PARTIA E KOSHTUNICES E FAVORIZUAR PER TE FITUAR ZGJEDHJET
Nëse Partia Demokratike e Serbisë fiton zgjedhjet, ajo me siguri do te vazhdojë reformat e qeverisë, por do të duhet të shmangë mosmarrëveshjet politike me partnerët e koalicionit.
PARTIA E KOSHTUNICES E FAVORIZUAR PER TE FITUAR ZGJEDHJET
Nëse Partia Demokratike e Serbisë fiton zgjedhjet, ajo me siguri do te vazhdojë reformat e qeverisë, por do të duhet të shmangë mosmarrëveshjet politike me partnerët e koalicionit.
Analistët thonë se qeveria e cila do të krijohet pas zgjedhjeve të ardhëshme parlamentare në Serbi me siguri do të vazhdojë reformat ekonomike dhe institucionale.
Por koalicioni i cili po ravijëzohet ndërmjet Partisë Demokratike të Serbisë, DSS, dhe G17 Plus mund të rrezikohet nga mosmarrëveshjet mbi shkëputjen e mundëshme të Malit të Zi nga bashkimi me Serbinë, dhe bashkëpunimi me gjykatën e Hagës.
Shumë analistë parashikojnë që partia e cila do të fitojë më tepër vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë Partia Radikale Serbe, SRS, një parti nacionaliste ekstreme, kryetari i së cilës, Vojisllav Sheshelj ndodhet momentalisht në gjykatën e Hagës ku po përballet me akuza për krime lufte.
Por meqënëse asnjë parti nuk do të bashkëpunojë me radikalët, DSS – partia e ish kryeministrit Vojisllav Koshtunica – duket se do të caktohet për të krijuar qeverinë e re.
Zërat sipas të cilave DSS do ti drejtohet G17 Plus, partisë së reformatorëve të ekonomisë, janë konfirmuar më 21 Dhjetor, kur partia ka njoftuar se ajo ndoshta do të kërkonte krijimin e një koalicioni me grupimin e ekonomistëve. G17 Plus është përgjigjur pozitivisht, duke thënë se një marrëveshje mund të arrihej nëse përmbusheshin disa kushte.
DSS, platforma zgjedhore e së cilës përqëndrohet në luftën ndaj korrupsionit dhe promovimin e forcës së ligjit, dhe partia G17 Plus, e cila i kushton më tepër vëmendje reformave ekonomike, me siguri që do të bashkëpunojnë në këto fusha. Por ato kanë qëndrime të kundërta për sa i përket dy cështjeve kryesore – bashkimin me Malin e Zi dhe dorëzimin e të dyshuarve për krime lufte në gjykatën e Hagës – të cilat mund të shkaktojnë mosmarrëveshje të thella.
Srdjan Bogosavljeviq, drejtor i agjensisë së anketimeve publike, Marketing Strategjik, mendon që DSS do të marrë vetëm rreth 60 vende, ndërsa G17 Plus dhe Partia Demokratike e moderuar, DS, do të marrin së bashku rreth 80 vende në parlamentin e ri.
Bazuar në një anketim të kryer më 9 dhjetor, Bogosavljeviq mendon se SRS do të fitojë rreth 75 vende. Por meqënëse asnjë nga partitë e mëdha nuk po tregon ndonjë shenjë se është e gatëshme të hyjë në një koalicion me SRS, vështirë të mendosh se partia do të arrijë të sigurojë 126 vendet e nevojëshme për të krijuar një qeveri.
G17 Plus dhe DSS kanë qëndrime të ngjashme për cështjet ekonomike, dhe të dyja mbështesin uljen e taksave dhe privatizimin e mëtejshëm, si edhe theksojnë nevojën për të tërhequr invetime të huaja. Ato gjithashtu pranojnë nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë në Serbi.
Të dyja partitë, megjithatë, kanë një ndryshim për sa i përket rëndësisë që i japin reformave ekonomike dhe institucionale.
DSS, e drejtuar nga profesori i drejtësisë Koshtunica, i kushton rëndësi kryesisht vendosjes së ligjit, dhe zyrtari i lartë i partisë Dushan Iliq ka thënë për IWPR se prioriteti i partisë së tij do të jetë të vërë rregull në sistemin e drejtësisë dhe polici. “Ne do të përqëndrojmë vëmendjen tonë në institucionet në të cilat kanë ndodhur shumë shkelje dhe skandale, si për shembull në gjykatat tregtare,” ka thënë ai.
G17 Plus, nga ana tjetër, e cila është krijuar nga një grup reformatorësh dhe ka në rradhët e saj një numër ekspertësh të njohur në arenën ndërkombëtare, e konsideron ekonominë si cështjen më të rëndësishme.
Redaktori i revistës Ekonomist me qendër në Beograd, Mijat Lakiceviq, mendon se G17 Plus dhe DSS do të bashkëpunojnë në aspektet më të rëndësishme të reformës ekonomike dhe thotë se ato mund të ndajnë postet ministrore sipas cështjeve që janë më të rëndësishme për secilën parti.
“Unë mendoj se DSS dhe G17 do të vazhdojnë privatizimin. Ky është celësi i reformave – cdo gjë tjetër është më pak e rëndësishme,” ka thënë ai për IWPR. “Nëse DSS dhe G17 do të krijonin një qeveri dhe nëse ato do të jenë të gatëshme të ndajnë përgjegjësitë dhe kompetencat, mendoj se reformat në përgjithësi do të vazhdojnë. Nëse G17 do të merrte postet ministrore të cilat kanë të bëjnë me ekonominë dhe DSS ato ligjore dhe të policisë, mendoj se mund të ishte një kombinim i mirë”.
Por ndërsa dy partitë më të mëdha janë pothuajse në një mendje mbi këto cështje të rëndësishme, ato kanë mosmarrëveshje të mëdha rreth disa cështjeve të tjera – bashkëpunimi me gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës, është vecanërisht një cështje tepër e nxehtë. G17 Plus mendon se Beogradi duhet të përmbushë detyrimet e tij ndaj Hagës. “Nuk do të ketë kalkulime këtu. Nëse ne kemi marrë përsipër këto detyrime, duhet ti zbatojmë ato me një inisiativë diplomatike edhe më intensive,” ka thënë nënkryetari i saj Goran Paunoviq.
DSS në të kaluarën ka shprehur kundërshtime të hapura ndaj gjykatës së Hagës, megjithëse kohët e fundit e ka zbutur qëndrimin kundër. Iliq ka thënë se DSS është e gatëshme të punojë bazuar mbi legjislacionin e tanishëm për bashkëpunimin me gjykatën. Burime të afërta me partinë kanë thënë për IWPR se ajo mund të kërkojë një marrëveshje ku individët e akuzuar përpara miratimit të ligjit në vitin 2002 të ekstradohen, ndërsa pjesa tjetër të gjykohen nga gjykatat serbe.
E ardhmja e bashkimit Serbi dhe Mali i Zi është gjithashtu një burim mosmarrëveshjesh. Koshtunica e sheh me sy të mirë bashkimin, duke thënë se serbët dhe malazezët kanë lidhje të forta dhe një histori të përbashkët, dhe duke sugjeruar se një shkëputje e Malit të Zi do të nxiste edhe më tepër Kosovën për të kërkuar pavarësinë – dicka që ai e kundërshton me forcë.
Anëtarët e G17, nga ana tjetër, thonë se bashkimi me Malin e Zi po pengon integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Harmonizimi i sistemeve doganore dhe të taksave të të dy republikave, dhe rregullat e tjera, sipas tyre, do të jenë në disavantazh të Serbisë.
Në cdo mosmarrëveshje në gjirin e kabinetit për cështje të diskutueshme si këto, do të ndikojnë shumë partitë e vogla të cilat do të duhet të futen në koalicion për të siguruar vendet e mjaftueshme në parlament për të krijuar një qeveri.
Partnerë të mundëshëm janë koalicioni Së Bashku për Tolerancë, i cili përbëhet nga partitë e pakicave si Partia Demokratike e Muslimanëve të Sanxhakut, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës, e drejtuar nga Jozsef Kasza, dhe Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës e drejtuar nga Nenad Canak. Aleanca pro monarkiste Së Bashku për Serbinë, e përbërë nga Lëvizja për Rimëkëmbjen Serbe, e Vuk Drashkoviq, SPO, dhe partia Serbia e Re e Velimir Iliq, janë gjithashtu kandidate të mundëshme për hyrje në koalicion.
Analistët parashikojnë që të dyja koalicionet mund të fitojnë më tepër se kufiri prej pesë përqind i votave të nevojëshme për të fituar vende në parlament.
SPO dhe disa parti të pakicave mbështesin bashkëpunimin me gjykatën. Por të gjitha këto parti janë përkrah Koshtunicës kur bëhet fjalë për qëndrimin e Malit të Zi në bashkimin me Serbinë.
Më në fund, ekziston edhe një mundësi e vogël që koalicioni qeveritar mund të përfshijë edhe Partinë Demokratike, DS. Për momentin kjo duket disi e vështirë sepse DSS – e cila e konsideron DS si një rivale dhe kundërshtare të vjetër – deri më tani ka përjashtuar cdo mundësi për bashkëpunim.
Por analistët në Beograd thonë se marrëveshja qeveritare DSS – G17 Plus e cila duket se po merr formë mund të ftojë edhe DS – nën presion nga komuniteti ndërkombëtar, i cili ka mbështetur planet e reformave të DS ndërsa kjo e fundit ka qenë në qeveri si pjesë e koalicionit të Opozitës Demokratike të Serbisë.
Për drejtuesit e DSS kjo marreveshje mund të jetë dicka më e lehtë për shkak të faktit se kryetari i DS është një njeri me të cilin mund të punohet. Tadiq, i cili tani është ministër i mbrojtjes i Serbisë dhe Malit të Zi, nuk është dëmtuar personalisht nga skandalet e korrupsionit të cilat kanë prishur imazhin e partisë së tij dhe qeverisë. Analistët thonë se ai as nuk ka qenë i përfshirë në mosmarrëveshje publike me DSS ose me G17 Plus.
Daniel Sunter është një ndihmës redactor i IWPR në Beograd.