Kërcënohet Shpirti i Shkupit

Konflikti në Maqedoni po shkatërron shpirtin multi-kulturor të Shkupit

Kërcënohet Shpirti i Shkupit

Konflikti në Maqedoni po shkatërron shpirtin multi-kulturor të Shkupit

Lokali i çajit Ak Saraj, në pazarin e vjetër të Shkupit, ka qenë një vend ku njerëzit me zemër dhe mendje të hapur kalonin orë të tëra duke pirë çaj, diskutuar për lajmë të ndryshme dhe bërë thashetheme.


Maqedonas, Shqiptarë dhe Turq dikur përziheshin gëzueshëm atje. Por kjo nuk ndodh më. Lokali është detyruar të mbyllet për shkak të mungesës së klientelës pas shpërthimit të dhunës ndërmjet forcave të sigurimit dhe luftëtarëve të UCK-së.


Tani në lokalin e vjetër vetëm bëhet shkëmbimi i valutave. Dhe e vetmja gjuhë që mund të dëgjosh është Shqipja.


Edhe bota që përfaqësonte Ak Saraj po zhduket me shpejtësi. Deri pak kohë më parë, multi-kultura ka qenë një fakt i prekshëm: dhe jo një temë e cila dilte nëpër biseda.


Tani, bota ka filluar të flasë për ndarjen tonë etnike, dhe njerëzit kanë filluar ti ndjejnë ndryshimet etnike.


Pazari i Shkupit shtrihet i harruar në bregun e majtë të lumit Vardar i cili pret mespërmes qytetin. Që pas krismave të para në Maqedoninë veriore disa javë më parë, lumi rrjedh edhe ndërmjet dy komuniteteve kryesore të vendit: Maqedonasit etnik në bregun e djathtë, Shqiptarët në atë të majtin.


Maqedonasit etnik, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së qytetit, janë larguar nga shtëpitë e tyre në bregun e majtë, zemra e vjetër e qytetit. Pavarësisht ndërprerjes së luftimeve, ata përsëri vazhdojnë të kalojnë mbi urën Kameni, me valixhe në duar, të detyruar nga ofensiva e ushtrisë rreth 40 kilometra larg në kodrat rreth Tetovës.


"Tregu është boshatisur - dhe pothuajse askush nuk shkon më atje," thotë Vladimir Bogoevski, një orëndreqës Maqedonas. "Maqedonasit nuk vijnë më këtu. Ata ndoshta janë të zemëruar, ose të frikësuar nga ngjarjet e fundit".


Por si shumë pronarë të tjerë dyqanesh, Bogoevski thotë se ai do të vazhdojë të punojë në pazar, siç kanë bërë edhe të parët e tij. Megjithëse tani kanë mbetur vetëm shumë pak klientë.


Një Turk Neset Ramadani, pronar i një pastiçerie, ankohet për zbrazjen e pazarit dhe kujton se si në kohët përpara luftimeve "nuk kishte kurrë rëndësi nëse dikush ishte Shqiptar, Maqedonas, Turk, apo Rom".


Fillimisht konflikti nuk e preku kryeqytetin. Por me përshkallëzimin e konfliktit, u rritën tensionet edhe këtu. Reagimi i parë i njerëzve ndaj luftimeve në Tetovë ishte paniku. Ushqimet e konservuara, kripa dhe sheqeri u zhdukën nga raftet e dyqaneve.


"Disa ditë pas fillimit të krizës, shitjet u dyfishuan," thotë pronari i supermerkatave Kam. Nikola Mitevska nuk ka pasur fat kur ka shkuar për të bërë pazarin e saj të përditëshëm. Ajo thotë se ka shkuar për të blerë një konservë sardelesh," Nuk mund të gjeje asnjë kuti të vetme në të gjithë dyqanet e lagjes sime".


Ajo ndoshta do të kishte blerë një nëse shitësja i jepte adresën e gruas e cila bleu 100 konserva. Në fakt, kjo blerëse është kthyer pas dy javësh. "Zonja deshi të kthente konservat sepse kishte kuptuar se nuk do të kishte luftë," thotë shitësja.


Ndërsa kriza keqësohej, rradhët në pompat e karburantit shtoheshin ndërsa numri i pasagjerëve në terminalin e nisjeve të aeroportit të Shkupit u dyfishua.


Por efekti më i dukshëm i dhunës ka qenë radikalizimi i politikave dhe pragjykimeve të njerëzve. Gjatë pjesës më të madhe të dhjetë vjeçarit të fundit, Maqedonia ka mundur të shmangë tmerrin e luftërave në Ballkan, por tani njerëzit kanë filluar të flasin haptazi për të marrë armët dhe për të luftuar.


"Unë e di dhe kam frikë se do të shpërthejë lufta," thotë një Maqedonas etnik rreth njëzet vjeç. Ai ka marrë pjesë në demonstratat e organizuara përpara parlamentit Maqedonas për të kërkuar përdorimin e një force më të madhe ndaj luftëtarëve Shqiptarë.


Presidenti Boris Trajkovski ka folur gjatë njërit prek këtyre mitingjeve, duke bërë thirrje për qetësi por më shumë se dy mijë njerëz kanë kërkuar armë për të ndihmuar forcat e sigurimit në shtypjen e kryengritjes.


"Ne kemi frikë nga Shqiptarët, nuk mund të duroj më," thotë një djalë i ri. "Nëse ka ardhur momenti të luftojmë, hajde ta bëjmë. Le ti zgjidhim një herë e mirë problemet ndërmjet Shqiptarëve dhe Maqedonasve".


Klima e frikës është e dukëshme larg mitingjeve. Dyqanet mbyllen dhe njerëzit nxitojnë për në shtëpitë e tyre sapo fillon të perëndojë dielli. Në një qytet të njohur për jetën e natës, kafenetë dhe pabet janë pothuajse të boshatisura.


"Ne nuk dalim jashtë shumë shpesh për shkak të gjendjes," thotë studentja Maqedonase Biljana Zdravkovska. "Gjatë ditëve më të frikëshme të luftimeve, njerëzit silleshin sikur po gëzonin ditët e fundit të paqes".


Ajo kujton njerëz që thoshin: "Ejani të pimë, ndoshta është hera e fundit që mund ta bëjmë diçka të tillë. Hajdeni të dehemi dhe bëjmë qejf".


Zdravkoska thotë se ajo dhe shokët e saj Shqiptarë vazhdojnë të mbeten të afërt por e anashkalojnë temën e luftës. Ashtu siç bëjnë edhe dyqanxhinjtë në pazar. Por duket se dyshimi ka filluar të mbijë në mendjet e njerëzve. Njerëzit kanë filluar të pyesin se çfarë mendojnë dhe ndjejnë të tjerët. "Ne jetojmë normalisht," thotë Bogoevski "askush nuk bën ndonjë gjë të ndryshme. Ndoshta të tjerët bëjnë, por jo në sytë tona. E di si, unë nuk po kuptoj më asgjë".


Përpara disa kohëve çifte dhe grupe të rinjsh dilnin shëtitje në brigjet e Vardarit në mbrëmjet e ngrohta pranverore. Të dashuruarit e rinj uleshin në stolat dhe shihnin përtej lumit. Por tani, bregu i lumit është bërë një vend i vetmuar dhe shumë pak njerëz kalojnë urat pas rënies së mbrëmjes.


Gordana Stojanovska Icevska është kryeredaktore e revistës së përjavëshme Kapital e cila botohet në Shkup.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists