Aktivistja e të drejtave të njeriut përballet me zemërimin e opozitës

Një aktiviste e të drejtave të njeriut është dënuar nga opozita pasi ka akuzuar atë se ka lidhje të ngushta me udhëheqjen serbe.

Aktivistja e të drejtave të njeriut përballet me zemërimin e opozitës

Një aktiviste e të drejtave të njeriut është dënuar nga opozita pasi ka akuzuar atë se ka lidhje të ngushta me udhëheqjen serbe.

Friday, 11 February, 2000

Një aktiviste kryesore e të drejtave të njeriut në Serbi e cila për vite me rradhë ka qenë një gjemb në shpinën e Sllobodan Millosheviqit tani po përballet me një lumë kritikash nga udhëheqësit e opozitës dhe nga media.


Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka shkaktuar zemërimin e politikanëve të opozitës pas një artikulli të saj të kohëve të fundit në të cilin ajo thotë se shumë prej tyre janë të lidhur me regjimin e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq.


Artikulli në gazetën Gjermane, Di Velt, argumentonte se këto lidhje kishin bërë që në Serbi të mos kishte alternativë tjetër përveç Millosheviqit.


Biserko ka qenë veçanërisht kritike ndaj udhëheqësit të Partisë Demokratike, Zoran Gjingjiq, dhe udhëheqësit të Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe, Vuk Drashkoviq, duke i akuzuar ata se kanë qenë në marrëdhënie të mira me lordin e luftës të Beogradit të vrarë pak kohë më parë Zhelko ("Arkan") Raznatoviq.


"Mund të thuhet me siguri se të gjithë këta personalitete kanë qenë të lidhur ose nëpërmjet transaksioneve kriminale ose nëpërmjet shërbimeve të Sigurimit Shtetëror," ka shkruajtur ajo në artikull.


Biserko ka deklaruar se Arkan ka thënë dikur se Drashkoviq, një novelist i suksesshëm, i kishte dhuruar atij një përmbledhje të veprave të tij me mbishkrimin "Mikut tim më të ngushtë," dhe kishte nënshkruar "Vuk Drashkoviq". Ajo ka shkruajtur se sipas disa njoftimeve, Gjingjiq ka komunikuar me bashkëpunëtorë të Arkanit kur ka udhëtuar nëpër Europë, duke shtuar se pas vdekjes së Arkanit, Gjingjiq kishte pranuar se kishte pasur lidhje biznesi me atë.


"Këto lidhje të ngatërruara .. tregojnë se opozita që prej krijimit të saj ka qenë e lidhur ngushtë me qendrat e pushtetit," ka përfunduar ajo.


Kritikat e Biserkos nuk janë një gjë e panjohur. Udhëheqësit e opozitës janë akuzuar shpesh në të kaluarën për lidhjet e tyre të ngushta me botën e krimit, praktikat jodemokratike dhe nacionalizmin serb.


Por shpërthimi i saj ndaj opozitës vjen pikërisht në momentin kur ajo e ndodhur nën presion nga komuniteti ndërkombëtar, po përpiqet t'u japë fund mosmarrëveshjeve të brendëshme dhe të bashkohet në një front të vetëm për të rrëzuar Millosheviqin.


Ognjen Priceviq, këshilltar i Drashkoviqit, ka thënë se Biserko "e kritikon opozitën sa herë që ajo bën një hap përpara drejt bashkimit dhe veprimeve të përbashkëta në vend dhe sa herë që ajo krijon një marrëdhënie bashkëpunimi më të mirë me perëndimin."


"Një numër njerëzish seriozë po mendojnë rreth lidhjeve të presidentes së Komitetit të Helsinkit me regjimin në Serbi, sepse deklaratat e saj shkojnë drejtpërsëdrejti në favor të Sllobodan Millosheviqit."


Partia Demokratike në një deklaratë të saj ka thënë se njerëzit si Biserko përdorin "krizën në Serbi për të folur keq pranë ambasadave të huaja për popullin serb si genocidist, kërkojnë haptazi bombardimin e Beogradit dhe de-nazifikimin e një kombi të tërë."


Tani, edhe e përjavshmja më e vjetër dhe më me reputacion në Serbi, NIN, është bashkuar me fushatën anti-Biserko, duke e akuzuar atë se po dëmton "kauzën serbe". Revista ka thënë se shprehjet e saj i bëjnë më të vështira përpjekjet e opozitës për të bindur perëndimin të lehtësojë sanksionet ndaj Serbisë."


Biserko pas deklaratave të saj ka marrë shumë telefonata dhe letra kërcënuese. "Është krijuar një atmosferë banditeske linçimi," ka thënë ajo. Një atmosferë e ngjashme me këtë të tanishmen e ka detyruar atë të largohej nga Beogradi gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.


Pikpamjet e Biserkos përkrahen nga shumë njerëz të arsimuar në Serbi, por pjesa më e madhe e tyre nuk do të guxonin kurrë të shprehnin hapur mendimin e tyre në publik nga frika e denoncimit.


"Serbia është në agoni," ka thënë Biserko, "Ajo duhet të përballet me pasojat e luftërave të Millosheviqit si një parakusht për çfarëdo lloj lirije."


Vlado Maresh është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së në Beograd.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists