviqit për to.


Askush nuk përpiqet të fshehë krimet e bëra nga dikush tjetër. Kamioni frigoriferik në Danub dhe varret masive në Serbi natyrisht që nuk kanë qenë të mbushur me viktima të UÇK-së apo të NATO-s.


Analizat e AND-së të paraqitura nga fundi i kësaj faze të paraqitjes së provave kanë përcaktuar një lidhje ndërmjet trupave të gjetur në varret masive në Batajnica, pranë Beogradit, dhe viktimave nga Kosova.


Gjykata ka dëgjuar një deklarim të ish shefit të policisë sekrete Serbe, Radomir Markoviq, në të cilin thuhej se vetë Millosheviq kishte dhënë urdhër për largimin e kufomave të civilëve nga Kosova, gjatë një takimi në muajin Mars 1999.


Në dëshminë e tij para gjykatës në fund të muajit Korrik, Markoviq e ka tërhequr këtë pohim, duke thënë se ato "kanë qenë interpretime të lira" të fjalëve që ai u ka thënë ish kolegëve të tij të policisë.


Por dy punonjës të policisë sekrete, të cilët kanë marrë dëshmitë e tij në Korrik 2001 dhe kanë nënshkruar atë se bashku me të, kanë thënë se Markoviq nuk po thoshte të vërtetën. Versioni i dhënë prej tyre për ngjarjen ka irrituar shumë Millosheviqin, i cili duket se beson që Markoviq është i vetmi nga 124 dëshmitarët e paraqitur nga prokurorët i cili ka thënë të vërtetën, ndërsa të gjithë të tjerët kanë gënjyer.


Millosheviq do të duhet të përpiqet shumë për të bindur trupin gjykues të pranojë teorinë e tij se varret masive të gjetura në Serbi janë një "kurth" i organizuar nga "qeveria kuislinge" në Beograd në bashkëpunim me prokurorët e Hagës dhe ndoshta edhe KFOR. Ai insiston se trupat janë transferuar nga Kosova në Serbi, vitin e kaluar dhe jo në vitin 1999.


Dë fundi, në fazën finale të paraqitjes së provave, prokurorët kanë paraqitur dy ekspertë ushtarak të cilët kanë analizuar strukturën, doktrinën, sistemin e komandimit dhe taktikat e forcave të armatosura Jugosllave. Të dy ekspertët - Gjenerali Britanik Peter De La Billiere dhe oficeri i shërbimeve sekrete Kanadeze Philip Coo - kanë arritur në të njëjtin përfundim.


Ata e kanë përshkruar ushtrinë Jugosllave si të organizuar mirë dhe një forcë të disiplinuar me një "zinxhir komandimi të thjeshtë, të qartë dhe të pandërprerë - i cili fillonte nga Presidenti Millosheviq dhe shkonte deri poshtë", dhe kanë thënë se operacionet e përshkruara në akuzë - nëse ato merren si të vërteta dhe provohen - mund të jenë kryer vetëm nën drejtimin dhe autorizimin e autoriteteve më të larta ushtarake dhe politike.


Duke pasur para sysh të gjithë këto, mendimet e dhëna nga Wladimiroff, të cilat mund ti kushtojnë avokatit Hollandez edhe humbjen e pozicionit si avokat mik i gjykatës, duken jo më tepër se një "deklarim i fakteve të dukshëm".


Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë dhe kryeredaktor i agjensisë së lajmeve SENSE.


Frontline Updates
Support local journalists