Dilema e Gjukanoviqit

Presidenti Malazez Millo Gjukanoviq përballet me një zgjedhje të vështirë nëse do të sigurojë krijimin e një qeverie të shumicës

Dilema e Gjukanoviqit

Presidenti Malazez Millo Gjukanoviq përballet me një zgjedhje të vështirë nëse do të sigurojë krijimin e një qeverie të shumicës

Pavarësisht se ka fituar zgjedhjet e përgjithëshme të 22 Prillit, Presidenti Malazez Millo Gjukanoviq ka humbur një pjesë të madhe të pushtetit që ka pasur gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit.


Blloku i Gjukanoviqit "Fitore për Malin e Zi" ka fituar 42 përqind të votave - dy përqind më tepër sesa rivalët e tyre më të afërt, koalicioni "Së Bashku për Jugosllavinë" - duke marrë kështu 36 nga 77 vende në parlament. Por, megjithatë, kjo nuk i mjafton për të krijuar një qeveri të shumicës.


Si rezultat, presidenti është i detyruar të marrë para sysh krijimin e një koalicioni me kundërshtarët e tij të vjetër politik, Aleanca Liberale, të cilët kanë fituar gjashtë vende tepër të vlefshme në parlamentin e ri. çështja e pavarësisë së Malit të Zi është e vetmja pikë ku të dyja partitë afrohen me njëra tjetrën.


Më 27 Prill, Liberalët janë ofruar të hyjnë në një koalicion nëse referendumi për pavarësinë mbahet brenda një periudhe gjashtë mujore. Duke paraqitur një dokument me gjashtë faqe ku përcaktoheshin kushtet, ajo ka bërë thirrje parlamentit të ri që ai të pranojë në seancën e parë të tij organizimin e një referendumi.


"Afati i fundit për mbajtjen e referendumit duhet të jetë jo më i largët se gjashtë muaj nga dita që parlamenti i Malit të Zi vendos për mbajtjen e tij," thuhej në dokument.


Liberalët kanë kërkuar gjithashtu edhe poste ministrore të rëndësishme, rishikimin e kontratave të dyshimta të privatizimeve dhe taksim proporcional. Drejtuesi i partisë Miodrag Zivkoviq ka thënë se partia e tij ishte e interesuar për postet e zëvendës kryeministrit, ministrit të brendëshëm, ministrit të drejtësisë dhe prokurorit të përgjithëshëm.


Çmimi i kërkuar nga Liberalët mund të jetë tepër i lartë për Gjukanoviqin. Ministria e Brendëshme ka qenë prej kohësh një nga pikat më të forta të mbështetjes për Gjukanoviqin. Presidenti dhe klasa e re e pasur pranë tij mund të prekeshin direkt nga propozimet e Liberalëve.


Menjëherë pas zgjedhjeve, një anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit, DPS, ka thënë se "Koalicioni me Liberalët është një gjë e natyrëshme". Përveç mbështetjes për pavarësinë, ka shumë gjëra që i ndajnë partitë.


Që prej krijimit të saj në vitin 1990, Liberalët kanë qenë një ndër kundërshtarët më të ashpër të Gjukanoviqit dhe partisë së tij.


Edhe për çështjen e pavarësisë, partitë kanë mendime të ndryshme ku Liberalët kërkojnë pavarësinë totale ndërsa presidenti është në favor të një "aleance" të dy shteteve të pavarura me Jugosllavinë.


Duke kërkuar shtyrjen e referendumit për gjashtë muaj, Liberalët kanë treguar se ata e kuptojnë realitetin politik. Blloku pro-Jugosllav ka paralajmëruar tashmë se ai mund të bëjë thirrje për një bojkot të referendumit.


Sipas ligjit, që referendumi të quhet i vlefshëm, mbi 50 përqind e elektoratit duhet të votojë në favor të pavarësisë. Dhe megjithëse blloku pro-pavarësisë në tërësi ka fituar 56 përqind të votave në 22 Prill, kjo nuk përbën 50 përqind të elektoratit.


Rreth 20 përqind e votuesve nuk kanë marrë pjesë fare në votimet e fundit. Një bojkot i partive pro-Jugosllave do ta bënte shumë të vështirë për partitë pro pavarësisë të arrinin një fitore.


Pavarësia e Malit të Zi është një parim bazë që në krijimin e partisë Liberale. Gjatë viteve 1990, partia ka qenë në krye të lëvizjes kundër luftës dhe ka kundërshtuar bashkimin e republikës me Serbinë. Ajo ka kundërshtuar mbështetjen e verbër të qeverisë së Gjukanoviqit për politikat e presidentit të atëhershëm Jugosllav Sllobodan Millosheviq.


Vetëm në vitin 1997 qeveria e Gjukanoviqit i ka kthyer shpinën Millosheviqit. Liberalët, megjithatë kanë vazhduar të sulmojnë presidentin Malazez, duke u kujtuar votuesve çdo ditë periudhën kur Gjukanoviq mbështeste ish drejtuesin Jugosllav, luftërat në të cilat ka marrë pjesë edhe Mali i Zi, dhe sanksionet dhe izolimin ndërkombëtar që pasuan.


Edhe pasi Gjukanoviq filloi të kërkonte pavarësinë e Malit të Zi, Liberalët nuk kanë pranuar të pajtohen me të, duke e akuzuar presidentin se "u ka vjedhur programin". Liberalët kanë akuzuar DPS-në se ka tendenca të stilit të Millosheviqit.


Liberalët janë përqëndruar në problemet kryesore që kanë pllakosur shoqërinë Malazeze gjatë drejtimit të DPS-së - mungesa e transparencës në procesin e privatizimit dhe korrupsioni në rradhët e klasës së re ekonomike, e cila ka grumbulluar pasuri nëpërmjet lidhjeve me qeverinë dhe aparatin e stërmadh policor.


Gjukanoviq është akuzuar se ka ruajtur një monopol të tipit komunist mbi pushtetin në vend që të zbatojë reforma ekonomike, të fusë ekonominë e tregut dhe të demokratizojë republikën.


DPS ka frikë të lëshojë kontrollin mbi policinë Liberalëve, veçanërisht nëse partia e Zhivkoviqit merr edhe postet e tjera të prokurorit të përgjithëshëm gjë e cila do ti lejonte të hetonte mbi marrëveshjet e dyshimta për privatizimin. Këto hetime mund të dëmtojnë rëndë kredibilitetin e DPS-së dhe ndoshta edhe të vetë Gjukanoviqit.


Gjukanoviq dhe DPS përballen kështu me një dilemë të madhe. Duke hyrë në një koalicion me Liberalët, struktura e brendëshme e rregjimit të Gjukanoviqit mund të shpërbëhet. Presidenti duket se po përpiqet të kuptojë se cila mund të jetë prioriteti i Liberalëve - pavarësia apo shkatërrimi i sistemit të tij të qeverisjes.


Megjithëse Liberalët kanë shpallur publikisht propozimet e tyre më 27 Prill, bisedimet me DPS-në nuk kanë filluar ende. Duket se drejtuesit e DPS-së nuk janë të sigurtë për rrugën që duhet të ndjekin.


Nëse koalicioni me Liberalët hidhet poshtë si i papranueshëm dhe me kosto të lartë, atëherë DPS ka dy zgjedhje - të thërrasë zgjedhje të reja ose të bashkohet me bllokun anti-pavarësisë "Së Bashku për Jugosllavinë". Një hap i tillë përkrahet nga Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar, por do të ishte i njëjtë me një tradhëti ndaj atyre që votuan për një parti qartësisht pro pavarësisë më 22 Prill.


Milka Tadiq-Mijoviq është Redaktore e Projektit të IWPR-së dhe redaktore e së përjavëshmes që botohet në Podgoricë, Monitor.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists