Ushtria Kroate Tronditet nga Skandalet

Pothuajse çdo ditë del në dritë një skandal i ri ku përfshihen forcat e armatosura kroate, dikur të paprekshme.

Ushtria Kroate Tronditet nga Skandalet

Pothuajse çdo ditë del në dritë një skandal i ri ku përfshihen forcat e armatosura kroate, dikur të paprekshme.

Kroacia është tronditur nga faktet e kohëve të fundit, të cilat implikojnë forcat e armatosura në korrupsion, trafik droge, abuzime seksuale dhe paaftësi.


Fillimisht kanë dalë në dritë njoftime se oficerët në ministrinë e mbrojtjes dhe shtabin e përgjithshëm të ushtrisë që prej vitesh përdornin në mënyrë të pakontrolluar rreth 2000 makina "zyrtare", përfshirë këtu 112 tepër luksoze. Shumë prej tyre ishin vjedhur në Bosnje ose ishin "sekuestruar" nga serbët e Kroacisë gjatë luftës.


Por kjo ka qenë vetëm maja e aisbergut. Gjatë sundimit dhjetëvjeçar të ish-presidentit Franjo Tugjman, disa politikanë të opozitës patën guximin të deklaronin se disa anëtarë të forcave të armatosura dhe të ministrisë së mbrojtjes ishin të përfshirë në krimin e organizuar, përfshirë edhe trafikun e drogës.


Megjithatë të gjitha hetimet janë bllokuar, ndërsa bashkëpunëtori i ngushtë i Tugjmanit, Gojko Susak, vazhdonte të qëndronte në krye të ministrisë së mbrojtjes. Në fakt ushtria ka qenë një shtet brenda shtetit - çdo kritikë konsiderohej e njëjtë me tradhëti, një sulm ndaj gadishmërisë luftarake të ushtrisë.


Por në fund të qershorit të këtij viti, dhjetë zyrtarë të lartë dhe oficerë u akuzuan për mashtrimin e bërë ndaj ministrisë së mbrojtjes për një shumë prej 14 milion kuna (1.3 milion dollarë). Ndërmjet të akuzuarve janë tre gjeneralë - Ljubo Çesiq, Matko Kagarika dhe Vladimir Zagorec. Më pas më 12 korrik, 15 oficerë të tjerë të lartë të ushtrisë u akuzuan për përvetësim të fondeve të ministrisë së mbrojtjes.


Kur qeveria e re e kryeministrit Ivica Raçan vëzhgoi më me kujdes dokumentet e ministrisë së mbrojtjes rezultoi se shuma prej 1.3 milion që mungonte ka qenë vetëm një pikë në oqeanin e shpërdorimeve.


Qeveria e Tugjmanit, për shembull, kishte blerë një sistem raketash S-300 nga Ukraina për 230 milionë dollarë. Sistemi, i cili përmban 24 raketa, dy shtretër lëshues, një kullë, një antenë dhe një vinç, është treguar me krenari gjatë një parade ushtarake në Zagreb në vitin 1995. Por sistemi i kontrollit dhe radari, që janë të domosdoshëm për funksionimin e sistemit, mungonin.


Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e një biznesmeni gjerman, Jozef Rothaishner, parashikonte që Kroacia do ta paguante këtë shumë nëpërmjet dhënies me qera të një aeroporti në ishullin Kërk dhe dy komplekse hotelesh turistike me rreth dhjetë hotele.


Por duket se marrëveshja nuk është përfunduar kurrë dhe tani qeveria kroate është e bllokuar duke qenë e detyruar të paguajë për një sistem të papërdorshëm raketash, i cili po zë pluhur tani në një depo pranë Kninit.


Ivica Pançiq, ministri i ngarkuar për përkujdesin ndaj veteranëve të luftës në Kroaci, ka zbuluar një numër të madh mashtrimesh ku janë përfshirë veteranë të gjymtuar, shumë prej tyre oficerë me grada të larta. Duke paraqitur dokumenta mjekësore false, veteranët kanë siguruar katëgorinë më të lartë të gjymtimit duke përfituar privilegje të shumta, si, për shembull, uljen e pagesave për makina të prodhimit të huaj.


Ministri i ri i mbrojtjes, Jozho Radosh, është kritikuar nga publiku dhe presidenti Stipe Mesiq për ritmin e ngadaltë në luftën e tij ndaj korrupsionit. Por kujdesi i tij nuk ka qenë pa arsye - shkalla e problemit dhe rangu i lartë i atyre personave të implikuar kanë qenë vështirësi të mëdha, veçanërisht nëse kihet para sysh se në të njëjtën kohë duhet të ruhet edhe stabiliteti i qeverisë.


Kushtet e këqia të jetesës për ushtarët e rregullt janë vënë në dukje në fillim të muajit korrik kur 42 ushtarë të rinj dezertuan nga njësia e tyre e vendosur në Pula. Dezertorët thonë se ata janë keqtrajtuar nga oficerët në kazermë. Disa kanë deklaruar se janë keqtrajtuar edhe seksualisht. Të tjerë kanë folur për përdorim në shkallë të gjerë të drogës. Një hetim i nisur për këtë çështje ka zbuluar se disa oficerë të rangut të ulët mund të kenë furnizuar ushtarët me drogë.


Qeveria ngul këmbë se ajo po planifikon të shkulë nga rrënjët korrupsionin dhe krimin nga forcat e armatosura kroate. Ndërsa Kroacia dëshiron të anëtarësohet në nismën e NATO-s Partneritet për Paqe, është e qartë se pa një spastrim të thellë të ushtrisë, anëtarësimi në këtë organizëm do të mbetet një ëndërr.


Gjatë dhjetë vjetëve të Bashkimit Demokrat Kroat të Tugjmanit ushtria është shndërruar në një forcë luftarake personale të partisë, ku komandantët e saj përzgjidheshin me kujdes në bazë të kriterit të besnikërisë ndaj qeverisë. Procesi i spastrimit dhe i kontrollit të kujdesshëm sapo ka filluar.


Drago Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists