Skip to main content

MITROVICA E NDARE KUNDERSHTON PLANIN PER BASHKIM

Shqiptarët dhe serbët janë në një mëndje për një gjë – që plani më i fundit i BE nuk do të ketë sukses

MITROVICA E NDARE KUNDERSHTON PLANIN PER BASHKIM

Shqiptarët dhe serbët janë në një mëndje për një gjë – që plani më i fundit i BE nuk do të ketë sukses

“Duhet të hiqni targat e Kosovës nëse dëshironi të shkoni me makinën tuaj në Mitrovicën e veriut,” thotë një officer i policisë ndërkombëtare ekipit të IEPR. “Eshtë e rrezikëshme të shkosh në pjesën veriore me ato targa, edhe policia mund të mos jetë në gjendje t’ju mbrojë”.


Pesë vjet pasi Mitrovica është ndarë në pjesët serbe dhe shqiptare, qyteti mbetet i thellësisht i ndarë, dhe inisiativa më e fundit e BE për të zgjidhur problemin duket se nuk ka shumë përkrahje.


Gjatë një vizite në Prishtinë më 24 janar, Javier Solana, përfaqësuesi i BE për politikën e jashtëme, ka premtuar një zgjidhje të shpejtë. “Shumë punë po bëhet për të zgjidhur cështjen e Mitrovicës,” ka thënë ai. “Unë mendoj se kjo cështje do të zgjidhet përpara mesit të vitit 2005”.


Por banorët vendas nuk janë kaq të sigurtë. Megjithëse pikat e kontrollit ushtarak janë hequr dhe UNMIK thotë se institucionet e tij funksionojnë në pjesën veriore, as popullsia lokale dhe as përfaqësuesit e tyre politik nuk kanë shumë besim tek plani ndërkombëtar.


Plani më i ri, i përgatitur nga Inisiativa Europiane për Stabilitet, një organizëm këshillimor i BE, propozon krijimin e dy bashkive të ndara në Mitrovicë me kusht që pronat të cilat i takojnë njerëzve të zhvendosur nga secila palë tu kthehen pronarëve të tyre të ligjshëm.


Mbështetësit e këtij plani shpresojnë që të dyja palët do të fillojnë më në fund të vendosin lidhje të reja nëpërmjet tregtisë.


Por megjithëse plani i BE duket se do të miratohet si strategji zyrtare e UNMIK, asnjë prej komuniteteve në Mitrovicë nuk po tregohet entuziast për të. Duke qenë grupi më i madh etnik, shqiptarëve nuk u pëlqen ideja e një ndarjeje zyrtare, sepse ata do të dominonin Mitrovicën e bashkuar.


Serbët janë më të gatshëm të pranojnë ndarjen e qytetit, por më pak të gatshëm të rikthejnë pronat të cilat u përkasin shqiptarëve të zhvendosur.


“UNMIK duhet ta bashkojë veriun dhe jugun në një bashki të vetme,” thotë për IEPR, Mustafa Plana, kryetari shqiptar i bashkisë për pjesën jugore të Mitrovicës.


Serbët lokal nuk janë entuziast për planin. Shumë prej tyre nuk kanë dëshirë të kthehen në shtëpitë e tyre të vjetra në jug dhe dëshirojnë që kufiri i tanishëm të mos ndryshojë.


“Unë nuk do të kthehem kurrë,” ka thënë Svetislav Galjak, një inxhinier nga gjysma jugore i cili ka jetuar në veri që prej qershorit të vitit 1999, kur mijëra serbë të Kosovës u larguan nga shtëpitë e tyre pas sulmeve ajrore të NATO-s.


“Unë do ta shisja apartamentin nëse e marr ndonjëherë”.


Që prej vitit 1999, kur forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova, lumi Ibër është shndërruar në një kufi të ri të në Kosovë, duke ndarë qytetin por edhe territorin në dy zona të ndryshme etnike – veriu i lidhur me Serbinë dhe jugu me pjesën tjetër të Kosovës.


Veriu nuk e ka pranuar asnjëherë administratën e UNMIK dhe vazhdon të jetë nën kontrollin e Serbisë. Me spitalin dhe universitetin e tij, pjesa veriore e Mitrovicës është shndërruar në të vetmen qendër urbane të serbëve që kanë mbetur në Kosovë.


Pavarësisht vendosmërisë së UNMIK për të krijuar institucionet e tij në pjesën veriore, organizmat e financuara nga Serbia vazhdojnë të veprojnë si më parë. Prezenca e policisë apo gjykatave të UNMIK është simbolike dhe njerëzit nuk janë të kënaqur me ata.


Ndërsa shqiptarët vendas kanë frikë se lumi Ibër po shndërrohet në një kufi të ri, gjendja e tanishme e gjërave është një provë për serbët se ata ende ekzistojnë në Kosovë. Kjo gjithashtu i jep qeverisë serbe një zë në vendosjen e së ardhmes së Kosovës.


“Shumë njerëz në Beograd, Prishtinë dhe në komunitetin ndërkombëtar e shohin Mitrovicën si një lojë politike,” thotë për IEPR, Gerald Knaus, drejtor i ESI. “Ne po përpiqemi të shpëtojmë një qytet industrial i cili po vdes”.


Shifrat më të fundit tregojnë se Mitrovica ka humbur 20 përqind të popullsisë së saj që prej regjistrimit të fundit në vitin 1981. Papunësia është në nivel të lartë.


Sipas Musa Mustafës, korrespondent i gazetës në gjuhën shqipe Koha Ditore, i cili ka jetuar më parë në pjesën veriore të kontrolluar nga serbët, banorët të cilët kërkojnë më tepër mundësi po largohen nga qyteti.


“Njerëzit e shkolluar po largohen për në Beograd dhe Prishtinë dhe po e lënë qytetin të vdesë,” ka thënë ai për IEPR.


Që prej vitit 1999, të dyja palët janë bërë pothuajse dy shoqëri krejtësisht të ndryshme. Në anën jugore të Mitrovicës, shqiptarët kanë ndërtuar shtëpi disa katëshe dhe restorante, pjesa më e madhe e tyre pa leje ndërtimi dhe me para të sjella nga të afërmit të cilët jetojnë jashtë vendit.


Në veri të sheh syri kryesisht kioska dhe dyqane të vogla, në të cilat njerëzit të cilët dikur punonin në kompleksin e minierave të Trepces mundohen të sigurojnë jetesën duke shitur mallra të përdorura.


Qeveria serbe paguan për të mbajtur serbët në këtë qytet, duke dhënë punonjësve të shkollave dhe spitaleve dyfishin e rrogës që do të përfitonin nëse do të punonin në Serbi. Njerëzit gjithashtu fitojnë para edhe duke dhënë me qera apartamentet për zyrtarët e huaj.


Megjithëse paratë që vijnë nga jashtë dikur do të pakësohen, dhe të dyja komunitetet vuajnë pasojat e kësaj jetese të ndarë, asnjëra palë nuk është e gatëshme për kompromis.


Të dyja palët thonë se do të ndërmarrin hapin e parë, por akuzojnë palën tjetër se nuk është e gatëshme të bëjë të njëjtën gjë.


“Pjesa më e madhe e planit të ri është e pranueshme për serbët – por shqiptarët nuk do të pranojnë,” ka thënë për IEPR Oliver Ivanoviq, një deputet serb nga Mitrovica në parlamentin e Kosovës.


“Plani i BE nuk do të ketë sukses pasi serbët nuk janë të interesuar,” thotë Musa Mustafa.


Por, Mustafa ka frikë së më në fund shqiptarët e Mitrovicës mund të detyrohen të pranojnë ndarjen e qytetit si dicka të përherëshme, dhe si pjesë e cmimit që duhet paguar për pavarësinë e mundëshme të Kosovës nga Serbia.


“Njerëzit e kuptojnë se qyteti praktikisht është ndarë në dy pjesë dhe se kjo nuk mund të ndryshohet më,” thotë ai.


Tanja Matiq është koordinatore e IEPR në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists