Agjentët Serbë Nxisin Dhunën Në Kosovë
Beogradi ka dërguar agjentë provokatorë në Kosovë në një përpjekje për të penguar përpjekjet ndërkombëtare për të ruajtur paqen.
Agjentët Serbë Nxisin Dhunën Në Kosovë
Beogradi ka dërguar agjentë provokatorë në Kosovë në një përpjekje për të penguar përpjekjet ndërkombëtare për të ruajtur paqen.
Burime ushtarake jugosllave kanë deklaruar për IWPR-në se Sllobodan Millosheviq ka futur ilegalisht forca policore të zgjedhura dhe njësi të ushtrisë jugosllave në Kosovë me qëllim shkaktimin e incidenteve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve lokal.
Edhe forcat speciale të lëna pas në provincë gjatë tërheqjes së forcave të Millosheviqit qershorin e kaluar, kanë filluar të aktivizohen. [Shih "Ilegalët serbë veprojnë pas linjave të armikut në Kosovë, BCR Nr. 103, 17 Dhjetor 1999]
Të dyja këto grupe kanë qenë të përfshira në orkestrimin e dhunës së ditëve të fundit në Mitrovicë, thonë këto burime, përfshirë edhe snajpera nga forcat elitë të policisë serbe. Të paktën katër shqiptarë janë qëlluar për vdekje nga këta snajpera.
Ky pranim nga burime të rëndësishme ushtarake në Serbinë jugore vërteton deklaratat e NATO-s sipas të cilave forcat jugosllave kanë qenë të përfshira direkt në trazirat e ndodhura në qytetin e ndarë etnikisht në Kosovën veriore.
Burimet e IWPR-së thonë se ndërsa zyrtarë të Beogradit po përgënjeshtrojnë publikisht çdo përfshirje në shpërthimin e dhunës, e cila shkaktoi njëmbëdhjetë të vdekur, ata privatisht janë të kënaqur me suksesin e ndërhyrjes së tyre.
Qëllimi kryesor i Millosheviqit është të sabotojë përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes në Kosovë.
Por në të njëjtën kohë, këto burime thonë se presidenti jugosllav është i interesuar edhe të rrisë përkrahjen ndaj tij në Serbi duke i paraqitur pakicat serbe në provincë si viktima të pambrojtura të agresionit shqiptar.
Një qendër policore në fshatin Brzece në Serbinë jugore, pranë kufirit me Kosovë, thuhet të jetë përdorur si bazë për infiltrimin e forcave serbe në Kosovë.
Burimet e IWPR-së thonë se trupat jugosllave dhe policët vishen me rroba civile dhe shkojnë me misione thellë në territorin e Kosovës.
Flitet gjithashtu që ata maskohen edhe si ushtarë të NATO-s. Dëshmitarë okularë thonë se ata kanë parë uniforma të KFOR-it në depot e bazës në Brzece.
Policët e dislokuar në këtë bazë flasin shqip dhe pa problem mund të hiqen edhe si shqiptarë të Kosovës. Zyrtarët e ministrisë së brendëshme i pajisin ata me dokumenta identifikimi të vlefshme.
Stafi në këtë qendër zëvendësohet çdo 15 ditë. Mbërritjet dhe nisjet bëhen gjatë orëve të natës në mënyrë që të ruhet sekreti rreth këtij operacioni.
Përforcimi i fundit, tre autobusë të mbushur me policë të armatosur deri në dhëmbë kanë mbërritur në Brzece më 15 Shkurt.
Të infiltruarit po bashkohen me një numër të vogël ushtarësh të ushtrisë jugosllave dhe policësh serbë të mbetur pas në Kosovë pas tërheqjes së forcave të Millosheviqit vitin e kaluar.
Ata kanë kaluar shumë vjetë në shërbim aktiv në Kosovë, kanë ndërtuar shtëpi, kanë blerë prona dhe kanë krijuar familje atje. Mendohet gjithashtu se ushtria i ka bindur shumë prej tyre të qëndrojnë duke ju ofruar apartamente më të mëdha dhe paga më të mira.
Ka pasur gjithashtu njoftime se autoritetet federale ushtarake janë përpjekur në mënyrë sekrete të inkurajojnë ushtarakët në shërbim të kthehen në Kosovë duke ofruar një sërë shpërblimesh.
Gjatë muajve të fundit këta "të fjetur" kanë qëndrua në qetësi duke u përpjekur të mos bien në sy, por tani janë aktivizuar si pjesë e përpjekjeve të Beogradit për të penguar KFOR-in dhe Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Burimet e IWPR-së thonë se ushtarakët jugosllavë mendojnë se ndërhyrja e tyre në Mitrovicë ka penguar seriozisht përpjekjet e KFOR-it për të ruajtur paqen në qytet.
Natyrisht, duket se NATO-ja nuk po mundet të gjejë mënyrën për të bashkuar qytetin, sidomos pas përleshjeve dhe incidenteve më të fundit. Një numër më i madh trupash është vendosur në qytet, dhe drejtuesit e NATO-s kanë bërë thirrje të cilat deri tani nuk kanë pasur efekt, që anëtarët e Aleancës të dërgojnë më tepër trupa në provincë.
Miroslav Filipoviq është gazetar i pavarur nga Kraljevo në Serbi.