DENIMI I LEHTE I ROJES SE BURGUT SHKAKTON ZEMERIM
Dënimi me tetë vjet burgim për një roje i cili ka vrarë pesë të burgosur shkakton zemërim në rradhët e familjarëve të viktimave.
DENIMI I LEHTE I ROJES SE BURGUT SHKAKTON ZEMERIM
Dënimi me tetë vjet burgim për një roje i cili ka vrarë pesë të burgosur shkakton zemërim në rradhët e familjarëve të viktimave.
Një boshnjak të afërmit e të cilit kanë vdekur në kampin famëkeq të Keraterm në vitin 1992 ka thënë për IWPR se ai është i zemëruar për shkak të dënimit me vetëm tetë vjet burgim të një rojeje serbe në kamp.
Gjykata e Hagës ka dhënë dënimin për Predrag Banoviq, 34 vjec, më 28 tetor pasi ai ka pranuar se ka marrë pjesë në pesë vrasje dhe 27 rrahje në kamp.
Keraterm ka qenë një prej shumë kampeve të ngritura jashtë qytetit boshnjak të Prijedor në vitin 1992. Sipas akuzave ndaj Banoviq dhe rojeve të tjera në qendrën e burgimit “kushtet e jetesës dhe trajtimit kanë qenë të egra dhe të rënda,” dhe “të burgosurit u janë nënshtruar vazhdimisht veprimeve cnjerëzore, ose janë detyruar të shohin veprime të tilla ndaj të burgosurve të tjerë”.
Edin Ramuliq ka thënë për IWPR se babai i tij Uzeir dhe tre nipa janë vrarë atë natë që kanë ndodhur pesë vrasjet e tjera të pranuara nga Banoviq. Dy të afërm të tjerë të burgosur në të njëjtin kamp rezultojnë të zhdukur që atë natë.
“A nuk është ky një krim i madh?” ka thënë ai, duke përmendur vrasjen e katër ose gjashtë anëtarëve të familjes së tij.
Ramuliq është i zemëruar me dënimin me tetë vjet të Banoviq për pesë vrasje. “Ky monstër do të jetë së shpejti i lirë, dhe ky fakt duhet të shqetësojë jo vetëm muslimanët por edhe serbët në Prijedor,” ka thënë ai. “Nuk mund të imagjinoj që ndonjë njeri normal të dojë të ketë një psikopat të tillë në lagjen e tij. A nuk kanë frikë për fëmijët e tyre?”
Ramuliq është mbështetur edhe nga shoqata e viktimave të Prijedor, Izvor.
“Gjykata e Hagës po humbet besueshmërinë,” thuhej në një deklarim nga ky grup. “Ajo nuk do të përmbushë asnjë prej synimeve të saj në këtë mënyrë”.
Duke u sjellë mirë, Banoviq mund të dalë nga burgu duke vuajtur vetëm gjashtë vjet burgim – pra dicka më tepër se një vit burgim për cdo njeri që ka vrarë. Ai tanimë ka kaluar mbi 700 ditë në burgim, kështu që ai mund të dalë nga burgu vetëm pas tre vjetësh.
Banoviq, një ish kamerier, është deklaruar fajtor në qershor për krime kundër njerëzimit pasi ka arritur një marrëveshje me prokurorët. Në shkëmbim të pranimit të fajit për këto krime, prokurorët kanë rrëzuar katër akuza të tjera.
Prokurorët kanë thënë se ata kanë rrëzuar akuzat ndaj vëllait të Banoviq, Nenad për shkak të mungesës së provave.
Predrag Banoviq ka pranuar se ka marrë pjesë në disa nga krimet më të rënda në luftën në Bosnje. Gjatë periudhës që ka shërbyer në Keraterm në vitin 1992, ai ka pranuar abuzimet e vazhdueshme ndaj të burgosurve muslimanë.
Ata janë rrahur, torturuar dhe turpëruar në mënyrë të vazhdueshme. Gjykatësit kanë thënë se ata kanë dëgjuar prova rreth kushteve në Keraterm, ku ushqimi ka qenë i pakët, të burgosurit nuk kishin mundësi të ndërronin veshjet dhe në mënyrë të vazhdueshme ekzekutoheshin, rriheshin bëheshin objekt i lojërave sadiste.
“Trupi gjykues e ka shpallur të pandehurin fajtor për keqtrajtim dhe turpërimin e të burgosurve duke shkelur në mënyrë të përsëritur të drejtat dhe dinjitetin e tyre njerëzor,” ka thënë gjykatësi Patrick Robinson.
Por gjykatësit kanë thënë gjithashtu se Banoviq duhet të vlerësohej për faktin se ka pranuar fajin.
Ata kanë shtuar gjithashtu se ai meritonte mbështetje për faktin që ka treguar pendesë, që nuk ka pasur një të kaluar kriminale dhe që ka një familje. “Trupi gjykues ka marrë para sysh si rrethanë lehtësuese faktin që i pandehuri është i martuar dhe ka një fëmijë,” ka thënë Robinson.
Disa ekspertë ligjor kanë ngritur pikpyetje mbi dënimin, duke thënë se ai është shumë i lehtë. “Gjykata e Hagës nuk ka një politikë të mirëfilltë për dënimet,” ka thënë një avokat i së drejtës ndërkombëtare, duke mos pranuar të identifikohet. “Në Angli, nëse kryen edhe një vrasje të vetme, dënimi është i detyrueshëm – me burgim të përjetshëm”.
Të gjitha palët në gjykatë kanë pranuar dënimin e Banoviq. Mbrojtja dhe prokurorët kanë kërkuar dënim tetë vjet, dhe gjykatësit kanë pranuar.
Në Bosnje, ky dënim pason zhurmën e shkaktuar pas njoftimeve të prokurorëve javën e kaluar se ish presidenti i vendit, Alija Izetbegoviq, kishte qenë nën hetim për krime lufte. Shumë kanë pyetur përse – për shkak se ai tanimë ka vdekur dhe nuk mund të mbrojë veten – një deklaratë e tillë është bërë pa dhënë asnjë provë dhe më tepër informacion.
Nerma Jelaciq është drejtues i projektit të IWPR në Bosnje. Chris Stephen është drejtuesi i projektit të IWPR në Hagë.