Disjet Sekrete Të Kroacisë
Djali i Franjo Tuxhmanit është i implikuar në zhdukjen e dokumentave tepër të rëndësishëm që hedhin dritë mbi marrëveshjet sekrete të babait të tij dhe Sllobodan Millosheviqit.
Disjet Sekrete Të Kroacisë
Djali i Franjo Tuxhmanit është i implikuar në zhdukjen e dokumentave tepër të rëndësishëm që hedhin dritë mbi marrëveshjet sekrete të babait të tij dhe Sllobodan Millosheviqit.
Përpjekjet për të provuar zërat rreth marrëdhënieve të fshehta ndërmjet presidentit të fundit kroat Franjo Tuxhman dhe presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq kanë pësuar një goditje nga zhdukja e dokumentave të rëndësishëm nga arkivat zyrtare.
Në atë që po cilësohet si "Uotergeit i Kroacisë", një sasi dokumentash dhe shiritash thuhet të jenë zhdukur pas ndryshimit të fundit të pushtetit në Kroaci.
Sipas shtypit kroat, personi përgjegjës për këtë është Miroslav Tuxhman, djali më i madh i ish presidentit, i cili në regjimin e vjetër, ka qenë edhe kryetar i shërbimeve sekrete të Kroacisë.
Zyrtarisht, Miroslav Tuxhman dha dorëheqjen në shenjë proteste pasi presidenti i ri kroat, Stipe Mesiq, i ka thënë një gazetari francez një shaka duke fyer babain e tij. Praktikisht dorëheqja e Tuxhmanit i ka kursyer Mesiqit aktin e shkarkimit të tij.
Pas largimit të Tuxhmanit, shtypi kroat ka hedhur dyshime se rreth 70 kilogramë dokumenta nga dosjet më të rëndësishme, të cilat mund të kompromentonin apo inkriminonin babain e tij, janë zhdukur.
Sipas së përjavëshmes Nacional, e cila ka qenë ndër të parat media që ka hetuar rreth policisë sekrete të Tuxhmanit, dokumentat e zhdukura - të gjitha tepër sekrete - kanë të bëjnë me operacionet e fshehta kroate në Bosnje dhe Herzegovinë, si edhe me diskutimet dhe marrëveshjet ndërmjet Tuxhmanit dhe Millosheviqit rreth ndarjes së republikës.
Një pjesë e këtyre materialeve të zhdukura thuhet të jenë thollësira të bisedimeve sekrete ndërmjet Tuxhmanit dhe Dario Kordiq, komandant i atëhershëm i Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO) në Bosnje dhe tani një ndër personat e akuzuar dhe që pret gjykimin nga Gjykata e Hagës.
Mendohet se këto dokumenta shpalosin shkallën e vërtetë në të cilën Tuxhman, i cili sipas Gjykatës së Hagës ishte nën hetim për krime lufte në kohën kur vdiq, ka qenë i përfshirë dhe përgjegjës për luftën e Bosnjes.
Ka mundësi që pjesët më të rëndësishme të dokumentave që mungojnë të jenë bisedat e ndryshme ndërmjet Tuxhmanit dhe Millosheviqit.
Nenad Canak, një drejtues i opozitës serbe i cili ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri kroat më 18 shkurt në Zagreb, tha se Mesiq i kishte premtuar se ai do të publikonte dosjet e bisedimeve ndërmjet Tuxhmanit dhe Millosheviqit rreth diskutimit të kufinjve të Bosnjes dhe edhe hartat që tregonin ndarjen e propozuar. Një hap i tillë do të ndihmonte hetimet e Gjykatës së Hagës ndaj presidentit jugosllav.
Canak thotë se Mesiq i kishte thënë atij se edhe gjatë luftimeve më të ashpra serbo-kroate gjatë rrethimit të Vukovarit në vitin 1991, të dërguarit e Millosheviqit dhe Tuxhmanit, Smilja Avramov dhe Hrvoje Sariniq, janë takuar për të diskutuar ndarjen e Bosnjes, duke përcaktuar kufinjtë e rinj në hartë.
Miroslav Tuxhman, i cili ka qenë drejtues i shërbimeve sekrete kroate gjatë pjesës më të madhe të kohës që babai ka qenë president, hedh poshtë se ai është i përfshirë në zhdukjen e dokumentave dhe thotë se provat e paraqitura nga shtypi janë fabrikuar. Megjithatë ai nuk ka lënë të kuptohet se do të hedhë në gjyq Nacional apo gazetarin që ka botuar këtë histori, gjë të cilën babai i tij, motra e tij Nevenka dhe vëllai i tij më i vogël bënin zakonisht më parë kur shkrime të tilla botoheshin nëpër gazeta.
Pasuesi i Miroslav Tuxhmanit, Ozren Zunec akoma nuk ka bërë publike thollësi rreth shërbimeve sekrete, por ka premtuar që të publikojë faktet në të ardhmen. Ndërkohë, ministri i ri i brendëshëm Sime Lucin ka konfirmuar se dokumenta sekrete janë zhdukur nga arkivat, pa thënë se cilat prej tyre.
Lucin ka deklaruar gjithashtu se ai ka trashëguar 95,000 dosje për qytetarët kroatë nga paraardhësi i tij Ivan Peniq, ministër i brendshëm për një kohë të gjatë në kohën e Tuxhmanit. Duket se qeveria e mëparëshme e HDZ-së ka mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm aktivitetet e të gjithë politikanëve të opozitës, intelektualëve të pavarur, gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Kur ka qenë gjallë, Tuxhman e ka shprehur qartë se ai konsideronte çdo njeri me mendime të ndryshme nga të tijat si një armik të shtetit. Në fakt, në fjalimet e tij ai ka thënë shpesh se 15 përqind e armiqve të Kroacisë janë qytetarë të saj. Ata qytetarë të cilët dëshirojnë të shohin dosjet e tyre, tani do të kenë mundësi për ta bërë një gjë të tillë.
Drago Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR në Osijek.