Shqiptarët Nuk Duan të Falin Serbët e Kthyer

Planet për të kthyer refugjatët serbë në Kosovë kanë alarmuar fqinjët e tyre të dikurshëm shqiptarë.

Shqiptarët Nuk Duan të Falin Serbët e Kthyer

Planet për të kthyer refugjatët serbë në Kosovë kanë alarmuar fqinjët e tyre të dikurshëm shqiptarë.

Në një mengjes të bukur të diele, tetë paqeruajtës spanjollë që theken në djell janë e vetmja shenjë jete në rrënojat e fshatit serb Osojane, në Kosovën perëndimore. Ata ruajnë atë që ka mbetur nga një kishë ortodokse, e shkatërruar përveç kryqit të saj prej bakri i cili akoma qëndron lart. Osojane është e shkatërruar.


"Ne e gjetëm kështu fshatin kur erdhëm katër muaj më parë. Shqiptarët që e kanë shkatërruar ende kthehen për të marrë tulla nga ndërtesat e rrënuara," thotë toger Ovehero. "Shqiptarët dhe serbët e urrejnë njëri tjetrin, por kemi dëgjuar se serbët do të kthehen."


Ushtarët spanjollë janë pjesë e një misioni paqeruajtës, por kur ata kanë mbërritur këtu nuk kishte se çfarë paqe të ruanin. Fshatarët serbë ishin larguar menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë dhe po në këtë moment filluan edhe sulmet hakmarrëse. Shtëpitë u plaçkitën dhe u dogjën, ndërsa kishat u hodhën në erë. Fshati ka qenë i pa banuar që kur kanë mbërritur spanjollët.


"Në ndryshim nga Bosnja ku kam qenë dy herë me mision, këtu nuk ka konflikt dhe nuk ka shumë probleme," thotë toger Ovehero, duke fshehur me mundim keqardhjen e tij që ka kaluar katër muaj duke ruajtur një kishë të shkatërruar në një fshat të vdekur - një mision shumë i mërzitshëm. Njësia e tij prej shtatë ushtarësh do të kthehet së shpejti në Spanjë dhe do të zëvendësohet nga një tjetër - ndërsa misioni i këtyre të fundit nuk do të jetë aspak i mërzitshëm, sepse ata do të duhet të mbrojnë prej shqiptarëve serbët që kthehen.


Osojane është zgjedhur si një vend prove për kthimin e disa prej mijëra serbëve që janë larguar nga Kosova vitin e kaluar. Projekti po mbështetet nga amerikanët që kanë dhuruar 5 milion dollarë për rindërtimin e Osojanes, e cila do të vendoset nën mbrojtjen e trupave spanjolle të KFOR-it.


Lajmi i kthimit të serbëve në këtë zonë të varfër të Kosovës perëndimore i ka gjetur të papërgatitur shqiptarët në fshatin fqinjë Krlice. Deri sa serbët u larguan pothuajse një vit më parë ky ishte një ndër fshatrat e paktë të përzier të Kosovës. Sot ende janë të gjalla kujtimet e ngjarjeve të përgjakshme e frika se ato mund të përsëriten përsëri.


Fondet amerikane do të përdoren edhe për të ndërtuar një rrugë që do t'u lejojë hyrje të sigurtë serbëve në fshatin e tyre. Ekziston një rrugë e asfaltuar që lidh fshatrat e Osojanes dhe Krlices. "E vetmja gjë e mirë që kemi patur nga serbët ka qenë kjo rrugë që Sllobo [presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq] ndërtoi për ata, por vitin e kaluar ajo u kthye në një tmerr për ne," thotë Metaj, një fshatar nga Krlice.


"Ata vinin nga ajo rrugë, edhe banorët e Osojanes të veshur me rroba ushtarake. Përpara se të largohesha nga shtëpia ime i pashë që po drejtoheshin për në Izbica. Ka njerëz që i kanë parë me sytë e tyre që kanë marrë pjesë në masakrat e bëra atje. Mendon se ata do të harrojnë nëse ata kriminelë kthehen përsëri? A e kuptojnë të huajt këtu këtë gjë?", pyet ai.


Disa javë më parë Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka pranuar idenë e një kthimi të organizuar të serbëve në Kosovë, mesa duket në përgjigje të presionit të vazhdueshëm nga ana e udhëheqësve të moderuar dhe atyre ekstremistë të serbëve në Kosovë. Një komitet i përbashkët për kthimin e sigurtë të serbëve u krijua në fillim të muajit maj me pjesëmarrjen e drejtuesit serb të moderuar peshkopit Artemije, drejtuesit të UNMIK-ut Bernar Kushner, komandantit të KFOR-it gjeneral Huan Ortuno dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Të gjithë e kanë të qartë rrezikun që bart një kthim i paorganizuar mirë.


"Ne të gjithë përkrahim kthimin e serbëve," ka thënë Kushner duke njoftuar krijimin e komitetit. "Ne kemi nevojë për kthimin e tyre, por, ju lutem, jo si një burim për një problem të ri."


Ekspertët e kthimit të refugjatëve kanë dyshime rreth planeve për Osojane. "Ne nuk duam që njerëzit të kthehen në enklava ku banorët janë të armatosur," paralajmëron i dërguari special i UNHCR-së Denis Meknamara. Ai është një nga kritikët kryesorë të këtyre projekteve në qytetin e trazuar të Mitrovicës, i cili është bërë arenë e përleshjeve të shpeshta. Meknamara mendon se mund të jenë pjekur kushtet për kthimin e refugjatëve romë, por jo të serbëve. "Nëse do të promovohet kthimi, atëherë duhet folur më parë me komunitetet pritëse dhe drejtuesit e tyre," thotë ai.


Në Krlice komuniteti pritës nuk duket shumë i gatshëm për të mirëpritur kthimin e fqinjëve të dikurshëm. "Nuk do të ketë paqe në këtë luginë nëse kthehen serbët. Të vetmit serbë të mirë në këtë zonë ishin të vdekurit. A do të guxojnë ata të kthehen? Klintoni duhet t'i marrë ata në Amerikë dhe jo t'i sjellë këtu," thotë Qerim Metaj, duke dredhur një cigare të lirë përpara shtëpisë së tij të shkatërruar.


Si një provë të përgjithshme UNMIK do të fillojë së shpejti kthimin e 30,000 romëve, ashkalijave dhe egjiptianëve me pëlqimin e drejtuesve politikë shqiptarë.


Por mbetet për t'u parë se si do të shkojë kthimi i serbëve në Osojane. "Unë nuk dëshiroj që KFOR-i të vijë në derën time nëse vritet ndonjë serb në Osojane," thotë Qerimi duke tundur kokën. "Izbica është këtu pranë dhe plagët janë akoma të hapura atje. Unë mund t'i harroj ato, por shko dhe pyet njerëzit atje nëse do të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë."


Albana Kasapi është gazetare shqiptare që punon në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists