Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

ANALIZË: Prokurorët e Gjyqit ndaj Millosheviqit Arrijnë një Sukses

Prokurorët e gjyqit ndaj Millosheviqit kanë dhënë javën e kaluar disa goditje të cilat mund të rezultojnë vendimtare.
By Mirko Klarin

Nëse nuk do të ishte e detyruar të provonte karakterin sistematik dhe të gjerë të krimeve të përshkruara në akuzat për Kosovën, prokurorët mund të ishin mjaftuar me paraqitjen e dëshmitarëve dhe provave të cilat janë paraqitur gjatë pesë ditëve të javës së kaluar.


Kjo javë ka qenë pa dyshim java më e plotë në paraqitjen e dëshmive deri më tani, në të cilën janë përqëndruar me sukses pothuajse të gjitha elementët e akuzave të prokurorëve ndaj Millosheviqit.


Së pari, tre dëshmitarët e mbetur nga ata të ashtuquajtur okularë kanë konfirmuar dëshmitë e mëparëshme rreth sulmeve ndaj një kollone refugjatësh pranë Vuciternës dhe masakrën në Izbice, të cilat kanë shkaktuar mbi 200 viktima.


Më pas, dy policë Serbë të cilët kanë ardhur në Hagë në rolin e "njerëzve të brendëshëm të cilët nuk kanë dashur të kryejnë krime" kanë konfirmuar se operacioni për zhdukjen e të gjitha gjurmëve të krimeve të kryera në Kosovë dhe fshehja e skandalit të kamionit frigoriferik të mbushur me kufoma në Danub janë kryer me porosi nga nivelet më të larta politike, dhe pikërisht nga ish ministri i brendëshëm i asaj kohe, Vlajko Stojiljkoviq dhe presidenti Sllobodan Millosheviq.


Më pas ka vijuar prezantimi i rezultateve të autopsive, të cilat kanë treguar se disa prej kufomave të zbuluara në varret masive në territorin e një kampi stërvitor të policisë në Batajnica, pranë Beogradit, kanë qenë ato të Shqiptarëve të vrarë në Kosovë dhe më pas të transferuar në Serbi në një operacion të organizuar më së miri.


Provat kryesore në mbështetje të këtij versioni kanë qenë analizat e AND-së të disa kockave të zbuluara në Batajnica, të cilat kanë treguar se ato u përkasin disa anëtarëve të familjes Berisha të vrarë në Mars 1999 në një kafene në Suharekë.


Akuzat e prokurorëve janë mbështetur edhe më tepër nga një kombinim i dëshmive të një oficeri Britanik, Gjeneral Sir Peter de la Billiere, dhe një personi te panjohur Jugosllav i cili ka dhënë dëshminë e tij në kushtet e anonimitetit.


Tregimi i gjeneralit ekspert, në përgjigje të pyetjeve të të pandehurit, ka treguar se ushtria Jugosllave "ka qenë tepër e disiplinuar dhe se ajo zbatonte vetëm urdhërat e marra", duke shtuar se "cështja është se cfarë urdhërash kanë marrë". Dëshmitari i fshehtë, i cili ka qene ne Kosove ne gjysmen e pare te vitit 1999, ka deshmuar se ai ka vrarë, djegur dhe shkatërruar me urdhër të komandantëve të tij.


Paraqitja e provave për masakrën e Izbices është përfunduar me dëshminë e Dr. Liri Loshit, pasi tre Shqiptarë të Kosovës kanë thënë se ata u kanë mbijetuar vrasjeve dhe se një komandnat i UCK-së ka thënë se ai kishte ndjekur skenën e vrasjes së një grupi prej 39 njerëzish nëpërmjet dylbive nga një largësi prej 500 metra.


Dr. Loshi, një doktor lokal, ka shkuar në Izbice dy ditë pas kësaj ngjarjeje dhe ka regjistruar me kamerën e tij tre grupe trupash të gjendur në vende të ndryshme, dhe ka marrë pjesë në identifikimin dhe varrimin e 127 viktimave.


Bazuar në eksperiencën e tij mjekësore, ai ka arritur në përfundimin se burrat ishin qëlluar nga një distancë e afërt, dhe ishin vrarë në ato vende ku edhe janë gjetur më pas.


Millosheviq, megjithatë, ka thënë se Izbica "është një tjetër masakër e shpikur", pikërisht ashtu si ka quajtur edhe masakrën e Recakut. Ai ka thënë se trupat kanë qenë të anëtarëve të UCK-së të vrarë në luftime me forcat Serbe të sigurimit të cilat më pas janë "vendosur në një vend të përbashkët" në Izbice për të krijuar idenë e një masakre.


Megjithëse gjykatësve nuk u pëlqejnë paraqitjet e filmimeve në gjykatë, ata kanë lejuar shfaqjen e disa pjesëve të shkurtra të filmimeve të kryera nga Loshi. Në këto filmime tregoheshin trupa të burrave në moshë mesatare ose të moshuar me veshje civile, disa prej të cilëve kishin edhe shkopat me të cilët ecnin. Më pas, prokurori ka pyetur dëshmitarin nëse ai mendonte se anëtarët e UCK-së ishin "burra të vjetër në moshë dhe invalidë?". Natyrisht që jo ka thënë dëshmitari.


Një hollësi e rëndësishme e historisë së Izbices është lënë për më vonë, kur prokurorët do të kundërshtojnë provat e paraqitura nga i pandehuri. Prokurorët thuhet se kanë siguruar prova të cilat tregojnë se në fund të muajit Maj 1999 ushtria dhe policia është rikthyer në Izbice, dhe gjatë disa ditëve ka gërmuar duke hapur varret, dhe duke zhvarrosur kufomat të cilat janë transportuar më pas në vende ende të panjohura.


Rreth 40 trupa të viktimave të Izbices janë gjetur në një varr të përbashkët pranë Mitrovicës, ndërsa disa sende në pronësi të disa viktimave janë gjetur në varret masive të zbuluara pranë Batajnicas.


Millosheviq nuk ka dhënë asnjë shpjegim deri më tani rreth arësyeve përse trupat e "anëtarëve të vrarë të UCK-së" janë marre nga varret në Izbice dhe transportuar në varre masive në vende të fshehta.


Caslav Goluboviq dhe Zoran Stijoviq, dy "njerëzit e brendëshëm" të cilët janë urdhëruar nga autoritetet e Beogradit për të dëshmuar dhe janë cliruar nga detyrimi për të ruajtur sekretin shtetëror, kanë konfirmuar dëshmitë e mëparëshme të dy policëve Serbë rreth cështjes së kamionit frigoriferik.


Në të njëjtën kohë, ata kanë ngritur pikpyetje edhe mbi thëniet e ish shefit të policisë sekrete të Millosheviqit, Radomir Markoviq, gjatë dëshmisë së tij në fund të muajit Korrik. (Shih Analizën Nr. 276).


Goluboviq ka qenë ish shefi i policisë në Bor në Serbinë lindore, pranë vendit ku është gjetur kamioni frigoriferik nga Kosova me 86 trupa, në Prill 1999. Ai ka dëshmuar se ai e kishte raportuar këtë ngjarje tek eprori i tij direkt, drejtuesi i sektorit të sigurimit publik, Gjeneral Vlastimir Gjorgjeviq, me të cilin ai ka pasur të paktën katër biseda telefonike natën e 6 Prillit.


Goluboviq ka thënë se Gjenerali Gjorgjeviq e kishte urdhëruar atë të transferonte trupat nga kamioni frigoriferik në kamionë të tjerë dhe ti varroste diku në afërsi të Kladovos, qyteti ku edhe janë zbuluar më pas. Ai gjithashtu i ka thënë atij të shkatërronte kamionin frigoriferik dhe "të mos lejonte daljen e asnjë informacioni rreth tij", pra të mos jepte asnjë deklarim për median.


Kur ai ka dhënë këto urdhëra për kolonelin e tij, gjenerali ka thënë se ai po vepronte me urdhër të eprorit të tij, ministrit të brendëshëm të Serbisë, Vlajko Stojiljkoviq. Por, me urdhër të kujt ka vepruar Stojiljkoviq, dhe nëse ai do të dëshironte të tregonte një informacion të tillë, mund të mos zbulohet kurrë; ai ka kryer vetëvrasje për të mos pranuar ekstradimin në Hagë.


Prokurorët thonë se "operacioni i kamionit frigoriferik" ka qenë pjesë e një veprimi më të gjerë për të larguar të gjitha gjurmët e krimeve të kryera në Kosovë të urdhëruara në muajin Mars nga vetë Millosheviqi. Prokurorët synojnë të provojnë një gjë të tillë, duke përdorur një deklaratë të lëshuar në Qershor 2001 nga Radomir Markoviq, ish shef i sektorit të sigurimit shtetëror, në të cilën ai ka thënë se Millosheviq, me inisiativën e Gjeneralit Gjorgjeviq i ka dhënë një urdhër të tillë Stojilkoviq.


Pas transferimit të tij nga burgu në Beograd në Hagë për të dëshmuar në gjyqin ndaj Millosheviqit në fund të muajit Qershor, Markoviq ka insistuar se kjo deklaratë ka qenë një "interpretim i lirë" i bisedës që ka pasur ai me oficerë të policisë Serbe; pra se nuk ka qenë "ekzaktësisht ajo që ka thënë ai"; dhe se ai e kishte nënshkruar deklarimin pa e lexuar, dhe i gjendur nën presion.


Megjithatë, Zoran Stijoviq, oficeri i policisë sekrete i cili ka marrë deklarimin, thotë se Markoviq ka bërë një interpretim "jo korrekt" të rrethanave të takimit të tyre dhe mënyrës në të cilën janë përpiluar deklarimet. Me fjalë të tjera, ai i ka thënë gjykatës se Markoviq nuk ka treguar të vërtetën. Stijoviq javën e kaluar e ka përshkruar me hollësi rrethanat e bisedës së tyre dhe se si janë bërë shënimet duke përfshirë edhe deklarimin.


Stijoviq ka thënë se Markoviq "ka marrë pjesë aktivisht" në diktimin e shënimeve, se ai e kishte parë me kujdes dhe korrigjuar "projekt versionin", dhe se kishte lexuar versionin përfundimtar të deklarimit dhe kishte nënshkruar cdo faqe të dokumentit. Stijoviq ka deklaruar se këto shënime "reflektojnë faktet e paraqitura nga Z. Markoviq". Mbetet për tu parë nëse versioni i Stijoviq do të konfirmohet javën e ardhëshme nga dëshmitarja Olivera Antoniq-Simiq, e cila ka shtypur shënimet - pra deklaratën e Markoviq, e cila edhe e ka nënshkruar atë.


Ende mbetet e paqartë nëse vetë Millosheviq ka urdhëruar operacionin për zhdukjen e provave të krimeve nga Kosova, por provat e paraqitura deri më tani tregojnë se një operacion i tillë ka qenë i organizuar. Në dëshminë e tij të shkurtër javën e kaluar, hetuesi John Martin Zdriliq ka shtuar disa hollësi më tepër në lidhje me qëllimin dhe dhe karakterin e këtij operacioni.


Polici Australian ka marrë pjesë në hetimin e masakrës së mbi 40 anëtarëve të familjes Berisha në Suharekë, dhe ka qenë prezent në momentin e zhvarrimeve në këtë zonë.


Në një prej vendeve ku janë kryer kërkime, një vend ku ushtria Jugosllave kryente qitje pranë fshatit Korisha, ekspertët mjeko ligjor Britanik dhe hetuesit e Hagës kanë zbuluar "disa mbetje të një varri masiv" nga i cili ishin larguar trupat, si edhe disa kocka, mbetje të trupave njerëzore dhe sende personale. Zdriliq ka dëshmuar se këto sende dhe mbetje nuk janë identifikuar deri më tani, por se ishte përcaktuar se 11 objekte të gjetur në këtë varr masiv i përkisnin anëtarëve të familjes Berisha.


Fakti që të paktën disa prej trupave nga varri i zbrazur pranë Korisha janë gjetur në Batajnica, pranë Beogradit, është konfirmuar nga rezultatet e analizave të AND-së, të cilat kanë arritur kohët e fundit nga një Institut në Madrid.


Një krahasim i mostrave të marra nga kockat e gjetura në Batajnica me mostra të gjakut të anëtarëve të mbijetuar të familjes kanë cuar në identifikimin e gjashtë anëtarëve të familjes Berisha. Vetëm dy nga pesë varret masive të zbulura në kompleksin e policisë në Batajnica janë zbuluar deri më tani.


Në këtë mënyrë është provuar që varret masive në Serbi kanë qenë të mbushura me Shqiptarë të Kosovës dhe jo me "Kurdë", e cila ka qenë edhe teoria e pëlqyer e Millosheviqit për të shpjeguar origjinën e trupave të gjetura në kamionin frigoriferik. Tani prokurorët duhet të provojnë që i pandehuri ka urdhëruar jo vetëm largimin e provave të krimeve, por edhe vetë krimet, apo të paktën se ka pasur dijeni për ato që po ndodhnin dhe nuk ka bërë asgjë për të ndërhyrë apo për të dënuar shkaktarët.


Elementë të rëndësishëm të rinj në ridnërtimin e rolit të Millosheviqit nga ana e prokurorëve në ngjarjet e përshkruara në akuzë, janë shfaqur javën e kalaur nga Gjenerali Britanik dhe nga Jugosllavi i panjohur, të cilët u përmendën më lart.


Gjenerali Sir Peter de La Billiere ka 40 vjet eksperiencë ushtarake dhe ka marrë pjesë në disa luftëra, përfshirë konfliktet në Kore, Ishujt Falkland, dhe luftën e Gjirit. Në Luftën e Gjirit në vitin 1991 ai ka drejtuar trupat Britanike në kuadrin e forcave të koalicionit. Në bazë të eksperiencës së tij, dokumentave dhe organizimit të ushtrisë Jugosllave dhe përshkrimeve të veprimeve të saj në akuzën ndaj Millosheviqit, gjenerali ka bërë një analizë prej eksperti të doktrinës ushtarake dhe strukturës së forcave të armatosura Jugosllave.


Përfundimi i tij ishte i qartë. "Unë nuk kam asnjë dyshim," thuhet në raportin e tij, "se aktiviteti i gjatë në Kosovë nuk do të kishte mundur të ndodhte pa lejimin, drejtimin, dhe dëshirën e krerëve më të lartë të forcave ushtarake dhe policore të përfshira në to, dhe gjithashtu, të drejtuesve civilë të RFJ të asaj kohe. Kjo do të thotë që presidenti i RFJ-së në vecanti, duke pasur parasysh edhe rolin e tij si komandant i përgjithëshëm i forcave të armatosura, ka një përgjegjësi direkte".


Në raportin dhe dëshminë e tij, gjenerali ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që lëvizjet masive të popullsisë dhe vrasjet e përshkruara në akuzën për Kosovën të kenë qenë pasojë e "operacioneve të fshehta nga kompani apo brigade të dala jashtë urdhërave" apo nga komandantë lokalë të cilët "janë cmendur".


Të gjitha këto operacione "duhet të kenë qenë të kontrolluara dhe të drejtuara në bazë të një sistemi ushtarak", ka thënë ai. Pjesa kryesore e operacioneve në Kosovë, sipas tij, "duhet të ketë qenë në përputhje me dëshirat e drejtuesve të ushtrisë".


Gjatë pyetjeve të Millosheviqit ndaj gjeneralit, ai ka insistuar se komanda e lartë dhe komandat e tjera ushtarake të Jugosllavisë kanë urdhëruar shpesh ushtarët të respektojnë Konventën e Gjenevës dhe ligjet e tjera ndërkombëtare humanitare. Megjithatë këmbëngulja e tij për këto urdhëra i është kthyer kundër, kur Gjenerali De la Billiere ka thënë se ai ka psur dyshime nga urdhëra të shumtë të cilët kërkonin në vazhdimësi respektimin e ligjeve ndërkombëtare të luftës. Fakti që këto urdhëra janë dhënë kaq shpesh tregon se "dicka ka shkuar keq", ka thënë gjenerali, sepse zbatimi i ligjeve ndërkombëtare është "pjesë e doktrinës zyrtare dhe praktikës së cdo ushtrie të stërvitur mirë dhe të disiplinuar dhe ky urdhër nuk ka nevojë të përsëritet".


Thëniet e Millosheviqt rreth disiplinës në ushtrinë Jugosllave, po ashtu kanë pasur efekt të kundërt, sepse gjenerali ka konfirmuar se ushtria Jugosllave "ka qenë e disiplinuar dhe ka zbatuar urdhërat e marra", dhe gjithashtu ka shtuar se "Cështja është se cfarë urdhëra janë dhën?"


Pyetja retorike e De la Billiere ka marrë përgjigje të nesërmen nga një dëshmitar i fshtehtë Jugosllav i cili ka dëshmuar me lidhje në video, me emrin e koduar K-41. Ai ka dëshmuar se oficerët e tij eprorë kanë urdhëruar në gjysmën e parë të vitit 1999 në Kosovë të vriste, të digjte dhe të plackiste.


Pavarësisht njoftimeve formale nga Gjykatësi Richard May se ai nuk ishte i detyruar të jepte dëshmi për gjëra të cilat mund të inkriminonin atë, K-41 ka pranuar se ai ka vepruar në bazë të këtyre urdhërave, duke vrarë civilë, duke djegur dhtëpi dhe duke plackitur dyqane. Ai ka përshkruar disa operacione në të cilat ai kishte marrë pjesë, gjatë të cilave forcat Jugosllave kanë sulmuar fshatra Shqiptare, duke vrarë civilë dhe duke djegur shtëpi, megjithëse në asnjë nga këto raste nuk ka pasur përplasje të armatosura me UCK-në dhe në asnjë rast nuk është kthyer zjarr.


Dëshmia e K-41 në një shkallë të madhe ka konfirmuar dëshminë e mëparëshme të një dëshmitari tjetër të fshehtë Jugosllav, K-32, në muajin Korrik (Shih Raportin Nr.275). kjo dëshmi, dhe mënyra në të cilën Millosheviq ka trajtuar dëshmitarin gjatë seancës së pyetjeve të tij ka nxitur K-41 të kontaktojë prokurorët dhe të ofrojë dëshminë e tij.


Millosheviq është përpjekur të diskreditojë K-41 duke thënë se ai ishte një "kriminel" dhe se ka një urdhër për arrestimin e tij për vjedhje. I pandehuri gjithashtu ka paraqitur dekalrata me shkrim të dërguara nga komandantët e njësisë në të cilën ka shërbyer K-41, në të cilat ata mohojnë të kenë dhënë urdhëra për të vrarë, djegur dhe plackitur. Më në fund, Millosheviq ka pyetur dëshmitarin nëse atij i është "premtuar ndonjë favor" në shkëmbim të dëshmisë dhe të pranimit nga ana e tij se ka kryer krime.


Dëshmitari i fshehtë i cili fliste me një aksent të fortë Malazez, është përgjigjur se ai ka marrë vendimin bazuar në dëshirën e tij të lirë, dhe ka thënë se askush nuk i ka "premtuar atij asgjë". Ai ndjehej i kënaqur me faktin që "ai ka pasur një mundësi për të dhënë dëshmi në prezencë të njeriut i cili është personi më përgjegjës për të gjitha këto krime".


Prokurorët do të përfundojnë paraqitjen e provave për akuzën për Kosovën javën e ardhëshme, ndoshta të Martën. Më pas, pas një pushimi prej dy javësh, do të fillojë paraqitja e provave për akuzat për Kroacinë dhe Bosnje Herzegovinën.


Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR në gjykatën për krimet e luftës dhe kryeredaktor i Agjensisë së Lajmeve SENSE.