Zagrebi Nuk i Përgjigjet Thirrjeve Nacionaliste

Nacionalistët Kroatë kanë pësuar një goditje të rëndë ndërsa protestat e tyre në mbarë vendin duket se janë dobësuar

Zagrebi Nuk i Përgjigjet Thirrjeve Nacionaliste

Nacionalistët Kroatë kanë pësuar një goditje të rëndë ndërsa protestat e tyre në mbarë vendin duket se janë dobësuar

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Friday, 16 February, 2001

Një pjesëmarrje çuditërisht e ulët në një protestë të nacionalistëve në mbështetje të një ish gjenerali të ushtrisë Kroate të kërkuar për krime lufte i ka lënë organizatorët shumë të zhgënjyer të Enjten.


Deklarimet se mbi 200,000 njerëz do të merrnin pjesë në këtë protestë kanë qenë tepër të ekzagjeruara kur në fakt kanë marrë pjesë vetëm rreth 5,000 demonstrues, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë të sjellë me autobusë nga provincat, të cilët janë mbledhur përpara ndërtesës së parlamentit në sheshin Shën Mark.


Një demonstratë e organizuar në Split më 11 Shkurt ka tërhequr 100,000 njerëz, duke shkaktuar shqetësimin se një pjesëmarrje e tillë e madhe edhe në mitingun e zhvilluar në kryeqytetin Kroat do të dobësonte apo edhe do të shpërbënte fare koalicionin qeveritar prej gjashtë partish.


Por banorët e Zagrebit kanë injoruar thirrjet nacionaliste për të marrë pjesë në këtë miting, duke preferuar ta ndjekin atë nga larg. Ndjenja e përbashkët ndërmjet tyre duket të ketë qenë se "me këta njerëz ne nuk do të shkojmë kurrë në Europë!".


Gjenerali në pension Mirko Norac është shpallur person në kërkim nga policia Kroate për shkak të dyshimit për krime lufte ndaj civilëve Serbë në vitin 1991 në Gospiç. Protestuesit kanë kërkuar që qeveria të aprovojë një ligjpër dhënien e amnistisë të gjithë ushtarave Kroatë dhe për ndalimin e hetimeve mbi veprimet e tyre gjatë së ashtuquajturës "Lufta për Atdheun" e vitit 1991-1995.


"Nëse ata nuk miratojnë këtë ligj ne do të organizojmë një miting mbarëkombëtar dhe do të vazhdojmë rrugën tonë deri në fund," ka thënë Tomislav Mercep, një nga kordinatorët e protestës. Edhe Mercep është i përfshirë në çështjen e krimeve të luftës, sepse njësitë që ai ka komanduar gjatë luftës dyshohet të kenë kryer krime në Pakracka Poljana në vitin 1991.


Drazhen Budisha, drejtues i Partisë Social Liberale Kroate, HSLS, dhe partneri kryesor i koalicionit të kryeministrit Ivica Raçan, ka thënë në parlament: "Pranimi i këtyre qëndrimeve dhe ligje të tilla do ta vinin Kroacinë në një pozicion tepër të rrezikshëm dhe do të kërcënonin të ardhmen e vendit."


Analistët politikë i kanë interpretuar komentet e Budishës si një shenjë të qartë se koalicioni qeveritar mund ta përballojë stuhinë nacionaliste.


HSLS është një nga partitë më nacionaliste pjesëmarrëse në koalicion. Dhe me 24 deputetët e saj në parlament, ajo është partia e dytë pas asaj Social Demokrate të Raçanit. E Djathta Kroate ka qenë optimiste se presioni për çështjen Norac mund ta detyronte këtë parti të largohej nga koalicioni qeveritar.


Ndërsa demonstruesit hidhnin parrulla në mitingun e Zagrebit, Ivica Pasaliq, drejtues i lobit të fuqishëm të ashtuquajtur të Herzegovinës dhe një ish këshilltar i ngushtë i ish presidentit Franjo Tugjman, u ka bërë thirrje deputetëve të kërkojnë faljen e Noracit. Pasaliq, një nga organizatorët kryesorë të protestave të fundit, ka thënë se një hap i tillë do të ulte tensionin në Kroaci.


Por deputetët e koalicionit qeveritar e kanë hedhur poshtë me forcë fjalimin e Pasaliqit. "Të pranosh këtë propozim do të thoshte që më pas norac të gjykohet në Hagë," ka thënë një anëtar i SDP-së, duke lënë të kuptohet kështu se ekziston një marrëveshje me gjykatën për gjykimin e disa ish gjeneralëve në Kroaci.


Gjatë vizitës së saj në Zagreb, kryeprokurorja e gjykatës së Hagës Karla Del Ponte mendohet të ketë pranuar zhvillimin e disa gjyqeve në Kroaci, si një mënyrë për të zbutur zemërimin e nacionalistëve në rast se qeveria do të detyrohej të ekstradonte në Hagë "heronj" ushtarak Kroatë të një niveli të lartë.


Partia më e madhe e opozitës, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, ka qëndruar në plan të dytë në mitingun e Zagrebit. Drejtuesit e partisë nuk kanë mbajtur fjalime siç kanë bërë në Split. Mëgjithatë, HDZ-ja mendohet të jetë forca kryesore pas organizimit të protestave.


Presidenti Kroat Stipe Mesiq ka thënë se HDZ-ja po e përdor çështjen e Noracit si një pretekst për të kërkuar zgjedhje të reja dhe për të dëmtuar shtetin.


"Të gjithë kriminelët duhet të përballen me drejtësinë; shtëpitë e tyre, firmat dhe sendet personale janë të gjitha rrjedhim i veprimeve kriminale," ka thënë Mesiq, duke iu referuar ish drejtuesve të HDZ-së, shumë prej të cilëve janë nën hetim për korrupsion dhe veprime kriminale.


Drejtuesit e HDZ-së e kanë tqqartë se refuzimi i bashkëpunimit me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë apo mos dënimi i kriminelëve të dyshuar për krime lufte do të rezultonte në izolimin ndërkombëtar të Kroacisë.


Analistët dyshojnë se HDZ-ja, duke shkaktuar mosmarrëveshje të shpeshta, po bën të pamundurën për të mos lejuar qeverinë të merret me çështjet tepër të rëndësishme si papunësia, rimëkëmbja ekonomike dhe rritja e nivelit të keq të jetesës.


HDZ-ja ka organizuar bllokime rruge në Dalmaci, rajoni kryesor turistik i Kroacisë. Kjo taktikë ka dëmtuar qeverinë, por ka pasur edhe pasoja serioze ekonomike për të gjithë vendin.


Disa analistë mendojnë se HDZ shpreson të shfrytëzojë keqësimin e mëtejshëm të gjendjes sociale për të shtuar kërkesat e saj për zgjedhje të parakohëshme apo edhe për të shtuar përkrahjen për një grusht shteti. Sipas një teorie, protestat për çështjen e Noracit janë organizuar nga e Djathta Kroate për të testuar gjendjen përpara një puçi të mundëshëm në vjeshtë.


Ndërkohë, ende nuk dihet se ku ndodhet Norac. Gazeta e përditëshme pro-nacionaliste Slobodna Dalmacija ka thënë se ai ka qenë në mes të turmës në mitingun e Splitit. Një gazetë tjetër ka thënë se ai është fshehur në një manastir në Herzegovinë, një zonë e banuar krysisht nga Kroatët në Bosnje. Banorët e Herzegovinës janë përkrahës të flaktë të kauzës nacionaliste Kroate.


Ndërkohë, Norac, ka paraqitur katër kushte pas plotësimit të së cilave ai ka thënë se mund të paraqitet përpara gjykatës. Me ndihmën e një ndërmjetësi, ai ka thënë se ai kërkonte një siguri të fortë; një garanci se nuk do të dërgohej në Hagë; që dëshmitarët e akuzës të pyeteshin përsëri në gjykatë, dhe që ish kolegu i tij paraushtarak Caniq të lirohet nga burgu.


Caniq është gjithashtu i akuzuar për pjesëmarrje në vrasjet në Gospiç dhe është i arrestuar në kuadër të hetimit të gjykatës së Rijekës.


Mesiq ka thënë për televizionin Kroat më 15 Shkurt se gjenerali që është zhdukurkishte kërkuar nëpërmjet një ndërmjetësi të takohej me presidentin si komandanti i tij i përgjithëshëm. Mesiq ka thënë se ai ka pranuar të takohet ditën e Mërkurë, por Norac nuk ishte paraqitur. Sipas burimeve të afërta me ish gjeneralin, ai ka në plan ti kërkojë Mesiqit garantimin e kushteve që ka vendosur.


Presidenti është treguar optimist se ish gjenerali do të dorëzohej së shpejti. "Unë e kam pritur atë dje dhe po e pres edhe sot," ka thënë Mesiq. "Mendoj se pothuajse çdo gjë është vendosur".


Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists