Beogradi i Kthen Krahët Aleatëve Grekë
Marrëdhëniet e Serbisë me aleaten e fundit të saj në Europë janë përkeqësuar.
Beogradi i Kthen Krahët Aleatëve Grekë
Marrëdhëniet e Serbisë me aleaten e fundit të saj në Europë janë përkeqësuar.
Deri para pak kohësh qeveria serbe e konsideronte Greqinë si miken e saj më të madhe dhe ndoshta të vetmen në Ballkan. Por tani duket se gjërat kanë ndryshuar dhe Sllobodan Millosheviq ka filluar të shajë edhe Athinën.
Vetëm pak përpara një vizite zyrtare të ministrit të jashtëm të Greqisë në Beograd, homologu i tij jugosllav Zhivadin Jovanoviq ka sulmuar ashpër Athinën. Ministri kritikoi qeverinë greke se ajo ka organizuar takime me organizata të opozitës serbe dhe nuk ka pranuar të ftojë delegacione jugosllave në konferencat ndërkombëtare të organizuara në Greqi.
Jovanoviq i ka bërë thirrje Athinës të largohet nga "influenca e NATO-s" dhe i ka kërkuar qeverisë greke të bëjë "shumë më tepër me qëllim që të arrihet heqja e sanksioneve ndaj Republikës Federative të Jugosllavisë."
Ky shpërthim i zemëruar ka koinciduar me ndalimin nga ana e Beogradit të një avioni të shoqërisë greke Olympic Airways, i cili fluturonte në linjën Athinë-New York, për të kaluar mbi hapësirën ajrore të Jugosllavisë. Me këtë avion fluturonte kryeministri grek Kostas Simitis dhe delegacioni i tij, të cilët shkonin për të marrë pjesë në Takimin e Mijëvjeçarit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Avioni u detyrua të ndryshonte drejtim duke fluturuar mbi hapësirën ajrore italiane.
Burime politike të nivelit të lartë në kryeqytetin serb mendojnë se regjimi i Millosheviqit po humbet perceptimin e realitetit dhe po përpiqet të "mbajë leksione" për vendet e tjera se si të ndjekin shembullin e Beogradit në luftën kundër "Rendit të Ri Botëror".
"Deklaratat e Jovanoviqit janë krejtësisht të pabesueshme dhe tregojnë shkallën tragjike të moskuptimit nga ana e Beogradit të marrëdhënieve ndërkombëtare," ka thënë një burim i rëndësishëm në ministrinë e jashtme jugosllave. "Është tragji-komike t'i kërkosh Greqisë, një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, të kundërshtojë vendimet e këtyre organizatave me qëllim që të ruajë bashkëpunimin me një regjim, i cili është në grahmat e fundit të jetës.
"Zyrtarët jugosllavë thjesht nuk mund të pranojnë faktin që Athina konsideron NATO-n dhe BE-në më të rëndësishëm se sa miqësinë e saj me Millosheviqin."
Pavarësisht nga ofendimi i Beogradit, ministri i jashtëm grek Jorgo Papandreu shkoi në Beograd më 7 shtator për të shprehur shqetësimin e BE-së rreth zgjedhjeve në Jugosllavi.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tij me Jovanoviq, Papandreu i bëri thirrje qeverisë jugosllave të sigurojë që zgjedhjet do të mbahen në paqe dhe të jenë të ndershme. Ai shtoi se Greqia dhe komuniteti ndërkombëtar do të monitorojnë këto zgjedhje me kujdes. Këto komente nuk janë përfshirë në njoftimet e medias shtetërore serbe.
Sipas medias zyrtare, marrëdhëniet dypalëshe dhe situata rajonale kanë qenë temat kryesore të bisedimeve. Më pas Millosheviq ka thënë se Athina kundërshton çdo formë presioni ndaj Beogradit.
Megjithatë gjatë vizitës së tij ministri i jashtëm grek u takua me kandidatin presidencial të opozitës Vojislav Kostunica dhe aktivistë të lëvizjes studentore Otpor, një hap ky i cili shkaktoi fërkime edhe më të mëdha ndërmjet Athinës dhe Beogradit.
Papandreu i cilësoi bisedimet me Kostunican si shumë konstruktive. Rivali i Millosheviqit, ka thënë ministri, "e sheh të ardhmen e RFJ-së në Europë".
Por katër aktivistë të Otporit të ftuar në pritjen në ambasadën greke në Beograd u arrestuan nga policë me rroba civile sapo mbërritën tek dera e ambasadës. Vetëm pasi Papandreu u ka telefonuar personalisht Millosheviqit dhe Jovanoviqit të katër aktivistët u liruan.
Megjithëse aktivistët e Otporit më në fund u takuan me diplomatët grekë, media në Athinë e ka interpretuar incidentin si një goditje të rëndë ndaj marrëdhënieve ndërmjet dy qeverive. Gazeta e përditshme greke Ta Nea e ka përshkruar arrestimin e aktivistëve të Otporit si një provokim të paprecedent diplomatik.
Ndërkohë Jovanoviq ka falenderuar Greqinë për përkrahjen e saj humanitare dhe morale gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. Por ai gjithashtu tha se zgjedhjet e 24 shtatorit janë një "çështje e brendshme".
"Shtypi grek reagoi me forcë ndaj deklaratave të Jovanoviqit, duke theksuar se zgjedhjet e lira nuk janë një 'çështje e brendëshme', por guri i themelit të demokracisë europiane."
Burime nga ministria e brendshme jugosllave thonë se Beogradi nuk është shumë i shqetësuar për erërat e ftohta që fryjnë tani nga Athina.
Fushata e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 ka shkaktuar protesta të mëdha në Greqi. Këto protesta dhe sasitë e mëdha të ndihmave të dhuruara nga grekët kanë konfirmuar, sipas medias serbe të asaj kohe, "miqësinë tradicionale ndërmjet dy kombeve".
Miqësia tani është dëmtuar. Millosheviq tani ka drejtuar vëmendjen nga "miqësitë e reja" me shtete të tjera autoritare të ngjashme me Serbinë - Korea e Veriut, Kuba, Iraku, Libia dhe Kina.
Istvan Molnar është pseudonimi i një gazetari serb.