KOMENT: ASNJË ZGJIDHJE E AFËRT

Ka pak shpresa që konflikti i ashpër 13 vjeçar në Moldavi me rajonin me popullsi sllave i cili dëshiron të shkëputet, të mund të zgjidhet së shpejti.

KOMENT: ASNJË ZGJIDHJE E AFËRT

Ka pak shpresa që konflikti i ashpër 13 vjeçar në Moldavi me rajonin me popullsi sllave i cili dëshiron të shkëputet, të mund të zgjidhet së shpejti.

Monday, 21 February, 2005

Republika e Moldavisë, një shtet i vogël i vendosur ndërmjet Rumanisë dhe Ukrainës, e ka pasur shumë të vështirë të përballojë pavarësinë që ka fituar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.


Që prej asaj kohe, Moldavia është shndërruar nga “hambari dhe vendi i prodhimit të verës” në ish superfuqinë sovjetike në shtetin më të varfër të Evropës, ku 80 përqind e popullsisë prej 4.4 milion banorë jetojnë nën nivelin e varfërisë.


Përveç problemeve me korrupsionin dhe aktiviteteve kriminale si trafiku i qenieve njerëzore, BE e shikon Moldavinë me shqetësim edhe për faktin se qeveria nuk ka nën kontroll mbi 11 përqind të territorit të vendit prej pothuajse 14 vjetësh.


Republika e shkëputur e Transdniestrit, një rrip toke në bregun lindor të lumit Dniestër pranë kufirit zyrtar të Moldavisë me Ukrainën, ka shpallur pavarësinë nga ish republika sovjetike në vitin 1990 dhe që prej asaj kohe është një territor separatist.


Rreth 1,600 trupa ruse dhe 20,000 ton armatime – të cilat kanë qenë pjesë e armatës së 14 sovjetike – veprojnë si forcë e sigurisë dhe policore në Transdniestër, rajon i cili ka ruajtur lidhjet e tij të ngushta me Moskën.


Asnjë qeveri apo ambasadë e huaj nuk e njeh pavarësinë e rajonit, i cili tani është bërë i njohur si një vend i sigurtë për trafikantët e qenieve njerëzore, armëve dhe drogave përmes kufinjve shpesh të pakontrolluar mirë të ish republikave sovjetike.


Përpara Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e asaj që tani është shteti i Moldavisë ka qenë pjesë e Rumanisë, por më pas ky territor i është aneksuar Bashkimit Sovjetik.


Në fund të viteve tetëdhjetë, popullsia në shumicë ruse dhe ukrainase në lindje të lumit Dniestër – të cilët tradicionalisht kanë pasur lidhje më të ngushta me Moskën se sa me kryeqytetin e Moldavisë, Kishinev – kanë qenë të shqetësuar se qeveria qendrore kërkonte që republika të ribashkohej me Rumaninë.


Miratimi i një ligji i cili ka caktuar moldavishten – një gjuhë praktikisht identike me rumanishten – si gjuhë zyrtare shtetërore në vitin 1989 ka intensifikuar më tepër këtë frikë. Zyrtarët rusisht folës në bregun tjetër të Dniestrit për rrjedhim kanë vendosur të krijojnë administratën e tyre në qytetin e Tiraspol dhe kanë shpallur pavarësinë e kësaj zone.


Një konflikt i shkurtër por i përgjakshëm ka pasuar në vitin 1992, duke shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në gjashtë muaj, përpara se të ndërhynin trupat ruse të cilat i kanë dhënë fund luftimeve.


Dymbëdhjetë vjet më pas, ka mendime shumë të ndryshme mbi shkakun e këtyre problemeve – duke lënë pak shpresë se gjendja mund të normalizohet dhe vendi mund të ribashkohet.


Zëvendës ministri moldav për ribashkimin, Victor Postolache, ka thënë se “Konflikti ka nisur për shkak të dëshirës së një grupi ish zyrtarësh sovjetik për të mbajtur nën kontroll Transdniestrin, një rajon i cili duhet të përdoret si një portë daljeje në drejtim të rajonit të Ballkanit”.


Ilie Ilascu, një ish i burgosur politik i cili ka vuajtur një dënim me nëntë vjet burgim në Tiraspol pas konfliktit, e pranon këtë vlerësim. “Interesat gjeopolitike të Rusisë kanë qenë i vetmi burim i luftës në këtë rajon,” ka thënë ai për IWPR.


Por politikanë dhe analistët nga ana tjetër i kundërshtojnë këto vlerësime, duke ngulur këmbë se dëshira e Moldavisë për tu ribashkuar me Rumaninë nuk u ka lënë atyre shumë mundësi zgjedhjeje, përveç mbrojtjes me anë të forcës të interesave të komunitetit rusisht folës.


Grigory Volovoi, një ish politikan në Transdniestër i cili tani punon si gazetar, ka thënë se “Ragimi fillestar i drejtuesve tanë për miratimin e përdorimit të gjuhës moldave në vitin 1989 ka qenë një kërkesë për ndryshimin e këti vendimi, dhe kur kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhër, ata kanë ngulur këmbë për krijimin e një zone të lirë ekonomike në rajon.


“Pasi janë refuzuar këto kërkesa dhe u bënë disa kërcënime, është organizuar një referendum për pavarësinë e rajonit dhe është krijuar një farë shteti”.


Pesë vjet pasi republika e shkëputur ka deklaruar pavarësinë e saj – dhe pas ndërmjetësimit të fuqishëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, me përfshirjen e Rusisë dhe Ukrainës – Kishinevi dhe Tiraspoli më në fund kanë arritur një “memorandum mirëkuptimi”, i cili garantonte një farë autonomie për rajonin.


Kjo është pasuar nga një marrëveshje e nënshkruar gjatë një takimi të OSBE-së në Stamboll në vitin 1999, gjatë të cilit Rusia ka pranuar ti japë fund prezencës së saj ushtarake në rajon deri në fund të vitit 2002. Ende edhe sot nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare për afatet kohore të kësaj tërheqjeje, megjithëse OSBE ka caktuar një fond prej 30 milion dollarë amerikan për financimin e këtij procesi.


Ndërkohë, planet për të vendosur një forcë paqeruajtëse të OSBE-së në rajon nuk janë pranuar nga Tiraspol. “Nëse ndërmerret një hap i tillë, ai do të çonte në një shpërthim të ri konflikti – përfshirë një konflikt të armatosur,” ka paralajmëruar pak kohë më parë zëvendës ministri i sigurisë së Transdniestrit, Oleg Gudymo.


Shpresat për arritjen e një zgjidhjeje paqësore janë shtuar në nëntor të vitit 2003, pas një propozimi të përgatitur nga Moska i cili parashikonte shndërrimin e Moldavisë në një federatë në të cilën Transdniestër do të ruante organizmat e tij drejtuese dhe legjislative, përfshirë kontrollin mbi buxhetin dhe politikën fiskale, dhe do të kishte gjuhën e tij.


Presidenti moldav, Vladimir Voronin, pasi ka dhënë fillimisht një mendim pozitiv për propozimin, e ka kundërshtuar atë pas kundërshtimeve të mëdha në Kishinev, ndaj asaj që shihej si një plan për të dëmtuar sovranitetin e shtetit.


Ideja e federalizmit shihet me dyshim edhe në republikën e shkëputur.


“Shumica e njerëzve këtu janë krejtësisht kundër çdo lloj bashkimi federal me Moldavinë, por ata e kuptojnë edhe se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy palëve është ende i nevojëshëm,” thotë Sergey Ilchenko, kryeredaktor i së përditëshmes Dnestrovsky Kurier.


Grigory Marakutsa, kryetar i parlamentit të Transdnestrit, ka thënë se zyrtarët lokal po diskutojnë ende për ndërtimin e një shteti të përbashkët, në përputhje me dëshirat e komunitetit ndërkombëtar. “Por gjithnjë e më tepër zëra këtu po thonë se këto bisedime janë të panevojëshme sepse shumë shpejt do të jetë e mundur krijimi i një shteti krejtësisht të pavarur jashtë Moldavisë,” ka thënë ai gjatë një konference për shtyp.


Komiteti i punëve të jashtëme të republikës ka njoftuar më parë këtë muaj se një referendum i ri – ku qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin ndërmjet vazhdimit të bisedimeve me Moldavinë për federalizimin, apo konsolidimin e statusit të pavarur – ka filluar të planifikohet, megjithëse nuk është përmendur se kur mund të organizohet ky referendum.


Vëzhguesit të cilët i njohin kushtet në Transdniestër dyshojnë që një referendum i tillë mund të jetë i besueshëm.


“Atje nuk ka një qeveri të zgjedhur demokratikisht dhe ata të cilët dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre politike kanë frikë, sepse disidentët ndiqen nga policia politike,” ka thënë një gazetar rusisht folës, i cili ka folur për IWPR në kushte anonimiteti.


Përgjatë lumit në pjesë të tjera të vendit, ku pjesa më e madhe e popullsisë janë me origjinë moldave, ideja e Transdniestrit të pavarur është e papranueshme.


Stefan Jurja, një ish ushtar i cili ka marrë pjesë në luftimet gjatë konfliktit të vitit 1992, thotë se “Njerëzit në Transdniestër duhet ti ndalojnë politikat agresive dhe veprimet e jashtëligjëshme. Për fat të keq, kam frikë se Rusia në fund të fundit do të arrijë synimin e saj, atë të Transdniestrit të pavarur”.


Marrëdhëniet ndërmjet Kishinevit dhe Tiraspolit janë keqësuar edhe më tepër në verën e vitit 2004 pas vendimit të Transdniestrit për të mbyllur shkollat dhe kopshtet të cilat mësojnë gjuhën moldave me alfabetin latin. Transdniestri ka ruajtur alfabetin cirilik të përdorur që në periudhën e ish Bashkimit Sovjetik i cili ka pasur për qëllim të krijojë dallim me rumanishten, ndërsa Moldavia e ka ndryshuar duke përdorur gërmat latine.


Mbyllja e shkollave ka zemëruar komunitetin ndërkombëtar, i cili e ka dënuar këtë vendim si “spastrim gjuhësor”.


Kjo mosmarrëveshje përgjithësisht nuk ka shqetësuar një pjesë të madhe të popullsisë e cila ka shumë probleme dhe shqetësime të tjera.


“Shumë qytetarë nuk kanë asnjë mendim për këtë konflikt për shkak të varfërisë,” thotë Oazu Nantoi nga Instituti për Politika Publike në Kishinev. “Ata në rradhë të parë shohin nevojat e tyre urgjente ekonomike dhe personale, dhe më pas problemet e vendit”.


“Një anketim i kohëve të fundit i ka pyetur moldavët se si e shikojnë mundësinë e federalizimit të vendit, dhe 80 përqind e të anketuarve janë përgjigjur se ata nuk kanë asnjë dijeni për këtë dhe nuk kishin ndonjë mendim”.


Në këto kushte, analistët mendojnë se e vetmja zgjidhje e mundëshme do të jetë vazhdimi i një dialogu ndërmjet Kishinevit dhe Tiraspolit, nën mbikqyrjen e komunitetit ndërkombëtar.


“Rusia, Ukraina, BE dhe Shtetet e Bashkuara duhet të gjejnë një qëndrim të përbashkët për çështjen e federalizimit të Moldavisë, dhe të organizojnë një takim ndërmjet drejtuesve të Moldavisë dhe Transdniestrit me qëllim që të tejkalohet kriza politike,” ka thënë Andrei Safonov, një analist politik në Transdniestër. “Nuk ka zgjidhje tjetër nëse duam që Moldavia të bëhet një shtet i qëndrueshëm dhe i pasur në kufinjtë e BE-së”.


presidenti moldav Vladimir Voronin mbetet i vendosur, por pranon se çdo zgjidhje e këtij konflikti të vjetër dhe të dëmshëm do të varet në fund të fundit nga komuniteti ndërkombëtar – veçanërisht nga Moska.


“Rregjimi në Transdniestër është dhe do të mbetet një kukull e drejtuar nga Rusia dhe Ukraina,” ka thënë Voronin kohët e fundit. “Por unë nuk do të lejojë kurrë që ky rajon – një strofkë e madhe e korrupsionit dhe ekonomisë informale – të shkëputet”.


Frontline Updates
Support local journalists