Shtohet Kriminaliteti në Kosovë

Zyrtarët ndërkombëtarë duken të pafuqishëm për të ndaluar rritjen e madhe të kriminalitetit.

Shtohet Kriminaliteti në Kosovë

Zyrtarët ndërkombëtarë duken të pafuqishëm për të ndaluar rritjen e madhe të kriminalitetit.

Këtë muaj, banditë të maskuar kanë ndaluar një autobus me tregtarë të cilët ishin nisur nga Prizreni për në Turqi për të blerë mall. Rrëmbyesit kanë marrë një shumë prej rreth 200,000 marka Gjermane, flori, zbukurime floriri dhe sende të tjera të vyera.


Kjo është diçka e zakonëshme. Në Kosovë banditët kanë shumë punë. Njerëz të armatosur, dhe me maska hyjnë shpesh nëpër shtëpitë e Shqiptarëve të Kosovës dhe u marrin paratë duke i kërcënuar me vdekje. Vjedhja, kriminaliteti dhe armëmbajtja pa leje janë në rritje.


Por ka edhe një shenjë të mirë. Shkalla e vrasjeve është ulur ndjeshëm gjatë 18 muajve të kaluar që prej mbërritjes së trupave të KFOR-it në fund të vitit 1999.


Raportet vjetore të të pesë zonave të KFOR-it si edhe ato të policisë së UNMIK-ut, të botuar në fillim të vitit, thonë se vjedhja, kërcënimi dhe rrëmbimi janë rritur 70 përqind krahasuar me vitin e kaluar.


Por këto statistika tregojnë edhe rënien e vrasjeve. Që prej 1 Korrikut të vitit 1999, kur mbërritën forcat shumëkombëshe, në Kosovë janë vrarë 636 njerëz, nga të cilët 288 kanë qenë Shqiptarë, 218 Serbë, dhe 130 nga pakica të tjera.


Gjatë 1999 ka pasur mesatarisht 20 të vrarë në javë. Gjatë vitit 2000 kjo shifër ëëhtë dhjetë herë më e vogël. Arësyet kryesore për këtë janë zbehja e atmosferës së luftës dhe pakësimi i vrasjeve me motive politike.


Që prej përfundimit të luftës janë dënuar rreth 1,200 njerëz për krime të kryera në Kosovë, megjithëse kjo shifër përbën vetëm 40$ të krimeve të kryera.


Rritja e kriminalitetit ka disa arësye. Shumë njerëz fajësojnë kryesisht varfërinë e madhe në Kosovë. Vetëm pak fabrika janë vënë në punë, papunësia është rreth 80 përqind dhe askush nuk merr një pension. Paga mesatare mujore e atyre që punojnë është rreth 200 marka Gjermane, me të cilat mund të blihet vetëm bukë, qumësht dhe sheqer për një familje prej katër anëtarë.


Në Kosovë, një kilogram bukë kushton gjysëm marke Gjermane, po aq sa në vendet Perëndimore ku paga mesatare mund të jetë ndoshta dhjetë herë më e lartë.


Kosova ka nevojë për investime për të filluar prodhimin," thotë një sipërmarrës vendas."Kjo po bëhet shumë ngadalë, sepse zyrtarët e OKB-së nuk janë të qartë rreth privatizimit të ekonomisë. Është më e lehtë për ta të mos bëjnë asgjë."


Një arësye për rritjen e kriminalitetit është edhe fluksi i kriminelëve Shqiptarë të deportuar nga vendet Perëndimore. Avionë të mbushur me Shqiptarë të prangosur ulen shpesh në Kosovë pa njoftuar dhe ata lihen të lirë që në aeroport.


Disa nga këta njerëz përpiqen të kthehen në jetën normale, disa përpiqen të kthehen ilegalisht në vendet nga ku janë dëbuar dhe disa të tjerë fillojnë aktivitetin kriminal në Kosovë. Askush nuk e di se sa është numri i këtyre të kthyerve, por ama është e sigurtë se një pjesë të madhe të statistikave të krimit e përbëjnë ata.


Kriminelët ndihmoen nga fakti se rendi dhe ligji në Kosovë ruhet nga policë të huaj, rreth 4,000, të cilët kanë pak njohje të gjuhës, kulturës, terrenit dhe mënyrës së funksionimit të komunitetit.


Zgjidhja është rekrutimi i një numri më të madh policësh vendas të trajnuar. Për momentin, rreth 3,500 kadetë të policisë po stërviten në shkollën e policisë në Vuçitern. Numri i tyre do të rritet në 7,000 këtë vit. Pas trajnimit, policët Kosovarë do të marrin më shumë pushtet nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut dhe së shpejti do të kenë edhe shërbimet e tyre sekrete të përbërë nga njerëz të cilët njohin ambjentin dhe njerëzit.


Derisa të stërviten policë të tjerë, krimi do të vazhdojë të rritet. Kjo është konfirmuar edhe nga zëvendës shefi i njësisë speciale të policisë në Prishtinë, Dominik Pim, i cili ka mbërritur këtu shtatë muaj më parë nga Anglia. "Policët Kosovarë janë të gatshëm dhe kanë dëshirën të përballen me situatat e vështira dhe kjo është më e rëndësishmja, por që ata të bëhen policë të vërtetë, duhet të punojnë të paktën dy vjet me ne," thotë ai.


Një faktor i rëndësishëm në rritjen e kriminalitetit është edhe përhapja e madhe e armëve. Megjtihëse Ushtria Clirimtare e Kosovës, ka dorëzuar pjesën më të madhe të armatimit të saj, trupat ushtarake dhe policia ndërkombëtare konfiskojnë armë çdo ditë.


Shqiptarët e Kosovës janë armatosur kryesisht gjatë të ashtuquajturit "revolucion demokratik" në vitin 1997 në shqipëri, kur Socialistët e Fatos Nanos rrëzuan presidentin Sali berisha. Në atë kohë, më shumë se një milion armë u grabitën nga depot e ushtrisë në Shqipëri. Shumë prej tyre kanë mbërritur në Kosovë. Forcat ushtarake ndërkombëtare dhe UNMIK kanë zbuluar dhe konfiskuar katër bunkerë të mëdhenj të mbushur me armë dhe municion Shqiptar.


Ushtria dhe policia Serbe, përpara dhe pas tërheqjes së tyre nga Kosova në përfundim të konfliktit me NATO-n, ka furnizuar me armë Serbët që kanë qëndruar në Ksovë. Serbët në pjesën veriore të Mitrovicës, në veri të Kosovës, protestojnë ashpër për konfiskimin e armëve nga KFOR-i.


Ushtarë dhe policë të forcës ndërkombëtare janë plagosur dhe disa njësi janë detyruar të tërhiqen nga veriu i Kosovës.


Çarmatimi i plotë i Kosovës duket praktikisht i pamundur, për shkak të numrit të madh të armëve të kontrolluara nga forcat Serbe të cilat janë vendosur në Serbinë jugore pas nënshkrimit të Marrëveshjes Ushtarake të Kumanovës e cila i dha fund luftës në Qershor të vitit 1999.


Gjatë drejtimit të ish presidentit Sllobodan Millosheviç, këto armë janë futur në Kosovë nëpërmjet kanaleve sekrete, së bashku me instruktorë. KFOR ka arrestuar disa oficerë të lartë të policisë Serbe për të cilët po përgatitet gjyqi. Që prej ardhjes në pushtet të autoriteteve të reja në Serbi, drejtuesit Shqiptarë thonë se nuk ka prova për vazhdimin e këtyre aktiviteteve. Ata thonë se po e vëzhgojnë me shumë kujdes situatën.


Në të njëjtën kohë, Shqiptarë të armatosur të cilët i përkasin "Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit" veprojnë në brezin kufitar me Kosovën, në Serbinë jugore. Burime të mirëinformuara thonë se ata armatosen kryesisht në Kosovë, por edhe duke blerë armë të ushtrisë dhe policisë Serbe në tregun e zi. Ka zëra se një automatik "Kalashnikov" shitet 1,000 marka Gjermane.


Nmjerëzit e thjeshtë shpresojnë vetëm në prezencën e trupave të KFOR-it. Kolonel Hankam, komandant i batalionit Finlandez të KFOR-it në komunën e Lipjanit deh Shtimes, u ka thënë qytetarëve: "Mos mendoni se KFOR nuk është në rrugë, në mes të trafikut, në fshat, kur ju nuk i shihni xhipat dhe makinat e tyre të blinduara."


Nehat Islami është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Albania, Turkey, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists