Admirali Dënohet me Shtatë Vjet për Bombardimin e Dubrovnikut

Gjykatësit kanë përmendur “keqardhjen e shprehur nga i pandehuri” dhe pranimin e fajit si arësyet për dhënien e një dënimi të lehtë.

Admirali Dënohet me Shtatë Vjet për Bombardimin e Dubrovnikut

Gjykatësit kanë përmendur “keqardhjen e shprehur nga i pandehuri” dhe pranimin e fajit si arësyet për dhënien e një dënimi të lehtë.

Wednesday, 9 November, 2005

Ish admirali i flotës ushtarake jugosllave Miodrag Jokiq është dënuar me shtatë vjet burgim më 18 mars për rolin e tij në bombardimin e qytetit historik të Dubrovnikut në vitin 1991 – një ngjarje e cila ka tronditur botën dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve për herë të parë për atë që po ndodhte në ish Jugosllavi.


Jokiq, i cili është paraqitur në gjykatë i veshur me një kostum ngjyrë të errët me rrathë të mëdhenj nën sy, nuk ka treguar asnjë reagim ndërsa është shpallur vendimi.


Ai është akuzuar për rrethimin e Dubrovnikut në vitin 2001 dhe fillimisht nuk e ka pranuar akuzën, por në gusht 2003 ai ka ndryshuar qëndrim dhe ka pranuar fajësinë për gjashtë akuza për krime lufte. Në shkëmbim, prokurorët kanë rrëzuqr akuzat e tjera dhe kanë kërkuar një dënim me maksimumi dhjetë vjet. Mbrojtja ka kërkuar vetëm 2 vjet.


Krimet për të cilat Jokiq ka pranuar fajësinë janë kryer më 6 dhjetor 1991, kur forcat nën urdhërat e tij kanë bombarduar qendrën e Dubrovnikut. Sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, “disa qindra, ndoshta edhe një mijë predha” kanë goditur qytetin atë ditë.


Si rezultat i sulmit, dy civilë kanë humbur jetën, dhe tre janë plagosur. Po ashtu, bombardimet kanë shkatërruar gjashtë ndërtesa dhe kanë dëmtuar shumë të tjera. Në dhënien e vendimit, gjykata e ka quajtur pjesën e vjetër të qytetit “një ansambël të vecantë arkitektural i cili është dëshmi e një faze të rëndësishme të historisë së njerëzimit”.


Megjithëse Jokiq nuk ka urdhëruar për këtë sulm, ai ka pranuar se ka pasur dijeni që forcat nën urdhërat e tij kanë bombarduar në mënyrë të paligjëshme qendrën historike, dhe se atje ka pasur civilë.


Ai ka thënë se ka pasur dijeni në atë kohë që zona ishte shpallur si Pikë e Trashëgimisë Kulturore Botërore nga UNESCO. Pavarësisht kësaj, Jokiq ka pranuar se ai nuk ka dhënë urdhër për ndërprerjen e bombardimit dhe as nuk ka marrë masa ndëshkuese ndaj përgjegjësve për këtë veprim.


“Unë kam pasur dijeni për përgjegjësitë e mia si komandant për veprimet e vartësve të mi në luftë dhe për gabime apo mos veprime për sa i përket komandimit të trupave,” ka thënë ai para trupit gjykues.


Jokiq ka treguar keqardhje për sulmin pothuajse menjëherë. Ditën e bombardimit, ai ka dërguar një telegram një zyrtari të qeverisë kroate në Dubrovnik, duke shpjeguar se ai nuk kishte dhënë urdhër për sulmin dhe duke shprehur keqardhjen e tij “për gjendjen e vështirë dhe të papëlqyeshme”.


Telegrami është lexuar në radio.


Gjatë leximit të vendimit, gjykatësi Alphons Orie ka thënë se fakti që Jokiq kishte “shprehur publikisht keqardhjen e tij” për bombardimin në dhjetor të vitit 1991, përpara se ai të akuzohej prej ndonjë gjykate, ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e gjykatës për të dhënë një dënim më të lehtë.


Një tjetër faktor lehtësues, ka thënë gjykatësi, ka qenë fakti që Jokiq ka ndihmuar në arritjen e një armëpushimi në Dubrovnik, duke treguar keqardhje dhe pendesë për viktimat dhe familjet e tyre, dhe pas luftës, ka punuar për të promovuar paqen në rajon. Ata kanë thënë se ata besojnë që pendesa e tij ka qenë e sinqertë.


Në fakt, në seancën e zhvilluar në muajin dhjetor, Jokiq ka thënë se: “Jam gati të përulem përpara të gjithë viktimave të këtij konflikti, pavarësisht se nga cfarë ane kanë qenë ata, me dinjitetin e një ushtari.


“Unë ndjej detyrimin për të shprehur keqardhjen më të madhe familjeve të atyre të cilët janë vrarë dhe plagosur dhe qytetarëve të Dubrovnikut për dhimbjen dhe dëmet e shkaktuara nga njësia që unë drejtoja”.


Prokurorët fillimisht kanë lëshuar një akuzë ndaj Jokiq në shkurt të vitit 2001, duke e akuzuar atë se ka kryer shkelje gjatë një periudhe tre mujore në vitin 1991. Akuza është bërë publike tetë muaj më vonë, në tetor 2001.


Vetëm një muaj më pas, Jokiq është dorëzuar vullnetarisht në gjykatë – një tjetër faktor që gjykatësit thonë se ka ndikuar.


Në shkurt 2002, Jokiq ka fituar lirinë e përkohëshme. Ai thuhet se është sjellë mirë nga ajo kohë deri në seancën e tanishme, një tjetër arësye që gjykatësit kanë përmendur për dënimin e lehtë ndaj tij.


Ndër arësyet e tjera të përmendura janë mosha e tij – Jokiq është 69 vjec – fakti që ai është i martuar me fëmijë, dhe se ai ka vepruar si një oficer shumë njerëzor dhe professional në flotën jugosllave.


Gjykata ka thënë gjithashtu se pranimi i fajësisë ka ndihmuar në përcaktimin e së vërtetës rreth asaj që ka ndodhur në Dubrovnik, e cila mund të shtojë mundësinë e pajtimit në ish Jugosllavi. Së fundi, gjykatësit kanë theksuar pranimin e Jokiq sepse kështu kanë shmangur një proces të gjatë gjyqësor – duke i kursyer gjykatës kohë dhe fonde.


I vetmi faktor rëndues për Jokiq ka qenë pozicioni i tij drejtues.


Jokiq është një ndër katër të akuzuarit për bombardimin e Dubrovnikut. Të tjerët – gjithashtu ish oficerë të ushtrisë jugosllave – janë kapiten Vladimir Kovaceviq, admirali Milan Zec dhe gjenerali Pavle Strugar.


Kovaceviq, i cili vuan nga një sëmundje psikiatrike, është konsideruar i paaftë për tu gjykuar ndërsa akuza ndaj Zec është tërhequr në qershor 2002 për shkak të mungesës së provave. Vetëm Strugar, i cili nuk e ka pranuar akuzën, është në process gjyqësor. Jokiq do të dëshmojë kundër tij më vonë këtë muaj.


Rachel S. Taylor është zëvendës drejtore e programit të IWPR në Hagë.


Balkans
Support our journalists