Kërcënimi i Ekstremistëve Kroatë

Ekziston frika se Kroacia mund të përfshihet nga dhuna me motive politike, e cila është bërë tashmë rutinë në Jugosllavinë fqinje.

Kërcënimi i Ekstremistëve Kroatë

Ekziston frika se Kroacia mund të përfshihet nga dhuna me motive politike, e cila është bërë tashmë rutinë në Jugosllavinë fqinje.

Friday, 8 September, 2000

Dy javë më parë, vetëm një ditë pasi Milan Levar, një dëshmitar i rëndësishëm i procesit të Hagës, u vra nga shpërthimi i një bombe në kopshtin e shtëpisë së tij, një kërcënim me vdekje mbërriti me faks në zyrën e presidentit kroat Stipe Mesiq.


Faksi u dërgua nga Bashkësia Revolucionare Kroate, CRF, e cila ka deklaruar se do të vrasë presidentin Mesiq me ekploziv. "Imagjinoni që ata më kanë dënuar me vdekje dhe ky vendim hyn në fuqi menjëherë, pa patur të drejtën për të apeluar ndaj vendimit," ka thënë me përbuzje presidenti.


Ashtu si Levar, Mesiq ka dëshmuar në gjykatën e Hagës për krime lufte dy vjetë më parë duke shkaktuar sulme të ashpra nga politikanët e krahut të djathtë. Mesiq është një përkrahës i fortë i dënimit të personave të dyshuar për krime lufte dhe ka kritikuar qeverinë e Zagrebit se nuk ka mundur të ndëshkojë ashpër nacionalistët ekstremistë.


Duke dënuar vrasjen e Levarit, Mesiq ka thënë se koalicioni qeveritar i kryeministrit Ivica Raçan i përbërë nga gjashtë parti duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore për vdekjen e tij për shkak të qëndrimeve të buta ndaj së djathtës ekstreme.


Më herët këtë vit, Raçan kishte pezulluar një hetim të nisur mbi shkatërrimin e një përmendoreje në kujtim të viktimave të ustashëve, fashistëve kroatë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e tij nuk ndërmori asnjë veprim për të ndaluar ngritjen e një statuje në nderim të komandantit ustash Jura Francetiq. Raçan gjithashtu nuk u vuri veshin disa thirrjeve për një grusht shteti nga një grup ekstremistësh nga Vukovari. Dhe nuk ka bërë pothuajse asgjë për të ndaluar kërcënimet e shpeshta ndaj serbëve në këtë zonë.


Levar u vra nga një shpërthim eksplozivi i vendosur në një bombël gazi pranë shtëpisë së tij në Gospiq. Ai kishte folur para hetuesve të gjykatës rreth krimeve të kryera ndaj serbëve në qytet në vitin 1991. Ai gjithashtu kishte dhënë disa intervista në median kroate, në të cilat akuzonte disa figura të rëndësishme ushtarake dhe politike, përfshirë disa nga pjestarët e qeverisë së Raçanit, se kishin organizuar apo fshehur këto krime.


Të paktën 120 civilë, pjesa më e madhe e të cilëve serbë, u vranë në Gospiq. Levar ka deklaruar se gjeneralët Tihomir Oreskoviq dhe Mirko Norac, të dy komandantë të forcave që mbronin qytetin në atë kohë, ishin përgjegjës për këto krime.


Levar gjithashtu ka thënë se Drazhen Budisha, drejtuesi i Partisë Social Liberale Kroate, partneri kryesor i Raçanit, dhe Zdravko Tomac, zëvendës-presidenti i tanishëm i Partisë Social Demokrate të Raçanit, kishin dijeni për këto vrasje. Të afërmit e të vrarëve u kishin kërkuar ndihmë të drejtëpërdrejtë dy politikanëve, ka thënë Levar. Budisha dhe Tomac kanë qenë anëtarë të qeverisë së unitetit kombëtar të asaj kohe të drejtuar nga Tugjman.


Levar ka shërbyer si komandant i forcave speciale gjatë luftës në Kroaci, një fakt i cili e vështirësonte edhe më tepër hedhjen poshtë nga ana e personave të implikuar të fakteve të bëra publike nga ai.


Përmasat e gjakderdhjes në Gospiq e bënë mbulimin e këtyre krimeve tepër të vështirë. Lajmet për këto krime dolën shpejt duke koinciduar me kërkesën e përsëritur të Kroacisë për njohje ndërkombëtare. Pas presionit të fortë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, Tugjman u detyrua të veprojë. Norac u shkarkua nga posti, ndërsa Oreskoviq u arrestua.


Por ndërhyrja e menjëhershme e ministrit të fuqishëm të mbrojtjes të Tugjmanit, Gojko Susak siguroi shumë shpejt lirimin e Oreskoviqit. Susak deklaroi se dënimi i Noracit dhe Oreskoviqit mund të çonte në reblimin e ushtrisë kroate. Të dy këta më pas u graduan me gradën gjeneral.


Vdekja e Levarit ka ardhur në një moment tepër delikat për Kroacinë. Hapat e qeverisë drejt një bashkëpunimi më të ngushtë me Gjykatën e Hagës kanë provokuar një fushatë protestash histerike nga e djathta ekstreme kroate dhe oficerë të lartë të ushtrisë, të cilët e konsiderojnë këtë hap si "kriminalizimi" i "luftës patriotike" të Kroacisë.


Një udhëheqës opolitik i së djathtës, kryetari i Partisë së Re të Djathtë Kroate, Mladen Shvartz, ka thënë: "Partia ime e ka marrë lajmin e vdekjes së Levarit me kënaqësi dhe lehtësim. Ne përshëndesim ushtarët tanë patriotë në Gospiq për veprimin e tyre të guximshëm."


Mendohej se CRF ishte nxjerrë jashtë ligjit në vitin 1991, kur Kroacia fitoi pavarësinë. Ky grup përbëhej nga nacionalistë ekstremë nga komuniteti kroat në mërgim dhe ka qenë aktiv në vitet 1960 dhe 1970. Qeveria komuniste në ish-Jugosllavi e ka dënuar këtë grup si "terrorist".


Kërcënimi me vdekje i Mesiqit tregon se e djathta ekstreme sapo e ka filluar fushatën e saj të dhunës. Disa analistë kanë frikë se Kroacia mund të tronditet së shpejti nga dhuna e motivuar politikisht, e cila është bërë një gjë e zakonshme tashmë në Jugosllavinë fqinje.


Raçan është përgjigjur duke njoftuar për një luftë më të organizuar ndaj dhunës politike dhe kërcënimeve. Pjesa më e madhe e kroatëve duket se e mbështesin një politikë të tillë. Një anketim i publikuar në të përditshmen e Zagrebit, Veçernji List, tregon se 63 përqind e kroatëve mbështesin një ndëshkim të nacionalistëve ekstremë. Pothuajse 52 përqind mendojnë se kroatët duhet të dënohen për krime lufte (29 përqind janë kundër), ndërsa 70.9 përqind mbështesin bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës.


Drago Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Balkans, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists