RRËZOHEN AKUZAT KRYESORE PËR NGJARJET NË SREBRENICË

Janë rrëzuar akuzat ndaj Blagojeviq dhe Jokiq për përfshirjen e tyre në masakër.

RRËZOHEN AKUZAT KRYESORE PËR NGJARJET NË SREBRENICË

Janë rrëzuar akuzat ndaj Blagojeviq dhe Jokiq për përfshirjen e tyre në masakër.

Wednesday, 9 November, 2005

Një javë përpara fillimit të pjesës së mbrojtjes në gjyqin e tyre, ish oficerët serbë të Bosnjes, Vidoje Blagojeviq dhe Dragan Jokiq janë shfajësuar papritmas nga rreth gjysma e akuzave të ngritura ndaj tyre në lidhje me pjesëmarrjen në vrasjet massive të muslimanëve të Bosnjes në Srebrenicë në vitin 1995.


Gjykatësit kanë konkluduar më 7 prill se prokurorët nuk kanë arritur të paraqesin prova të mjaftueshme për të provuar përfshirjen personale të oficerëve në planifikimin, nxitjen dhe urdhërimin e një prej krimeve më të tmerrshme në luftën në Bosnje.


Kjo është hera e parë në historinë e gjykatës që të pandehur të përfshirë në masakrën në Srebrenicë janë shpallur të pafajshëm për akuza të përfshirjes së tyre direkte.


Megjithatë, trupi gjykues do të vazhdojë procesin për akuzat e tjera, po aq të rënda: përgjegjësi për drejtimin e trupave të tyre në kryerjen e krimeve në Srebrencië, dhe – në rastin e Blagojeviq – edhe bashkëpunim në genocid. Këto akuza mund të dënohen po aq rëndë sa akuzat e tjera.


Prokurorët ka mundësi të apelojnë vendimin e trupit gjykues javën e ardhëshme.


Blagojeviq dhe Jokiq kanë pasur poste relativisht të larta drejtuese në njësitë e ushtrisë të serbëve të Bosnjes të cilat kanë marrë pjesë në pushtimin e enklavës së Srebrenicës.


Në atë kohë, Blagojeviq ka qenë kolonel dhe ka drejtuar brigadën e Bratunac. Jokiq, i cili ka pasur gradën e majorit, ka qenë drejtues i repartit xhenier në brigadën e këmbësorisë të Zvornik. Një numër ushtarësh nga të dyja njësitë janë përfshirë në disa vrasje të cilat kanë ndodhur pas pushtimit të enklavës si edhe në varrosjen dhe rivarrosjen e trupave të vitktimave.


Prokurorët në gjykatën e Hagës kanë akuzuar Blagojeviq dhe Jokiq se kanë qenë ndër personat përgjegjës personalisht për planifikimin, nxitjen, dhe urdhërimin dhe kryerjen e vrasjeve dhe ekzodit masiv të civilëve të Srebrenicës. Ata janë akuzuar gjithashtu për pjesëmarrjen e vartësve të tyre në këto krime. Blagojeviq është akuzuar edhe për bashkëpunim në genocid.


Por avokatët mbrojtës të të dy të pandehurve kanë kërkuar që pavarësisht nga grada dhe pozicioni që kanë pasur ata dhe faktit që disa nga ushtarët nën urdhërat e tyre janë përfshirë në vrasje, as Blagojeviq dhe as Jokiq nuk kanë marrë pjesë në mënyrë aktive dhe nuk kanë dhënë urdhëra për këto krime, si edhe nuk kanë qenë asnjë herë pjesë e një plani kriminal. Pasi prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave, mbrojtja ka paraqitur një mocion ku ka kërkuar rrëzimin e të gjitha akuzave ndaj klientëve të tyre.


Gjykatësit kanë pranuar të paktën disa prej kërkesave të tye. Ata kanë vendosur që provat e paraqitura nga prokurorët kanë qenë aq të pakta dhe jo bindëse saqë gjysma e akuzave duhet të rrëzohen.


Duke shpjeguar vendimin e tyre për Blagojeviq, ata kanë thënë se “prokurori ka paraqitur shumë pak prova mbi një kontakt direkt ndërmjet të akuzuarit dhe pjesëmarrësve të tjerë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale. Trupi gjykues nuk mendon se prova e pjesëmarrjes në aktivitet kriminal të trupave [nën urdhërat e Blagojeviq] është e mjaftueshme … për të arritur në përfundimin që ai ka qenë një pjesëmarrës në ndërmarrjen e përbashkët kriminale për të vrarë burrat dhe djemtë musliman”.


Megjithatë, kanë shtuar ata, provat e paraqitura deri më tani janë të mjaftueshme që pas përfundimit të gjyqit i pandehuri mund të gjendet “përgjegjës për krimin e bashkëpunimit në vrasje”.


Një vendim i ngjashëm është dhënë edhe për Jokiq, i cili është shpallur gjithashtu i pafajshëm për akuzën se ka urdhëruar “krimet e vrasjes, persekutimit apo zhdukjes së njerëzve”.


Këeto vendime duket se kanë qenë të papritura për prokurorinë, stafi i së cilës javën e kaluar ka studjuar me imtësi vendimin e trupit gjykues në përgatitje për një apel të mundëshëm.


Një argument i mundëshëm për apelin mund të përqëndrohej në mospërputhjen ndërmjet pranimit të trupit gjykues që dy oficerët kanë ndihmuar me vetëdije në zhvillimin e operacionit dhe disa nga trupat e tyre kanë marrë pjesë në aspekte të rëndësishme të ekzekutimeve, dhe mendimit të gjykatësve se të pandehurit nuk kanë pasur paramendim për këto masakra.


Michael Karnavas, avokati mbrojtës i Blagojeviq, është dukur shumë i kënaqur me rezultatin dhe ka vlerësuar gjykatësit se kanë pranuar që klienti i tij nuk ka qenë i përfshirë personalisht. Ai ka kritikuar zyrën e prokurorit, duke thënë se “Akuzat janë ngritur pa kuptuar mirë sistemin e komandimit në rradhët e ushtrisë së serbëve të Bosnjes dhe strukturave të policisë, duke menduar se duke qenë personi drejtues, atëherë do të kishe planifikuar edhe krimet”.


Gjatë gjithë pjesës së parë të gjyqit, Karnavas ka ngulur këmbë që klienti i tij mund të ketë qenë pjesë e makinerisë ushtarake të serbëve të Bosnjes, por asnjëherë nuk ka marrë pjesë në mënyrë aktive në vendimin për të ekzekutuar mijëra burra dhe djem në Srebrenicë.


Karnavas më pas ka bërë një hap tjetër në mbrojtje të klientit të tij, duke thënë se ajo që ka ndodhur në Srebrenicë nuk ka qenë genocid në kuptimin ligjor të fjalës.


“Megjithëse Srebrenica ka qenë një krim i madh, me vrasje massive, varrosje dhe më pas zhvarrosje në përpjekje për të fshehur vrasjet, ajo nuk ka qenë genocid,” ka thënë ai për IWPR. “Nuk përmbush kushtet për tu quajtur genocid”.


Kjo linjë mbrojtjeje jo vetëm që ka një ngjyrim politik, por edhe mund të jetë e pamundur për tu provuar – Radislav Krstiq, zëvendës komandanti i korpusit të Drinas, në të cilin kanë marrë pjesë edhe pjesa më e madhe e forcave serbe të cilat kanë marrë pjesë në vrasjet në Srebrenicë, është dënuar për genocid nga gjykata e Hagës.


Rasti i Krstiq është tani në apel dhe vendimi pritet të jepet javën e ardhëshme. Nëse dhoma e apelit lë në fuqi vendimin fillestar të gjykatësve, ajo që ka ndodhur në Srebrenicë në korrik 1995 do të ishte një rast i provuar juridikisht genocidi.


Në një zhvillim të papritur gjatë seancës së javës së kaluar, Blagojeviq nuk ka treguar ndonjë shenjë gëzimi apo vlerësimi për avokatin i cili ka ndihmuar që ai të clirohet nga akuzat për përfshirje personale në krimin më të rëndë të historisë së luftës në Bosnje. Përkundrazi, ai ka shpërthyer kundër tij, duke thënë se ai “ishte i shqetësuar dhe i mërzitur” nga mënyra se si po përfaqësohej ai dhe se ai kishte frikë për jetën.


Njerëz të brendëshëm në gjykatë kanë thënë se arësyeja që Blagojeviq ka treguar haptazi pakënaqësinë ndaj avokatit të tij është refuzimi i këtij të fundit për të ndarë paratë që ka marrë për mbrojtjen e të pandehurit. Kjo praktikë, ku avokatët mbrojtës të cilët paguhen nga gjykata u japin një përqindje të pandehurve dhe familjeve të tyre është një ndër sekretet e hapura më të sikletëshme për gjykatën.


Në fjalën e tij për trupin gjykues më 7 prill, Blagojeviq ka thënë se avokatët e tij mbrojtës po punonin kundër tij duke e akuzuar padrejtësisht atë për “marrje rrushfeti dhe korrupsion”.


Karnavas është caktuar nga gjykata për të përfaqësuar Blagojeviq – një praktikë e zakonëshme kur i pandehuri nuk ka mjetet e duhura financiare për të sigurur një avokat mbrojtës. Fillimisht, Blagojeviq ka punuar së bashku me avokatët e tij, por më pas është kthyer kundër tyre.


Gjatë vitit të kaluar, Blagojeviq është përpjekur vazhdimisht të zëvendësojë Karnavas. Kërkesat e tij janë rrëzuar më në fund nga dhoma e apelit, e cila ka arritur në përfundimin se ai nuk ka paraqitur “arësye të vlefshme dhe të mjaftueshme”për zëvendësimin e avokatit.


Gjatë seancave të kësaj jave, kryetari i trupit gjykues Liu Danqui ka vlerësuar Karnavas si një “avokat shumë i mirë”. “Ju lutem Z. Blagojeviq, përpiqu të marrësh këshilla nga Z. Karnavas, … ai është shumë professional në këtë fushë,” ka thënë gjykatësi.


Fillimi i pjesës së mbrojtjes në këtë proces është përcaktuar për javën e ardhëshme. Mbrojtja e Blagojeviq ka 11 javë kohë për të paraqitur mbrojtjen, dhe Jokiq gjashtë.


Ana Uzelac është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists