Plani i Trajkovskit, 'Shansi i Fundit'

Plani i paqes prej pesë pikash i Presidentit Maqedonas Boris Trajkovski shihet si shansi i fundit për të shmangur luftën civile.

Plani i Trajkovskit, 'Shansi i Fundit'

Plani i paqes prej pesë pikash i Presidentit Maqedonas Boris Trajkovski shihet si shansi i fundit për të shmangur luftën civile.

Drejtuesit politik të Maqedonisë dhe zyrtarë Perëndimor kanë mirëpritur një plan prej pesë pikash për paqen të presidentit, Boris Trajkovski.


Drejtuesit e partive kryesore politike të republikës do të takohen në qytetin jugor në buzë të liqenit të Ohrit të Enjten dhe të Premten për të diskutuar reformat politike me synim sigurimin e një paqeje të qëndrueshme.


Shumë njerëz mendojnë se plani i Trajkovskit përbën shansin e fundit për paqen në Maqedoni. Nëse edhe ky plan nuk arrin ti japë fund rebelimit Shqiptar që zgjat prej katër muajsh, atëherë lufta civile është e pashmangëshme. Shkupi tashmë ka filluar të zjejë nga zërat se një kryengritje më e gjerë e Shqiptarëve po përgatitet për këtë fund jave.


Thuhet se zëvendës kryeministri Serb Nebojsha Coviq, koordinator i ekipit Jugosllav i cili arriti marrëveshjen e paqes me luftëtarët Shqiptarë në Preshevë, në jug të Serbisë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në hartimin e propozimit të Trajkovskit.


Plani është diskutuar në një takim në ambasadën Greke në Shkup ku ai ka fituar edhe përkrahjen e të gjithë ambasadorëve Perëndimor, përfshirë edhe përfaqësuesin e NATO-s Hans Jorg Eif.


Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip Reker, ka thënë të Martën se Uashingtoni "ka mirëpritur ngrohtësisht" inisiativën e Trajkovskit, e cila parashikon një amnisti të pjesëshme për Ushtrinë Clirimtare Kombëtare, UCK, dhe përfshirjen e trupave ndërkombëtare në procesin e çarmatimit.


Plani ka pesë faza, të cilat mund të zbatohen brenda 45 ditësh.


Gjatë fazës së parë, e cila tashmë ka filluar, ushtria Maqedonase dhe njësitë policore antitërrorizëm janë vendosur nën një strukturë komanduese të vetme. Deri më tani këto njësi kanë vepruar në mënyrë të veçantë, gjë e cila ka dëmtuar aftësinë e tyre për të zbrapsur me efektivitet veprimet e luftëtarëve. Shpresohet, se një qëndrim më i koordinuar, do të përmirësojë rezultatet dhe do të shmangë viktimat civile.


Këshilltari i sigurimit kombëtar të Trajkovskit, Nikola Dimitrov ka thënë të Martën se njësitë e kombinuara janë organizuar sipas modelit të forcave speciale Jugosllave, të cilat sipas tij, kanë dhënë prova se kanë qenë të suksesëshme nga ana organizative në dhënien fund të krizës në Preshevë.


"Këto njësi nuk janë parashikuar si njësi luftarake," ka thënë Dimitrov. "Detyra e tyre do të jetë të përmbushin misione speciale anti-terroriste".


Faza dy dhe tre parashikon "izolimin e terroristëve". Në rastet kur rrethanat e lejojnë, forcat e sigurimit planifikojnë të rrethojnë dhe bllokojnë fshatrat e kontrolluara nga UCK-ja dhe sapo të kenë kapur pozicionet të deklarojnë një armëpushim të njëanshëm. Strategjia tani po zbatohet rreth Araçinovos, një fshat shumë pranë Shkupit, i cili është marrë nën kontroll nga luftëtarët e UCK-së të Hënën. Pasi të jetë vendosur armëpushimi, forcat Maqedonase do të hapin zjarr vetëm nëse ato sulmohen.


Faza e katërt - çarmatimi i luftëtarëve - është më delikatja dhe ajo për të cilën janë dhënë më pak hollësi. Plani i Trajkovskit përfshin një ofertë nga sekretari i përgjithëshëm i NATO-s Xhorxh Robertson për të vendosur trupa ndërkombëtarë për çarmatosjen e luftëtarëve. Por ende nuk janë përcaktuar hollësitë se si do të kryhet ky proces.


Nëse plani zbatohet, atëherë forcat e NATO-s, pothuajse e sigurtë se do të jenë ato që janë vendosur në Kosovë, do të futen në veprim në Maqedoni pavarësisht faktit që Rezoluta 1244 e OKB-së thotë se KFOR, forca ndërkombëtare paqeruajtëse në Kosovë, nuk ka mandat për të vepruar jashtë provincës.


Trupat ndërkombëtare do të përfshihen në Maqedoni në bazë të Statusit të Marrëveshjes së Forcave në kuadër të Partneritetit për Paqe, marrëveshje të cilën Maqedonia e ka nënshkruar në Nëntor 1995.


Faza finale e planit përfshin rikthimin e forcave të sigurimit Maqedonase në kazerma. Paralel me këtë, Trajkovski do të jepte një amnisti anëtarëve të UCK-së të cilët nuk janë të përfshirë në krime.


Burime të afërta me qeverinë Maqedonase kanë thënë për IËPR-në se Coviq kishte rekomanduar një "amnisti të përgjithëshme" sepse autoritetet do ta kishin të vështirë të përcaktonin se cilët nga anëtarët e UCK-së kanë qenë të përfshhirë në sulme apo krime në territorin e Maqedonisë.


Të Enjten, politikanët kryesorë të Maqedonisë do të mblidhen në Ohër për të përfunduar planin e paqes dhe për të finalizuar një reformë politike të pranueshme për Maqedonasit dhe Shqiptarët.


Nuk ka dyshim që bisedimet do të kryhen edhe për ndryshimin e fjalëve në kushtetutë - një nga kërkesat kryesore të Shqiptarëve. Për momentin, vendi është i përcaktuar si një shtet i Maqedonasve dhe i të tjerëve. Shqiptarët kërkojnë barazi me Maqedonasit.


Statusi i gjuhës Shqipe do të diskutohet gjithashtu si edhe çështjet e rendit dhe ligjit në vend, veçanërisht në lidhje me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Po ashtu do të diskutohen edhe legjislacioni i zgjedhjeve, çështjet e taksave, dhe financimi nga jashtë i grupeve ekstremiste.


Profesor Ljubomir Frckofski, një nga këshilltarët presidencial të përfshirë në përgatitjen e një axhende për bisedime të mëtejshme, e ka përshkruar planin e Trajkovskit si "të shkëlqyer". "Ai përfshin me të vërtetë të gjitha çështjet e diskutueshme ndërmjet Shqiptarëve dhe Maqedonasve," ka thënë ai.


Burime të IWPR-së thonë se Georgievski, drejtuesi i partisë VMRO-DPMNE, ka në plan të rekomandojë në takimin e Ohrit heqjen e të gjitha referencave nacionaliste nga preambula e kushtetutës në favor të një formule si për shembull "qytetarë të shtetit Maqedonas".


Burimet thonë se kryeministri planifikon të rekomandojë edhe bërjen e një deklarate speciale të parlamentit e cila të theksojë vazhdimësinë e shtetit Maqedonas, gjë e cila shpresohet të qetësojë Maqedonasit.


Por siç thonë analistët në Shkup, plani i paqes do të dështojë nëse forcat Maqedonase nuk arrijnë të rimarrin nën kontroll fshatin Araçinovo.


Komandanti i UCK-së në këtë fshat ka kërcënuar se do të bombardojë kryeqytetin dhe mendohet se publiku Maqedonas nuk do të tolerojë kompromise politike ndërsa ekstremistët Shqiptarë kërcënojnë qytetin.


Saso Ordanoski është redaktor i IWPR-së në Maqedoni.


Macedonia, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists